Baki Ymeri: Busti i Ismail Qemalit në Bukuresht
| E Diel, 22.06.2014, 04:03 PM |

Busti i Ismail Qemalit në zemër të Bukureshtit

Ekskluzive nga Baki Ymeri

Më 20 qershor 2014, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë dhe mbajti një fjalë në ceremoninë e inaugurimit të bustit të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali. Busti i Ismail Qemalit u vendos, pas më shumë se një shekulli, në qendër të Bukureshtit, pikërisht në vendin ku nisi rrugëtimin pavarësia kombëtare e Shqipërisë. Realizimi dhe ngritja e bustit, u mundësua falë bashkëpunmit të Ambasadës me Bashkinë e Bukureshtit, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Jashtëm, z. Ditmir Bushati, Ambasadorit të Shqipërisë në Rumani, z. Sami Shiba dhe Kryetarit të Bashkisë së Bukureshtit, z. Sorin Mircea Oprescu. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë, z. Gheorghe Ciamba, Sekretarja e Shtetit të Ministrisë së Kulturës, znj. Irina Casal, ish-Presidenti rumun, z. Ion Iliescu, zyrtarë të institucioneve shtetërore rumune, parlamentit, senatit, përfaqësues të komuniteteve fetare, të shoqërisë civile, të artit, përfaqësues të biznesit, të botës akademike, intelektualë e miq të Shqipërisë, akademiku Grigore Brâncuş, gazetarë dhe përfaqësues nga mediat rumune, si dhe  diaspora shqiptare që jeton në Rumani.

Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit dhe Ministri Bushati, në fjalët e tyre, vlerësuan nivelin mjat të mirë të marrëdhenieve midis Shqipërisë dhe Rumanisë, lidhjet historike të miqësisë midis dy popujve, kontributin e shqipatrëve të Rumanisë për përgatitjen dhe shpalljen e pavarësisë, mbajtjen gjallë të urave të miqësisë dhe të dialogut kulturor midis dy vendeve, e cila i ka rrënjët që nga rilindja kombëtare, si dhe vlerësuan kontributin e Ambasadës dhe Ambasadorit Shiba në progresin e marrëdhenieve midis dy vendeve dhe realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, Ministri Bushati u shpreh se vepra e themeluesit të shtetit shqiptar dhe e të gjithë bashkëkohësve të tij flasin qartë për aftësitë shtet formuese dhe shtet ndërtuese të kombit tonë. Ministri Bushati falënderoi, gjithashtu, Presidentin e kompanisë “EUROSIG”, Kadri Morina, që mbështeti financiarisht krijimin e bustit të Ismal Qemalit, vepër e skulptorit Artan Hajdari.

Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali dhe Ibrahim Temo

Ja pra se cila është Historia e Shqiptarëve sipas Alphonse de Lamartine: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjëve të të gjithë kohrave… Homeri aty gjeti Akilin, Grekët Aleksandrin e Madh, Turqit Skënderbeun, njerëz këta të të njejtës racë, të të njëjtit gjak.” Edhepse është më i madh numri i bijve të shqipes që e braktisën perandorinë osmane për t’iu rikthyer atdheut, me këtë rast po i përmendim tre emra të njohur: Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali dhe Ibrahim Temo. Dy vjet më parë, Tirana nisi zyrtarisht festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festime këto që zgjasin plot 3 ditë, deri më 28 Nëntor. Festime për këtë jubile të madh ka pasur në të gjitha qytetet shqiptare, veçanërisht Vlora që prej disa ditësh ka veshur rrobat e festës e pret me padurim ditën e madhe. Sipas shtypit shqiptar, aktivitetet në Tiranë startuan në orën 11:00 me përkujtimin e 100-vjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë, tek Ura e Tabakëve, vend ku u vendos sot edhe mozaiku i flamurit kombëtar të gdhendur në gurë, i Gëzim Hidrit. Më pas u zbulua shtatorja e Ismail Qemalit në lulishten pranë Kryesisë së Kuvendit dhe Memoriali i Shqiponjës në rrethrrotullimin e Doganës në kryeqytet. Kush ishte I. Qemali që erdhi këto ditë në Bukuresht?

20 qershori i këtij viti është një ditë fatlume për shqiptarët e Rumanisë dhe mbarë kombin shqiptar. Falë inisiativës së ambasadorit të Shqipërisë në Bukuresht, Shkëlqesia e Tij, Sami Shiba, vlen të ripërkujtojmë faktin se më 20 qershor u inaugurua para hotelit Grand Continental në Bukuresht, busti i Plakut të Vlorës që konvokoi mbledhjen historike në nëntor të vitit 1912 për shpalljen e Pavarësisë.  Nuk është as inisitiva e parë dhe as e fundit e këtij ambasadori që në pamje të parë duket modest dhe i heshtur, por vepra e tij është e madhe. Falë zotërisë së tij, para tre vitesh u inaugurua në Brailë busti i Naum Veqilharxhit. Falë propozimit tonë dhe inisiativës  së tij, parvjet, në 100 vjetorin e pavarësisë, u inaugurua një pllakë memoriale në ish kishën shqiptare të Bukureshtit në prezencë të ish kryeministrit shqiptar, komunitetit shqiptar dhe autoritetesh të larta rumune. Falë zotit Sami Shiba, Bukureshti do të stoliset edhe me një pllakë memoriale para godinës ku ka funksionuar më 1886, shtypshkronja e parë shqipe (Str. Lipscani, nr. 2). Përveç personaliteteve të përmendura fillim të këtij shkrimi, të pranishëm në manifestimin e sivjetshëm ishin përfaqësuesi i Mbretërisë, princi Paul Duda, autoritete diplomatike shqiptare, rumune dhe të huaja, shqiptarë dhe miq të kombit shqiptar si: Tiberius Puiu, Gjergj Bukura, Costin Cristescu, Mihaela Buican, Marian Simioni, Besnik Musaj, Laura Rushani, Sorinel Sherban, Adrian Anghelescu, Ioana Badea, Florin Vasile Gozhdu etj.

Flamurtarja më e madhe e mërgimit shqiptar

Përmes kryengritjeve të tyre, shqiptarët gjatë viteve 1910-12 e tronditën nga themeli Turqinë. Në tetor të vitit 1912, në kohën e betejave ballkanike kundër osmanizmit antishqiptar, u duk me të shpejtë prapë në Bukuresht Luigj Gurakuqi, i cili mbante kontakte të rregullta me Ismail Qemalin mbi gjendjen në Shqipëri.  Erdhi për herë të dytë në gjirin e komunitetit të këtushëm shqiptar, “për të parë se ç’duhej bërë dhe ç’masa duheheshin marë për Atdheun, i kërcënuar të pushtohet dhe të coptohet krejt prej Ballkanasve në luftë kundër Turqisë.” Luigji erdhi si një apostull në këtë kohë, që sipas Lasgushit, “ishte koha e Bashkimit ku simbolizohej në një trajtë së jashtmi përmbledhja kombëtare e pjesëbërësve të Kollonisë shqiptare të Rumanisë. Kolonia e Bukureshtit ishte flamurtarja më e madhe e Mërgimit shqiptar.

Sipas Wikipedisë, Ismail Qemal Bej Vlora (1844 - 1919) ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, deputet në Mexhlisin Osman, themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë. Së bashku me Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911, megjithëse nuk ishte i pranishëm. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t'u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun. Zhvillimet e Luftës së Parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të "Aleancës ballkanike" që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit.

Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia). U desht fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, komuniteti shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të kryer tashmë. Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë (korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.

Kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha

Pas disa konsultimesh më 5 nëntor në Hotelin "Kontinental" të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit shqiptarë dhe të delegacionit në krye me Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli. Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, që jetuan deri vonë, thuhet se: mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim. Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku. Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë.

Ismail Qemali me delegacionin shqiptarë sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me një mik të tijin. Më 8-9 nëntor në Budapest I.Qemali do të takohet me kontin Hadik ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë Kontin von Berthold - detyrën e përkthyesit e kreu një seminarist i ri, më vonë Atë David Pepa, i cili para se të jepte shpirt do t'i rrëfente Atë Zef Pllumit. Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i coptimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Handik e siguroi Ismail Qemalin se qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.

Pamflet me reagime negative për një hije të shëmtuar

Bij e bija të rilindësve tanë, si Mami Lule, Adriana Tabaku etj., parashtrojnë pyetjen “Kush e ftoi Oana Manolescun, pseudodeputetja që na e shkatërroi komunitetin? Me çfarë të drejte jep intervista para kamerave televizive rumune për një manifestim organizuar nga ambasada e Shqipërisë dhe Bashkia e Bukureshtit? Shih gazetën Nacional me artikullin “Oana Manolescu dhe Liga Antishqiptare e Rumanisë”! Pse i anashkaloi manifestimet tona për Kosovën dhe pse e shkeli statutin e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke krijuar një ligë të ligë, tashmë pa asnjë shqiptar në gjirin e saj? Serviliste e regjimit diktatorial të Çausheskut (shih revistën Academia Catavencu!), konflik interesash dhe interesa grupore. Botime librash me vlera të gjymta dhe një fletushkë muri ku defilon familiarizmi, nepotizmi dhe kulti i personalitetit.

Pas skadimit të imuniteit të saj parlamentar (2016),  pra, pas 5 mandateve të pamerituara parlamentare pason një tërmet i fuqishëm. Kujt i ka konvenuar në këtë vend diskriminimi ekonomik i komunitetit shqiptar? Kush ka gëlltitur rreth njëmilionë euro në emër të këtij komuniteti? Pse nuk morri masa me kohë Qeveria rumune për parandalimin e kësaj ligësie? Sidoqoftë, ne e bëmë tonën: Intervenuam te forcat e rendit që të largohet nga manifestimi, sepse Oana Manolescu është armik i komunitetit shqiptar, dhe mbetet për të parë në i kanë parashtruar pyetje se kush e ka ftuar? Ne e dimë se kush e ka ftuar, por s’po ia përmendim emrin ngase nuk kemi kohë të merremi me një nulitet diplomatik që ia ka kthyer shpinën komunitetit shqiptar, duke bashkëvepruar me armikun e kryeredaktorit të revistës Shqiptari. Me rëndësi është fakti që Ismail Qemali erdhi me sinqeritetin e tij për herë të dytë në Bukuresht, përmes një busti të bukur që do jetojë me shekuj para hotelit ku u vendos që Shqipëria të shpallet “e lirë dhe e mosvarme”.



(Vota: 47 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: