Oralda Lahe: Intervistë me etnografen Afërdita Onuzi
| E Enjte, 26.06.2014, 08:57 PM |

Flet etnografia e mirënjohur Afërdita Onuzi: Veshjet mbartin vlera estetike të shprehura jo vetëm në endjen duke iu referuar realizimit teknik të tyre.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

Veshjet popullore janë pa dyshim një ndër manifestimeve më të fuqishme të kulturës tradicionale. Nëpërmjet tyre tregohen elementët që vijnë nga disa kohëra duke nisur nga lashtësia dhe përfunduar në kohën e mesme. Ndaj në intervistën e zhvilluar me etnografen Afërdita Onuzi një nga specialistet dhe njohëset e mirëfillta kemi sjellë disa detaje të kostumografisë së Kosovës dhe të përbashkëtat që ajo ka me kostumet e Shqipërisë.

“Veshjet e grave dhe të vajzave shfaqen me të njëtën mendësi tek të gjithë shqiptarët sidomos tek zonat e veriut nga Shkumbini e lart që përfshihet Shqipëria, Kosova dhe ekstermi më verior vajzat kanë mbajtur veshje me ngjyra të kufizuara dhe të thjeshta të bardhën dhe të zezën”.

Veshjet tradicionale janë një pasuri për kombin shqiptar por le të ndalemi më konkretisht tek veshjet tradicionale të Kosovës. Cilat janë elementët e kostumografisë së kësaj zone?

Më pëlqen fakti që po më pyet për veshjet e Kosovës. Pasi unë kam disa vite që kam përfunduar dhe vëllimin kushtuar veshjeve popullore të kësaj zone. Me qëllim që t’a kenë në dorë nxënësit, studiuesit apo cilido që do të dëshirojë të shohë diçka të tillë. Megjithatë unë jam e bindur se për të kanë nevojë, jo thjesht për të parë veshjet nga ana estetike.

Si mund të lexojmë më natyrshëm pjesët përbërëse të identitetit kulturor të një vendi?

Së pari ne shohim proçeset e zhvillimit historik, ekonomik, dhe orientimin tregtar në sajë të pjesëve të veçanta të kostumeve. Më konkretisht lidhet me faktin se a janë këto veshje brenda ekonomisë familjare dhe të pranishëm me elementët e tregut. Nëse prodhimi i veshjeve është bërë nga gratë, burrat apo mjeshtrat qëndistarë. Një tjetër vëmendje iu kushtohet dhe materialeve. Nëse përbërja është e ardhur nga importi apo nga tezgjahet shtëpiakë. Njëkohësisht problemet historike apo identifikimi i ngjarjeve së bashku me statusin e personit që e mban. Për të vijuar më tej me gjendjen shpirtërore e sociale. Treguesit janë të shumtë në lidhje me këtë aspekt. Veshjet mbartin vlera estetike të shprehura jo vetëm në endjen duke iu referuar realizimit teknik të tyre. Njëherazi dhe arti popullor i shprehur, ndjesitë e ndryshme estetike. Në fund të fundit veshja është gjuha e trupit pasi në të gjejmë elementë të periudhave të ndryshme historike. Simbolika që përmbajnë veshjet, mendësinë e bartësve të ndryshëm. Lexojmë etnopsikologjinë e një krahine apo të një tjetre. Kërkesat estetike që ka për veshjet e grave apo të burrave. Veshjet që kanë pjesë voluminoze tregojnë ndjesitë si dëshiron të jetë njeriu i shëndetshëm apo pjesët e trupit që vihen më shumë në dukje. Cilat janë pjesë që i zbukuron më shumë dhe pse. Lidhja me kultin e mëmësisë për të mbrojtur pjesën e gjoksit dhe përparjen. Të gjithë këto elemetë i lexojmë tek veshja

Cilat janë të përbashkëtat mes veshjeve tradicionale të Shqipërisë dhe Kosovës?

Studimi i tyre ka një funksion të veçantë në pikëpamje shkencore. Të kthehemi tek veshjet e Kosovës në fakt ato janë veshjet shqiptare të mbajtura dhe në Shqipëri. Në tipologjinë e veshjeve popullore kur bëjmë ndarjen pasi janë pesë tipe veshjesh për gra dhe burra. Kur flasim për veshjen me tirq nuk ka ndonjë dallim pse janë të përdorur në Kosovë apo Shqipëri. Madje dhe brenda të dyja vendeve dallojmë variantet e tyre por si tipe janë njësoj. Në këtë rast kemi të bëjmë me kufijtë kulturorë. Veshjet shqiptare janë në të njëjtën tipologji. Shpeshherë dhe variantet janë të njëjta veshja me përparje apo me dy futa i kemi në të dyja vendet por me variante e mbajtura në fshatra të ndryshme.

Cili është dallimi mes veshjeve tradicionale të grave dhe vajzave?

Veshjet e grave dhe të vajzave shfaqen me të njëtën mendësi tek të gjithë shqiptarët sidomos tek zonat e veriut nga Shkumbini e lart që përfshihet Shqipëria, Kosova dhe ekstermi më verior. Në këto treva ngjyra mbizotëruese ishte  e bardha dhe e zeza pra kishte një kufizim. Kjo dukuri e tillë ka ekzistuar deri vonë që vajza nuk duhet të zbukurohet para se të martohet. Të drejtë për këtë gjë ajo e kishte vetëm ditën e martesës së saj kur ajo shkon tek burri. Madje dhe krehja duhet të ishte sa më e thjeshtë që mos të nxirrte në pah bukurinë. Shamia e saj duhet të ishte sa më poshtë ballit. Në këtë kuptim veshja e mbajtur me xhubletë në Gjakovë apo në Malësinë e Madhe dhe më gjerë i përket shekullit të 19-të. Madje xhubleta tek vajzat është e bukur por ngjyrat mbizotëruese ishin e bardha dhe e zeza. Ndërsa tek nuset e reja ajo paraqitet më e zbukuruar pasi janë të pranishme dhe ngjyrat e tjera.

Ju i njihni më shumë se kush veshjet tradicionale por besoj se ajo që duam të dimë është detaji që ju ka bërë më shumë përshtypje për t’a ndarë dhe me të tjerët?

Kjo pyetje më lejon mua të them një prej dukurive që nuk e kemi tek zonat e tjera. Përmend këtu veshjen e Medvegjës e cila përfshihet në Kosovë. Unë rastësisht po punoja për vëllimin që e kam cilësuar dhe më lart. Ajo që dua të tregoj është se pata fatin të takoj një grua nga Medvegja e cila ishte vendosur në Prishtinë. Ndërsa po bisedoja me një kolegun tim me profesor Ukë Gjema i them se si mund të marrim vizë që të shkojmë dhe në këtë vend. Më tej ai më tregon se është një grua se ka veshjen që ti kërkon. Kështu që zonja në fjalë kishte dy veshje një tek shtëpia e saj dhe tjetrën që quhej e “të nesërmes”. Personalisht këtë gjë nuk e kam hasur në zona të tjera që vajza vjen me një veshje tjetër nuseje dhe ishte ideja e një këmishe për të paraqitur kalimin nga një stad në tjetër. Ajo del vajzë me një këmishë të bardhë e ngjashme me krahinën e Drenicës. Veshje e gjatë pëlhurë e bërë në avlimend me dy përparje dhe zbukurimet e kohës. Në fakt në Medvegjë zbukurimet ndryshojnë nga ato të Kosovës. Kjo është një ndikim i kontakteve që kanë pasur dhe me sllavët. Ndërsa elementët e tjerë janë identik me Kosovën. “Të nesërmen” kur ka një status tjetër vajza mbante zbukurimet nga mesi e lart apo siç thuhet në këto vende nga brezi e përpjetë. Në brez e poshtë ajo mban çitjane të errëta të cilat kanë disa pala nga prapa. Këmisha e bardhë zëvendësohet me dimitë e zeza. Kjo ishte e veçanta e kësaj veshje që ne jemi munduar ta paraqesim dhe në album.

Cili është dallimi mes veshjeve të fshatit dhe atyre të qytetit?

Në veshjet e qytetit janë përjetimet estetike dhe ekzekutive ku përmend rëndësinë e mjeshtrave të burrave qëndistarë që qëndisin pjesët kryesore të tyre. Ndërsa në lidhje me veshjet e grave të fshatit ato përgatiten brenda ekonomisë materiale. Nuk mund të mohojmë endjen e pëlhurës së mëndafshtë dhe pambuktë nga gratë shtëpiake.

Cilat janë veçoritë e veshjeve të burrave?

Veshja e burrave me tirq është mbajtur në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Madje nga Kosova në Novi Pazar dhe Gjirin e Artës është mbajtur veshja me fustanellë. Nga fundi i shekullit të 19-të deri në shekullin e 20-të ishte më tepër një veshje ceremoniale në pritje, takime, ngjarje të rëndësishme. Madje dhe qeleshja e tyre diku është më e rrrumbullakosur e diku më me majë. Në zonën e Drenicës ngjyra që kanë tirqet është kafe të njohur ndryshe si të galëm dhe ato ceremoniale me të bardhë. Në krahinat e tjera duke filluar nga Rugova dhe fshatrat shqiptarë në kufi me Maqedoninë është e njëjta veshje për burra. Më ka bërë përshtypje dhe tirq që kam parë në një muze në Gjakovë të zbukuruar me ngjyrën e bardhë dhe të zezë, e pak të kuqe gati në vishnjë i mbajtur nga një person i njohur për vendin në fjalë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: