Vangjush Saro: Çerek shekulli reforma...
| E Enjte, 26.06.2014, 08:30 PM |

Çerek shekulli reforma...

Përndryshe: Arsim e kulturë, në hijen e snobizmit dhe rastësive

Nga Vangjush Saro

Prej të paktën 23 vitesh, në Shqipëri sajohen dhe pastaj (bëhet sikur) zbatohen dita-ditës reforma gjithfarë. Së paku, kështu i quajnë. Reforma. Por, gjithnjë është mirë të fillohet me atë që do ta quanim "Marrëveshja e fjalës". Ndryshime cilësore e të domosdoshme në të gjitha fushat dhe aspektet, me qëllim që vendi t'iu përafrohet sa më shumë dhe jo thjesht për spektakël, standardeve dhe modeleve perëndimore. Kështu do të duhej të ishte. Në të vërtetë, termi në fjalë pothuaj është bastarduar, për shkak se nga koha në kohë, në vend të reformave, realisht ka pasur kopjime të rëndomta dhe për më tepër, aplikime të gjithfarshme, shpesh herë në përshtatje me dëshira dhe filozofime vetiake, por edhe (sa bajate!) aso partiake. Me pak fjalë, reforma të tilla mund të përmblidhen në dy fjalë: përkohësi dhe spektakël.

Reforma të këtij lloji - përkohësi e spektakël - janë parë dendur në arsim, sidomos në liçensimin e arsimit privat, në rastin e Maturës Shtetërore, si dhe në zhdukjen e shkollave të ashtuquajtura "të vogla" dhe "pa leverdi", çka do të thotë se shteti, edhe pushteti i radhës pse jo, shikojnë më së pari paratë e tyre dhe aspak interesin a jetën e shtresave të caktuara të popullsisë jashtë "kufijve" të Shqipërisë së mbartur ndër fusha; pra, është fjala për një indiferencë të papranueshme ndaj shkollave "të vogla", veçmas në zona larg kryeqytetit të vendit apo Ultësirës Perëndimore në tërësi.

Kam pasur rastin këto ditë të ndjek një grevë të gjatë të mësuesve në BC (British Columbia përndryshe, njëri prej shteteve më në zhvillim në Kanada). Mësuesit (që janë përfshirë në grevë pa asnjë përjashtim dhe që kanë e njohin vetëm një sindikatë) kërkojnë reduktimin e numrit të nxënësve për klasë, rikompozimin e buxhetit në favor të shkollave publike, etj. Pra, reforma konceptohet për gjëra të rëndësishme, të qendrueshme dhe realizohet përmes bisedimesh e vendimesh të mirëmenduara. Bie fjala, temat e fundit nuk i kam dëgjuar të trajtohen në shumë nga debatet që bëhen për arsimin në Shqipëri, ku gjithnjë ka dëshirë e fjali të bukura për atë që e quajnë "trend", por më në fund gjithçka shkon drejt banalitetit.

Është një praktikë e njohur tashmë: sa herë që ndërrohen pushtetet, fillon edhe lakimi i fjalës reformë, a thua gjer më tani kurrgjë s'ishte bërë. Nisja e gjërave nga pika zero, është një nga pasionet e sëmura të pushtetarëve gjithfarë në Shqipëri. (Degjenerimi i fjalës reformë cek sidomos zëvendësimin e njerëzve në detyrë, duke ndërruar punonjësit, çka e bën të vështirë dhe të pasigurt jetën për ata dhe familjet e tyre.) Në shumë raste, çfarë është bërë më parë përmbyset me pretekstin se... është bërë keq; ashtu si në kohët e shkuara, ndonjëherë reforma është thjesht pasion i dikujt që kinse përpiqet "të lërë gjurmë". Dokra! Që do të thotë se ka ardhur koha të mos luhet më me disa gjëra të rëndësishme.

Shkollat shqiptare, sidomos ato parauniversitare, nuk janë drejtuar nga njerëz me tituj, siç po synohet sot. E megjithatë, ato kanë pasur më shumë rezultate e qendrueshmëri. Nuk mund të jem kundër shkollimit në faza më kërkuese. Por të mbjellësh kudo maninë e të qenit me master apo me doktoraturë, si qëllim në vetvete, e jo në funksion të ndryshimeve konkrete, ka bërë që në shumë shkolla stafit t'i ikë gjendja nga duart, duke u marrë (gjoja) me teorira dhe duke i bërë shkollat bastion të absurdit, pa veprimtari praktike e drejtim praktik. Nuk është reformë hedhja e njerëzve në një luftë pa kuptim për tituj pa kuptim; të tilla marrëzi nuk ndodhin askund. Reforma është të rritësh në mënyrë të besueshme pagat e arsimtarëve (siç ke bërë me zotërinjtë gjyqtarë); reformë është të ulësh numrin e nxënësve për klasë; reformë është të disiplinosh tekstet në mënyrë që të mos vijnë në treg gjithfarëlloj skarcitetesh. Reformë është që ekskursionet "shkollore" të mos synojnë vetëm pjatën me peshk dhe harbimin, por sidomos dhe më së pari njohjen me vlerat dhe pasuritë natyrore e kulturore të vendit.

Një reformë e tillë, motër e absurdit, duket se iu kërcënohet vazhdimisht edhe arteve e letrave shqipe, ku gjer më sot, krahas një sërë arritjesh, në përgjithësi ka nga njëra anë heshtje të dhimbshme (ish-teatrot e rretheve kryesore) nga ana tjetër një vetëkënaqësi e anarshi të paparë; (për vlerat e së shkuarës dhe për prurjet e reja). Festivali i fundit i Letërsisë dhe Arteve Pamore, i zhvilluar në disa nga mjediset e Muzeut Historik në Tiranë, me gjithë bujën e madhe, nuk arriti të pozonte ndonjë ndryshim, krahasuar me panairet e zhvilluara çdo vit, madje ishte mbase edhe ndonjë hap më prapa. Përdorimi i fjalës "Program", në shumë raste nënkupton propagandë, para e çmime që ndahen në një rreth të ngushtë; dhe më në fund, "u mbars mali dhe polli një mi."

Pasojë e këtyre reformave - përkohësi e spektakël - ishte edhe katandisja e ish-teatrit të Estradës të Tiranës në disa copëra sallash minore e vodevilesh të mjera. Krijimi i atij që sot quhet "Metropol", (një teatër i vogël që megjithatë ka dhënë herë pas here shfaqje që kanë tërhequr publikun e gjerë) asnjëherë, asnjë ditë, nuk e ka mbërritur dot suksesin e institucionit të cilit i vodhi një pjesë të mjediseve. Gjojareforma e shndërroi atë teatër normal në një pistë eksperimentesh, shumica e të cilave dështojnë; për të mos folur që pothuaj i është vënë fshesa krijimtarisë kombëtare. Gjithnjë në fushën e artit, së fundi, është folur edhe për reduktimin e çmimeve vjetore letrare në një të vetëm, çka është, qofsha i gabuar, një marrëzi e pashoqe. Dhe ndërkaq, nuk zihet me gojë asnjëlloj axhende për disiplinimin e të ashtuquajturave festivale poetike e çmime komunare pa fund. Kjo anarshi do të bëjë që lëvizja super amatore dhe provinciale e letrave, të shpikë edhe më tej çmime e vlerësime të tjera jashtë çdolloj serioziteti e standardi estetik, thjesht për të kënaqur shije të sforcuara fshat më fshat e komunë më komunë.

Por teprimi më i madh dhe demagogjia më e padurueshme, ishte zhurma për Konkursin Europian të Letërsisë, që vuri në ngasje me kuç e me maç, të gjitha entet botuese nga Veriu në Jug; e në të vërtetë nuk i solli asgjë të re atmosferës letrare në Tiranë, ku për shkak të ambicjeve pa fre dhe shumimit të shkrimtarëve të "vonuar", s'merr vesh i pari të dytin. Çdo ditë botohen antologji, që të tillë kanë vetëm emrin dhe ndjenja e standartizimit dhe çertifikimit të vlerave letrare, nuk ekziston. Ndonjë interes për të ngarkuar me ndonjë detyrë Institucionet e Kulturës (sa i përket kësaj teme) nuk vërehet; edhe kjo për shkak të përhumbjes në reforma që askush nuk i shikon e shijon, vetëm drejtuesit dhe përfituesit. Kështu, për reforma e ndryshime flitet shumë; dhe bëhet pak, duke vënë në diskutim jo thjesht termin, por një praktikë e përvojë aspak pozitive çerekshekullore.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: