Xhavit Çitaku: Pesë dekada në shërbim të kombit
| E Marte, 29.04.2014, 06:09 PM |

Mbi pesë dekada në shërbim të kombit e atdheut, arsimit e krijimtarisë

Nga mosha 17 vjeçare Prof. Fetah Bahtiri nuk e ndali aktivitetin e tij për të mirën e kombit dhe të atdheut.- Në vitin 1961 në vagonin e trenit ndërkombëtar kishte vendosur Flamurin Kombëtar, të cilin beogradasve ua kishte dhuruar si “ peshqesh” nga shqiptarët.- Prof. Dr. Anton Çetta, asistent i të cilit ishte Fetah Bahtiri, në vitet e shtatëdhjeta ndër të tjera kishte shkruar: Prof. Fetah Bahtirin e dallonin katër karakteristika: trimëria, sinqeriteti, niveli i lartë intelektual dhe patriotizmi të cilin e mbante në shpirtin e tij

Nga Xhavit Çitaku

I ka mbushur 70 vjet. Nga pamja e jashtme nuk mund të ia japësh as gjashtëdhjetë, ndërkaq për nga aktiviteti, angazhimi e vullneti i madh për punë ua kalon edhe atyre që janë shumë më të rinj se ai. Është zemërgjerë, i urtë, i sjellshëm, i afërt dhe komunikues me të gjitha moshat. Emri i tij është Fetah Bahtiri që në Suedinë e largët ka ardhur në vitin 1991 nga qyteti i minatorëve- Mitrovica, siç thotë, për të shpëtuar kokën dhe mbrojtur familjen nga sigurimi i regjimit fashist serb. Këtë rrugë kurbetçare e përjetoj rëndë, shumë rëndë. Mirëpo, me punën e madhe, aktivitetin e jashtëzakonshëm që zhvilloj në dobi të çështjes kombëtare këtë personalitet të shquar e bëjnë krenar.

Nxiti entuziazmin e ndjenjave atdhetare të mërgimtarëve

Fetah Bahtiri zhvilloi një veprimtari të dendur patriotike duke nxitur entuziazmin e ndjenjave atdhetare të mërgimtarëve tanë në momentet më të vështira por edhe të rëndësishme për fatin e kombit. Motoja e veprimtarisë të këtij veprimtari të paepur ishte liria dhe çlirimi i Kosovës nga okupatori barbar serb. Ai mori pjesë në të gjitha protestat e organizuara nga ai dhe të tjerët për t’ua bërë me dije të gjitha shteteve demokratike se Kosova është tradhtuar nga komunisti Tito, duke ua lënë fatin e shqiptarëve në duart e bishave që erdhën nga Karpatet. Gjatë punës së tij të pandërprerë bëri përpjekje që të forcojë pozitën e komunitetit shqiptar në Suedi duke favorizuar rreth vetës figura të dalluara nga fusha të ndryshme intelektuale. Si një intelektual dhe patriot me ndikim Fetah Bahtiri arriti aq mirë të organizoj mërgatën shqiptare për të arritur rezultate të rëndësishme në sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në Kosovën e okupuar, në organizimin dhe përmbushjen e obligimeve të trepërqindshit nga shumica e bashkatdhetarëve tanë, në organizimin e shumë protestave dhe të aktiviteteve kulturore, artistike e sportive e sidomos tehu i aktivitetit të tij ishte i orientuar tek fëmijët shqiptar për mbajtjen e mësimit plotësues në gjuhën amtare. Kishte dhënë me dhjetra intervista për gazetat qendrore, rajonale e lokale. Me një fjalë, ai u inkuadrua aktivisht në Lëvizjen e patriotëve të mërguar shqiptar këtu në Suedi dhe mësimin e gjuhës shqipe, që si kudo në komunitetin shqiptar, ishte bërë armë e fuqishme e organizimeve. Kishte një karakter të fort shpirtërisht dhe një dimension të plot në veprimet praktike. Posedonte një frymë optimizmi ndaj të gjithë atyre aktiviteteve por edhe të luftës së nisur në Kosovë që del e motivuar me karakterin e tij thellësisht atdhetar e që është ideali për një liri kombëtare. Është për t’u theksuar edhe një detaj i rëndësishëm i mençurisë së tij karshi një propagande perfide që kishte zhvilluar regjimi komunist në këtë vend skandinav: Ai në mënyrë profesionale ua shpjegonte opinionit suedez se nisur nga përvojat e deritashme, të drejta që dalin nga ato ngjarje tmerruese e tragjike në Kosovë, e vetmja rrugëdalje nga ajo gjendje është lufta e armatosur. Pati takime të shumta me personalitete  të shumta politike, me publicist, shkrimtarë, gazetarë, ndërsa më i rëndësishmi ishteai me Kryeministrin e këtij vendi  Gyran Persson, të cilit ia dorëzoj me shkrim një material mjaft të pasur me gjendjen alarmante që mbretëronte në Kosovë. Njeriu i parë i qeverisë premtoi se do ta lexoj atë material dhe do të sheh mundësitë e reagimit të qeverisë suedeze.

Ishte shumë i ri kur në shpirtin e tij frymonte atdhedashuria

I brymosur me ide patriotike Fetah Bahtiri qysh në moshën 17 vjeçare kishte filluar aktivitetin e tij praktik. Në vitin 1960 ai në shtëpi kishte vizatuar Flamurin Kombëtar dhe e kishte vendosur në trekëndëshin e rrugës që shpinte për Beograd, Prishtinë, Mitrovicë. Ky ishte një provokim i rëndë për pushtuesin, i cili kishte aktivizuar tërë aparatin policor për të zbuluar këtë aktivitet që sipas tyre do të mund të përhapej në tërë Kosovën. Një vit me vonë ai prapë vepron njësoj, por  me një mençuri që mund të bëj vetëm një djalosh që shpirtërisht e dëshironte lirin e popullit të tij. Në fakt, tash Flamurin Kombëtar e vendos në trenin ndërkombëtar, i cili në Beograd mbërrinte kah ora gjashtë e mëngjesit . Këtë e kishin vërejt dy qytetar e më pas edhe shumë të tjerë të cilët e kishin lajmëruar në polici. Për këtë akt të pashembullt për beogradasit, mediat serbe me mllefin më të madh kishin akuzuar “ separatistët dhe irredentistët shqiptarë” se kanë filluar që të provokojnë edhe në kryeqendrën serbe. Në vitin 1968  Fetah Bahtiri kryen fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe nisë punën në shkollën normale “ Hasan Prishtina”. Pas gjashtë vitesh emërohet drejtor i shkollës fillore “ Branko Radiqeviq” , në të cilin institucion shumica e mësimdhënësve ishin të nacionalitetit serb. Nuk kaloi shumë kohë dhe ky intelektual kishte ndërruar strukturën etnike të arsimtarëve në të mirë të shqiptarëve. I etur për  të parë nënën amë- Shqipërinë e dashur, ai organizon një ekskursion  dhe vetëm gjashtë orë para se të niseshin arsimtarët shqiptar, dy punëtorë të sigurimit shtetëror kishin ardhur tek Fetahu për t’i thënë që të anulohet ky udhëtim. Mirëpo, ai nuk e bëri këtë punë të ligë kur veç ishin para nisjes. Ai iu kishte treguar kolegëve se nëse e arrestojnë policia, ata nuk duhet ta ndërpresin  udhëtimin por gjithsesi të vizitojnë  tokën tonë arbërore. Pas një maltretimi prej pesë orësh në Qafë Thanë më në fund i kishin lejuar që të hynë në Shqipëri. Mirëpo nga ai moment e deri në vitin kur Fetahu braktisi vendlindjen, ai ishte i përcjellur vazhdimisht nga punëtorët e sigurimit serb. Hapi i parë e shumë diskriminues ndaj Fetahut u ndërmarrë me përjashtimin e tij nga procesi mësimor me arsyetim se ai nuk është i përshtatshëm për të edukuar e arsimuar brezat e rinj.  Me këtë akt që mund të bëhej vetëm kundra shqiptarëve, Fetahu nuk u ligështua për asnjë çast. Bile për të mos ua shtrirë dorën e “ lëmoshës” askujt, ai kishte blerë nja 70 copë dele në fshatin Lisicë dhe kësisoj mbante fort mirë familjen për një vit deri sa gjyqi e ktheu në punë, por jo në profesionin e arsimtarit. Në ndërkohë ky njeri i dijes kryen edhe një fakultet- atë Juridik me një notë të lartë mesatare. Dhe jo vetëm kaq. Sa herë që praktikisht vepronin grupe e individë të Lëvizjes Patriotike ky njeri zemërmadh e patriot i patrembur arrestohej nga policia dhe e dërgonin siç quhej në atë kohë në izolim, nga frika së ndikimi i tij në popull do të ishte i madh dhe se protestat do të mund të ishin të “ dhunshme”. Megjithatë, dhuna e vazhdueshme dhe kërcënimi për likuidim fizikë, vuajtjet, izolimet, burgimi,  nuk i lënin përshtypje këtij njeriu, përkundrazi vetëm sa i jepnin energji e forcë më të madhe për të punuar në dobi të çështjes kombëtare. Ishte “ specializuar” për shkrimin e parullave, që në atë kohë ishin shumë aktuale “ Kosova Republikë”. Fillimi i demonstratave të vitit 1981 Fetahun e gjetën më të përgatitur se kurrë më parë. Ishte pjesëmarrës në të gjitha ato protesta që u organizuan, por edhe ishte edhe vetë organizator e këtyre reagimeve shqiptare,ndërsa do theksuar se në vendin e quajtur Vojtesh, në kufirin me komunën e Skenderajt, në kodrinën buzë rrugës rajonale kishte vendosur parullën më të gjatë që është shkruar ndonjëherë në gjithë reagimin shqiptar të asaj kohe. Fjalët “ Kosova Republikë” ishte shkruar në bezin e gjatë 15 metra.

Vlerësimi i bashkëpunëtorëve dhe i komunitetit shqiptar

Rizah Sheqiri, shkrimtar,thekson: Fetah Bahtiri si i ri u dha pas dritës së diturisë, si burrë herët e vërejti  se pa liri ska ardhmëri dhe pa arsim e dituri s’vjen kurrë as liria, as zhvillimi, as pavarësia. Hysni  Syla, ish-nxënës:  Në vitin 1968 u organizuan demonstratat studentore në kërkim të të drejtave të shkelura nga pushtuesi serb. Ishim të rinj dhe ne nxënësit e gjimnazit për të mos mbetur të painformuar, ishte profesori ynë i nderuar për jetë e mot, që na foli hapur për kërkesat e arsyeshme të studentëve dhe të rinisë shkollore duke na thënë edhe këtë: “ Nesër ju do të jeni studentë, do të vazhdoni me këto kërkesa nëse ato nuk realizohen deri në atë kohë”. Afërdita  Avdyli-  Dolovci: mallëngjehem shumë kur përmendi emrin e të nderuarit Prof. Fetah Bahtiri. Ai dha shumë për kombin e tij, timin dhe të gjithë shqiptarëve. Lebibe Zogiani: Vepra e profesorit të nderuar na mësoj shumë si të ecim drejt mirësisë, respektit dhe me aromën e atdheut kahdo që të shkojmë. Prof. Dr. Anton Çetta, asistent i të cilit ishte Fetah Bahtiri, ndër të tjera kishte shkruar: Prof. Fetah Bahtirin e dallonin katër karakteristika: trimëria, sinqeriteti, niveli i lartë intelektual dhe patriotizmi të cilin e mbante në shpirtin e tij.: Saranda Iseni: Prof.Fetahu është një njeri me një elan të fuqishëm pune. Ai ëshë një burr që i solli gëzim shumëkujt dhe aq shumë dha për kombin e atdheun, për arsimin, për kulturën, për foklorin burimor autokton shqiptar, për ruajtjen e gjuhës së mëmës, për bashkimin e komunitetit shqiptar në një front të përbashket. Vepra e tij është e madhe dhe ajo do të lë gjurmë të pashlyshme për këto gjenerata dhe ato të ardhshmet se si duhet të punohet për liri e çlirim kombëtar. Hysen Ibrahimi "E gjithë veprimtaria e Prof. Fetah Bahtirit, lidhet ngusht në fushën e publicistikës, shkencës dhe aktivitetit të tij atdhetar. Ai, tërë jetën e tij ia kushtoj atdheut, përmes rreshtimit të tij të drejtë në frymën kombëtare. Është personalitet, që reflekton dije, mësim, njerëzi, dashuri për njeriun, shoqërinë dhe ardhmerinë e tyre njerëzore. Është njeri i botëkuptimeve të qytetëruara njerëzore dhe humane. Ka një përvojë të madhe dhe është një histori e gjallë e shumë proceseve që i dha kahje të mbarë dhe kësisoj Prof. Fetah Bahtiri, mund të jet një shembull i shkëlqyer për shqiptarët, se si duhet punuar dhe sakrifikuar për çështjen kombëtare". Ndërkaq, veprimtarinë krijuese të këtij intelektuali të shquar do ta pagëzoja gëzim jete të shoqëruar me idealet e miqësisë, sinqeritetit dhe besnikërisë.

Hartues i Plan- Programit për gjuhën shqipe si gjuhë amtare

Në fokus të interesimit të Prof. Fetah Bahtirit ishte edhe organizimi i mësimit të gjuhës shqipe si një faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare e aq më shumë në ndërprerjen e rrugës së asimilimit të gjeneratës së re. Për këtë dëshmon e dhëna se posa arriti në dhe të huaj, përkatësisht në Strehimoren e Svensygenit ky arsimdashës menjëherë kontaktoj me personelin e Entit për të Huaj dhe arriti që për një kohë të shkurtër të hap shkollën shqipe për fëmijët shqiptar që ishin strehuar këtu, që nuk ishin të pakët. Mësimi këtu u zhvillua pa kurrfarë kompensimi material dhe zgjati deri sa familjet shqiptare morën lejeqendrimin do të thotë nga viti 1991 deri me 1994.

Prof. Fetah Bahtiri më pas u vendos në qytetin bregdetar dhe edhe këtu arriti që shumë shpejt të organizoj mësimin në gjuhën amtare dhe komuniteti i këtushëm shqiptar këtë personalitetet të shquar e falënderon shumë për punën e tij të madhe më fëmijët. Me këtë profesion punoj deri sa u pensionua. Duke e parë interesimin aq të madh që kishte Fetahu në sferën e arsimit, ai dy herë ishte zgjedhur asistent i rektorit të shkollës fillore “ Ramnerydsskolan” në këtë qytet, kurse në vitin 2000 ishte zgjedhur Koordinator për Integrim në kuadër të Komunës. Ishte njeri ndër themeluesit e degës së LASH-it “ Naim Frashëri”, së cilës në vitin 2000 ia “ dhuroj” Plan- Programin mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze si dhe Statutin, punë këto që i kishte bërë pa kurrfarë kompensimi. Po ashtu kishte hartuar edhe statusin e Fondit  për Ndihma në Raste të Jashtëzakonshme, të programeve, të redaktimeve, lektorimeve, shkrimeve etj.

Krijimtaria e tij letrare shfaq rrezatimin kombëtar e kulturor

Në veprat artistike- letrare të Prof. Fetah Bahtirit, gjithherë ëeshtë shfaqur rrezatim kombëtar dhe kulturor. Duke lexuar veprat e tij, në të do të shohim shpirtin e tij, i cili ndriçon edhe përmes fjalëve të tij artistike, me idealet me të cilat ishte rritur dhe moshuar, por mbi të gjitha, veprat e tij janë një shembull personal. Ai, përdorë një disiplinë që dallohet nga të tjerë. Veprat e tij kryesore të botuara janë: “Këngë për Zadën” ( 1968) poezi, “Plan- Program mësimor për gjuhën shqipe si gjuhë amtare në shkollën suedeze”( 2000) shqip dhe suedisht, “ Ambasadorët dhe shërbëtorët” ( 2007) me mesazhin se mërgimtarët tanë në Suedi janë ambasadorë të atdheut e të paqes dhe shërbëtorë të atdheut. “ Rrugëtim i dashurisë” (2011), roman me mesazhin se dashuria është dhuratë e zotit dhe se ajo nuk ka rregulla dhe nuk njeh kufi. Dashuria bën që dy familje të gjakësuara të pajtohen. “ Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick ( Monografi), (2012), libër ky që bëri jehonë të madhe. Vepra i kushtohet mikut të madh e të dashur të shqiptarëve, albanologut Ullmar Qvick, i cili me plot gojë edhe sot pohon: “ unë nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. “ Monolog në mërgim”, ( 2012) poezi. Kjo përmbledhje vjershash tregon një ligjërim poetik të nivelit të lartë dhe të denjë për respekt në kacafytjet e përditshme, të cilit ia sjell jeta një mërgimtari. “ Dritë ngrohtësi optimizëm”, Libër dokumentar për shkollën shqipe në strehimoren Svenshygen, Suedi, 1991- 1994. Ndërkaq, libri i tij i fundit që u që doli nga shtypi është  “ Kur i mbusha 70 vjet...”



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: