Oralda Lahe: Intervistë ekskluzive me Dajena Baçën
| E Diel, 08.06.2014, 07:40 PM |

Flet Dajena Baça:  Unë me përkthimin jam marrë që në moshën 19 vjeçare. Libri i parë ka qënë një libër francez me titullin “Zotërinjtë fëmijë”.  Im atë që ka qënë gazetar më sillte libra në shtëpi.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

“Përkthimi kërkon përkushtim me kohë të plotë. Për mua është sikur t’a kem shkruar unë librin, pra bëhem personazh i librit. Kur përkthej dua një qetësi totale bëhem personazh i tij. Ndërsa për artin është krejtësisht e kundërta vetëm dëshirë”.

Dajena Baça është një profil i veçantë femëror në artin që ajo sjell dhe përkthimet e saj. Energjia, bukuria dhe brishtësia bashkohet tek vetë Dajena. Dëshira për të realizuar punime dhe krijuar janë në fokus së bashku me mënyrën e veçantë, filigrami në letër. Përkthimi është një tjetër anë e fortë e saj duke sjellë talentin së bashku me përkushtimin. Në bisedë kupton se njeriu në jetë mund të ketë dy dashuri. Në këtë gërshetim të realizuar është puna me filigram dhe përkthimi. Artdashësit i gjejnë punimet e saj në profilin e facebook Dajena Art.

Cili është arti që ju sillni nëpërmjet  punimeve tuaja?

Arti që bëj unë është me filigram nuk bëhet me argjend siç realizohej dikur por me letër. Kam rreth katër vjet që merrem me këtë art. Në botën e huaj kjo mënyrë quhet quiling në përkthim do të thotë filigram. Bëj punime të formateve të ndryshme më i madhi që kam bërë është 50 me 80.

Sa i mirëpritur është arti që ju sillni për artdashësit?

Përshtypja e parë është surprizuese kjo tashmë dihet. Të them të drejtën është habia dhe të gjithë bien në mendjen se duhet të kesh një durim të hekurt. Sigurisht që kritika ka dhe janë pozitive.

Cili prej punimeve spikat më shumë ndër të tjerët?

Ka qënë një prej punimeve dhuratë për prindërit e mi me formatin më të madh. Një kompozim krejt spontant floreal duke arritur atë që kam dashur. Dua të them që është një punim krejt i veçantë.

Frymëzimi për Dajenën është i rëndësishëm. Çfarë ju frymëzon më shumë?

Natyra më frymëzon jashtë mase dhe punoj me porosi nga klientët. Kam patur një kërkesë të veçantë për fustan nusërie nga Geraldina Sposa. Më në fund arrita formën që unë kam dashur. Ishte diçka e re të cilën nuk e kisha bërë më parë.

Arti që ju bëni është i trashëguar apo një mënyrë për të përmirësuar jetesën?

Ime më ka punuar dikur tek Artistikja “Migjeni” dhe besoj se është e trashëguar deri diku. Fillimisht unë kam mësuar të qëndis dhe më pas të shkruaj. Kombinimi i ngjyrave dhe finesa janë të trashëguara pjesa tjetër punë.

Punimet tuaja janë të shumta tashmë dihet.  A është kjo një mënyrë biznesi?

Sigurisht që kjo është një mënyrë biznesi njerëzit i pëlqejnë punimet e mia. Shpesh unë bisedoj me klientët e shumtë dhe arrijmë në një rezultat të kënaqshëm. Njerëzit që duan të bëjnë dhuratë janë të kënaqur me idetë dhe punën time.

Një pjesë e ditës për ju kalon në shtëpi. Cili është mesazhi që ju drejtoni grave shqiptare?

Një pjesë të ditës unë e kaloj në punë dhe më pas me djalin tim Ened 11 vjeç. Dedikimi ndaj tij është i konsiderueshëm tashmë dihet kjo gjë. Unë merrem me art, me përkthim kur kam një vepër në dorë. Gratë shqiptare janë të zonjat dhe koha e tyre duhet të shfrytëzohet në maksimum. Ato mund të thurrin, së fundi në ekrane kam parë dhe gra që bëjnë abazhure, korniza etj. Besoj se kohën duhet t’a shfrytëzojnë për të patur rezultate dhe jo duke parë telenovela.

Ju bëni dhe përkthime që sigurisht kërkon shumë punë. Si arrin të alternosh artin që bën dhe përkthimin?

Unë me përkthimin jam marrë që në moshën 19 vjeçare. Libri i parë ka qënë një libër francez me titullin “Zotërinjtë fëmijë”. Im atë që ka qënë gazetar më sillte libra në shtëpi. Im atë e dinte që unë po përktheja një libër, ndërsa pronari i shtëpisë botuese nuk ishte në djeni se unë isha vajza e mikut të tij më të ngushtë.  Ai nuk ka dashur që të ndikonte emri i tij në përkthim. Me atë çfarë më kanë thënë di të shqipëroj mirë dhe frazën e realizoj siç duhet. Kam përkthyer  11 romane mes tyre dhe Balzakun, Bukovski, Jodi Picoult “Nëntëmbëdhjetë minuta”  libër bestseller.  Ka qënë im atë ai që më ka injektuar dashurinë për librin.

Dajena ju keni studiuar për gjuhë-letërsi bën art, përkthime dhe jeni energjike. Si arrin t’i bësh të gjitha këto?

Nuk besoj se ka ndonjë sekret të veçantë. Unë kam patur fatin mos t’i bëj gjërat në të njëjtën kohë. Përkthimi kërkon përkushtim me kohë të plotë. Për mua është sikur t’a kem shkruar unë librin, pra bëhem personazh i librit. Kur përkthej dua një qetësi totale bëhem personazh i tij. Ndërsa për artin është krejtësisht e kundërta vetëm dëshirë.

Cili është projekti më i fundit i Dajenës?

Dua të them diçka për artin tim jam duke studiuar tregun për të bërë dhe një ekspozitë. Mendoj dhe besoj se do të jetë diçka e realizuar mirë. Im atë i cili nuk bën komplimente më ka inkurajuar për të bërë një roman. Besoj se kjo inisiativë do të jetë e rëndësishme për mua. Duke ditur sa e dua unë librin dhe rëndësinë që ai ka.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: