Oralda Lahe: Intervistë me regjisorin Xhosli Rama
| E Hene, 12.05.2014, 08:05 PM |

Flet regjisori i flimit të parë triller shqiptar “Simon”,  Xhosli Rama:  Sa më shumë merresh me këtë zanat aq më shumë kupton se duhet rinisur gjithmonë nga e para me energji dhe ide te reja.

Ekskluzive nga Oralda Lahe

“Kam menduar disa herë se cili  është kuptimi i jetës. Gjithmonë kam arritur në përfundimin që kuptimi i vetëm i  jetës është  t’i shërbesh atij që do të vijë pas teje. Pikërisht kjo filozofi më jep forcë  dhe frymëzim”.

Xhosli Rama është një nga regjisorët e rinj dhe të talentuar ku në cv-në e tij numërohen disa filma me metrazh të shkurtër mes tyre përmendim  “50 Cent”,  “Vjeshta” , “Ana” në vitin 2005 dhe “Pritja”  (Muzikal) në vitin 2006. Filma të cilët i përkasin kohës së studimeve të regjisorit. Ndërsa në radhën e filmave më të rëndësishëm të cilët identifikojnë karrierën e tij përmendim “Vdekja e gjysh Trifonit”,  Rrëfimi i Kristinës” dhe  Ngushtë”.  Prirja për art ka nisur me studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” dega  “Kitarë Klasike ”, duke u finalizuar me  studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakulteti i Artit Skenik në degën  “Regji Filmi dhe Tv” , diplomuar me vlerësim maksimal. Kësaj here Xhosli sjell filmin “Simon” i cili do të shfaqet për publikun në datën 8 maj dhe në vazhdim në disa nga kinematë e kryeqytetit.  Simoni është muzikant, i varfër dhe i vetmuar. Një ditë, krejt rastësisht, prezantohet me Farukun, një mafioz i rrezikshëm. Ai përballet me ofertën e Farukut për të punuar si vrasës me pagesë për llogari të tij. Simoni pasurohet shpejt dhe jeta e tij ndryshon përgjithmonë. Një ditë, kur po gropos viktimën e radhës, në një pyll të dendur, ai dëgjon një thirrje për ndihmë që vjen nga poshtë dheut pak më tutje...

Xhosli ju keni zgjedhur të jeni regjisor një profesion që të fal famë mes të tjerash. Sa e vështirë është të jesh në këtë zgjedhje?

Nuk është se zgjedhja për t’u bërë regjisor vjen ashtu direkt. Ajo vjen gradualisht, në fillim duke parë  filma, më pas duke xhiruar gjëra të vogla e më pas, si pa e kuptuar  je regjisor. Sigurisht që  edhe në  fusha të tjera të artit ndodh e njëjta gjë. Kur fillon dhe jeton me këtë zgjedhje mësohesh, pastaj fillon e kundërta nuk jeton dot pa bërë regjisorin. Vështirësia qëndron vetëm në faktin se ke të bësh me njerëz e duhet t’i organizosh dhe me “diktaturë” t’i bësh të mendojnë si ty. Në fillim duhen bindur njerëzit e më pas të fillosh nga puna.

A mbështeten sa duhet regjisorët e rinj në atë që ata duan të përcjellin?

Problemi i regjisorëve të rinj qëndron në  faktin e vetëm se duan të bëjnë menjëherë gjëra të mëdha. Sa më shumë merresh me këtë zanat aq më shumë kupton se duhet rinisur gjithmonë nga e para me energji dhe ide te reja. Mendoj se përpara se një regjisor i ri të kërkojë financim për  film, duhet të japë prova të forta. Kjo arrihet vetëm me sakrifica të mëdha ndonjëherë deri në vetëmohim.

Momenti më i bukur që do të veçosh nga ky profesion?

Montazhi!  Profesori im Gjergj Xhuvani na thoshte gjithmonë se filmi lind tre herë. Një herë në skenar, në xhirim dhe në montazh. Mua personalish më  pëlqen kjo lindja e tretë.

Nëse pak më lart ju flisni për momentin më të bukur. Por ai më i vështirë?

Momenti më i vështirë është kur aktori ka krijuar një imazh të vetin për sa i përket rolit dhe unë duhet t’i mbush mendjen se vetëm mënyra si e dua unë lojën aktoriale është më e mirë.

Ju sillni filmin “Simon” dhe keni zgjedhur që të ketë vetëm aktorë meshkuj . Çfarë keni dashur të përcillni në filmin tuaj?

  fillim skenari ka patur edhe një rol femre, por me kalimin e kohës e hoqa se pastaj do bëhej si shumë  filma të tjerë shqiptarë që  përhapen në shumë linja dhe nuk dinë si t’i mbyllin. Filmi fillon më datë 8 maj 2014 në kinematë e kryeqytetit  dhe do vazhdojë deri sa të shiten biletat.

Aktorët e përzgjedhur në filmin tuaj janë të spikatur për rolet e tyre në teatër dhe filma. Pse pikërisht ke përzgjedhur këtë kastë aktorësh?

Ata janë miqtë e mi me të cilët kam punuar prej kohësh në projekte të tjera. Nuk ka gjë më të mirë kur i ke miq aktorët. Arben Derhemi nuk ka nevojë për lavdërimet e mia, të gjithë e dinë  që është ajka e aktrimit filmik shqiptar. Surpriza është Julian Deda, për mendimin tim ai është nje aktor i shkëlqyer komedie por akoma më shumë dhe në dramë. Ka mjaft të theksuar sensin e imitimit, gjë që e ndihmon të krijojë karaktere që duken si reale. Visjan Ukcenaj  është një  aktor i ri që pa diskutim do shkojë  larg në kinematografi. Unë jam i lumtur që kam patur këtë kastë aktorësh.  Dua të permend këtu  Astrit Mamaj, Erblin Bajko, Soni Mula, Eglein Laknori, të gjithë profesionistë shumë të mirë mbi të gjitha njerëz me shpirt të madh artisti.

Çdo artist gjithmonë përpiqet dhe gjen frymëzim. Çfarë e frymëzon Xhoslin në punën e tij?

Kam menduar disa herë se cili  është kuptimi i jetës. Gjithmonë kam arritur në përfundimin që kuptimi i vetëm i jetës është  t’i shërbesh atij që do të vijë pas teje. Pikërisht kjo filozofi  me jep forcë  dhe frymëzim.

Janë ditët e para ku ju shfaqni filmin dhe pritshmëria si duhet të jetë?

Me reklamën që është bërë them se do ketë shikueshmëri. E rëndësishme është jo pjesëmarrja e lartë në kinema e njerëzve,  por dalja të kënaqur prej saj.

A ka plane të reja për Xhoslin si regjisor përveç filmit “Simon”?

Sigurisht filmi është jeta ime. Unë pres miratimin e skenarit me titull “ Legjenda e Bastunit”  i cili është depozituar në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë . Them se me filmin “Simon”  e kam kaluar testin për të fituar buxhetin. Kinemaja shqiptare duhet  të rilindë dhe të krijojë një identitet, jo të varur nga të huajt por nga vetë ne njerëzit e kësaj toke që quhet Shqipëri. Më  besoni ne i kemi mundësitë por politika duhet të ndryshojë. Mos harroni që filmi “Simon” është krenari për Shqipërinë sepse realizohet nga një staf shqiptar pa ndihmën e famshme nga jashtë ku në të shumtën e rasteve ka qënë një dështim total.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: