Oralda Lahe: Intervistë me poeten Rozi Hysuka
| E Diel, 22.06.2014, 03:01 PM |

Flet Rozi Hysuka fituesja e Multimedia Activisim Platform në edicionin e dytë.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

Dikur më patën thënë se “ dëshira për të shkruar, të bën talent “. Ky është një mesazh  për të gjithë ata që kanë dëshirën të shkruajnë çfarëdo zhanri qoftë gazetari, letërsi.

Rozi Hysuka është një nga studentet e cila studion për Shkenca Politike. Në bisedën e parë me të në mënyrë të drejtëpërdrejtë mëson dëshirën për librin dhe gazetarinë. Në këtë të fundit atë radiofonike dhe të shkruar pa anashkaluar dhe ekranin. Poezia është një tjetër mikrobotë e cila e ka bërë të njohur. Gazetaria mbetet një tjetër sfidë duke u shpallur fituese e çmimit të dytë në konkursin e MAP (Mutltimedia Activisim Platform) në kategorinë e shkrimit.

“Nga autorët shqiptarë kam disa të preferuar si I. Kadareja, E. Dones, F. Açka, L. Lleshanaku. Gjithsesi ajo që më shqetëson ka të bëjë me një “rrëmujë” të letërsisë shqipe . Këtu dua të ndalem tek fakti se autorëve po jua dëgjojmë emrat e tyre në rrjete sociale shoh se shumë pak bëhet për letërsinë shqiptare”

Rozi kur keni nisur të shkruani për herë të parë?

Mbaj mend që në shkollën time unë isha në klasë të shtatë dhe si çdo vit zhvillohej konkursi për vjershat më të mira me rastin e 7-8 Marsit. Konkurova me krijim timin dhe një vjershë nga ato që mësonim në leximin letrar. Faktikisht nuk mora çmim, madje vjersha ime diku nga fundi është prezantuar. Me kohën rritemi të gjithë dhe bashkë me të, dëshira për të shkruar. Profesori im i letërsisë sa herë lexonte poezitë e mia i cilësonte origjinale. Një ndihmesë të madhe  të jashtëzakonshme më ka dhënë xhaxhai im, ku falë tij arrita të botoj librin tim të parë me poezi, të  mirëpritur. Unë dhe poezia kemi një marrëveshje të përhershme.

Si ka qenë kontakti dhe njohja me librin?

Me librin unë jam njohur që në fëmijërinë time, im atë kur më merrte në shëtitje më tregonte për librarinë, bibliotekën. Aty ka qënë kontakti im i parë me libri, njohja me të. Libri i parë që kam lexuar ka qënë “Ndodhitë e Pisikës” nga O.Grillo. Sot ka larmi titujsh, autorësh të vendeve të ndryshme. Disa autorë janë nobelistë, më parë nuk i kishim këto mundësi. Përveç klasikëve janë letërsia dhe autorët e pazëvëndësueshëm për çdokënd që lexon.

Autori i huaj dhe shqiptar që ju pëlqeni?

Autorët  e huaj që më pëlqejnë janë të shumtë. Disa kryevepra më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme. Me këtë duhet të them fuqinë e mendimit, shprehinë, personazhet. Heronjtë ku koha në të cilën jetuan vjen e njëjtë me atë që jetojmë. Personazhi i Don Kishotin më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Servantes e ka shprehur bukur “kalorësinë” e kohës, ai “neveriste” thënë kjo në këndvështrim më social. Lufta e mendimit, arsyes, rilindja kundrejt dogmës fetare që mbizotëronte i përkiste një Europe kalorsiake. Servantesin e ka bërë Don Kishotin të pakrahasueshëm. Në këtë epokë linden vepra të mëdha. Të njëjtën gjë unë them për Erazmin e Roterdamit me veprën e tij “ Lëvdata e Marrëzisë”.  Një libër i jashtëzakonshëm ku  mendon se “ marrëzia” ishte personazhi kryesor. Një libër dhe  autor që vë përpara “giojtinës” mbrapështitë e kohës. “Doktor Zhivago”, “100 Vjet Vetmi” pa harruar të flas për autorët bashkëkohorë si Orhan Pamuk, Margaret Mazzantini, Khaled Hossein etj.

Cilët janë autorët shqiptarë më të dashur për ty?

Nga autorët shqiptarë kam disa të preferuar si I. Kadareja, E. Dones, F. Açka, L. Lleshanaku. Gjithsesi ajo që më shqetëson ka të bëjë me një “rrëmujë” të letërsisë shqipe . Këtu dua të ndalem tek fakti se autorëve po jua dëgjojmë emrat e tyre në rrjete sociale shoh se shumë pak bëhet për letërsinë shqiptare. Megjithatë besoj se është një periudhë kalimtare çdo gjë do të shkojë në vendin që i takon.

Para pak kohësh ju keni qënë moderatore dhe gazetare në emisionin “Koshere”. Si ka qënë kjo eksperiencë për ty?

Mund të them se ka qënë një nga eksperiencat më të bukura. Të dish se janë me qindra dëgjues që presin fillimin e emisionit, duke të telefonuar paraprakisht për të të pyetur cila është tema e ditës. Duke të thënë fjalët më të mira dhe mikëpritjen e ngrohtë nga fansat e këtij emisioni, normalisht të bën të ndjehesh e dëshiruar në radhë të parë, pa sforcime. Emsionin e ideova vetë, mundësinë për t’a realizaur e mora nga Jolanda e cila e meriton një falenderim të madh për përkrahjen e saj që më bëri në atë kohë. Emisioni pati e një sukses tjetër nëse mund të themi, pasi kishim fansa  dhe të moshës së tretë të cilat na telefonin dhe bëheshin aktivë për temat sociale. Me kolegun tim Albano Idrizin bëmë një punë shumë të madhe sepse kishim të dy karizmën,  qetësinë për të përballuar një emision. Radio ka një avantzh pasi nëse je pa humor aty të kthehet 100 %. Mesa kam dëgjuar nga fansat njëri prej tyre kur hapi Bar-Kafenë e tij me emrin e emisionit Bar-Koshere. Ne kemi qeshur shumë atë ditë me Albanon kur e morëm vesh. Madje ishim në transmetim direkt kur na vjen informacioni. Padyshim u gëzuam kjo na jepte idenë se ne ishim në rrugë të mbarë. Më mungon radio dhe Kosherja .

Poezia dhe proza si vijnë tek ty?

Vijnë natyrshëm sa ndonjëherë them si mundet njeriu të jetojë në dy botë. Poezia është mendim, dëshirë, zhgënjim, shpirt, tjetri përballë teje. Njeriu që ti nuk e ke njohur kurrë dhe nuk do ta njohësh. Takimi mes njëri-tjetrit bëhet i mundur mes ndjeshmërisë, empatisë, humanzimit. Poezia është bota shpirtërore që ne shkruajmë. Pavarësisht  koha që jetojmë sot është epoka e materializmit, grykësisë dhe zhvillimit njerëzor. Poezia dhe proza e gjejnë një rrugë, nisen drejt meje sepse poetët dhe shkrimtarët jetojnë pa kohë!

Vargjet e një prej poezive të tua që të bën më shumë përshtypje dhe emocionon të tjerët?

Jam me fat nëse më lejohet të shprehem kështu, në radhë të parë kam lexues shumë të mirë. Miqtë e mi janë të etur për të lexuar çdo krijimin të ri dhe e vlerësojnë pafund krijimtarinë time. Ndonjëherë unë habitem për intelektin që ata shfaqin sikur të ishin artistë të vërtetë.

A e pëlqen shoqëria shqiptare letërsinë?

Shoqëria shqiptare e dëshiron letërsinë, lexojnë, janë të apasionuar ndaj letërsisë dhe librave, kjo jo se pëlqëjnë poezitë e mia. Unë nuk kam një poezi të veçantë që mund të them se dallon nga të tjerat, por çdo poezi është një emocion më vehte. Sinqerisht nuk di të them cila është poezia që më emocionon  lexuesit janë të ndryshëm dhe emocioni mbetet relativ. Por mund të përmend disa vargje nga një poezi që ka marrë shumë “duartrokitje”:

Ne jemi njohur edhe

njëherë qindra

vjet më parë

Të ngutshmë kemi rendur

Lakmitarë

Eethshëm për të pirë

kupa marrëzie

Dehur siç të deh një pije

e nga fundi gotës

fundi çdo dashurie” …

Ju jeni fituese e çmimit të dytë te MAP (Mutlimedia Activisim Platform). Një nga konkurset e gazetarisë në zhanrin shkrim-raportim. Si e përshkruani atë moment?

Unë si fillim duhet të bëj një sqarim të shkurtër që lidhet me këtë konkurs më dha mundësinë të aftësohem  në këtë zhanër që vendosa të konkuroj. MAP ( Multimedia Activism Platform ) ishte një konkurs në tre profile: shkrim, audio, video. Meqënëse radion e kisha prekur si fushë. Atëherë vendosa të zgjidhja shkrimin pasi kur e ke dellin pse të mos mësosh teknikën, rregullat si realizohet një shkrim gazetaresk. E kam dashur gjithmonë gazetarinë, morali i saj janë e vërteta dhe pasqyrimi saj. Studimet e mia në fushën e politikës më saktë Shkenca Politike së bashku me dellin për poezi, vendosa se më shërbente kategoria shkrim-raportim.

Më ka pëlqyer gjithmonë të alternoj letërsinë, politikën dhe gazetarinë. Në lidhje me konkursin  jam ndjerë rehat, aty ishin profesorë,  figura të dashura për publikun. Konkursi zhvillohej si një orë mësimi të gjithë kishim të drejtën e pjesmarrjes në bisedë jo thjesht dëgjues të një ore leksioni. Të gjithë pjesëmarrësit i vlerësoj dhe janë fitues pavarësisht marrjes ose jo të një çmimi.

Mes gazetarisë dhe letërsisë kë pëlqen dhe adhuron më shumë?

Përpiqem t’i alternoj të dyja kjo më ndihmon me letërsinë, politikën. Mendoj se me vullnet, dëshirë, për të thënë fjalën time, në një të ardhme të afërt të kem realizuar një libër ku mund të ndërthur letërsinë, gazetarinë, poltikën. Dikur më patën thënë se “ dëshira për të shkruar, të bën talent “. Ky është një mesazh  për të gjithë ata që kanë dëshirën të shkruajnë çfarëdo zhanri qoftë  gazetari, letërsi.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: