Ndue Ukaj: S’mbulohet dielli me shoshë
| E Hene, 02.06.2014, 08:01 PM |

S’mbulohet dielli me shoshë

“Nga këto zgjedhje, duhet të dalim me një shkollë të re politike: përfundimisht duhet të mësohemi, se, nuk ka vlera pa parime dhe se demokraci pa dije, është e rrezikshme (J. Kennedy).”

Nga Ndue Ukaj

Dielli s’mbulohet me shoshë. Këtë shprehje e dëgjojmë shpeshherë dhe në raste të ndryshme. Ndonëse është një lloj aksiome e ditur dhe përdoret te shumë popuj, për të treguar të vërtetën përballë gënjeshtrës, gjithmonë gjinden personazhe qesharake, që s’ndalen së pretenduari ta mbulojnë diellin me shoshë. Nëpërmjet kësaj maksimë të mirënjohur, urtia popullore synon te theksojë se vërteta s’mund të mbulohet e as të kamuflohet, për aq sa mund të mbulohet dielli me shoshë. Tendence  mbulimit të diellit me shoshë, shpërfaqet sheshazi, kur në një shoqëri rritet e keqja e zvogëlohet e mira apo në një shoqëri ku ka bashkëjetesë tinëzare me të keqen, dhe ku e kjo e fundit bëhet model i sjelljes publike dhe instancë nëpërmjet së cilës sajohen autoritet publike.

Këtë urti popullore, shkrimtari i shkëlqyeshëm rus, Anton Chehovi, e ka shfrytëzuar mjeshtërisht te tregimi me të njëjtin titull, në të cilin, me një sarkazëm therëse e humor, qesëndisë, kritikon dhe portretizon figurën e politikanit. Ky  personazhi, që quhet Pasudin, bën zullum mbi qytetarët e vendit të tij dhe një ditë niset “t’i kap befas...si rrufeja në të kthjellët” ata dhe kështu t’i dënojë. Mirëpo kjo ëndërr, me të cilën ai kënaqet, nuk i zgjatë shumë. Ajo fillon t’i zvetënohet, sapo fillon  të bisedon me karrocierin, të cilin e pyet, nëse ai e njeh Pasudinin, që ishte vet ai.

Karrocieri zgërdhihet dhe i përgjigjet se e njeh. Mu në këtë pikë, fillon kthesa në tregim. Zhvillohet një dialog mes këtyre dyve dhe përgjatë një udhëtimi Pasudini (politikan e inspektor), kupton se karrocieri dhe gjithë qytetarët e tjerë ku ai inspekton, ja njohin të gjitha bëmat e tij, që janë këqija: pushtetin e degjeneruar, abuzimin me të,  korrupsioni dhe jetën e shthurur morale. Nëpërmjet personazhit të karrocierit, inspektori e kupton se të gjithë i dinë veset e tij, në një shoqëri ku e keqja kishte hyrë në çdo qelizë të saj. E në fund të tregimit, i dëshpëruar, Pasudini kërkon nga karrocieri, para se të mbërrijë në cak, ku synonte t’u bënte zullumin e radhës qytetarëve, kthehet nga “misioni” i tij për të ndëshkuar “batakçinjtë”. Ai këtë vendim e merr befas, pasi e sheh vetën në pasqyrën që ja shfaq karrocieri, duke i treguar për atë se çka mendon populli për të dhe si e njeh populli vërtetë atë.

Me një ndjenjë të këndshme humori, autori e shpotitë figurën e politikanit dhe kështu e vë përballë ndërgjegjes shoqërore, që herë do kur, ja ravijëzon gjitha vrragët, në një pasqyrë prej së cilës s’ka sesi të largohet. Sepse, një ditë, me apo pa dashjen e tij, ai do të shfaqet përballë kësaj pasqyre, që quhet ndërgjegje.

Ky tregim, i shkruar me 1885, me semantikën, mesazhet dhe idetë që përçon, mund të jetë aktual edhe sot, sidomos në botën tonë të vogël, ku çdo ditë ndeshen karrocieri dhe politikani. Ky i fundit, me luksin e tij, për çdo ditë i flet karrocierit, për qëllime të larta, për luftë ndaj të keqes, ndonëse e di fare mirë të vërtetën e pakëndshme, se gjithë qytetarët ia njohin veset dhe maskarallëqet e tij.

Këta dy personazhe, i ndeshim në role të njëjta, këto vite të fundit, në jetën tonë politike.

Sepse shoqëria jonë, është katandisur në një errësirë morale, ku e mira e përgjithshme s’duket asgjëkund në horizont dhe ku politika miope, tifozllëku politik, injoranca dhe interesi personal, zotërojnë mbi çdo parim dhe vlerë.

Ndonëse dëliri për pushtet, zakonisht i pengon individët që e ushtrojnë atë, sikurse edhe ata që synojnë të marrin pushtet, ta shohin vetën përballë qytetarit,  ata s’kanë sesi t’iu shmangen pafundësisht kësaj përballje të pakëndshme, nga e cila shpeshherë dalin si qyqarë.

Kosova, këto ditë po hynë në një proces politik jetik: mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, të cilat përbëjnë një rëndësi tepër të veçantë, pas një periudhe stagnimi e degradimi të gjatë. E zagushia për pushtet, i ka përrallisë shumë politikanë, që botëkuptimet dhe idetë e tyre për shtetin e pushtetin i kanë reduktuar në parulla sterile. Ata flasin përçartë përballë qytetarëve të lodhur nga jeta e vështirë dhe mjegullnaja në të cilën janë katandisë, si pasojë e një politikë pa vizion. Ndonëse pa alternativa të dëshirueshme, kësaj here zgjedhësi kosovar, në rolin e karrocierit të tregimit të lartpërmendur, duke i treguar politikanit të vërteten për figurën e tij, mund t’i bëj shërbimin ma të mirë vendit, të pengojë atë në rrugën e tij, për të bërë më shumë zullum. Sepse deri me tash, zullum është bërë shumë, ndonjëherë edhe me përkrahjen e karrocierit. Tani është koha e këtij, që me ndërgjegje të pastër, ta denoncojë çdo tentativë të atyre që synojnë të mbulojnë diellin me shoshë. Një përpjekje e tillë, është një marri foshnjore dhe asgjë më shumë.

Këto zgjedhje, duhet të ndërrojnë shumëçka te ne. E mbi të gjitha, qasjen e politikanit ndaj karrocierit, por edhe raportin e këtij të fundit me politikanin. Është koha e fundit, që këta të shihen në pasqyrë.  Mbi të gjitha, nga këto zgjedhje, duhet të dalim me një shkollë të re politike: duhet përfundimisht të mësohemi se nuk ka vlera pa parime dhe se demokraci pa dije, është e rrezikshme (J. Kennedy).

Përvoja e ka treguar se portat e lirisë dhe përparimit hapën, kur të vetëdijesohemi për faktin, se, duke i ndrequr punët tona, s’janë ndrequr punët e Kosovës.

Është koha të bëjmë një hap të tillë: të mendojmë së pari për Kosovën.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: