Murat Gecaj: Takim i paharruar me Pagarushën
| E Diel, 11.05.2014, 05:33 PM |

Në përvjetorin e lindjes:

TAKIM I PAHARRUAR ME  NEXHMIJE  PAGARUSHËN…

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Nga e djathta: N.Pagarusha e M.Gecaj (Prishtinë, maj 2011)

Tre vjet më parë, bashkë me kolegët Namik Selmani e Zyba Hysa, në përbërje të grupit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, të cilin e drejtonte i ndjeri dr.Ibrahim Gashi dhe që vizituam Shkupin, Preshevën e Prishtinën, ishim pak kohë mysafirë edhe në banesën e këngëtares së madhe e të paparsëritshme të Kosovës e më gjerë, Nexhmije Pagarusha. Për në shtëpinë  e saj na shoqëroi me kënaqësi kolegia e mikja poete nga Prishtina, Shefqete Gosalci. Ndërsa bashkudhatarët tjerë të grupit tonë do të bënin një vizitë të  shkurtër, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërsa ne morëm udhën për në shtëpinës e znj. Nexhmije”. Për këtë fakt, si me shaka, poeti Selmani u shpreh:”…Ne, do të vizitojmë Akademinë Pagarusha”.

…E, si mund të  trokisnim, për herë të parë dhe të shkelnim në shtëpinë e kësaj këngëtareje “bilbil të Kosovës”, pa patur një buqetë të stërmadhe me lule të freskëta ndër duar! Se kështu, sadopak, ne së bashku do të shprehnim nderimin, respektin dhe vlerësimin tonë shumë të madh, ndaj një zonje të madhe, që zërin e shpirtit të saj e nxori prej aty dhe pastaj e shpërndau fuqishëm, nëpër Kosovë e Shqipëri dhe në të gjitha trojet e stërlashta shqiptare dhe deri në disaporën e largët, ku bashkatdhëtarët tanë janë shpërndarë, si i thonë një shprehjeje, “si zogjtë e shqiponjës”. Shefqetja na kishte folur edhe se, ato ditë, Pagarusha nuk kishte qenë mirë me shëndet.

Pra, me këto ndjenja e me shumë mendime në kokën e secilit, trokitëm në portën e banësës së saj mikpitëse. Sakaq, vërejtëm si vezullimë dielli sytë e saj të shëndritshëm e të gëzuar, pamë që fytyra i mori pamje të kuqerremtë dhe i hapi krahët e na u hodh secilit në qafë, si një shqiponjë krenare, që pret vëllezër e motra nga Shqipëria. Nxituam që, secili nga ne, në këto çaste shumë emocionuese, të shkrepnim aparatet tona fotografike. Por, vallë, a mund të shprehej në ato foto, tërë ai mall, respekt e nderim, që kishim në zemrat tona për krenarinë e këngës  mbarëkombëtare shqiptare? Sigurisht, që jo!…

Të pritur me dashamirësi dhe të gostitur nga znj.Meli, që i bënte shoqëri e miqësi Nexhmijes, zumë vend në divanët e saj të thjeshtë e të bukur. Ajo përsëri u ngrit dhe na përqafoi me mallëngjim, duke na uruar mirëseardhjen dhe duke na falënderuar për këtë vizitë të befasishme dhe shumë të mirëpritur prej saj. Secili nga ne, përpiqej të zinte vend pranë saj dhe të kuvendonte. Pastaj e ndërronte atë e ia lëshonte shokut, vendin e pëlqyr aq shumë, ku do të çmallej  e do ta dëgjonte më nga afër atë zë, që dje, pardje…dhe sa e sa vite më parë, e kemi dëgjuar, po pse jo, dhe fshehurazi në Shqipërinë e rregjimit të shkuar. Në këtë “garë” për të biseduar me Pagarushën, e “fiton” radhën Namiku. Ai shpalos një libër të tij me poezi dhe nisë e lexon një nga ato, që dikur ia kishte kushtuar asaj plot nderim, respekt e mirënjohje. Vërej se këngëtaren e madhe e pushtojnë emocione të fuqishme. Pastaj, si për ta mbështetur krijimin e bukur të kolegut tonë, ajo çeli një dosje të trashë. Prej andej nxori disa poezi, që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar pikërisht asaj. Me duart e zërin, paksa të dridhur, ajo fillon e lexon disa vargje të tyre. Ndërsa ne shprehemi, se ajo meriton jo vetëm poezi të frymëzuara e të bukura, por dhe libra të tërë.

Në këtë mjedis, tashmë të gëzuueshëm, unë gjej rastin e i them Pasgarushës se, kohë më parë,  ia kam patur “zili” këngëtarit tonë Ardit Gjebrea, kur e kisha parë në ekranet e TV, që janë takuar e përqafuar bashkë. Po kështu, i flas për kengëtaret e krahinës sime, Malësi e Gjakovës (Tropojë), për Fatime Sokolin, e cila u nda nga jeta në moshë të re; por dhe për Fatmira Breçanin, për të cilat ajo më tha se ua ka pëlqyer zërin dhe këngët e tyre. Por i tregova edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte patur ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe m’u drejtua se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që mos të harrohen kengëtarët as artistët, të cilët, me zërin dhe shpirtin e tyre,   iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët.

Po edhe Zyba u tregua mjaft e emocionuar dhe, një e dy, e përqafonte fort Nexhmijen, si ta kishte nënë ose gjyshe të veten. I tregoi se kënga brilante dhe e fuqishme e saj pëlqehet shumë, deri në Vlorën e saj. Ndërkaq, Pagarusha nga shikonte ngultazi, me atë qetësinë e saj të admirushme dhe shprehej: “Që dje, unë u përmirësova pak nga shëndeti. Ndërsa sot, qebesa, jam e shëruar plotësisht, sepse më erdhët ju në shtëpinë time e më dhatë fuqi e gëzim. Por, ua jap fjalën, se nuk do të sëmurem, të paktën, edhe për një muaj!...” E vështronim atë në fytyrë dhe mundoheshim të depërtnim në botën e madhe shpirtërore të saj. Hidhnim sytë për rreth e kudo kishte një mjedis  të thjeshtë, të pastër e të mirëmbajtur. Ajo na tregoi, me domethënie, se RTVP-ja i kishte lidhur një pension. Më pas, një pension tjetër i dha një fondacion gjerman. Prandaj, mori udhën e shkoi në drejtorinë e RTVP-së dhe u tha prerazi: “Tani, kam një pension të dytë dhe dua që ju të ma ndërprisni, se kështu mund të ndihmoni dikë tjetër. Ndërsa, ju falënderoj për atë pension, që më dhatë deri tani”. E, natyrshëm, kuptojmë se kështu veprojnë vetëm artistët e mëdhenj. Me mirësjellje, i kërkuam lejë Nexhmijes se duhej të ngriheshim, pasi na prisnin kolegët dhe se do të shkonim për një takim me rëndësi, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës. Por ajo sikur na lutej që të rrimë edhe pak, duke biseduar. Prandaj fjalën e kalonte, sa te Kosova e Shqipëria dhe te të gjitha trojet shqiptare. Se kishte dashuri e mall të pashuar që t’i shihte të gjitha përsëri dhe nëpër to të jehonte, pandërprerjer, zëri i saj i fuqishëm, frymëzues e optimist për një jetë më të mirë, në liri e demokraci, në paqe e lumturi të përbashkët.

…U nisëm ngadalë,  që të dilnim nga dera e banesës së Nexhmije Pagarushës dhe na dukej se kishim qendruar vetëm pak minuta aty. E, secili nga ne dëshironte e shpresonte që përsëri do ta vizitojmë e takojmë atë. Ndërsa ajo shprehej, paksa e pezmatuar dhe e mallëngjyer nga ajo ndarje: “Faleminderit, që më vizituat…Ju pres të vini dhe të shihemi një herë tjetër!”

Nga shkallët e banesës së saj, e përshëendetëm plot respekt me duar atë dhe ajo na buzëqeshte, me ëmbëlsinë e një të moshuarjeje dhe artisteje të madhe. Ndërsa na ngjante se na shoqëronin, deri larg, tingujt e zërit të saj të papërsëritshëm.

Nga e djathta: Sh. Gosalci, N.Selmani, N.Pagarusha, Z.Hasa e M.Gecaj


Tiranë, 7 maj 2014

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: