Shtjefën Dodes: Të devotshmit e dhunshëm?
| E Diel, 03.08.2014, 12:58 PM |

Të devotshmit e dhunshëm? Tri pyetje-përgjigje lidhur me fenë dhe dhunën

Nga Shtjefën Dodes SJ

Dhuna, konfliktet, luftërat, masakrat që po i shohim, dëgjojmë a përjetojmë, e që shpesh herë po ndërlidhet me çështjet e fesë, na detyrojnë të pyesim: a thua mund të ketë ndonjë lidhje në mes të fesë dhe këtyre dukurive negative, neveritëse? Përveç shkaqeve të dhunës njerëzit ndoshta edhe me pavetëdije interesohen se cilat do të ishin mënyrat për të punuar për pajtim dhe paqe në një botë me ndarje të ndryshme etnike, fetare dhe kombëtare, në të cilën po jetojmë. A ekziston ndonjë lidhje ndërmjet fesë dhe dhunës? Si mund të jetë religjioni pjesë e zgjidhjes së një konflikti? Si mundemi ne të gjithë të bëhemi dëshmitarë të paqes në një botë shumë të trazuar? Janë këto vetëm disa nga pyetjet që sot shpesh na imponohen.

1. A e bën religjioni njeriun të sëmurë?

Psikoterapia dhe psikiatria gjithnjë e më shumë po e njohin shpirtësinë (spiritualitetin, jetën shpirtërore) si një komponent jete që “mund t`i ndihmojë shumë” shëndetit mendor dhe i bën njerëzit të lirë. “Religjioziteti, i krahasueshëm me empatinë (ndjeshmërinë, dhembshurinë apo aftësinë për të hyrë në shpirtin e tjetrit), është aftësi që e ka çdonjëri dhe që njeriu mund ta promovojë apo ta lë atë të mbetet djerrë”, kështu thotë Raphaell Bonelli, psikiatër, psikoterapist dhe neurolog në Vjenë.

Gjatë shekullit 20-të, një kohë të gjatë religjioni qe injoruar në terapi apo edhe konsiderohej si bllokadë. Kjo është një trashëgimi e "vjetruar" e Sigmund Freud-it, qëndrimi i të cilit për religjionin ishte se ai e shihte atë si "neurozë (ide fikse) kolektive", gjë që edhe sot e karakterizon mjekësinë dhe trajnimin terapeutik. Megjithatë, gjithnjë e më shumë po largohen këto rezerva, ekspertët po ri-mendohen dhe po e njohin se shpirtësia është e shëndetshme.

Një provë për bazën shkencore të këtij ndikimi pozitiv e ka dhënë Bonelli kohët e fundit nga një meta-studim i kryer në bashkëpunim me kolegët nga Duke University. Është treguar nga të gjitha hulumtimet ndërkombëtare të nivelit të lartë lidhur me çështjen që nga viti 1990, se depresioni, varësia apo vetëvrasja në mesin e njerëzve fetarë ndodh shumë më rrallë se sa te ateistët.

Me këto rezultate në mënyrë sinkrone shkojnë njohuritë e psikoterapisë moderne. Kështu për shembull psikologu amerikan Martin Seligman këshillon që të njihet dhe të vlerësohet shpirtësia si një burim i njeriut. Megjithatë, terapistët, kështu kërkon Bonelli, do të duhej të bëjnë një dallim të qartë midis religjionit dhe religjiozitetit: “Ndryshe nga religjioni, që duhet mbetur përjashta në terapi, religjioziteti nuk ndërmjetëson përmbajtje, por e përshkruan vetëm qëndrimin ndaj transcendencës si një dimension të të qenit njeri.”

Megjithatë, ka edhe deformime të një shpirtësie neurotike, e cila “e bën njeriun të shqetësuar, me ankth, të vogël dhe të shtrënguar dhe i bën njerëzit të hidhur”, siç e përshkruan Bonelli. Shpesh herë lajmërohen qëndrime superiore (të tipit “unë e di më së miri”), mospërfillje të të tjerëve për shkak të besimit të tyre fetar, ri-interpretime të doktrinës zyrtare, “sepse pikërisht në jetën vetjake gjërat rrjedhin ndryshe”, nganjëherë rrëshqitje në racizëm. Religjioni këtu keqpërdoret për qëllimet vetjake. “Meqë këtu kemi të bëjmë me mbrojtjen e egos në vend të bindjes fetare, me çështjen në vetvete dhe  me të tjerët, kjo formë përjashton dashurinë ndaj të afërmit.”

Disa gjëra në Kishën Katolike, Bonelli nga perspektiva e një psikoterapisti, i sheh veçanërisht pozitive. “Për shembull, që ajo në shoqërinë tonë perfekcioniste arrin të rrëfej fajet e veta dhe që edhe prifti në liturgji e thotë bashkë me të tjerët “mea culpa” (po i rrëfehem Hyjit... “për fajin tim”). Së dyti, ai përmend në këtë pikë rrëfimin, sakramentin, misterin e shenjtë të pajtimit, dhe e treta, “që Kisha fton të jemi të gatshëm për të falur. Ky është ilaçi më i mirë për hidhësinë,” thekson shkencëtari i Vjenës.

2. A nuk po e dëshmon dukuria e fundamentalistëve se feja është helm për popull?

Ndodh që duke i parë disa sjellje të individëve a grupeve ekstreme, fundamentaliste, që thirren në pastërtinë e fesë, disa njerëz vijnë në përfundim se feja qenka shkaku i shkandujve, opium, helm për popull.

Në pyetjen se a e bën religjioni njeriun neurotik (të sëmurë në sistemin nervor), psikoterapeuti vjenez Raphael Bonelli përgjigjet se vetë tre themeluesit e shkollave vjeneze të psikoterapisë kanë mendime të ndryshme këtu: Sigmund Frojdi besonte se neurozat lindin kur seksualiteti ndrydhet; Alfred Adler postulon neurozat si ndjenja inferioriteti (të vlerës së ulët), si pafuqi me të cilën njeriun s`është në gjendje të përballët, dhe Viktor Frankl e shpjegonte një neurozë si vuajtje nga jeta e pakuptimtë.

Një neurozë është një "e qenë-i-burgosur-në-veten-tënde" vetjake, një frikë për veten tënde, sepse në fund të fundit çdo frikë është në njëfarë mënyre egocentrike.

Studimet e fundit shkencore provojnë se religjioziteti 90% i bën njeriut mirë. Si qëndron puna me pjesën tjetër të 10%? Për këtë duhet dalluar mes dy motivimeve të ndryshme të ushtrimit të fesë:

Besimtari i motivuar prej së brendshmi (në mënyrë intrinseke) s`e kërkon avantazhin e vet, por e çmon lartë transcendencën, ia nënshtron veten e vet Hyjit dhe dëshiron t`i shërbejë fesë.

Kurse njeriu i motivuar prej së jashtmi (në mënyrë ekstrinseke), e përdor, shfrytëzon fenë. Ai shkon p.sh. në vende kulti, të shenjta, për t'u parë nga të tjerët, në mënyrë që të përmirësojë reputacionin e vet, për të paraqitur personin e vet. Këta njerëz vuajnë nga "religjioziteti" i tyre dhe ndoshta përfaqësojnë atë 10%-shin e atyre të cilëve feja nuk u bënë mirë.

Një religjiozitet i vërtetë me një jetë të pjekur shpirtërore, të lutjes dhe moralit e lidh njeriun me Hyjin dhe ndikon pozitivisht në shëndetin e tij psikik. Mirëpo, pranë kontributit padyshim të madh të religjiozitetit në jetën e individëve, ai mund nganjëherë të paraqesë edhe disa faktorë të rrezikshëm te persona që kanë një devotshmëri të papjekur. Kjo nënkupton përfytyrime (imazhe) të shtrembëruara mbi Zotin, vetveten, moralin, sjelljen bazike fetare në forma të gabuara të lutjes, sakrificës, pendesës, braktisjes, theksimit të tepruar të ndjenjës së fajit, mesianizmit, vizioneve të shpikura fetare dhe formave të tjera, shpesh herë, të një religjioziteti infantil (foshnjarak).

Si komponentë të një religjioziteti të papjekur që nxisin neuroza theksohen kërkesa joracionale apo tejet të rënda me parime tejet të larta morale, mënyra se si u prezantohet besimtarëve gjithë ajo çka duhen bërë për ta kënaqur Zotin; mbajtja e besëtytnisë dhe pasigurisë në fe; njohuria jo e mjaftueshme dhe kuptimi i gabuar i të vërtetave të fesë, kërkesave dhe sjelljeve. Prania e këtyre komponentëve mund të çojë deri te përvoja me simptoma neurotike te besimtarët.

Jeta fetare, pra, nuk shkakton psikoneuroza, por vetë njeriu neurotik fut në psikopatologjinë e vet përmbajtje të caktuara fetare duke i kanalizuar pengesat e veta psikike te feja, e cila në këtë mënyrë bëhet përfaqësim i tyre eksplicit. Sot kemi nevojë për një religjiozitet të vërtetë, të pjekur dhe të shëndoshë. Njeriu i sotshëm ndihet i thyer në mes besimit dhe mosbesimit, prandaj duhet ofruar atij vetëm format nga më të shëndoshat të një religjioziteti të vërtetë.

Në mënyrë të përmbledhur duhet thënë se besimi nuk të bënë neurotik, por është e vërtetë se ekziston një formë neurotike e të besuarit.

Një religjiozitet i shëndetshëm, i cili është i bazuar në një përfytyrim (imazh) të drejtë mbi Zotin e mirë, të plotfuqishëm dhe të mëshirshëm; një jetë e drejtë shpirtërore dhe e lutjes, sakramentet (misteret e shenjta), rrëfimi, meditimi, bashkëbisedimet në përkujdesjen baritore, mesazhet dhe predikimet shërbejnë si ilaç shpirtëror dhe ndikojnë në zhvillimin e shëndetit të mirë mendor. Ndërsa përfytyrimet (imazhet) e rreme mbi Zotin shkaktojë ikjen nga Zoti ose rebelimin kundër tij, dhe kështu mund të shkaktojnë çrregullime mendore.

Fryma e kohës që e shtyn njeriun për të kërkuar realizimin e vetvetes, nuk i bën mirë psikikës. Kurse qëndrimi fetar për të shikuar jo drejt vetes tënde, por drejt të tjerëve, i përshtatet shumë njeriut. Për shkak se njeriu vetë nuk është i mjaftueshëm. Ai jeton nga përkushtimi, marrëdhënia me njerëz të tjerë, dhurimi i vetvetes. Kjo e bën atë shumë më të lumtur sesa të jesh i dhuruar nga të tjerët.

3.  Nëse ekziston vetëm një Zot përse atëherë ekzistojnë shumë religjione?

Në këtë pyetje, Martin Jäggle, profesor i pedagogjisë së fesë, do të përgjigjej:

“Kjo është një pyetje e mirë, por shpesh herë në pyetje të mira nuk ka përgjigje të lehta e aq më pak përgjigje të shpejta. Me durim kërkimi i një përgjigje mund të bëhet interesant.

Kërkimtarët e mirë fillojnë me komunikimet dhe kërkimet e tyre jo thjeshtë dosido, por e shqyrtojnë në rend të parë pyetjen dhe reflektojnë çka qëndron prapa saj. Prej nga vjen pyetja lidhur me një Zot të vetëm, me shumë religjione dhe si duhet e gjithë kjo të ndërlidhet njëra me tjetrën.

Pas pyetjes së parashtruar fshehët para së gjithash përvoja që anëtarët e religjioneve të ndryshme shpesh herë nuk e durojnë njëri-tjetrin, por grinden, zihen keqas dhe luftojnë kundër njëri-tjetrit.

Çdo religjion i ka festat dhe lutjet e veta, çdo religjion e paramendon Zotin ndryshe dhe e rregullon jetën e përbashkët të njerëzve ndryshe. Çka është e rëndësishme në jetë, në këtë çështje çdo religjion jep një përgjigje tjetër. A thua këtu nuk duhet të vijë deri te konflikti? Jeta do të ishte më e thjeshtë, po të kishte vetëm NJË religjion, apo jo? Atëherë të gjithë njerëzit do ta kishin një orientim, të njëjtat festa, të njëjtat lutje dhe tregime, të njëjtat përfytyrime të Zotit.

Ta paramendojmë thjesht se ekziston vetëm një religjion, po e zëmë, ekziston vetëm krishterimi. Por edhe në këtë rast llojllojshmëria nuk do të hiqej. Me qindra kisha dhe bashkësi të shumta, që ekzistojnë brenda krishterimit, do të ekzistonin tutje.

Përgjigjja jonë niset nga NJË Zot i vetëm. Kush beson në një Zot të vetëm, për të çdo njeri është një krijesë e këtij Zoti dhe të gjithë njerëzit janë të barabartë: të barabartë në dinjitet, të barabartë në vlerë, pa marrë para sysh sa është i moshuar, ku jeton dhe kush janë. Atëherë as “luftëra të zotave” nuk do ketë, për shkak se zotat do të ishin “hiça” para një Zoti të vetëm.

E megjithatë njerëzit janë të ndryshëm. Çdo njeri është i veçantë, asnjë njeri s`e ka shoqin e vet. Njeriu vetë është i papërsëritshëm. Kjo edhe duket në shumë tipare fizike, për shembull në shenjat e gishtave.

Kush beson në një Zot të vetëm, jo vetëm që e di që të gjithë njerëzit janë të barabartë, por e di edhe që ata janë të ndryshëm. Ndoshta religjionet e shumta kanë të bëjnë me ndryshimin/diferencat e njerëzve. Njerëz të ndryshëm mund ta njohin një të vetmin Zot vetëm në mënyra të ndryshme.

Gjithsesi pyetja e parashtruar në fillim nuk ka një përgjigje të vetme. Sepse, mund të pyesim edhe kështu: kush do të kishte të drejtë  dhe pushtet për ta hequr vetëm edhe një religjion të vetëm? Cili religjion do të ishte? Dhe si do të bëhej kjo pa luftë, pa vrasje dhe goditje vdekjeprurëse? Religjione të shumta do të ketë edhe në të ardhmen. Ne duhet të mësohemi të jetojmë me një të vërtetë të tillë. Kjo varet prej nesh.”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: