Ilir Dardani: Intervistë ekskluzive me Alma Lamën - Njeriun e Zhvillimit dhe Dashurisë Kombëtare
| E Merkure, 04.06.2014, 09:27 PM |

Intervistë ekskluzive me Alma Lamën - Njeriun e Zhvillimit dhe Dashurisë Kombëtare

Nga Ilir Dardani

Alma Lama dhe LDK - Europa Reale

Dr. Ibrahim Rugova do të ishte shumë i lumtur dhe krenar sot kur në LDK-në e tij u afrua zonja Alma Lama, e ardhur nga Kruja e Gjergj Kastriotit. Mbesa e Kastriotit në shtëpinë e nipit të Bogdanit. Shqiptarizëm i Pastër - Dinjitet Shekullor. Urë e Sigurtë Bashkimi. Për ne në Zemra Shqiptare Alma Lama është shumë më shumë se një ish-deputete dhe shumë më shumë se një deputete e ardhëshme dhe do donim ta kishim në një post të paktën ministror sepse është hija e askujt dhe Zëri më Përfaqësues i Qytetarëve të Dardanisë. E kemi fjalën per ata qytetarë që duan punë, shkolla, spitale, drejtësi dhe zhvillim të përgjithshëm dhe jo për ata që duan rikthim tek Epoka e Gurit - të cilët fatmirësisht janë pakicë. Alma Lama është Pasuri Kombëtare dhe nuk kemi të bëjmë më një dëshirë tonën por me fakte konkrete. Ne besojmë, pasi kemi parë e dëgjuar, se ekzistenca e Almës është Politika në Ditën më të Mirë, është Ndershmëria që triumfon mbi korrupsionin, është qytetaria që mund tribalizmin, por mbi të gjitha është Dija që fundosë padijen. Dhe siç e dimë, padija thaçore (perveç errësirave të tjera) ka rezultuar fatale për popullin martir të Dardanisë. Dardanët e Rugovës, Jasharëve, Ramadanëve, Manëve e Haradinëve meritojnë shumë dhe kjo do të arrihet pas 8 Qershorit, ditën kur Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitojë zgjedhjet. Vota për Alma Lamën dhe kandidatët e LDK-së është mirëqenie për ju, është Europa Reale, është zgjedhja më e mirë për të cilën jemi të sigurtë që nuk do të pendoheni.

INTERVISTA:

Hyrja në politikë për njerëzit e ndershëm është përgjegjësi shumë e madhe, veçanërisht kur përfaqëson një popull të lënduar shumë edhe ekonomikisht. Pse hyre në politikë?

Kam hyrë në politikë me të vetmin qëllim, që të jap kontributin tim për Kosovën, për të ndihmuar në konsolidimin e shtetit, për të luftuar për konsolidimin e demokracisë. Kosova ka vuajtur shumë, njerëzit i ka të mrekullueshëm dhe meritojnë një jetë më të mirë. Pas një eksperience të gjatë në gazetari, ku pata mundësinë të flas me mijëra njerëz të të gjitha kategorive shoqërore, erdhi momenti që të shkoj përtej raportimit, të shkoj tek vendimarrja në mënyrë që të ndikoj në përmirësimin e gjendjes. Përgjegjshmëria në politikë për mua nuk ishte risi, sepse unë po kaq përgjegjshmëri kam ndjerë edhe gjatë profesionit tim të mëparshëm, edhe pse nuk isha e votuar. Mirëpo vota është besimi që të japin njerëzit, prandaj tani drejtpërdrejt ndjej peshën në çdo hap që e bëj.

Pas largimit nga VV u bashkuat me LDK. Pse zgjodhët pikërisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që udhëhoqi për shumë vite i madhi i të mëdhenjëve, Dr. Ibrahim Rugova?

E zgjodha LDK-në për disa arsye, së pari sepse ne themel të saj është vizioni propërendimor i presidentit Rugova. Unë ndaj plotësisht të njejtin vizion me të në lidhje me këtë çështje dhe mendoj se ky vision na duhet edhe sot. Shumëkush që thirret në emrin e tij e ka harruar këtë, por e përmendin emrin me qëllimin për të përfituar vota. Së dyti LDK është parti e djathtë e qendrës dhe pikëpamjet e mia janë të djathta. Unë majtizmin, e sidomos majtizmin ekstrem vërtetë nuk e duroj dot. E dini çfarë fatkeqësie i ka sjellë botës. Jam për politika sociale gjë që i bën edhe partitë e djathta të anojnë nga qendra.

Ju personalisht jeni për Bashkim Kombëtar, ose për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, herët a vonë. Keni gjetur mbështetje në LDK?

Natyrisht që jam për bashkim kombëtar, sic do shqiptar tjetër por rikthimi i të gjitha trojeve që na u morën nga fqinjët më duket e pamundur. Sido që të jetë ne e kemi rikthyer Kosovën, që është pjesa më e madhe, prandaj së paku duhet të ribashkohemi si dy shtete. Edhe ky është një proces i vështirë, por jo i pamundur. Duhet vullnet politik dhe më shumë bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje. Mendoj se pasi ti vëmë kapak punës me Serbinë, nuk do të kemi më asnjë pengesë.

Sipas këndvështrimit tim, nga larg në praktikë por shumë afër në teori, pakënaqësia e qytetarëve të Dardanisë për qeverinë Thaçi është shtuar shumë vitet e fundit. Ju jeni aty...

Është shtuar jashtëzakonisht sepse gjatë këtyre viteve kemi parë një shtet që udhëhiqet nga parapolitika, një pushtet që abuzon me paranë publike në formën më të keqe, një shtet që ka kapur të gjitha institucionet e pavaruar. Është ndërtuar një llloj oligarkie, ku pakica udhëheq dhe abuzon në mënyrë masive, blen e shet njerëz, shantazhon të tjerë. Kjo qeverisje duhet të marrë fund. Ata qe pretendojnë se kanë luftuar nuk do të thotë se dijnë ta bëjnë edhe shtetin, se dinë të bëjnë edhe paqen, prandaj duhet të shkojnë në shtëpi.

Hashimi Thaçi nuk më zhgenjeu aspak kur pranoi të bëhen pjesë e PDK-së edhe disa ekstremistë islamike të cilët, falë pushtimit nga islamo-osmanët, refuzojnë të njohin si Hero Kombëtar Gjergj Kastriotin sepse na paska qenë i Krishterë. Mendoni se Thaçi shitet për vota, apo tregon versionin e tij origjinal pasi edhe ka deklaruar se është vëlla i turqve?

Unë nuk befasohem nga veprimet e demagogëve. Hashim Thaçi i kishte në kualicion edhe më herët. Ai s’ka asnjë  parim, kur është fjala për të qëndruar në pushtet. As partitë që hynë në kualicion me të nuk kanë parime. Këtu shihet se patriotizmi i tyre është zero. Ndjej keqardhje për këtë nivel dallkaukësh që duan të qeverisin Kosovën.

Unë kam mendim shumë pozitiv për Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, per të cilin them me sinqeritet se është një shqiptar i të gjitha kohrave, një njeri që ishte ndër luftëtarët kryesorë në luftën e Dardanisë dhe mund të jetë krahu juaj i djathte në punën tuaj të madhe për stabilizimin dhe zhvillimin e Dardanisë. Ne rast se do jetë i nevojshëm, si e mendoni një koalcion me AAK-në?

Unë nuk jam në pozitë të përcaktoj koalicionet, sepse mendoj se duhen strukturat e partisë dhe grupi parlamentar. Mendoj se si profil i djathtë koalicioni do të ishte i mundur. Por natyrisht edhe me qëndrimet e tyre kemi të përbëshkëta në lidhje me argumentin që  i referoheni ju.

Unë personalisht do të bashkëpunoj me secilin që i thotë jo ekstremizmit antikombëtar dhe antishqiptar, që kërkon të na tjetërsojë, të na cënojë identitetin dhe lirinë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi PDK, edhe pse kishte shumë parregullsi, apo vjedhje të votës (tashmë traditë e politikës mbarëshqiptare). Ju si LDK, ç'masa keni marrë për ruajtjen e votës?

Është folur gjatë me komisionerët që të ruhet vota dhe të mos preket. Po kështu do të shmanget numërimi i votive të kandidatëve në vendvotime, pasi këtu ka ndodhur edhe abuzimi më i  madh i votave në zgjedhjet e vitit 2010. Unë shpresoj që monitoruesit të bëjnë punë e tyre dhe të lajmërojnë parregullsitë. Gjithashtu në qendrën e numërimit duhet të ketë transparencë.

Kohë më parë keni propozuar ngritjen e memorialit ''Heroinat''. Kujt i dedikohet dhe a është realizuar?

Memoriali Heroinat është nga ato vepra me të cilat ndihem fort krenare. I dedikohet kontributit të të gjitha grave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Memoriali është duke u punuar nga autori dhe së shpejti do të vendoset në qendër të Prishtinës. Ky memorial është i vetmi që i kushtohet grave, edhe pse Kosova është e mbushur me statuja e memoriale. Kam dashur me këtë që ta ndryshoj edhe mentalitetin që nderon e heroizon vetëm burrat, dhe i harron apo anashkalon gratë. Në një vend demokratik çmohen të gjitha vlerat, dhe gratë zënë vendin e merituar. Sakrifica e grave gjatë luftës është shumë më e madhe se e burrave, prandaj ato kanë një vend të rëndësishëm në lirinë e Kosovës.

Një forum islamik në Kosovë doli me një listë me kandidatë që sipas tyre nuk duhet të votohen. Sigurisht që aty nuk mungonte as Alma Lama...

Ata janë turpi i Kosovës, por edhe mediat që botojnë këtë turp po veprojnë turpshëm. Nuk bëhet fjalë për forum por për dy tre të marrë që shkruajnë marrëzira dhe që  tallen me  mediat. Deputetët që e ngrenë zërin kundër tyre do të jenë më të votuarit.

Ju ishit një përfaqësuese e denjë e popullit të Kosovës në Parlament dhe nuk pritët që të vinë zgjedhjet për t'u gjendur pranë problemeve të njerëzve, sic bën Hashim Thaçi, i cili nga makinat luksoze te mbushura me truproje filloi gatimin e picave me shpresën se do mashtrohen përsëri votuesit. Shikoni shpresë tek njerëzit që takoni gjatë fushatës elektorale?

Kjo që thoni ju është shumë e vërtetë. Unë isha me qytetarët në çdo ditë të punës sime në Kuvend. Kam ngritur çështjet që i brengosnin ata, jam përpjekur të jem zëri i tyre për çdo ditë. Por tani që kam dalë në fushatë kam pasur rastin të takoj me mijëra njerëz. Vetëm tani e kam kuptuar se puna ime në Kuvend çmohet jshtëzakonisht. Kam marrë më mijëra fjalë të mira, kam gjetur shumë respekt e dashuri. Më kanë bërë të ndihem jashtëzakonisht mirë. Kudo që shkoj, në çdo cep të Kosovës, më presin me dashuri.  Janë të rinj, e të moshuar, burra tradicionalë më kësula ata që më kanë pritur me respekt të veçantë, gra e vajza që më falenderojnë sepse kam mbrojtur të drejta e tyre; intelektualë që më kanë thënë fjalë të mira për qëndrimet që kam mbajtur.

Tani erdhi koha të na thuash se pse duhet që qytetarët e Dardanisë të votojnë për Alma Lamën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pse Isa Mustafa është njeriu i duhur në krye të qeverisë së ardhëshme?

Qytetarët e Dardanisë duhet të votojnë për njerëzit me duar të pastra, për kandidatët e përkushtuar e që punojnë me sinqeritet e dashuri për Kosovën, që nuk i nxjerrin në pazar interesat kombëtare e shtetërore, që mbajnë qëndrime të guximshme e dinjitoze, pavarësisht nga kostot personale. Të gjitha këto unë i kam dëshmuar në mandatin e kaluar dhe kjo është garanci edhe për të ardhmen. Pse duhet ta votojnë Isa Mustafën? Besoj se ka ardhur koha që Kosova të qeveriset nga njerëz të dijes e jo nga parapolitika. LDK tani është fuqizuar, ka marrë njerëz të tinj e të ndershëm, e po kështu të kualifikuar. Prandaj duhet të qeverisë Kosovën.



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: