Pëllumb Gorica: Dumreja, sykaltra mes blerimit
| E Enjte, 12.06.2014, 07:04 PM |

DUMREJA,  SYKALTRA MES BLERIMIT

NGA PËLLUMB GORICA

Një udhëtimi i bukur më tërhoqi me forcën e tij drejt Dumresë, në këtë trevë magjike të 84 liqeneve karstike, por edhe e njohur për historinë, traditat e njerëzit punëtorë. -Sa bukur!,- thashë me vete, duke ecur rrugëve me kodra të veshura gjithë gjelbërim, herë të buta e herë të larta, e pak më tutje shkëmbinj gëlqerorë që dallgëzohen larmishëm me ulje e ngritje të terrenit, duke i dhënë forma të ndryshme, që e bën atë të dallohet nga treva të tjera. Kënaqësia e soditjes së peizazhit të Dumresë reflektohet në veçanti me qetësinë shpirtërore nga nuancat e këndshme të liqeneve dhe në lindje atje tej si kurorë lulebore mbi kryet e saj dhe Sulovës, Tomorricës, Nahijes së Beratit, Tomorri madhështor!.

Belshi, qyteti piktoreks që të befason me mozaikun jetësor

Në qiell lëvizin re të bardha, të cilat sikur hedhin valle përsipër pllajës së Dumresë. Ndjen ngrohtësinë dashamirëse të diellit që hedh rrezet ndërmjet të çarave të reve e pasqyruar në liqenet e shumtë. Udha kalon faqeve e pllajave ngjitur me njëra - tjetrën e vendbanimeve të shumtë  që shquhen aty këtu me emra të veçantë: Shalës, Shkëndijë, Trojas, Shkallë, Rrasë, Guras. Tutje lartësohet një kodër e cila edhe pse jo shumë e lartë, Gradishta (239 m) shfaqet si një bedenë e vërtetë, disa hektarshe. Zigzaget e rrugës si kordele të shfaqin pamje të tjera, ku gjelbërimi është në një fare mënyre i avancuar nga stina e lagësht. Me fjalë të tjera, tejet e hijeshuar nga ngjyrat e theksuara, që i shtohet edhe ajo e liqeneve, ku në arat e sistemuara me kujdes kalojnë radhë bimësh bujqësore, pemë frutore e ullinj. Ndërtimet e reja në çdo vendbanim. Secila prej tyre e rrethuar nga kangjella e kopshte të mbjella  ngjasojnë si kala të vogla. Kështu përshkruan peizazhet, që një vizitori nuk i shqiten nga mendja lehtë. Në këtë mozaik ngjyrash të derdhura shpaloset Dumreja, ndërkohë që udhëtojmë drejt Belshit, qendra e saj. Segmente rrugësh të asfaltuara nga Elbasani, Peqini, Lushnja dhe së fundi nga Kuçova e sjellin më afër këtë trevë, ndryshe nga rrugët e dikurshme gjithë baltë e të shkatërruara, që e bënin të vështirë udhëtimin.

Belshi është një qytet piktoresk. Liqeni është hijeshia e tij me gjelbërimin e shelgjeve lotues dhe drurëve të tjerë dekorativë, praninë e bizneseve, shkollave, rrugët, shtëpitë afër njëra - tjetrës. Të vjen në mëndje dëshira e rilindasit Sami Frashëri, këtu e 100 e ca vite më parë, që në Belsh e në kodrat masive dhe liqenet rreth tij  donte të ndërtohej kryeqyteti i Shqipërisë. Belshi është banuar që në lashtësi. “Gradishta”, kodra shkëmbore prej 8 ha ishte një qytet i lashtë ilir, vërtetuar kjo nga gjetjet arkeologjike. Këtu jetonin Parthinët, një nga fiset kryesore ilire. Sipas arkeologut Neritan Ceka “Gradishta” i përket periudhës së vonë të Bronzit deri në shekullin VI pas Krishtit.” Neritan Ceka “Ilirët”. Banorët në periudha të ndryshme gjatë punimeve bujqësore, në hapje themele shtëpish, në ujërat e liqeneve, kanë gjetur objekte të ndryshme prej balte si poçe, pjata, enë gatimi e tjerë. Duke shëtitur në Belsh e dobishmja me të këndshmen ballafaqohet në restorantet dhe bar kafe në sytë e çdo vizitori, të shijojnë një pushim me një pamje të mrekullueshme të liqenit. Perspektiva e Belshit në premtime elektorale zvetënohet me papunësinë e banorëve, të cilët jetojnë përmes vështirësive të panumërta ekonomike e sociale, edhe pse, me mundësitë ndërmjet gjuetisë dhe bizneseve mbijetojnë në këtë globalizëm. Lëvizja e lirë për një jetë më të mirë edhe këtu në Belësh e në gjithë Dumrenë me qindra familje i largoi anembanë Shqipërisë pa folur për emigrimin kryesisht në Greqi e Itali.

Dumreja, një perlë e vetë zotit!

Mbase, ky udhëpërshkrim për Dumrenë nuk do të ishte i plotë po qe se nuk do të shkruanim për liqenet, të cilët krijojnë magjinë e kësaj treve, ku befasohesh nga bukuria e rrallë e tyre. Liqenet e Dumresë përbëjnë një veçanti. Kjo e arritur në përfundimin se, gjatë kohërave fenomenet e ndodhura shndërruan tokën në gropa karstike të mbushura me ujë. Ata mbushen me ujërat e shirave dhe shumë prej tyre janë hinka, gropa të thella e të tjerë shtrirë në sipërfaqe të madhe. S’ngopesh duke i vështruar e më shumë të shtojnë kënaqësinë. Dhe sigurisht emocionet të mbërthejnë kur gjendesh në këto mrekulli të natyrës me ajër të pastër e qetësinë hyjnore. E nuk mund të mos qëndrosh pak çaste pa shijuar bukurinë e tyre dhe pa bërë foto. Në jug të Dumresë janë një mori liqenesh me pamje të bukur: I “Degës”, “Çestijes”, “Turbullit”. “Liqeni i Seferanit”, në stinën e pranverës mbushet me një lloj zambaku e që njihen si “lëkoi i bardhë” dhe “lëkoi i verdhë”. E ky liqen në mendje i mbetet kushdo që gjendet pranë tij. Liqeni na u shfaq me të blertën e tij qetësuese dhe që mpleksja e rrezeve të diellit e praronte sipërfaqen. Përtej kësaj bukurie qëndron legjenda e cila thotë se: “Në thellësitë e kristalta të ujërave të këtij liqeni dikur jetonte një grua me flokë të arta. Ajo ishte gjëja me e bukur që syri njerëzor kishte parë. Kur ajo dilte nga ujërat, dukej si perëndeshë e dielli shkëlqente në lëkurën e saj të bardhë dhe flokët e arta i ndrisnin teksa binin deri poshtë gjunjëve të rrumbullakët. Fytyra e saj ishte e magjishme nën gjithë atë bukuri dhe shumë nga ata që e shihnin, uleshin në gjunjë kur shfaqej ajo!”. Kjo legjendë mund të jetë edhe sajesë e njerëzve, të cilët me kalimin e kohës e kanë glorifikuar, duke i dhënë dimensione të tjera. Petrit Paja, banor i Marinzës, tregon se ky liqen është afër nesh dhe ne nuk dimë ta shfrytëzojmë këtë dhunti që na e ka dhuruar natyra me pamje të mrekullueshme. Këtu vijnë vizitorë të shumtë vendas e të huaj, por është i preferuar nga amatorët e gjuetisë së peshkut. Ja, pra që Dumreja ka pamje vërtetë të bukura e kështu, që kemi shumë arsye për të qenë krenarë, vzhdon rrëfimin e tij Petriti i cili e ka shtëpinë buzë liqenit dhe kishte krijuar blloqe me vreshta dhe ullinj. Kushdo krijon mundësi të mira për veten dhe të tjerët dhe kujdeset për të. Diku më tutje po ngrihej një ndërtesë me kushte për vizitorët. Liqenet po gjelbërohen. Kjo ia shton bukurinë Dumresë dhe kësisoj do të tërheqë më shumë vizitorë, por që mendja e dumrasakëve të vejë në shërbim të vetvetes i duhet më shumë punë për të shfrytëzuar mundësitë që të dhurojnë resurset e saj turistike, ekonomike e kulturore, që shumë pak janë bërë të njohura deri tani. Janë peisazhe që duhet t’i bëjmë të njohur të gjithë ata që duan natyrën, që duan e respektojnë bukurinë. Dhe, kushdo që ka shkelur në Dumre, patjetër është befasuar nga liqenet dhe e ka quajtur atë një perlë të dhuruar për njerëzit nga vetë zoti.

Vlerat e kohës së largët ‘’flasin’’ edhe sot

Natyra është gjithçka dhe ka bërë gjithçka në Dumre; ka bërë të mirën dhe të keqen, ka bërë të bukurën dhe të shëmtuarën. Nga çka mbetur deri me sot kontureve të kodrave të degraduara nga prerjet e pyjeve mund të gjykosh se Dumreja dikur ishte një hapësirë e pafund pyjesh, me liqene si oaze, një natyrë e harlisur e qetësisë si parajsë. Të moshuarit kujtojnë se në mes të ditës, kur kaloje pyllin, diellin nuk e shihje, edhe bagëtitë humbisnin. Tregojnë gjithashtu,se trungjet e drurëve mezi i rrethonin dot dy vetë të kapur për dore. Kjo lidhje e pyjeve është e shprehur edhe në emërtimet e vendbanimeve të trashëguara gojarisht ndër breza. Kështu: “Gjoli i Bushit”,“Fushëfiku”,“Lisaj”, “Shelg”, “Dushk”, “Fierzë”, “Hardhishtë”, por në përgjithësi, toponimia në Dumre është e shumtë dhe krejt karakteristike, të cilat në kuptimin e tyre dëshmojnë për lashtësinë. E vërtetuar kjo nga gjetjet arkeologjike. Dumreja ishte një trevë ku kaçakët gjenin strehë. Është i njohur toponimi ‘‘Kroi i Hajdutit’’. Duke u kthyer kësisoj edhe një trevë e preferuar për gjuetarët. Besim Kuqja nga Shalësi kujton miqësinë e banorëve me gjuetarët nga Tirana, Elbasani, Berati. Erdhën vitet ’50, që do e shkatërronin këtë qetësi të virgjër e shekullore të Dumresë, këtë magji plot bukuri e prehje. E shpyllëzuan nën parullën demagogjike socialiste: “Tu qepemi kodrave e maleve t’i kthejmë ato pjellore”. Dumreja me pyjet e dendura e kthyer në ara bërë hambar prodhimi për Elbasanin. Prodhohej me shumicë grurë, misër, luledielli, duhan, i cili ishte monopoli i shtetit. Në liqenet mbarështrohej e prodhohej peshk pa hesap. Politikat e shtetit e populloi me banorë të ardhur nga krahinat e Sulovës, Vërçës, Tomorricës, Shpatit, që treguan vlerat e tyre të trevës nga vinin, të respektit, fisnikërisë, kulturës, punës, por sollën edhe ndryshime sociale në jetën shoqërore të trevës.

… Dumreja, dikur vend i të internuarëve

Banorët e Dumresë, të çfardo kategorie qofshin këta, për të ecur me ritmin e kohës, nuk harrojnë të kthejnë kokën prapa për të kujtuar vështirësitë e sakrificat në jetë me përkushtimin ndaj punës, familjes, shoqërisë dhe dashurinë njerzore që i karakterizon. Kohët e regjimet kanë sjellë edhe ngjarje të trishtueshme për banorët e Dumresë. Ky vend kaq i bukur, një ditë do të ishte internimin për kundërshtarët e regjimit.

Drejt perspektivës dhe zhvillimit të saj, përkundër kohës me problematika të theksuara që nga rrugët, kushtet e jetesës me kolektivizimin e bujqësisë, si gjithandej Shqipërisë socialiste, në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, Dumresë u mboll një ngushëllim kolektiv. Belshi, Dushku, Xheria, Dragoti, Kosova në vite u shndërruan në vendbanime persekutimi të internuarish, “armiqtë e pushtetit popullor”, si një skëterrë e vërtetë me stërmundime pune të rënda, të mungesave elementare e të kushteve të jetesës. Vend të burgosurish! Në Kosovë u hap burgu për gratë e dënuara, në një gropë si hinkë të madhe, por që dikur mund të ketë qenë liqen. Ky burg është i njohur, sepse kur u hap në fillimisht u burgosën gra, të cilat punonin në fermën bujqësore të NB Belshit, në arat dhe pemëtoret e saj. Jeta e të dënuarave dhe internuarave në Dumre ishte vend internimi me zhgënjime, kujtime të hidhura. Në këtë kalvar vuajtjesh fizike e shpirtërore të tyre, dumresakët me shpirtin e bardhë; i trajtuan me dashuri, sepse edhe vetë, ndiheshin të ndrydhur e të persekutuar nga mungesat elementare jetësore, por edhe liria e cunguar që rrithte nga rrethanat sa lejonin kushtet.  Duke harruar të merreshin me problemet kryesore që shqetësonin banorët, së pari infrastrukturën, disa kuadro partie e pushteti, edhe këtu në Dumre hidhnin pështyma inati mbi këdo që dilnin mbi ta dhe me mendimet e tyre si nata, intrigonin të dënonin pjesën e shoqërisë që mbarte kapacitete, me gardhin rreth tyre për të shmangur vlerat e vërteta. E kështu anashkalonin të krijonin mirëqenie banorëve, kur koha kërkonte ecjen drejt zhvillimit për të jetuar në një botë më të mirë. Kujtojmë atë kohë, dhe ndjejmë sot dhimbje duke tharë infeksionin e plagës së kohëve të zymta.

Jetë që buis e gjelbërt

Ndërmjet rrugës së shtruar rishtas zhytemi në thellësinë e pyllit të Grekanit. I dendur ai të josh me flladin freskonjës, që luan lehtë me gjethet e lisave dhe këngën e zogjve, por edhe tingujt e zileve të bagëtive. Ky pyll përbën një bukuri të rrallë natyrore çlodhëse si pjesa me e bukur e me interesante në gjithë Dumrenë, madje në disa aspekte edhe një vend përrallor me liqenin pranë, ku ngjyrat e thella të gjelbërimit, luleve shumëngjyrëshe, të krijojnë një kënaqësi të veçantë. I pushtuar nga pushteti i pyllit, Grekani si një qylim i blertë, pak më poshtë,  shpaloset me ndërtimet e reja dhe të bukura, të rrethuar nga mure, kangjella, lule. Në këtë stinë të ngjeshur me punë do të shikosh mjaft banorë pranë arave të tyre. Mjafton të vështrosh qëndisjen e arave dhe e kupton se banorët ruajnë me merak të veçantë traditën shekullore të gërshetuar me gjetjet e reja të kohës moderrne. Ne ecim dhe admirojmë peizazhet e bukura, arat, blloqet me pemë frutore e vreshta, që përbëjnë të ardhurat e kënaqshme për banorët. Natyra dhe qielli janë shkrirë me një ndjeshmëri të tejdukshme poetike. Në Grekan gjatë bisedës me Berti Çekrezin mësojmë për përpjekjet e banorëve, punën sistematike në vendbanimin e tyre për të jetuar me djersën e derdhur në kultivimin e gjithfarë bimësh. Por, në Dumre kanë lulëzuar edhe bizneset e reja të krijuara me mund e djersën e ballit të vetë banorëve të kësaj treve punëdashëse.

E morëm më pas rrugën në Dëshiran, tek grushte shtëpish të bardha, shtrirë në një hapësirë të gjerë, që së largu shfaqen të bukura mes gjelbërimit e ngrohen karshi diellit të mesditës. Dëshirani është një nga vendbanimet me të bukura të Dumresë, rrethuar nga kodrat gjithë gjelbërim, që të mbesin në mëndje me pamjet dhe qetësinë e kredhur. Dëshirani ndodhet pak kilometra nga Belshi dhe pikërisht sapo kalon pyllin masiv, ndër të vetmit në Dumre i mirëmbajtur 20 vitet e fundit. Pakujdesia e banorëve bëri që në vitet e para të ’90, kjo natyrë e mrekullueshme pyjesh harlisur, të degradohej në mënyrë të dhimbshme. Kohët ndryshuan! Pranë tij, ashtu siç ndodh në natyrë, kur rrufeja djeg e zhurit deri në rrënjë një rrap madhështor, me kalimin e kohës nga rrënjët e tij buisën plot jetë e forcë filiza të reja, po ashtu i u kthye magjia e gjelbërimit, por në kushte të tjera. Në Dëshiran spikat qartë dora punëtore e mendja e njerëzve, që e duan punën me toka të mbjella, vreshta, pemë frutore të shumta. Rruga ka mbaruar së asfaltuari më së miri, me kanalizime, me gjerësi 3.5 metra e trotuar, që të krijojnë përshtypjen e një vendbanimi të qytetëruar. Tashmë kjo rrugë lidh Dumrenë me Kuçovën  dhe do të afrojë më shumë Jugun për t’i zhvilluar ekonomikisht e shumë të mira të tjera.

*      *         *

Dumreja, mbetet pas, e kaltër blerore me ca kujtime fëmijërie që më zgohen me mallin  e derdhur.  Të shkruash për vlerat e natyrës joshëse e frymëzuese të saj, ato s’mund t’i përmbledhësh në këto pak përshtypje, të ngjyrosura gjer në thellësinë e shpirtit. Filozofia e mesazhit te toponimisë se Dumresë është “DUM RE - duam re” të ndjek në udhët nga shkon. Edhe me mua kështu po ndodh. Si kujtim, si dëshirë për të ardhur përsëri në liqenet e panumërta mes kodrave dhe njerëzëve shpirtbardhë të Dumresë!. Në këto vende ku dikur ka shkelur babai im qoftë mes dhimbjes dhe ekzaltimit me hapin e lehtë në tapetin gjelbëror. Unë do të ecja më tej i ardhur në kohëra të reja të tjera, këtu në Dumre, me sytë e kaltër të liqeneve, të ngre një Urë vitesh më shumë ngritje, më shumë sy, më shumë duar e më shumë kaltërsi.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: