Vangjush Saro: Fryma e OJF-ve, si sundim
| E Hene, 05.05.2014, 06:03 PM |

Fryma e OJF-ve, si sundim

Nga Vangjush Saro

Ajo çka ndodhi këto ditë në atë gjysmëproteste, kur ministri Erion Veliaj iu drejtua dikujt në një mënyrë të padenjë për emrin e tij, më risolli edhe njëherë në mendje idenë se njerëzit e OJF-ve kanë kontribuar edhe ata, me ç’kanë mundur, për ta bërë lëmsh këtë vend. E them haptazi, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj në mënyrë pozitive për këtë individ. Por duhet t’i shikojmë në sy sprovat dhe lipset durim i madh t’iu përgjigjesh njerëzve në tema të mëdha e të prekshme si ajo e papunësisë. Ai krijoi figurë interesante kur drejtonte lëvizjen “Mjaft”, cedoi gjatë punës me partinë “G 99”, humbi edhe më tej nga futja nën sqetullën e kryeministrit të tij të sotëm; gjithsesi, i ka mundësitë “të flasë ndryshe”. Ani. Në këto radhë, nuk do të marrim në analizë individë dhe po ashtu, nuk do të ndalemi në anët pozitive të veprimtarisë së këtyre shoqatave të ashtuquajtura (në mënyrë groteske) jofitimprurëse. Në të njëjtën kohë, nuk kemi durimin e duhur për të numëruar edhe prapësitë e tyre në shifra e projekte; disa medie janë shprehur në të dyja këto episode.

Fjala është për të kundërshtuar sot frymën karrieriste të drejtuesve të këtyre shoqatave apo edhe njerëzve që kanë punuar dhe punojnë në to. Fjala është për të shigjetuar mendësinë e tyre mëtonjëse dhe që po sundon tashmë në tregun e punës dhe të nëpunësisë në tërësi. Janë disa ministra të qeverisë aktuale të cilët duket sikur i ka gatuar e njehsuar një dorë: përpiqen të flasin bukur, të tregojnë njohuritë e tyre në disa gjuhë të huaja, të përmendin gjatë gjithë kohës fjalën “projekte”, të bëjnë në TV debate gjatë të cilave duan të diktojnë. Madje, disa prej tyre shpallin haptazi apo e tregojnë vetvetiu se janë pjesë e një klani të caktuar snobësh dhe kokoroçësh që mendojnë se vetëm ata mund dhe do t’i zgjidhin “hallet” e Shqipërisë dhe madje, në disa fusha, si në art dhe arsim, këta kanë ardhur për të shpëtuar ç’të shpëtohet nga kjo tokë (sipas tyre) pothuaj djerr. Karakteristike e këtyre individëve është shfaqja vend e pa vend në medie, sidomos në ato vizive, ku flasin papushuar dhe përpiqen të lënë përshtypjen se pas tyre...nuk ka çfarë të thuhet më. “Siguria” e tyre rrjedh nga ide që jo gjithmonë mund të implementohen në Shqipëri; jo çdo adoptim mund të funksionojë.

Në qeveri, njerëzit e OJF-ve nuk tregojnë asgjë nga ndonjë përvojë e punës në administratë dhe me njerëzit. Ata shtiren “të prerë” në mënyrë që askush të mos ua cënojë argumentet dhe idetë. Janë këta mburravecë që e kanë bërë çorbë Ministrinë e Arsimit dhe punën e arsimit në tërësi: duke ndërruar çdo vit programet mësimore, veçmas ato të Maturës Shtetërore, temë që tashmë është bërë qesharake, gjer te provimi i gjuhës së huaj, që na qenka më i rëndësishëm se vetë gjuha shqipe (dhe pa marrë në sy fare mundësitë minimale për të mësuar realisht gjuhë të huaj në një sërë shkolla të komunave e fshatrave që snobët i mendojnë në mirëqenie.) Janë ata që kanë dëbuar nga shkollat librin artistik, duke hequr bisedat letrare, punën me librin, që zhvillohet në të gjitha vendet e përparuara. Janë më në fund ata që (sa turp!) iu kërkojnë mësuesve...faturat e dritave (!) Është mendësi që thotë se unë të sundoj, të nënshtroj, të kërkoj të bësh atë që më duhet mua, qoftë edhe deri në absurd.

Në Ministrinë e Kulturës, fryma e OJF-ve dhe snobizmi karakeristik i njerëzve të këtyre organizatave krijoi kushte që paskëtaj të kemi vetëm një çmim letrar, çka praktikisht do të thotë të mos merresh fare me krijimtarinë artistike, të mos e inkurajosh atë, veçmas krijimtarinë letrare për fëmijë, autorët e së cilës duhet ta shohin me dylbi një çmim të tillë; për shkak se snobët në fjalë nuk kanë dashur të njohin asnjëherë prurjet në këtë zhanër. Një e tillë kakofoni propagandistike, ishte edhe i ashtuquajturi Konkursi Europian i Letërsisë; në parazgjedhjen e veprave, mirë që s’u përfshinë edhe entet botuese që prodhojnë fatura. Por në mënyrë të veçantë, ekspozita e fundit e librit dhe e artit pamor, pavarësisht disa risive, tregoi më të vërtetë frymë OJF-je: fjalë dhe vetëm fjalë. Ajo ishte përplasur në një ambient krejtësisht të papërshtatshëm; dhe disa fjalime e disa çmime arbitrare - e tillë ishte edhe vetë pankarta e varur në hyrjen e Muzeut Historik - nuk mjaftuan për të ndërtuar një aktivitet të besueshëm dhe bindës.

Fryma e OJF-ve ka krijuar një panoramë tejet false në të gjithë jetën e vendit, përfshi maninë e çuditshme për të prodhuar master-a dhe tani (është me të vërtetë turp) edhe doktorë shkencash pa numër dhe pa...sedër. Ka punonjës e punonjëse që janë të punësuar në një institucion që ka të bëjë me hidrokarburet dhe, ndërkaq, mbrojnë doktoraturë në lëndën e historisë; ose ka një mani ndër drejtues shkollash për të pasur me doemos master apo doktoraturë, në një eufori të papërmbajtshme dhe në një skenografi të mbarsur krejt në falsitet e marrëzi. Kjo ka bërë që në shkolla e njësi të tjera të mos punohet në mënyrë konkrete, duke bërë përpjekje për edukim, qytetërim dhe mandej formim kulturor e shkencor; përkundrazi, ka vanitet e shtirje, gjithnjë të kamufluara në lloj-lloj metodash e “risish”, që më në fund sjellin vetëm çoroditje dhe aspak drejtpeshim në problematikat komplekse të shkollës dhe arsimit të sotëm. E thënë ndryshe, “vrasin lart”, por nuk rregullojnë asgjë poshtë. Shpesh, këto “risi” janë baraz me emërime nepotike apo sipas listave të mbushura me militantë, shkurt nuk bëhet fjalë për qëllime të mëdha, por për “porosi të vogla”.

Po ashtu, vërehet një mani përvëluese për të bërë propagandë. Nuk është e drejtë të shndërrohet puna e ministrave dhe drejtuesve të tjerë të hallkave të shtetit në njëlloj bataku për analiza e debate pa fund, në medie dhe jashtë tyre, analiza e debate ku mungojnë argumentet dhe parashtrimi i fakteve; por asnjëherë jo fjalët e bukura ose termat e gënjeshtërta “projekt”, “kurikul”, që natyrisht nuk janë e keqja në vetvete, por për nga mënyra se si fetishizohen, kthehen në pika të nxehta humori e moskuptimi. Jemi shprehur disa herë se në çështje të tilla si rendi, arsimi, kultura, anipse duhen edhe termat e reja, punët janë të ndërvarura nga rezultate konkrete e të prekshme. Këto të fundit, mund të konvertohen në sukses. Por drejtues të këtyre fushave e kanë për zemër propagandën, daljen në TV, shpalosjen e “risive”, a thua këtu kishim mbetur, s’bëjmë dot ndryshe pa këto “risi”. Kurse në terren: njëqind herë janë ndërruar drejtorët e shkollave në dekadën e fundit, nga pushteti i mëparshëm dhe nga ai i tanishmi. Synimi për ta pasur në dorë çdo drejtues e çdo punonjës dhe prirja për ta ballafaquar me listën e militantëve, është, në fakt, “risia” e vetme e këtyre viteve të vështira.

Qeverisja me norma OJF-je dhe sipas parimit të “porosive të vogla”, nuk ka të ardhme. Ashtu siç jemi shprehur edhe në analiza e komente të tjera, dita kur punonjësit nuk do të rekrutohen më me lista partish dhe kur ata të jenë të sigurt se nuk i heq njeri nga puna, do të jetë dita e parë e vendosjes (më në fund) të parimeve të demokracisë dhe shoqërisë së lirë. Dita kur në këtë vend të drejtojnë (sipas fushave) eskpertët, teknikët, specialistët dhe jo militantët dhe ndjekësit e verbër të partive politike, do të jetë dita kur vendi do të fillojë të lëvizë drejt “territoreve” dhe mendësive perëndimore. Hë për hë, kjo frymë, e sundimit të absurdit, na lë shijen e hidhur të pamundësisë për të dalë nga bataku i prapambetjes dhe i “porosive të vogla”. “I kulluar si llomi! I pastër si balta! I drejtë si drapëri!” Kështu do të thoshte për shumë prej nesh Mitrush Kuteli, një nga njerëzit më të ditur dhe më të pavlerësuar të këtij vendi, babai i prozës shqiptare. Po. Jemi ende atje, te llumi, te bataku. Ecë, pra, të dalim…Po a duam?



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: