Ukshin Zajmi: Premierë në Gjilan
| E Marte, 22.07.2014, 07:03 PM |

“Fundi i lojës” se Beckett-it në Gjilan

Nga Ukshin Zajmi

Teatri profesionist i Gjilanit, në saje të përpjekjeve të regjisorit Bashkim Ramadani  dhe aktorëve: Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Kreshnik Berisha e Valmira Hoti, vunë në skenë një nga kryeveprat teatrale të Samuel Beckett-it “Fundi i lojës”, ndoshta jo aq për t’u përkushtuar që teatrin e absurdit t’ia paraqesin publikut gjilanas e më gjërë, por edhe që të alegorizojnë me situatën aktuale të teatrit, mbase jo vetëm në Gjilan, por edhe të situatës së përgjithshme shoqërore e madje edhe politike në vend e besa edhe më gjërë. Ndonëse, në veprat e Beketit asnjëherë nuk jepen indikacione të kohës kur shtjellohet ngjarja (pa ngjarje) dhe vendi i veprimit ( pa veprim), megjithate protagonisti kryesor  Hamm (Avni Shkodra) në një rast thot: “Kohë s’ka patur. Koha mbaroi.”, a nuk aludon kjo në situaten aktuale tek ne, kur asgjë nuk shkon mirë e mbarë, sekendejmi për këtë situatë edhe “koha mbaroi”- pra kërkohen ndryshime.

***

T’i lëmë anash alegorit e aludimet, për të cilat edhe teatri funksionon, e t’i kthehemi konceptit regjisorial, lojës së aktorëve dhe gjitha pjesëve tjera përcjellëse që këtë shfaqje e paraqiten para spektatorëve gjilanas me 19 korrik të vitit 2014.

Regjisori, Bashkim Ramadani, ngjarjen e shfaqjes e paraqet në një kthinë të vjetruar plot pluhur ( e realizuar teknikisht me krijimin e tymit artificial) qe aludon në ndonjë pjesë hangari dikund afër detit e tokës, apo edhe në ndonjë kthinë të ndonjë nëndetseje të braktisur. Në te jane vendosur Hamm (Avni Shkodra) në një karrocë invalidi, i cili nuk mund të ngritet në këmbë e që është edhe i verbër, dhe Clov (Kushtrim Qerimi), shërbetor, i cili nuk mund të ulet e shktrihet. Në këtë ambient ndodhen edhe dy kosha plehrash, që asocojnë në frigoriferë me ngrirje të thellë, dhe në ta janë vendosur Nagg (Kreshnik Berisha) babai i Hamm-it dhe Nell (Valmira Hoti) nëna e tij. Janë këtu edhe dy dritare, tek të cilat Clov afrohet e shikon përmes shkallëve apo drejtpërdrejtë, atëherë kur regjisori e vendos në Gingala (drunj në të cilat i vendos këmbët dhe ecën, duke shtuar kështu gjatësinë e trupit), dhe një litar për varje. Me qëllim të përcjelljes sa më afër të veprimit aktoresk, edhe shikuesit vendosen në binën e teatrit, nga se aktorët (vetëm Clov) veprojnë edhe në pjesët e larta, që nënkupton tavanin apo ndonji kat më lart se vendi ku qëndron Hamm.

Duke e ditur se Beckett në veprat e tij teatrale, mbase edhe në krijimtari tjeter të tij, paraqet aspekte të zymta të jetës :vetminë, dobësinë, degradimin dhe humbjen e dinjitetit, këtij koncepti i mbeti besnik edhe regjisori, andaj, këtu nuk u paraqit asnjë shpresë për të vazhduar më tej, por vetëm përfundim të gjithë asaj që i thonë jetë beketiane, duke filluar edhe nga përfundimi i ushqimit. Në një ese të titulluar ‘Proust”, Beketi shkruan: "Tentativa për të komunikuar atje ku asnjë komunikim s'është i mundur është një majmunëri e kulluar, një vullgaritet apo një komedi e neveritshme…” andaj edhe komunikimi i përsonazheve në shfaqjen “Fundi i lojës” në Gjilan ishte i tillë, përderisa Hamm flet më shumë, Clov përgjigjet shkurt apo edhe me gjeste (pantomimë) e në këtë rast, merrne me mend, se sa e kupton një i verbër. Vështruar nga kjo mund të thuhet se regjisori i qëndroi besnik autorit dhe të gjitha aduteve të teatrit absurd, që ndryshe edhe është quajtur “antidramë “ apo “antiteatër”.

Veprimi aktorest në skenë u diktua nga teksti i Samuel Beckett-it, andaj Hamm (Avni Shkodra) ishte ai që dominoi, kuptohet vetvetiu, se ai ishte edhe kryesori, nga se prindërit babain Nagg (Kreshnik Berishën) dhe nënen Nell (Valmira Hotin) i kishte izoluar për të jetuar në kosha plehrash dhe shërbëtorin Clov (Kushtrim Qerimin) e përdorte për t’i shërbyer e edhe për t’i deftuar për ate që ndodhte (nëse ndodhte!) për rreth tyre. Përderisa Avni Shkodra ishte më i zëshëm në pyetje e  monologje, por statik në karrocë invalidi, Kushtrim Qerimi ishte i paktë në fjalë e shprehje por më i levizshëm, andaj fizikisht dominonte në skenë, gjë që i përmbushi të gjitha kërkesat regjisoriale. Kreshnik Berisha e Valmira Hoti, ndonëse të izoluar fizikisht, të nbyllur në kosha plehrash, me daljen e kokave të tyre në skenë, ata dhanë gjithë atë që është kërkuar, duke na paraqitur dy personazhe të gjalla (që qëndrojnë si të vdekur). Këtë ua mundësoi dukshëm grimimi por edhe mimika e tyre. E sa për paraqitje të karakterit të përsonazhit këtu edhe nuk mund të flasim fare, sepse tek teatri i absurdit personazhet nuk luftojnë për  asgjë, nuk synojnë asgjë, nuk presin asgjë nga jeta, pos që paraqitet  dhembja për fatin njerëzor dhe absurditeti i të jetuarit  nën kërcënimin e përhershëm të vdekjes. Vlerësuar nga kjo, mund të thuhet se aktorët dhanë gjithë ate që mundën nga vetja për të realizuar me dinjitet shfaqjen “Fundi i lojës” të Beckett-it, por edhe porosinë e regjisorit, tash si autor të kësaj shfaqjeje në skenën e Teatrit Profesionist të Gjilanit.

Elementet përcjellëse të shfaqjes që e rrumbullaksuan si tërësi funskionuan mjaft mirë. Muzika e Florim Gagicës forconte ambientin dhe gjendjen e protagonistëve, kostumet ishin funskionale dhe të rehatshme për aktorët që ishin dizajnuar nga Blendina Xhema, e cila bëri edhe skenografinë e cila është e paktë, por i përshtatet kohës e ngjarjes. Verpimi i dritave të Fatmir Halilit forconin ngjarjen e veprimin e aktorëve ashtu siç ishin funksionale dhe të kapshme në çdo moment edhe rekuizitat e Suad Berishës. Sa u verejt, nuk pat shumë punë inspicienti Raif Haziri, i cili është edhe organizator, por rol të rëndësishëm luajtën edhe Mehdi Hoti, Haki Aliu e Fehmi Hoti, të cilët kësaj radhe jo vetëm që e realizuan skenografinë, por edhe vendosën karrikat dhe mjetet tjera për spektator në binë, që kësaj radhe dukej sikur ndonjë teatër antik.

***

Veshtruar në tërësi, teksti i Samuel Beckett-it “Fundi i lojës” që është një nga kryeveprat e tij, me regji të Bashkim Ramadanit e me aktorët: Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Kreshnik Berisha e Valmira Hotin ishte një realizim i mirë teatral, duke e paraqitur besnikërisht në skenë absurditetin e jetës së parë nga syri dhe penda e Beckett-it, e që asocon, edhe në jetën e shoqërisë në kohë, mbase në disa mjedise është aktuale edhe në  këtë nënqiell.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: