Drita Lushi: (K)ode Dashurie
| E Premte, 23.05.2014, 08:03 PM |

DRITA LUSHI

(K)ode Dashurie

lirika

 

 

Kur lindin dashuritë

 

Dashuritë

s’lindin nga përqafimet,

as nga puthjet s’lindin, jo.

Ato lindin

pa kuptuar,

pa ditur,

pa shpjeguar si.

Ato lindin,

në zemër,

a ndoshta në sy…

Dashurite lindin

kur rrahja e zemrës,

te njëjtën rrahje ndjen tek ty…

Ato lindin

kur irisi im dhe i yti

marrin të njëjtën ngjyrë

Lindin,

kur fjala edhe me heshtje,

I flet fjalës,

e gërmat, ia këndon

edhe nën zë…

 

është e thjeshtë:

bota bëhet e trëndafiltë

kur lindin ato,

dashuritë…

 

 

Marsi, unë dhe Deti

 

Unë ecja në fustanin e brishtë të pranverës,

E shihja, si zogjtë qeshnin,

Kur marsi dhe deti

ziheshin e grindeshin;

 

Deti kërkonte të më vishte me blu dallgësh

Marsi të më zbukuronte me frymë lulesh e fjalësh;

Ata, me dallgë e lule më donin e më shihnin në sy;

Ndërsa unë qeshja dhe i doja të dy.

 

 

Kur zemërohem

 

Kur zemërohem, e inati në një luaneshë më kthen,

ti qetë më  thua: e di, e di; veç pesë minuta furtunë do të ketë…

dhe, kur pas furisë unë rishtaz urtohem, si qëngj i pafaj,

I qeshur më kthehesh: e dija, që shpejt do ndriçoje, si dielli në maj.

 

Shpesh inat të marr - inat nga dashuria - ( oh ç’inat!),

të fshehtat dhe shpirtin kaq mirë ti m’i lexon (oh ç’fat!),

e unë askurrë e asgjë s’mund‘ të fsheh prej teje (çudi!),

më mbetet në frymën tënde të zhytem gjer’ në dehje (mrekulli!).

 

 

Si?

 

Kam ikur për të mos u kthyer më,

Kam mbyllur sytë e vetes i kam thënë:

-Duhet të shkosh…

-Shko!

I kam vënë pranga shpirtit

për të mos ndjerë më.

Nje shkëmb zemrës që të ndalja

rrahjet prej rrathësh

ku në çdo njërin,

formëzoheshe përsëri!

Ti - ringjallur dejeve, pa ditur si…

Si?!

 

 

Të duash një grua

 

S’është lehtë të duash një grua,

T’i falësh fjalë sysh dhe puthjesh;

Ledha hëne, kometash e diej

t’i ulësh në duar.

 

Duhet të dish të duash një grua!

Të marrësh një oaz mes shkretëtire,

Nje oaz që kaltëron (veç për ty)

tokë dashurie.

 

Duhet guxim të duash një grua!

Të gjesh rrugë e shtigje (të pashkelura)

që të pushtosh

të artat brigje.

 

Duhet të dish të mbash një grua

pasi zemrën të ka vënë në duar,

Më shumë se atë - dashurinë e saj.

Duhet të dish, të dish pra…

 

 

Du-Art

 

“Nuk di se ç’kanë dashur gratë tek ty…”

-të pyes unë, jo shpesh.

Ti - më sheh, qesh dhe hesht…

“Ndoshta kanë dashur sytë?” - vazhdoj unë

“Ndoshta dashuruar me zërin kanë qenë,

shumë mund të kenë lakmuar zemrën,

shumëçka mund të kenë dashur…

(ha ha ha, por unë i kam pasur!)”

Ti - qesh, (miraton me kokë) dhe pret, ç’do vazhdoj të them:

 

“Unë më shumë duart dua;

Duart, që ndërtojnë ura ndjesish,

që lidhin shpirtrat me fije eterike’

(edhe kur larg jemi).

Duart

që punojnë,

që shkruajnë,

që prekin,

që s’pushojnë,

që nuk heshtin.

Kaq pak,

dhe kaq shume dua:

(Të miat) duart e tua.”

 

Ti - qesh përsëri, dhe tashmë

nuk hesht…

 

 

Ty do të të dua prapë

 

Çdo ditë, me një poezi të re rilind,

një dashuri të re për vargjet çdo ditë;

unë syrin tënd e kam hapin tim,

me hapin tënd, ti më çel një ditë.

 

S’di si do të ndihem, kur të mbarojë kjo poezi,

at’herë kur e vdekur do ndihem për së gjalli;

as kur të gdhihem e të ngrysem, pa frymën tënde

e me sytë ulur, me vete të përshpëris:

“Eh më mori, sa shumë më mori malli!”

 

E në mos mbaroftë kurrë kjo  poezi,

Fjalën të jap, që çdo ditë e çdo natë,

me shumë do t’këndoj dhe shkruaj!

Përditë e për natë, pa ndalur anjë  çast,

vetëm ty, ty do të të dua prapë.

 

 

Cdo gjysëm je ti

 

Jam gjysma e ndjenjës, dhe puthjes,

Jam gjysma e vështrimit, dhe buzës;

Jam gjysma e stinës, dhe vjeshtës,

Jam gjysma e shpirtit, dhe zemrës…

 

çdo gjysëm tjetër - ti je.

 

 

Kaq

 

Tri fjalë…

Dy sy…

Një përqafim…

Kaq…

 

Kaq pak përshpëritje,

i duhet një dite

të ndizet,

qysh në lindje.

 

 

Kur thyhet heshtja…

 

Ti më thua: "Grise heshtjen"

e unë me përqafime

vërshoj mbi ty, furishëm - si një lumë;

me puthje të zhurmëshme

mbuloj kurmin tënd lehtas

e kokën mbështes në sheshin

e gjoksit tënd, qetësisht.

 

E atëherë, me drithërima fjalësh,

të pëshpëris lehtë në vesh:

“Kështu i dashur, kështu;

kështu di ta gris heshtjen unë,

duke më dashur ti, pa fjalë

e unë me përqafime, akoma më shumë.”

 

 

(K)od  dashurie

 

Druhesh, mos më lëndon

me dashuri

e, si petale,

e hedh nga pak

mbi mua,

mbi fjalë,

mbi sy.

 

(S)Ndalem…

Mbledh,

Petale,

Petale,

Petale…

…Një shtëpizë ëndrrash

ndërtoj në zemër

për Ty.

 

 

Ta dish…

 

Mbrëmjeve,

se ç’më përshpërit ca fjalë magjike,

e me yjet, shpesh bën edhe ujdi,

qetsisht më bën që të besoj,

se mi këndojnë ata ninullat , dhe jo ti.

 

Mëngjeseve,

kur endé gjumi si pushtues mbi sy më rri,

Vjen më lë mbi supe, ca puthje prilli

e ikën, bën si i paditur,

hutueshëm më thua: “ti paska lënë dielli”

 

Ta dish,

po të betohem, që ndonjë natë,

s’do flé nga fjalë, as nga ninulla,

tërë natën zgjuar do të rrija,

veç sytë si shejtankë, kot do ti mbyllja.

 

Hah…

E qepallat, rrufeshëm një çast do t’i hap,

Kur  lehtë të më qasesh ti me hapa fryme.

e s’ke ku shkon pastaj, s’ka lojra më,

rob do të ngelesh brenda tyre.

 

 

Thjesht grua.

 

Të kam thënë, e vazhdoj të të them që s’jam e bukur.

Ti, të kundërtën vazhdon të thuash me ngulm…

Unë, dhjetra gjëra që më zbukurojnë mund të kem,

Por e bukur s’kam qenë ndonjëherë…

s’kam trup,as fytyrë, e as sy të bukur.

Por Ndoshta ti…

Ti,Ndoshta,më sheh me sytë e dashurisë,

Pertej materies së gjallë, me emrin tim…

Ndoshta, ti sheh gjërat që s’duken me sy,

Ndoshta ti ke nisur prej kohësh ,

me shpirt të shohësh…

 

Por unë të kam thënë,

Që (s)jam e bukur,

Se jam thjesht, Grua.

 

Të bukur më bën Ti.

Unë thjesht, ndihem më shumë se Grua,

Në sytë e Tu



(Vota: 31 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: