Ndue Ukaj: Liria në kafazin e politikës
| E Premte, 20.06.2014, 07:03 PM |

Liria jonë në kafazin e politikës

Nga Ndue Ukaj

Zgjedhjet janë e mira e demokracisë dhe nëpërmjet tyre e ndjejmë lirinë, me tërë përmasën e jashtëzakonshme dhe frymëzuese që ajo i jep një shoqëri. Nga zgjedhjet mësojmë sesa e rëndësishme është vota, demokracia, sepse zgjedhim, ndëshkojmë, adhurojmë e nganjëherë edhe kalojmë caqet e humanitetit dhe urrejmë. Gjitha këto janë të kuptueshme në një rend demokratik, të cilin po e jetojmë, edhe pse jo në plotëni. Zgjedhjet për shoqëri me traditë demokratike, janë mrekullia e demokracisë, sepse ato janë pikënisja për kthesa të rëndësishme, ku sistemet politike iu nënshtrohen kritikave, gjykimeve, ndëshkimeve dhe kështu transformohen dhe avancohen.

Kosova kaloi një test të demokracisë, siç është bërë klishe të thuhet, por skena politike mbetet po ajo, me të njëjtat probleme dhe të njëjtit protagonistë, atëherë domosdoshmërisht shtrohet pyetja: Pse nuk kemi asnjë katarzë në skenën politike? Përgjigje nuk ka të gatshme për asnjë pyetje, ndaj sigurisht jo as për këtë pyetje mjaft komplekse. E sidomos kjo vlen në një ambient të kontaminuar dhe në një atmosferë të zymtë, ku debatet politike janë shterpe dhe ku tufat e opinionistëve dhe gazetarëve-e atyre që kanë ndikim më të drejtpërdrejtë në shoqëri- shpeshherë prodhohen nëpër zyrat e partive politike.

Pengesa e parë serioze për të pas një katarzë brenda skenës politike,  është refuzimi i shoqërisë sonë-rrjedhimisht edhe klasës politike- për t’u përballur me të vërtetat, sidomos me ato të pakëndshmet. Kjo ndjenjë i barrikadon brenda të vërtetave të tyre të verbëta. Po ashtu, kjo mosgatishmëri, i bën opinionistët dhe analistët, jo përçues të mendimit alternativ, por retushues të ideve të partive. Andaj, rrallë ndodh që pas një procesi zgjedhor, të kemi një katarzë politike, aq shumë e domosdoshme dhe e kërkueshme për një shoqëri të shëndoshë.

Mosgatishmëria për t’u përballur me të vërtetat, veçmas nga tufat e militantëve partiakë, çfarë janë shumica e atyre që sot politikën e kanë shndërruar në zejen e tyre për mbijetesë dhe atë me çdo kusht, duke shkel çdo parim, është pengesë serioze drejt transformimeve të rëndësishme dhe thelbësore.

Pa synuar të bëjmë analiza të stërholluara në pyetjen pse politika nuk ka arrit ta lumturojë këtë vend, natyrshëm të vjen pohimi  i parë, se, politika jo që nuk e ka lumturuar këtë vend, por e ja ka mjegulluar të ardhmen, duke e zhvesh njeriun e këtij vendi nga çdo ideal dhe besim te një e nesërme më e mirë.

Fjalë e parë që dëgjojmë zakonisht kur synohet të justifikohen partitë; apo amnistohet individi nga përgjegjësia përballë të nesërmes, është: demokracia jonë çalon apo jemi demokraci e re. Kjo është një e vërtetë e pjesshme, që fsheh diçka tjetër. Për mendimin tim,  kjo është ndjenjë përkohshmërisë, që në mënyrë konstante po e godet sistemin tonë të vlerave që synojmë të ndërtojmë, sepse bëhemi parazit ndaj çdo kujt, duke mos parallogaritur se tejkalimi i të keqes, bëhet me veprime të mira dhe varet nga çdo individ, i cili bëhet “shkaktar” për krijimin e bashkësisë politike.

Po kjo ndjenjë e përkohshmërisë, nuk na lejon të mëkojmë të ardhmen tonë me ide solidare dhe në anën tjetër, të  refuzojmë pa kompromis, bashkëjetesën tinëzare me të keqen.

Partitë tona, gjer me tani, nuk e kanë zhvilluar as përafërt demokracinë e brendshme, por e kanë shfrytëzuar maksimalisht këtë ndjenjën e përkohshmërisë së qytetarit tonë, duke ja blerë shpeshherë idealin, me pak llomotitje parazgjedhore. Po kjo ndjenjë,  ka mundësuar që partitë të vërshohen nga tufa militantësh, që gjejnë strehe aty, për të fshehur paaftësitë e tyre përballë një shoqërie pluraliste që kërkon, dëshiron dhe aspiron të hapet ndaj konkurrencës së ideve dhe vlerave.

Gjithashtu, partitë politike në Kosovë, nuk kanë janë profilizuar. Këndej pari, kufijtë mes të majtës e të djathtës kalohen pa u vërejtur. Liberali brenda natës bëhet ekstremist, e i djathti, majtist. Krejt kjo ndodh, ngase partitë ende nuk kanë krijuar një korpus vlerash e parimesh të vlefshme për të gjithë. Andaj nuk është aspak e çuditshme pse te ne, nën një çati, i gjejmë, për interesa të pushtetit, partitë që s’e durojnë njëra-tjetrën, apo ato që kanë parime dhe vlera krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Krejt kjo ndodh, sepse partitë nuk kanë parime dhe duke mos pasur parime, ato nuk mund të kenë as vlera.

Që të mos përsëriten sloganet bajate se demokracia jonë është brishtë, se ne nuk jemi Skandinavi, etj, duhet të fillojmë të mësojmë.  E në këtë rrugë, si popull pa traditë demokratike, duhet të marrin mësim nga popujt me traditë, sepse shkolla e demokracisë nuk është një shkollë që lëshon rrënjë lehtë dhe shpejt, pa i krijuar ne kushte. Ajo do kohë, e nëpër këto procese ka sa të duash devijime, abuzime, shkarje, çalime e përçudnime.

Qytetërimi perëndimor, pjesë e të cilit jemi me traditë, kulturë; dhe pjesë e të cilit synojmë të bëhemi si  politik, ka arrit t’i lartësoi, gati në mënyrë përfikte, interesat e përgjithshme dhe krejt kjo ka ndodhur, kur njeriu europian është mbarsur me parimin se portat e lirisë dhe përparimit hapën, kur individi- sidomos ai i sferës së politikës- vetëdijesohet, se, duke i ndrequr punët veta, nuk janë ndrequr punët e vendit të tij. Mu kjo është premisa e parë, prej së cilës duhet të nisemi, që të thyejmë shabllonet që na shoqërojnë dhe ndjenjën e përkohshmërisë që na godet. Andaj duhet të pajtohemi, ashtu siç është pajtuar e gjithë bota e përparuar, se portat e lirisë dhe përparimit hapen, atëherë kur t’i ulim flamujt e ndasive dhe të bashkohemi nën flamurin e të mirës së përbashkët. E që të ndodhë kjo, duhet të kemi të vërteta të vlefshme për gjithë. Vetëm kështu, mund ta sendërtojmë të mirën tonë të përbashkët dhe demokracia e lira, të marrin domethënien funksionale e për të gjithë. Sepse as lira e as demokracia nuk kanë vlera apriori, nëse s’ i jetësojmë dhe s’i bëjmë pjesë të mendësisë sonë. Ka kohë që kambanat bien pa pushim. Andaj nuk duhet zbyth  përballë ceneve, egoizmit dhe paaftësisë së politikës për të “derdhur” energjitë në shtratin e interesit të përbashkët, për çka ka nevojë shumë ky vend-

Ç’është e rëndësishme pra tani, është krijimi i një atmosfere të shëndoshë ku mund të formësohen të  vërteta të vlefshme për gjithë, siç mund të jenë besimi te e kaluara, te demokracia, liria dhe rrugëtimi pa ekuivok kah perëndimi.

Deri tash kemi parë të retushuar një kastë konjukturale, që ka dëshmuar se është e paaftë të çojë përpara kauzën tonë europiane.

Andaj, nuk duhet të lejojmë që të nesërmen, liria jonë të bëj jetë në kafazin e politikës. Atë duhet ta nxjerrim nga ai kafaz dhe ta mbajmë për vete, si gjen ma të çmueshme. Në këtë mënyrë, mund t’i vjelim  frytet e lirisë, që janë përparimi, dija e kultura. Dhe kështu dinjitetshëm mund të ecim  krah për krah me kombet e qytetëruara.

Në këtë betejë, ne kemi përparësi, sepse kemi shembuj të shumtë përpara: të mirë dhe të këqij. Mjafton të kemi vullnet dhe të përzgjedhim shembujt e demokracive të suksesshme dhe t’i flakim ato tjerat. Kështu i mbyllim portat e së keqes dhe hapim ato të së mirës.

Liria jonë në kafazin e politikës, i nevojitet vetëm politikës. Lira jonë në duar tona, hap shtigje për një të nesërme ma të ndritshme dhe gjithsesi e ndihmon politikën të vetëdijesohet dhe emancipohet.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: