Fotaq Andrea: Piktura Taso në Pallatin e Europës
| E Shtune, 05.07.2014, 08:45 PM |

Piktura Taso në Pallatin e Europës

Nga Fotaq Andrea

Një copëz Shqipëri, Pogradeci i adhurueshëm i Lasgushit dhe i Kutelit po shfaqet këto ditë në Pallatin e Europës Strasburg nën penelin e piktorit të merituar Anastas Kostandini. Janë 35 tablo në vaj plot dritë dhe 10 grafika befasuese që po i dhurohen admirimit të një publiku europian në Këshillin e Europës, nëpërmjet ekspozitës së Mjeshtrit Taso, e çelur më 23 qershor, një ditë para se Shqipëria të merrte de facto statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Vetë përurimi i kësaj ekspozite në Organizatën më të vjetër europiane dhe në kërthizë të kryeqytetit europian ishte si një ogur i mirë që atdheu i shqipes dykrenore përherë e ka merituar vendin e vet në familjen e madhe europiane, qëkurse Viktor Hygoi, në mesin e shekullit XIX, e ka përmendur praninë historike të Shqipërisë kur fliste për Rhinin, Alzasë-Lorrenën dhe Shtetet e Bashkuara të Europës. Ishte një ogur fatlum që rikujtonte dhe paralajmëronte se Shqipëria ka ditur, di e do flasë jo vetëm me gjuhën e historisë së saj të lashtë epike, por edhe me gjuhën e artit e të kulturës së përparuar, si hallka kyçe të emancipimit dhe të progresit shoqëror bashkëkohor.

Pamje e pjesshme e Expo-Taso në Pallatin e Europës.

Në qendër piktori Anastas Kostandini.

Pjesa më e madhe e Ekspo-Taso janë peizazhe pikturuar sipas natyrës, pikturë “ajri gjithë ajrim” do thoshim, me strukturë të gjerë hapësirore, ku impresioni i parë lë gjurmën e vet mbi telajo në formë të kondensuar dhe me hovje peneli. Këndi i shikimit, piketimit dhe ndriçimit, shfaq kësisoj të padukshmen Taso në të dukshmen, atipiken në tipiken, depërton në të dhe e vizualizon, për të dhënë një përmbajtje plot freski. Por vepra d’après nature nuk mbaron me kaq, sepse artisti përherë ngulmon ta përpunojë me imtësi në atëlienë e tij, në atë shtëpi trekatëshe shndërruar në Galeri karakteristike prestigjioze dhe që përbën nderin dhe krenarinë e Pogradecit. Kështu vepra, qoftë peizazh, qoftë kompozim, “vishet, siç thotë piktori,  me tisin e vetes sime”, mbruhet me forcën e tij të brendshme shpirtërore.

Piktori Artan Llane, Anastas Kostandini, Fotaq Andrea dhe Elsa Kostandini (bashkeshortja e piktorit Taso).

Efektet e fuqishme hije-dritë të penelit Taso, kur mbërthen e gllabëron me vështrim pikën e agut mëngjesor, apo ndriçimin e mugët mbi Pogradecin dhe fshatrat përreth, mbi liqenin vezullues të Ohrit, mbi shtëpitë e vjetra që mbajnë njëra-tjetrën me kurriz, mbi pullazinat dhe tjegullnajën herë të kuqërremtë, herë të pëhimtë, herë zbardhur dëbore; efektet e fuqishme plastike me ngjyrim sa harmonizues aq edhe kontrastues, të beftë e befasues; thyerjet e forta aksidentale të një linje mozaikore gjer në abstraksion gjeometrik apo sezanian me shfaqje ku voluminoze, ku në miniaturë të objekteve; tonet e forta realiste, ekspresioniste, kubiste, e prekubiste, të gjithë këto shfaqin një pjekuri artistike të shkallës së lartë të piktorit Kostandini, përherë në kërkim të së resë, në tematikë, teknikë e formë, duke shpalosur krejt identitetin dhe individualitetin e tij mjeshtëror.

 Kuratorja Merita Musaj në fjalën e çeljes të Ekso-Taso.

Pamje nga të pranishmit në sallë.

Ka shumë dinamikë e dinamizëm në pikturën Taso, sidomos në interioret e tij, qilarët antikë, ku vërtet mungon dielli, por ama ngroh e ndrin okra, e kaltërremja dhe e blerta në krejt larushitë e tyre. Ka shumë romantizëm në to, falë botës së pasur shpirtërore të Tasos, gjendjeve të tij emocionale në shpërthim, që shkojnë gjer në sublimim të çastit piktorik. Publiku artdashës europian (Pallati i Europës vizitohet çdo ditë nga qindra vetë të moshave 12 gjer në 75 vjeç) sheh kështu në Ekspozitën Taso ku një prodhues vere që shtyp paqësisht me këmbët e çizmosura bistakët e rrushit, ku një tendë hardhie buzë liqenit paradiziak - ku vetë fryti vjeshtak i bën nder kazanit të rakisë apo ujit të jetës, siç thonë frëngjit; admiron ku një burim që gulfon e gurgullon ujët plot freski mes një lagjeje që të kujton Tushemishtin e pashembullt, ku një pazar kafshësh shtëpiake hapërdarë mes bunkerësh hijerëndë; e më tej, tërhiqet pas një kishe, pas një minareje a një kamabanareje, që flasin për harmoninë fetare tipike shqiptare, pas portrete kreshnikësh, apo pas një ekzotike shqiptare me kostume kombëtare gjithë vërshim kolori, pas një fushe të grunjtë, një misri të korrur, malesh masive mavi, pas kasollesh e fshatrash plot dritë e jetë.

Ekspo Taso në Këshillin e Europës, 23 qershor 2014.

Në fakt, kur ngulesh para Veprës Taso për ta kundruar e zbërthyer, nuk ka si të mos të shfaqet në pasqyrë të mendjes në radhë të parë vetë Njeriu artist (me Nj të madhe), karakteri i tij gjithë thjeshtësi, modesti, qetësi, ëmbëlsi. Sepse ka një gjë të rrallë te Mjeshtri Taso: veç forcës së penelit, ai, edhe vetë fjalën në gojë e ka piktorike e piktoreske, e ka gjithë kolor, si një cilësi e veçantë e oratorisë së tij. Me formim të gjerë artistik, sa klasik dhe modern, me bagazh të rëndë përvoje, gjithë talent të kahershëm e të përpunuar në rrjedhë të viteve, Taso  të gllabëron të tërin tek të flet me lehtësi për rrymat artistike, për vizitat e tij të shumta në muzeumet e Evropës, të mahnit  me bllokun e tij të xhepit mbushur me kroki të freskëta nga Parisi, ku ka përdorur lloj-lloj teknikash në laps, stilolaps, bojë, etj. Ndjehesh mirë tek e dëgjon Mjeshtrin të riprodhojë episode nga fëmijëria e tij, kur nuk i ndahej një hop vizatimit, nga rinia e tij e hershme si nxënës dhe student rebel i Liceut artistik dhe i Akademisë së Arteve, që thyente gjer edhe kanunet e realizmit socialist në pikturë. Por, mbi të gjitha, ndjehesh krenar kur e dëgjon të flasë me patos patriotik dhe plot merak për një të ardhme më të mirë e dinjitoze të vendit në Europën e përparuar. Nuk i harrohet se si, nga Lindja e Ohridës, donin një herë ta poshtëronin ca palo zyrtarë maqedonas kur e pyetën: “ - Nga je? Përgjigja e tij: - Nga Shqipëria. - Ku bie Shqipëria? Përgjigje: - Në Perëndim, në Perëndimin tuaj, andej nga doni të shkoni dhe ju!” Ja Njeriu Taso, i miri Taso, bashkautor i mozaikut të madh “Shqipëria” në fasadën e Muzeut kombëtar, që i sëmbon zemra sa herë shkëputet një gurëz nga vepra artistike gjigande në krye të Tiranës.

Ndryshe nga mjaft piktorë e artistë që lanë qytetin e tyre të lindjes për “kurbet” a metropol, Taso u lidh edhe më shumë me vendlindjen, me llucën e Pogradecit ia lan ujët e liqenit. Dhe pikërisht, në Klubin e artit të Këshillit të Evropës fitoi të drejtën e ekspozimit ekzotikja e tij poradecare, me qilaret e verës dhe të rakisë, me mëngjeset dhe mugëtirat e stinëve lasgushiane, me dashurinë e mikes së zemrës, fitoi kështu edhe më shumë dinjitet tërë ajo trashëgimi e pasur artistike e qytetit të vogël turistik. Ekspo-Taso titulluar “Një erë e freskët nga Pogradeci i Shqipërisë në brigjet e Ohrit”, do qëndrojë e hapur në Pallatin e Europës gjer më 18 korrik, gati një muaj. Siç vuri në dukje në fjalën e saj të hapjes kuratorja e ekspozitës Znj. Merita Musaj, vetë kjo Ekspozitë është mbi të gjitha “simbol i vlerave të mëdha që përmban një vend i vogël, që ka ditur dhe di të shfaqë më së miri cilësi të larta artistike”.

Në përfundim i urojmë mjeshtrit Taso arritje të reja dhe po ashtu, urojmë me shpirt që gjithë artistët e Shqipërisë të përfaqësojnë përherë e më shumë në familjen europiane vendin tonë, këtë vend aq të bekuar nga natyra, me talente të papara në çdo fushë, por mjerisht aq të mallkuar e keqtrajtuar nga politikat sharlatane, miope, klaniste e politikariste, që nuk po i lënë artet dhe kulturën shqiptare të marrin frymë siç duhet, të zënë vendin e tyre parësor e të merituar për nderin dhe dinjitetin e Shqipërisë.

Pamje e pjesshme e Ekspozitës.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: