Avzi Mustafa: Abetarja e Samiut veper me rendesi
| E Hene, 04.08.2014, 07:40 PM |

ABETARJA E SAMIUT VEPER ME RENDESI PER HISTORINE E ARSIMIT DHE GJUHES SHQIPE

Shkruan: Avzi MUSTAFA

Sami Frashëri  bashkë me rilindësit tjerë e kishin kuptuar se pa hartimin e abetareve  nuk mund që të ngrihen themelet e kalasë së kulturës kombëtare. Kështu që vitet 1886-1888 janë vitet kur patriotët shqiptar iu përveshën punës për botimin e librave shkollore sepse pa to nuk  do të mund të realizohej projekti që e kishin hartuar burrat e mëdhenj të kombit. Pa abetare dhe tekste të tjera shkollore nuk mund të hapeshin shkollat në gjuhën amtare shqipe. Dhe kjo periudhë do të dallohet nga periudhat tjera sepse  detyra parësore siç shkruan Skender Luarasi se “nën mbikëqyrjen e shenjtërve tonë: Koto Hoxhit, Hoxhë Tasinit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Sami dhe Naim Frashërit e Isamil Qemalit e të tjerëve, të shkruhet një Abetare me të cilën do të përhapet Drita” (Mustafa,A.,1995, f.11).

Sami Frashëri bashkë me rilindësit tjerë Fjalës shqipe i dha Fytyrë sepse ai botoi “Abetaren e gjuhës shqip”. Abetarja e Samiut u shtyp për herë të parë nga shoqëria “Drita” e Bukureshtit, më 1886.  Kjo Abetare është libri i parë që shtypej me alfabetin e njësuar, me alfabetin e Stambollit, që u krijua po në atë vit. Në Alfebetaren e Stambollit” Sami Frashëri ka botuar dy shkrime: Gjuha shqipe dhe Dheshkronja (Gjeografia). Këto kanë rëndësi për idetë patriotike që shpreh autori dhe që i shtjellon më vonë në veprat e tij si Shqipëria ç’ka qenë. Ç’është dhe ç’ka do të behet ( 1899).

Sami Frashëri  si model merë Alfabetaren e gjuhës shqip të botuar  7 vjet pas “Alfebetares  së gjuhës shqip” të Satambollit  ashtu  si me përvojën e fituar nga përdorimi i saj, diskutimet me veprimtarët tjerë të Rilindjes e ndihmuan shumë që Sami Frashëri  ti reket punës për të hartuar një libër mësimor me një nivel më të lartë nga pikëpamja metodike në krahasim me Alfabetaren.

Siç dihet  se shkolla dhe shkrimi shqip u përhap në kushte tej të vështira jo vetëm nga ana e otomanëve, por edhe nga lufta e pa drejt dhe gllabëruese e shovinistëve fqinj, që sa më tepër tokë arbërore të përvetësojnë, por edhe nga vetë shqiptarët.

Dhjetë vjet më vonë pas botimit të “Abetareres” se Sami Frashërit, shtypi i kohës do të shkruaj “kleri është një armik po aq i madh se qeveria osmane, se fetë janë bërë mollë sherri dhe gjakësore, se besimet e ndryshme, hoxhët çallmëdhenj, priftëritë mjekërgjatë dhe pashallarët e fëlliqur janë ata që na pengojnë, se nga fanatizmi e priftëria e hoxhallarëve jemi përndarë e copëtuar” (Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).

Duke analizuar Abetarin e gjuhës shqip të Sami Frashëri shohim se kjo abetare  është ndërtuar mbi bazën e shkronjave latine dhe siç thotë linguisti Anastas Dodi mund të “ quhet i përsosur në kuptimin e përcaktimit të numrit të fonemave të gjuhës letrare shqipe dhe të zbatimit të parimit  një shkronjë një tingull”. (Dodi, A, Gjuha jonë, nr. 2/1986, f. 108).

Kjo tregon shton Dodi se Sami Frashëri  “ përmban një figurë të shquar në formimin enciklopedik, një nga mendjet më të ndritura që ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në kulturën evropiane” ( Dodi, po aty).

Sami Frashëri në hartimin e shkronjave është mbështetur në metodën e rrogëzimit sepse ai në Abetare na jep një pasqyrë të rrokjeve të shqipes, sidomos mjaft interesant është ndarja e fjalëve në rrokje duke i përfshirë rrokjet e hapura dhe rrokjet e mbyllura. Po ashtu me një njohje të thellë të një filologu në mënyrë shumë të drejtë i përpunon  grupet e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, si dhe përdorimin e theksit. Shembujt që i përdor janë fjalë të marra nga gurra popullore  për të shënuar si theksin e mprehtë dhe atë hundor e sidomos fjalët të cilat kanë pasur historikisht një -n-fundore ai shkruan me theks hundor si p. sh.: hu, fre, tra, dru etj. Vetëm ky detaj  na dëshmon se Samiu ishte edhe njohës i mirë i të folmeve shqiptare, gjegjësisht një dialektolog i shquar.

Nëse e i bëjmë Abetares së Sami Frashërit një vështrim gjuhësor nga aspekti gramatikor do të shohim se ky  linguist rëndësi të madhe i jep gramatikës didaktike ku jep edhe njohuri  mbi përdorimin e shenjave të interpukcionit : mbi thonjëzat, pikëpresjen,  pikëçuditësen,  dy pikat, pikën,  kllapat , vizën lidhëse, vizën ndarëse etj .(Frashëri, Abetare, mësimi 58).

Por jo vetëm kaq Sami Frashëri  ndihmesë të madhe jep edhe në sferën e leksikologjisë në afrimin e dialekteve si dhe përpjekjen e tij në pastrimin e gjuhës shqipe prej fjalëve të huaja, por edhe në pasurimin e terminologjisë  shqiptare. Kështu që Samiu mund të llogaritet si një ndër ato që ka vetëdije të lartë ku gjuhën amtare dhe këtë  e shikon si një prej faktorëve kryesor të mëvetësisë kombëtare.

Abetarja e Samiut  paraqet interes të veçantë edhe nga përmbajtja e saj. Ajo përmban vlera letrare të vërteta. Copat e leximit nuk janë vetëm përralla e vjersha , por janë përfshira edhe , bujqësia, klima, , pasuritë natyrore që kanë për qëllim ta njoftojnë lexuesi me pasuritë e Shqipërisë. (Frashëri Sami, Abetare, mësimi nr.49-58)

Copat e leximit  përmbajnë karakter shkencor, artistik dhe edukativ. Ato janë të bukura dhe të përshtatura moshës së nxënësve. Zgjedhja e tyre është bërë me mjeshtri  nga dora e një pedagogu siç ishte Sami Frashëri. Ato janë interesante tërheqin vëmendjen e nxënësve e cila mbartin vetinë e shpërndarjes të  shpejt tek ata. Mbi të gjitha ato janë mjaft të thjeshta dhe shumë të përshtatshme për fëmijët.

Fjalitë janë të thjeshta e të qarta . Në çdo copë leximi del në pah  trimëria, dashuria. thjeshtësia, puna, mirësjellja, morali, atdhedashuria  etj. Të gjitha tregimet janë të zgjedhura me një mprehtësi shumë të madhe që kanë pikësynimin rritjen e vlerave shëndosha edukuese  ku nxënësi duhet të fitojnë njohuri mbi virtytet  dhe parimet  e drejta të drejtësisë e të krenarisë shqiptare. Si p. sh. Dheu është flori, Mbollë të tjerit e ha ti, Kush s’punon mbetet urëtë, mos e fshih fajin etj/ ( Frasheri Sami, Abetare e  gjuhës shqip, mësimi 59, 60, 61) që edhe sot e kësaj dite janë këto copa të leximit janë prezentë në abetaret e sotme.

Samiu në Abetaren shqip në çdo ribotim atë e plotësonte pa lenë anësh të gjitha trevat shqiptare. Kështu që në ribotimin e dytë e heq copën e leximit ku janë figura mitike “Jakobi dhe Josifi- dhe vendos vjershën e patriotit nga Reka Josif Bagerit me titull “Djali dhe bilbili”. ( Frasheri, Sami, mësimi 69). Po ashtu se në Abeteren e tij kemi edhe zëvendësimini e copës së leximit me titull “Kristofor Kolumbi e cila zëvendësohet me copën e leximit  “Mësimi gegërisht ( Frashëri Abetare e gjuhës shqipe,mësimi 68).

Në Abetaren e Samiut në botimet qe pasojnë është  dhenë ABEC-ja e shqipes në përqasje me turqishten , frëngjishten dhe greqishten jo pa qëllim , por shumë nxënës shqiptar të cilët ndiqnin shkolla të huaja të mund që sa më lehtë ta mësojnë gjuhën e bukur shqipe.

Abetarja e Samiut beri shumë shërbime të vlefshme shkollës shqipe dhe arsimit  tonë. U ribotua   për së treti herë në vitin 1909 në Stamboll  me njëherë pas mbajtjes së Kongresit të ABC-së në Manastir  ku u vulosën shkronjat tona të arta, , e  Manastiri  mbetet Jerusalemi shqiptar sepse i bashkoi edhe germat edhe shqiptarët që për gjuhën dhe arsimin shqip.  Abetarja e Samiut  dha dëshminë më të madhe në përhapjen alfabetit të përbashkët dhe ndërpreu rrugën e përçarjeve fetare sepse ajo ishte mëndesha e vërtetë e edukimit dhe rritjes së ndërgjegjes kombëtare shqiptare pa dallim besimi e krahine sepse vuri kufirin në mes të shkollës shqipe dhe shkollave të huaja.

Referencat:

Mustafa, Avzi ,Figura mësuesish shqiptar-1-, BKSH, Tetovë, 1995

Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).

Dodi, Anastas, Gjuha jonë, nr. 2/1986,

Frashëri,Sami,  Vepra 4, Abetare e gjuhës shqip, red. Xhevat Lloshi.Logos_A, 2004



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: