Nuhi Ismajli: Tradhtarët – figura të shquara?!
| E Marte, 22.04.2014, 05:28 PM |

Tradhtarët – figura të shquara shqiptare?!

Nga Nuhi Ismajli

Pajtimi me pushtuesin dhe robërinë kurrë nuk ka qenë, as nuk mund të jetë urti e vlerë njerëzore e kombëtare. Prandaj, lavdërimi i pushtuesit, robërisë dhe shërbëtorëve të tyre – tradhtarëve të kombit, është, ndër të tjera, edhe një poshtërim i madh i vetvetes. Për të mënjanuar këto marrëzi të papara te ndokushtjetër në botë, shqiptarit i duhet vetëm pak dije nga historia politike dhe pak ngjallje të vetëdijes e të unit të tij

Pushtuesit e ndryshëm të shqiptarëve, krahas pushtimeve e robërive, kanë sjellë, zhvilluar e përhapur edhe shkollat e teoritë e tyre propaganduese,përmes së cilave janë përpjekur të arsyetojnë ndërmarrjet e tyre pushtuese. Kështu, çdo pushtues pushtimin dhe robërinë e ka shoqëruar edhe me propagandën e tij të fuqishme, kurse një nga shkollat dhe teoritë antishqiptare më të ndyra e më të rrezikshme është ajo e propagandës antishqiptare turke, e cila ka arritur ta përhapë dhe ta mbajë të gjallë bindjen, edhe brenda botës shqiptare, se pushtimi turk nuk qe pushtim, po çlirim, se robëria turke qe liri, se shqiptarët bashkëjetuan e nuk qenë të pushtuar e të robëruar nga turqit, se shqiptarët dhanë shumë djersë e gjak për miqësinë me pushtetin e dikurshëm turk e me turqit, se individët shqiptarë, që hynë në shërbim të pushtuesit e të robërisë turke dhe arritën pozita të larta, përfaqësojnë qëndrimin e përgjithshëm të shqiptarëve ndaj pushtuesit e robërisë turke, se individët shqiptarë, që hynë në shërbim të pushtuesit e robërisë turke dhe arritën pozita të larta e derdhën shumë djersë e gjak për pushtetin turk, janë figura të shquara shqiptare, e të tjera, e të tjera marrëzi të këtij lloji.

Ndonëse ideologët, propaganduesit e lansuesit e kësaj propagande, qartësisht, bien ndesh me gjithë urtinë njerëzore e kombëtare shqiptare, sot, marrëzia më e madhe qëndron në faktin e mosdallimit të absurditetit të kësaj propagande si të tillë (po vazhdon të merret si diçka e urtë dhe e mirë!), në faktin se është bërë, në njëfarë mase, e vazhdon të bëhet edhe më pjesë e shkrimeve të historianëve “shqiptarë”, pjesë e teksteve të imponuara të arsimit shqip (si po ndodh p.sh. në Kosovë!), si dhe në faktin se, pa asnjë pengesë, është bërë pjesë e publikimeve të përditshme në botën shqiptare!

Absurditeti i propagandës antishqiptare turke, natyra e saj thellësisht antinjerëzore dhe antishqiptare, edhe nga një vështrim fare i përciptë, nuk është fare vështirë për t’u dalluar. Sepse është e kuptueshme botërisht, se është marrëzi e paparë dhe aspak njerëzore, as kombëtare, t’i harrosh të zezat e pushtuesit e robërisë, fatkeqësitë e paraardhësve, sakrificat e idealet e tyre; sepse nuk është aspak njerëzore, as kombëtare, ta arsyetosh pushtuesin e robërinë, t’i thurësh lavde pushtuesit, të mburresh me tradhtarët e kombit, të cilët, në vend se luftëtarë të lirisë, bëhen shërbëtor?t e pushtuesit etj.

Lavdërimi i pushtuesit, si të ishte çlirimtar, lavdërimi i robërisë si të ishte liri dhe mburrja me tradhtarin e kombit e shërbëtorin e pushtuesit, siç ndodh me “shqiptarët” dhe brenda botës shqiptare, është nje marrëzi e paparë, që nuk ka ndodhur askund në botë.

Edhe popujt tjerë, si edhe shqiptarët, kanë qenë të robëruar, edhe me shekuj, po kurrë nuk ka ndodhur ta duan pushtuesin, robërinë e tradhtarët, as iu kanë thurur lavde. Thjesht, sa për krahasim, mund të marrim si shembull fqinjët tanë, serbët, ata që ishin të pushtuar nga turqit dhe të cilët dukshëm kishin një trajtim më të mirë së shqiptarët, por që, megjithatë, kurrë nuk i thurën lavde pushtuesit turk, as robërisë turke.

Pra, edhe serbët e pushtuar nga turqit, pranuan pushtetin, hynë në shërbim të tyre, zgjeruan territoret në të katër anët, zhvilluan besimin, kulturën, arsimin e tyre etj. Shkollat e tyre ata i hapën edhe në territoret shqiptare. Madje, në territoret shqiptare themeluan edhe shtypshkronja. Etj. Por, ndonëse i kanë gëzuar këto përparësi, në krahasim me shqiptarët, ata nuk kanë lavdëruar pushtuesin turk, siç ka ndodhur e vazhdon të ndodh me “shqiptarët”, në kuadër të botës shqiptare. Jo.

Dihet, gjithashtu, se edhe prej serbëve pati të tillë që u konvertuan në fenë e pushtuesit, hynë në shërbim të pushtetit të tij dhe arritën poste të larta, por nuk i ndërprenë lidhjet me masën e tyre dhe shfrytëzuan pozitat e tyre për të pushtuar territore për popullin e vet e për të krijuar rrethana për zhvillimin e religjionit dhe të kulturës së tyre. Një si shembull karakteristik është veziri i madh, Mehmed Pashë Sokoloviçi (1565-1579), i cili, më 1557, derisa ishte bejler-beg, ndërmjetësoi te sulltan Sulejmani për përtëritjen e patrikanës së Pejës. Ky, si edhepjesëtarë të tjerë të familjes së vezirit të madh, Mehmed Pashë Sokoloviçit, mbajnë pozita të larta në pushtetin osman dhe, njëherazi, nuk i shkëpusin as lidhjet me pjesëtarët tjerë të familjes, që kishin pozita të larta kishtare serbe. Por, edhe përkundër shërbimeve të tilla të pushtetarëve serbë të pushtetit turk, ndaj popullit të vet, askush nuk mburret me ta, siç mburret dikush me tradhtarët shqiptarë, të cilët i shërbyen pushtetit të pushtuesit dhe aspak vendit të vet.

Tradhtarët shqiptarë – shërbëtorë të pushtuesit e të robërisë turke, harruan popullin e vendin e vet. Prandaj, nuk bënë asnjë të mirë. Kështu, dihet se ata nuk hapën asnjë shkollë. Nuk siguruan asnjë shtypshkronjë. Nuk nxorën asnjë vepër shqipe. Nuk mbrojtën objektet e kultit të të parëve. As bënë ndonjë të mirë tjetër. Në vend të kujdesit për vendin e popullin e vet, ata bënë veprat më çnjerëzore: derdhën djersë e gjak për pushtuesin turk, pushtuan territore të huaja e robëruan popuj për interesat e tij…!!!

Nëse tradhtarët shqiptarë – shërbëtorë të pushtuesit e të robërisë turke, iu kthyen Shqipërisë, iu kthyen asaj për hir të pushtuesit e synimeve të tij; iu kthyen me urrejtje, me armiqësi, me sulme pushtuese e barbare turke, me sundimin e egër e të këqija të tjera, fakte që dihen mjaft. Po, sa për ilustrim, po sjellim këtu dy fakte, jo edhe aq të përmendura:

Një be i Gjilanit, p.sh. ka ndërtuar kishën ortodokse të Pasjanit (rrethi i Gjilanit). Një be i Gjilanit, bashkë me Selim Pashën e Shkupit, më 1846, vetëm pse dëshmojnë haptazi identitetin e tyre kombëtar e fetar, internoi në Azi 177 shqiptarë katolikë të Karadakut të Shkupit, prej të cilëve, të gjallë, pas dy vitesh, kthehen vetëm 76 (shih: Gjergj Gj. – Gashi: “Martirët…”, “Drita”, Ferziaj, 1994, f. 82 etj.). Sipas shkollës dhe teorisë antishqiptare turke, karaktere të tilla vlerësohen si figura të shquara shqiptare!

Prandaj, kur flitet për tipin e tradhtarit, pra edhe për tipin e tradhtarit – shërbëtorit të pushtuesit e të robërisë turke, i cili ka braktisur natyrën njerëzore e kombëtare, kahyrë në shërbim të pushtuesit, ka pushtuar e robëruar popuj për interesat e tij e, madje, ka luftuar edhe kundër vendit të tij etj., nuk është fare urti, as njerëzore të konsiderohet figurë e madhe njerëzore e kombëtare. Një mendje sado pak e urtë, mburrjen me tipa të tillë, nuk do ta quante ndryshe veçse marrëzi.

Pajtimi me pushtuesin dhe robërinë kurrë nuk ka qenë, as nuk mund të jetë urti e vlerë njerëzore e kombëtare. Prandaj, lavdërimi i pushtuesit, robërisë dhe shërbëtorëve të tyre – tradhtarëve të kombit, është, ndër të tjera, edhe një poshtërim i madh i vetvetes. Për të mënjanuar këto marrëzi të papara te ndokushtjetër në botë, shqiptarit i duhet vetëm pak dije nga historia politike dhe pak ngjallje të vetëdijes e të unit të tij.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: