Ethem Bejo: Sporti në Përmet para çlirimit
| E Shtune, 29.03.2014, 06:05 PM |

Sporti në Përmet para çlirimit të vendit

Ekskluzive nga Ethem Bejo

Komuniteti permetar gjatë viteve ka treguar se asnjëherë nuk i ka munguar dëshira për sportet,  kalitjen fizike e në veçanti futbollin si lojën me popullore. Sporti në rrethin e Përmetit ështe sjellë dhe zhvilluar nga te rinjte studenta, djemte e tregëtarëve dhe bejlerëve të komunitetit përmetar.

Më 12 Tetor te vitit 1916 erdhen në Permet  nje pjese u ushtërisë Italiane duke organizuar në qytetin e Përmetit disa veprimtari sportive.  Organizuan në Permet dhe Kelcyrë disa gara atletike si dhe gara me kuaj. Në permet u luajt dhe një ndeshje futbolli që drejtohej nga arsimtarët e qytetit. Ali Remka nje zoteri nga Katundishta  shok i Ali Bej Kelcyres, njeri me kulture,  kur unë isha i ri me tregonte se kur ishim te rinj Beu i Kelcyres na fliste për ndeshjet e futbollit që kishte pare në Itali, por ne se kuptonim. Ai na kishte sjellë një top llastiku dhe ne mbas lolës me gracka që ishte me e përhapura filluam të luanim tek sheshi e xhamise. Nuk njihnim regulla por luanim deri sa ngrysej. Në Toshkes djali i Hysen Bej Toshkësit,   Iqmet Toshkësi që jetonte në Lushnjë më ka treguar: se gjatë verës ai vinte në Toshkës me pushime,  sepse ishte student në Itali dhe me shokët e fshatit veç disa aktiviteteve popullore ai na mësoi edhe lojën e futbollit. Kur erdhi një vit nga Italia na solli dhe një top llastiku gjysëm te kuq dhe blu që ne na dukej një mbrekulli.   Organizonim dhe lojna të tjera më shprehej Iqmeti si mundje, gara vrapimi dhe lojna popullore gracka, gropazi e tjera. Në dasma gjithashtu organizoheshin lojna të karakterit shkathtesues. Rinija përmetare dhe Deshnicare  e dashuronte përgatitjen fiizike dhe kete e ka treguar koha se pjesa me e madhe e oficerave, pilotave që kërkonin një përgatitje dhe shkathtesi te veçante fizike  e përbënin të rinjte deshnicare nga Kajca, Bubësi, Toshkësi Katundishta, Balli, Podgorani e tjera. Janar të vitit 1921 u vu re nje lëvizje e gjëre e rinise përmetare në art kulture dhe fiskulture. U ngrit shoqerija e pare kulturoro sportive “ Njeriu i ri “ U zhvilluan një sere veprimtarish kulturore sportive në vendet me karakter fetar. Grupe te rinjsh nga Suka, Gorica, Kajca e tje shkonin në grupe deri në Teqenë e Prishtes  ku  në mënyrë sporadike organizonin aktiivitete kulturore dhe sportive sidomos gara me kuaj si dhe mundje të cilat ktheheshin në darka ose dreka të këndëshme. Gjatë sundimit të ish mbretit Zog arsimi dhe kultura ishte në fillimet e saj numuroheshin në vitin 1924 vetëm  njëzet e dy shkolla fillore ku mësuesit krahas programit mësimor zhvillonin dhe orën e edukimit fizik, por thjesht lëvizje gjimnastikore, ndonje marshim apo loje te thjeshte sepse mungonin mjetet sportive. Loja e futbollit zhvillohej vetëm tek ndonje shkollë që kishte mundesinë e ndonje topi si në Kosove dhe Frasher Permet, Këlcyre Sukë,  Kajcë Zhepove, kurse për shkollat e tjera nuk bëhej fjalë. Në Frasher u ngrit dhe Internati i pare ku mundesia  për të berë aktivitete sportive ishte më e madhe.

Gjatë viteve 1924 -1926 në Përmet u vu re një lëvizje e organizuar sportive u krijuan dy shoqërit e para sportive, thjesht për futbollin, por që luajtën një rol në propagandimin e sportit në gjithë rrethin sidomos në Këlcyre, Zhepovë, Suke Lipe Lëshicë që filluan të organizonin veprimtari sportive midis tyre te gërshetuara me aktivitete kulturore. Dy shoqëritë e krijuara në Përmet u pagëzuan me emrat:  “Vjosa” dhe “Nemërçka” Këto shoqëri ishin te ndara nga njera tjetra dhe secila kishte programet dhe antarët e saj. Antarët dhe simpatizanet e tyre paguanin edhe nga një kuotë te vogel në interes të shoqerise se tyre. Shoqeria me e organizuar ishte “Nemërçka” kryetar ka pasur Pilo Kokoninë,  ndihmës Mihal Qirici  dhe sekretar Qako Kosova që kryesisht merej me mbledhjen e kuotave. Disa nga antarët e shoqerisë “Nemërçka” kanë qënë;Lilo Vangjeli, , Tasi Sotiri, Vangjel Thanasi, Qako Mantho, Nuli Kola, Sofo Shulla, Elmas Neziri, Avni Asani, Lefter Dhosi, Miti Vasili, Dhionis Nasho, Lilo Koçi, Tefik Lato. Gore Sotiri e tjerë. Të dy shoqëritë organizonin midis tyre ndeshje futbolli me te vetmin top futbolli që kishte sjellë në vitin 1926 Loli Polloshi që luante dhe vetë futboll. Këto shoqeri zhvilluan ndeshje dhe me të rinjte që mblidheshin nga Këlcyra, Katundishta duke e kthyer në dite feste sidomos diten që bëhej tregu në Këlcyre. Në vitin 1925 kur organizimi i aktiviteteve sportive në Permet dhe Kelcyre   drejtoheshin nga nënpunësit e atyre viteve, Zogu nxori një urdhëresë ku shkruhej ……. nënpunësit ndaloheshin te mereshin me sport, kurse në vitin 1928  erdhën nga Italia instruktorë që do ndihmonin në zhvillimin e sporteve në shqipëri, për të cilët ministri arsimit në një nga shkollat e Tiranës u bënte thirje gjithë drejtuesave të shkollave te Shqipërisë të viheshin në dispozicion te tyre duke u zbatuar porosit dhe urdhërat e tyre. Instruktore Italianë  erdhën edhe në rrethin tone, por qëllimi i tyre kryesor ishte ndryshe. Në kundërshtim me këtë politike të qeverisë së Zogut në vitin 1930 me inisiativen e rinisë përmetare  u shkrinë shoqëritë sportive “Nemërçka” dhe “Vjosa” dhe u formua klubi i pare sportiv  i Përmetit me emrim “Leka i Madh” dhe kryetar u zgjodh Musa Ohri. Ky klub nuk pati asnjë përkrahje financiare nga pushteti vendor, ndaj mbas një periudhe u reduktua vetëm në një skuadër futbolli që mbahej me mbeshtetejen e disa tregëtarëve aktiviste sporti. Pamvarësisht vështirësive ky klub luajti një rol në përhapjen e sportit edhe në zona të tjera si Këlcyrë, Suke, Zhepovë, Carshovë e tjera ku rinija filloi të tregonte një interes të veçante duke krijuar skuadrat e tyre sportive. Ekipi i Përmetit që u pagëzua me emrin “Leka i Madh” gjatë viteve 1931 – 1933  zhilloi një sere veprimtarish futbollistike si me Himarën, Gjirokastrën, , Korçën dhe Delvinën. Taqi Kristidhi një veteran tregonte se kur vinin skuadrat e futbollit të ndesheshin tek fusha e Kushtrimit ajo dite kthehej në festë ku nuk mungonin te vinin dhe femrat për ti ndjekur ndeshjet të cilat mbas përfundimit,  pamvarësisht kush fitonte organizoheshin darka miqësore. Futbollistat e pare të klubit  ‘Leka i Madh” kanë qënë: Taqi Kristidhi, Abazi, Juanidhi, Saliu, Lumani, Kondi, Laçej, Vaske Stathi,  Naun Nasi. Pano Vasili, , Androkli Angjeli, Musa Ohri(Kryetari i Klubit )Niko Kutulla, Ngjeli Gogo,  Njazi Zengjinasi e tjerë. Puna e klubit pothuajse ishte sporadike në ato pak aktivitete që zhvilloheshin   organizatorët kryesore zakonisht ishin mësuesat e shkollave te rrethit tone.

  Mars të vitit 1929 u zhvillua kampionati i pare Kombëtar i futbollit vetëm me tetë ekipe me qytetet kryesore. Veteranët Qako Konini Gigo Kosova dhe më mbrapa  Vangjush Angjeli dhe Dhionis Simoni ne Këlcyre   tregojnë se  të rinjte e trevës sonë e ndoqën me interesim këtë veprimtari që shërbeu si nxitje për forcimin e skuadrës sonë. Taqi Kristidhi tregonte se në ato vite gjatë verës ktheheshin djemtë studenta nga Selaniku, Janina e Korfuzi dhe organizonin tek sheshi kushtrimit ndeshje   midis tyre me topa që i sillnin studentat. Aktivitetet  po mernin  përmasa më të mëdha. Ekipi “ Leka i Madh’” Tregonte veteran Dhionis Simoni u ndesh   edhe me Këlcyrën e bashkuar me djemtë e Katundishtes, me Leskovikun, Kolonjën e tjera. Një kontribut në sportin përmetar kanë dhënë dhe dy vëllezërit  nga Lupcka që banonin në Amerikë: Mikel dhe Koço Curri. Ata ishin emigrante dhe gjatë verës vinin me pushime dhe organizonin ndeshje futbolli. Mikeli që ishte  futbollist mjaft i mire u aktivizua edhe në një takim të rëndësishëm midis Vlorës dhe Ushtarëve të flotes Italiane. Mikeli luajti portier dhe në sajë të tij ekipi Vlonjat fitoi. Sporti përmetar e sidomos ekipi “Leka i Madh’ ishte bërë i njohur në gjithë vendin tone. Këtë e dëshmon edhe një shkrim i kohës…. . Në Tetor të vitit 1931, nën përkujdesjen e instruktorit të edukimit fizik u krijua në Gjirokastër këshilli provizor. Gjirokastritët me ketë rast kishin organizuar nje ndeshje futbolli me skuadrën përmetare. Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të bukur duke u duartrokitur nga sportdashësit …….

Në vitin 1932 mbas shumë kërkesash ne u pranuam në Federatën e Futbollit  të asaj kohe duke u bërë kështu antarë me te drejta te plota futbollistike.

Në vitin 1933 pushteti vendor në Permet dhe Këlcyre u detyruan të pranonin zhvillimin e disa veprimtarive futbollistike, siç ishte zhvillimi i kampionatit krahinor të futbollit. Mernin pjesë Gjirokastra,  Permeti,  Delvina dhe Saranda ( Këlcyra nuk mori pjese per arsye fondesh) Permetarët në këtë aktivitet bënë një paraqitje të mire por megjithatë vendin e pare e meritoi Delvina. Futbollistat e ‘Lekës së Madh’ zhvilluan dhe disa takime te tjera si me Vlorën ku humbën 1-0, me Himarën në Permet e fituan 2-0, me Gjirokastrën e fituan 3-1 duke u bërë kështu një ekip i dëgjuar në arenën Kombëtare. Në vitin 1934 Federata  Sportive u shkri dhe u zevendesua me emrin Federata “Vllaznija Shqipëtare” që kishte si qëllim bashkimin e shoqërive dhe lagjeve fshatrave të grumbulluara dhe kontrolluara nga lart. Kjo formë organizimi nuk u prit mire. Kjo Federatë e ndante shoqërite në shkollore dhe jashteshkollore (Fshatarë, Zanatçinj) Këto suallën dhe çregullime në kampionatin Kombetar te   futbollit. U zhvilluan disa kupa nga Federata me pjesmarjen e 16 skuadrave  te rretheve te Shqipërisë. Në një nga këto grupe bënim pjesë edhe Ekipi “Leka i Madh” së bashku dhe me Delvinën dhe Gjirokastren. Shtypi asaj kohe komentonte dhe ndeshjen tone me “Dritën” e Gjirokastres që u fitua nga gjirokastritet 3-1. Në Vitin 1936 u ribënë zgjedhjet e shoqërive sportive në Përmet sekretar u zgjodh Spiro Izgari që në ato vite ishte mësues, kurse në Këlcyre ku përfshihej dhe Katundishta u zgjodh Dhionis Simoni. Këto shoqëri kuptohet punonin në një sferë tepër të ngushte. , vetëm me skuadrën e futbollit e ndonjë marshim me te rinjte. Gjatë vitit 1936 sporti në Përmet pati një ngritje te dukshme.  Rinija e fshatrave filloi një levizje te gjerë duke organizuar disa gara sportive si marshime lojna popullore gara hipizmi por ne veçanti luanin futboll. Ekipi “Leka i  Madh” kishte fituar një përvojë të mire. Andon Pocoli që i kishte jetuar ato vite duke punuar berber tregonte…. Cdo ditë “ Fusha e ushtrimit” mbushej me sportista e sportdashës që ndiqnin me admirim ekipin e tyre i cili u bë shembull në rrethin e Përmetit duke  berë të mundur krijimin e disa skuadrave sportive edhe në disa  fshatra si Lëshicë,  Lipë,  Këlcyrë,  Katundishte,  Zhepovë,  Sukë e shumë të tjera që krijonin mundësi dhe ndesheshin njera me tjetrën, por gjithmonë në mënyre sporadike të pa organizuara. Për arritjet në lëlizjen sportive në Përmet e sidomos arritjeve te skuadres së “Lekes së Madh”  shkruhej edhe në gazeten “Sporti’ te vitit 1936……. si në të gjithë krahinat e vendit, ku sporti ka marrë një hov te mirë,  edhe në Përmet nuk ka munguar të  luhet. Përmetarët brenda një kohe te shkurtët do të kenë një skuadër futbolli me formacion të plote dhe te forte…    kanë bërë disa ndeshje dhe rezultatet kanë qënë positive.  Skuadra e sotme që ka Përmeti mund te bëjë ndeshje edhe kunder shoqërive te tjera te forta. Populli i këtushëm ështe shumë sportdashes, që asnjëherë nuk kurseu me ardhë në fushë…… Dhe ja 7 Qershori i vitit 1936, një ditë kaq e mirëpritur nga sportdashësit përmetare, te cilët  kishin ardhur në fushen e thjeshte te qytetit  për te ndjekur ndeshjen e futbollit midis “Lekës së Madh” dhe ekipit te “Drites “ së Gjirokastres. Ky takim kishte ngjallur një interesim te madh për faktin se përmetarët kishin një ekip të forte siç e përshkruante dhe  artikullshkruesi me sipër. Përmetarët kishin blusa me vija vertikale të zeza dhe te bardha.    E gjithë loja u zhvillua në zonën e gjirokastriteve. Përmetarët e çorientuan mbrojtjen gjirokastrite dhe mundën te shënonin në pjesën e pare gjashte gola, pa pësuar asnjë. Presioni vazhdoi edhe në pjesën e dytë …vazhdonte artikullshkruesi në Përmet ekipi vendas  e derrmoi ekipin e “ Drites “ së Gjirokastres duke e mundur me rezultatin e thellë 13 – 1. Edhe ne takimin tjetër në Delvinë ekipi ynë e fitoi me rezultatin 3-1  dhe ky rezultat  i çonte futbolliistet tanë më pranë finaleve. Javën e tretë përmetarët shkuan në Gjirokastër për të zhvilluar ndeshjen e kthimit, e cila u luajt me 2 Korrik 1936 duke treguar edhe këtu superioritet e duke e fituar takimin me rezultatin 3-0.

Shtypi kohës për këtë ndeshje shkruante: …. ” Drita “  e Gjirokastrës kishte bërë një përgatitje të madhe për me përballue kundershtarin e saj te rreptë ashtu si lipsej, për me diftue se humbja e saj katastrofale në Përmet nuk i përgjigjej realitetit…. ” Por megjithe punën e bërë ajo kishte mjaft mangësi. Me këtë fitore ekipi përmetar pamvarësisht nga rezultati që do zhvillonte javën e ardhëshme me ekipin e “Namik Delvinës” e kishte siguruar të drejtën për në finalet e kësaj veprimtarie që do zhvilloheshin në qytet asnjanës. Nga grupi veriut në finale kishte fituar të drejtën “Bardhyli “ Lezhës, kurse nga Shqipërija e mesme  ‘Shkumbini “ Peqinit. Edhe takimin e fundit në Përmet me Delvinën e fitoi ekipi ynë duke grumbulluar gjithësej 12 pikë. Finalet u zhvilluan në Durrës më 27 Korrik 1936. Në këtë finale shorteu na rra te luanim ndeshjen e pare me Peqinin e cili u fitua nga futbollistet tanë me rezultatin  3-0.  Diten tjeter luajti  Ekipi i Lezhës me Peqinin dhe u fitua nga Lezhianët me rezultatin 4-0. Ky rezultat e gëzoi dhe ekipin tone sepse e çoi direkt ekipin tone në kategorinë e pare mbasi pamvarësisht nga rezultati direkt midis Lezhës dhe Përmetit të dy ekipet kalonin në grupin e kategorisë së pare. . Shtypi i kohes për ketë takim shkruante: …. Takimi midis “Bardhylit” të Lezhës dhe “Leka i Madh   i Permetit  kishte ngjallur një interesim të madh tek sportdashësit vendas. Ishte një ndeshje  me mjaft emocione e fillimisht u zhvillua në mesfushe me zbritje të rralla në të dy portat, por lezhianët e morën vehten shpejt dhe nëpërmjet dy sulmuesave shënuan kater gola në pjesën e pare. I gjithë takimi u mbyll me rezultatin e thellë 7-2 për Lezhianët që u shpallën kampione të ligës së dyte  dhe përmetarët nënkampionë.

Disa nga futbollistat e këtij aktiviteti  të vitit 1936 ishin: Vaso,  Abazi,  Joanidhi,  Sotiri, Saliu, Lumani, Arbana   Laçaj   dhe të tjerë. Ky ishte i pari kampionat në historine e sportit përmetar që ekipi i futbollit do të luante në ligën A (Kampionatin e ekipeve superiore) dhe  kjo mundësi na u dha përsëri mbas 44 vjetëve, në vitin 1981 kur ekipi me emrin “24 Maj” hyri në kategorinë e parë. Entuziazmi dhe gëzimi i sportdashësve përmetarë ishte i madh. Ata mbas këtij aktiiviteti nuk e ndërprenë stërvitjen por e vazhduan duke zhvilluar edhe disa ndeshje të tjera miqësore. Në Janar të vitit 1937 gazeta “Sporti” botonte kalendarin e ndeshjeve që do zhvilloheshin në Divizioniun  A,  ku midis tyre rreshtohej edhe ekipi i “Lekës së Madh”të Përmetit,  Tirana, Kavaja, Korça,  Durrësi,  Elbasani,  Vlora,  Shkodra. Lezhadhe Pogradeci. Këtë njoftim të rinjte e rrethit tone e sidomos ata Deshnicare e priten me entuziazëm e mezi prisnin ditët që do zhvilloheshin ndeshjet,  Një veteran,  Allamani, tregonte se   të rinjte po përgatiteshin për te ndjekur   ndeshjen “Leka i Madh” me ekipin e Tiranës. Ata shprehej veterani do të shkonin në Përmet në këmbë dhe një pjesë me kuaj në formë gare. Gëzimi i këtyre sportdashësve si dhe i masës së madhe përmetare u shua shpejt nga një shkresë, e cila njoftonte se ekipi “Leka i Madh” për mungesë fondesh e vështirësi ekonomike të bashkisë së Përmetit nuk do të merte pjesë në këtë veprimtari futbollistike. Masa e të rinjve u revoltuan  e disa futbollista filluan te braktisinin dhe ekipin, por asnjë nga pushtetaret vendorë nuk u shqetësua. Në vend të Përmetit u fut ekipi i “Tomorit” te Beratit. Përmetarët pamvarësisht nga mos pjesmarja në ligën A. përsëri gjatë vitit 1938 vazhduan të stërviteshin. Në grup kishin Gjirokastrën dhe Delvinën, por kërë kampionat u paraqit më mire ekipi i “Dritës” që zuri vendin e pare. Disa nga futbollistat që kanë luajtur në vitin 1938 janë: Ngjeli Gogo, Androkli Angjeli. Taqi Kristidhi,  Taullahu,   Aliu,  Pshefi,  Caçi,  Saliu,  Nasi, Metja, Gogo, Rusha. E tje. Në vitin 1939 veprimtaritë sportive si në të gjithë Shqipërinë edhe në Përmetit ishin të pakta kjo si rezultat i gjëndjes së tensionuar politike. Aktiviteti më i rendësishëm ishte ai i 18 Janarit 1939 me skuadren e Delvinës si dhe disa ndeshje të tjera te zhvilluara midis shoqërive te Këlcyres, Lëshicës, Lipës e ndonje fshati tjetër. Mbas kësaj periudhe për arsye te luftes  aktivitetet u ndërprenë.

Fotografi sportive te viteve te paraçlirimit .Ndeshje te zhvilluara me Gjirokastrën dhe Delvinën ruajtur nga veteran i sportit përmetar Vangjush Angjeli ( sot 78 vjeçar) ish futbollist trajner aktivist dhe këshilltar i futbollit përmetar.Fotografi e vitit 1932,ndeshje futbolli zhvilluar midis ekipit te Përmetit dhe Delvinës  që ka përfunduar me rezultatin e thellë 3-0 për Përmetin. Disa lojtare te aktivizuar: Pano Vasili, Llukë Bibi,Tasho  Popli, Mustafai, Petraq Popli, Nikolla Juanidhi, Ngjeli Gogo e tjere.


Fotografi e vitit 1933.Ndeshje midis ekipit “Leka  i Madh” i Përmetit dhe “Namik Delvina”. Takimi u mbyll në barazim 1-1.Te paret shenuan miqte dhe Përmeti barazoi në pjesën e dyte. Disa lojtare që luanin: Naun Nasi, Pano Vasili, Niko Kutulla, Androkli Angjeli, Musa Ohri(që ishte dhe kryetar i klubit Leka i Madh), Ngjeli Gogo,Taq Kristidhi, Vaskë Stathi dhe Njazi Zengjinasi. Fotografi  e vitit 1934 ndeshje  midis ekipeve të “Leka i Madh “ i Përmetit dhe ekipit te “Drita “ e Gjirokastres e zhvilluar në Gjirokaster. Në  prani te qindra sportdashësve ka përfunduar 3-1 për Gjirokastren


Fotografija e pare sportive. Grupi të rinjve përmetarë që krijuan shoqerinë ‘Nemërçka” në vitin 1926, si dhe shoqërija tjetër  “Vjosa “ që ndesheshin me njëra-tjetrën dhe në vitin 1930 u shkrinë dhe formuan Klubin e pare sportive me emrin “Leka i Madh”


Takimi i vitit 1934 midis  ekipit përmetar “Leka i Madh” dhe ekipit te Gjirokastres “Drita” ndeshje që përfundoi në fitim te përmetareve me rezultatin 3-1.

Shënim: Fotot janë marrë nga Vangjush Angjeli, veteran dhe ish trajner futbolli, sot këshilltar në sport.


Përmet, 25 Mars 2014

(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: