Entela Binjaku: Drejt Universitetit...
| E Premte, 21.03.2014, 10:01 PM |

Drejt Universitetit...

Nga Entela Binjaku

Sapo ka filluar një periudhë e rëndësishme për maturantët shqiptarë. Por, po kaq e rëndësishme kjo është edhe për  familjet e tyre. Fjala është për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z si hapi i parë drejt Universitetit. Përmes një procedure të rinovuar këtë vit,  siç ka ndodhur shumë herë në këto vite, kërkohet një angazhim i posaçëm nga ana e aktorëve të përfshirë për të përballuar ngarkesën e maturës shtetërore. Aktualisht, nga nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave, specialistët e drejtorisë arsimore,  nënpunësit e Ministrisë së Arsimit kërkohet një seriozitet i plotë.  Këtë vit, këtij mozaiku kompleks aktorësh i  është shtuar edhe një institucion tjetër, siç është posta shqiptare.

Natyrshëm një veprim kaq i angazhuar që të orienton drejt përmirësimit është i mirëpritur dhe i vlerë për mbarë shoqërinë.

Pavarësisht sesa kosto ka i gjithë ky proces, në para,  angazhim mendor e fizik burimesh njerëzore,  në thelb nënkupton dinjitet për një agjenci të rëndësishme shoqërore siç është shkolla. Kjo maturë  shtetërore nënkupton nevojën për një proces të rregullt teknikisht, ku çdo përllogaritje të jetë  sipas formulës, ku  “zarfi” të shpërndahet me postë në kohë dhe i sigurtë, ku të dhënat e maturantëve të dixhitalizohen, ku mësuesit-administratorë që do të ndjekin procesin të mos kompromentohen, apo që në vlerësimet finale të mos ketë parregullsi.

Duke parë këtij mozaik të gjallë aktorësh,  nisur edhe  nga shkalla e lartë e përfshirjes së familjarëve të maturantëve, ky proces kthehet në një ngjarje me rëndësi kombëtare. Por, kjo  fazë mbi të gjitha është e rëndësishme për orientimet drejt të së ardhmes profesionale dhe personale dhe shoqërore njëkohësisht, si hap i parë mbi vazhdimësinë e jetës universitare.

Nga qindra intervista të zhvilluara me të rinj universitarë në vitin e parë, një pjesë e madhe e tyre kanë pohuar se vitin e kaluar në këtë kohë,  ishin të pushtuar nga ethet e maturës shtetërore. Edhe ata, edhe prindërit e tyre. Mbi të gjitha për plotësimin e këtij formulari dhe për atë që do të rezultonte prej tij. Një shumicë prej tyre në përzgjedhjen e degës janë ndikuar pikërisht nga preferencat apo dëshirat e prindërve, disa nga “moda” e kësaj kohe, e cila u “diktoka nga tregu shqiptar”  i punës, disa kanë vendosur në çastin e fundit pasi “nuk dinin se çfarë të zgjidhnin”. Një pjesë e madhe prej tyre pohonin se këshillimi për karrierën ishte një koncept thuajse i munguar, por edhe kur ishte kryer, deri diku kishte qenë nën nivelet që ata do të donin. Kur nga njëra anë vihet re gjithë ky angazhim për procesin e dërgimit nëpër Universitete  a nuk do të ishte më mirë që po njëlloj angazhim të kishte edhe procesi i përzgjedhjes së universitetit, fushës studimore dhe njohjes me të ardhmen universitare? Prej aty edhe sugjerimet për një treg më të plotësuar të punës me specialistë?

Aktualisht,  kur maturanët e vjetshëm e kanë lënë pas atë periudhë të ethshme, ata përballen me vështirësi që nuk do të duhej t’i ndeshnin, për aq kohë sa kanë  qenë konform çdo lloj rregulli të kërkuar, kanë përmbushur dëshirën prindërore dhe kanë  kanë bërë zgjedhjen që dëshironin apo ju mbetej.

Kur i jepet një angazhim kaq tërësor këtij procesi pse nuk i jepet në të njëjtën kohë edhe asaj që i paraprin apo dhe asaj që i pret?

Në përballjen me universitetet tona nuk mbetet njeri pa e takuar kaosin e fillimit, ku orientimet nga administrata mungojnë, dhe mjediset e panjohura universitare janë një ankth më vete.

Ç’ kuptim ka të komplikosh kaq shumë maturën shtetërore, kur universitetet ku po i seleksionon t'i dërgosh këta të rinj lënë shumë për të dëshiruar? Me pedagogë mediokër, klasa pa klasa, me shkëmbime me universitetet e botës,  zero? Me tekste ku kupton që asnjë gjuhë të huaj nuk e njohin siç duhet dhe me shqipërime që të lodhin dhe të shuajnë çdo lloj interesi?

Në këto kushte do të ishte më mirë të merreshin disa masa nga ana e institucioneve tona që të kryhej një prezantim i të rinjve me atë çfarë i pret, me specifikat e degëve, me veçantitë e jetës universitare, me prekjen e fushave të interesit që ndoshta “flenë” tek ata.

A nuk do të ishte më mirë që sëpaku ky çast i përzgjedhjes së degëve të ishte më i orientuar, më i specializuar dhe të mos lihej në preferencat e prindërve apo në impulsin emocional të moshës?

Nëse  specialistë të socio-pedagogjisë do të ofronin asistencën e tyre në drejtim të zbulimit të prirjeve, talentit, të mundësisë së produktivitetit më të lartë ata do të  punonin me këshillim të vazhdueshëm të së ardhmes profesionale e cila të ishte më pranë edhe natyrës së të rinjve.

Po qe se  nxënësit do të ndiqeshin në mënyrë të vazhdueshme dhe do të ishin pjesë e një baze të dhënash kombëtare për prirjet dhe aftësitë,  kjo do ta ndihmonte shumë shtetin  të orientonte politika zhvillimore që të japin rrugë edhe për degë të nevojshme për shoqërinë por që pakkush i frekuenton.

Kështu të rinjtë  nuk do të braktisnin  edhe pasionin apo sigurinë që ju jep prirja natyrale e pasuruar dhe me punë, vetëm e vetëm sepse nuk ka treg pune për ta.

Do të ishte mirë që specialistët e fushave të zbulonin talentet dhe t’i orientonin në të gjitha nivelet,  të organizonin për ta programe të posaçme të avancuara duke i bërë më të sigurtë në rrugën e së ardhmes.   Në këtë mënyrë  një vajzë e re apo një djalë të ri që dashuron sportin apo artin do të orientohej gjithë kohës drejt asaj që e pret nëse ajo apo ai  dëshiron të zgjedhë këto si profesione.

A nuk do të ishte më mirë që një matematikan apo kimist të dilte nga radhët e të apasionuarve pas shkencave  dhe ai të mos ishte një rastësi?  Ndaj  shoqëria duhet të gjejë  mënyrat të zbulojë,  të kujdeset e  të mos lejojë që ai të braktisë pasionin, pikërisht në këtë moment të maturës shtetërore.

Deri në këto çaste që flasim ajo që kemi parë në shkollat e larta shqiptare, në një shumicë dërrmuese është një orientim prej “hallit” “prej të mos mbeturit pa shkollë”, prej “ta kemi një diplomë se nuk i dihet”, prej “kështu deshën prindërit”, prej “nuk kisha ku tjetër të shkoja me këto rezultatte që kisha”.

A nuk ka ardhur koha të kemi studentë në shkollat e larta tonat që “shkollën e zgjedhin sepse e duan”, “se shkolla është një alternativë punësimi”, “se diploma është një investim më shumë në jetë”, se “prindërit e mirëkuptuan zgjedhjen e tyre”, “se këto rezultate janë të orientuara në mënyrë të vazhdueshme” s”e prirjet, talenti dhe e ardhmja e tij janë në të njëjtën linjë”, “së këshillimet për karrierën e dhanë ndihmën e tyre”?

E nëse kjo kohë mendojmë se ka ardhur, epo,  “koha është tani”.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: