Ndue Ukaj: Nga teprica e luksit
| E Marte, 18.03.2014, 09:00 PM |

Nga teprica e luksit

“Imagjinojeni në këto ditë, sa prindi do të jenë ndjerë në siklet, sepse atyre iu është dashur të kërkojnë fonde rrugëve, shesheve e kudo, për shërimin e fëmijëve të tyre, sepse shteti s’ka krijuar zgjidhje për ta. Madje, mund të ketë edhe të tillë, që në pelmin e dhimbjes e mërzisë, të dëgjojnë marrëzinë e radhës: nga teprica e luksit, qeveria ka vendosur të krijojë një fond për shërimin e fëmijëve nga sëmundjet që s’trajtohen këtu. Kjo është tmerruese  për ta. Kjo është mbytëse për ta. Kjo është turpruese për ne.”

Nga Ndue Ukaj

A duhet të varet jeta e fëmijëve në vendin tonë, nga teprica e luksit të qeverisë? Për ma tepër, a mbizotëron në vendin tonë e mira e përgjithshme dhe interesi i përbashkët? Kush zotëron me këto të mira? A duhet të besojmë në sinqeritetin e kësaj elite politike, e cila, e përhumbur në zagushinë e ruajtjes së pushtetit, interesin e qytetarit e ka përkthyer me vizionin për pushtetin e vetë? Janë këto pyetje, e një mori pyetjesh tjera, që vërshojnë si rrufeja, pas vendimit të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqi, për krijimin e një fondi disa milionësh, për shërimin e fëmijëve jashtë vendit. Ky gjest “bujar”, do të duhej mirëpritur e përshëndetur, po të ishte bërë para rritjes së pagave. Por, në mënyrën sesi u bë, akti i qeverisë për mua, s’ka ndonjë vlerë. Përkundrazi, tregon shpirtngushtësinë e qeverisë së këtij vendi, që tash e sa vite ka lënë në mëshirën e fatit shumë fëmijë e familje.

Kjo çështje, si e tillë, është tejet e ndjeshme dhe seriozisht do të duhej ta preokuponte gjithë shoqërinë. Për mua, kjo çështje, ngrit dilemën e makthshme: nëse ka etikë të përgjegjësisë shoqëria jonë, përballë njerëzve në nevojë? Është fakt i mirëditur, se, përballë gjendjes së mjerueshme në shëndetësinë e Kosovës, kemi dështuar gjithë, mirëpo barra kryesore dhe përgjegjësia direkte, sigurisht se bie mbi klasën politike, që tash e sa vite, ka shtirë veshët në lesh dhe vegjeton degradimin e shëndetësisë, pa ndërmarrë asnjë veprim parandalues e reformues. E për pasojë, ky degradim, ka pasur ndikim jashtëzakonisht negativ në shoqërinë tonë, përmasat  së cilit, tejkalojnë shëndetësinë dhe prekin psikologjinë e një populli. Kjo gjendje, ka ndikuar në masë të madhe, në humbjen e besimit në shtetin, mjekun dhe si rezultat, qytetarët e vendit tonë, si shtegtar në kërkim të fatit, bredhin spitaleve të shumta të rajonit e botës, duke shpenzuar para e duke nëmur shtetin e tyre, për të cilin kanë sakrifikuar shumë.

Po, përballë kësaj gjendje, kemi dështuar të gjithë, sepse kemi parë për çdo ditë pamje të trishtuara dhe s’e kemi ngritur zërin. Kanë dështuar edhe ata deputet, që e refuzuan tepricën e luksit. Me vetëdije apo pa të, kemi pranuar të bashkëjetojmë në mënyrë tinëzare me të keqen. Madje, përballë kësaj gjendje, ka dështuar edhe ajo që do të duhej të ishte pjesa ma ndërgjegjshme e një shoqërie, inteligjencia e një vendi, që s’e dëshmon pikën e etikës së përgjegjësisë. Përveç tjerash, kjo gjendje e rëndë në sektorin e shëndetësisë, ka rënduar mbi jetën morale e politike të këtij vendi dhe ka bërë që shumë familje, të marrinë arratinë maleve, dhe të kërkojnë tokën e premtuar, diku larg Kosovës.

I habitur, sapo kam dëgjuar vendimin e shefit të qeverisë, më janë shfaqur përpara fëmijë e familjarë, të braktisur nga dora e shtetit, tek bredhin rrugëve, shesheve e dyerve të organizatave të ndryshme, duke kërkuar ndihmë, për shërim. E ne mund të themi çka të duam, të arsyetojmë si të duam, të stërhollojmë mendime, por përballë kësaj të vërtete, duhet të turpërohemi të gjithë. Kjo formë sesi u krijua ky fond, kaq shumë i domosdoshëm, tregon sheshazi se vëmendja e shtetit ndaj njerëzve me nevojë, s’shihet askund. Apo në raste ma të këqija, ajo vjen në shprehje, vetëm nga teprica.  Duke medituar për këtë vendim të qeverisë, m’u shfaqën pamjet e përditshme e rrëqethëse në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë dhe lutjet e panumërta, që ushtojnë si në një kor vajtues: ta ndihmojmë X a Y për shërim. Ai apo ajo ka kaq vjet dhe vuan nga kjo sëmundje.  Shërim  e tij, i saj, nuk bëhet në Kosovë. Kërkohen kaq para, etj., janë fraza këto që të ngjethin trupin dhe të prekin thellë ndërgjegjen. Në këtë sëkëlldi, shumë qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, të habitur e të trishtuar, do të kenë pyetur: vallë, varet jeta e këtyre njerëzve nga teprica e luksit të qeverisë?

E tash është e udhës që kësaj pyetje t’i përgjigjet qeveria e Kosovës. Për ma tepër, ajo e ka obligim t’a sqaron opinionin, pse nuk e krijoi përpara këtë fond? Sepse ajo bën prioritet e shpërndarjes së të mirave publike në vendin tonë dhe pa menduar mirë, le në mëshirën e fatit, shumë kategori të përbuzura e në nevojë, që këtyre viteve s’e kanë ndjerë aspak dorën e shtetit, kur ajo dorë më së shumti iu është dashur. Shteti, i cili synon mirëqenin dhe drejtësinë sociale, sipas  modelit europian (shteti i barazisë që po e synojmë), ka në epiqendër të prioriteteve, mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të njeriut, me tërë përmasën kuptimplote që ajo ngërthen. Dinjiteti i njeriut, nuk ka sesi të shkelet e përbuzet ma keq, sesa kur një prind, s’gjen shërim për fëmijët e vetë dhe për mungesë parash, ai mund t’i vdes.

Ky fond, kështu siç u krijua, s’le asnjë hapësirë për ngazëllim. Prandaj, a s’duhet të skuqemi dhe të trishtohemi  të gjithë përballë këtij fakti turprues?! Po, ata që kanë ndërgjegje, duhet të ndjehen keq. Madje shumë. Ky fond, kështu si u krijua, vetëm pas reagimeve dhe kundërshtimeve të disa deputeteve, ka në vetvete një hipokrizi dhe një papërgjegjësi, ngase pa reagimin e deputetët kundër rritjes së pagave për politikanë, fondi s’do të krijohej. E për pasojë, shumë fëmijë të këtij vendi, do të mund të humbisnin jetën, sepse parat do të shkonin për luksin e politikës. Thjesht dhe pa asnjë ekzagjerim, sipas kësaj logjike, ky fond, u krijua nga tepricat e luksit. E çfarë çmimi e vlerësimi meriton një vendim i tillë, di ta shpjegon vetëm një politike e pa injektuar me etikën e përgjegjësisë, di t’a shpjegon një ministër i paaftë të gjejë mënyra dhe mundësi shërimin e fëmijëve të këtij vendi.

Imagjinojeni në këto ditë, sa prind do të jenë ndjerë në siklet, sepse iu është dashur të kërkojnë fonde rrugëve, shesheve e kudo, për shërimin e fëmijëve të tyre, sepse shteti s’ka krijuar zgjidhje për ta. Madje, mund të ketë edhe të tillë, që në pelmin e dhimbjes e mërzisë, të dëgjojnë marrëzinë e radhës: nga teprica e luksit, qeveria ka vendosur të krijojë një fond për shërimin e fëmijëve nga sëmundjet që s’trajtohen këtu. Kjo është tmerruese  për ta. Kjo është mbytëse për ta. Kjo është turpruese për ne.

Një shoqëri e lirë, ka shumë kërkesa, por ajo që ja prek thellë dinjitetin është kërkesa për përkujdesje shëndetësore.  Ky segment, përbën boshtin e çdo shoqërie të lirë dhe është arterie frymëdhënëse. Po u ngulfatë kjo arterie, ngulfatet e gjithë shoqëria.

Kryeministri bëri mirë që e revidoi ngritjen e pagave për politikanë. Krejt në fund, atij i ra në mend, se nga tepricat e luksit, me të cilin deshi t’i gostisë politikanët, duhet të kujdesët për fëmijët e shumtë, që vuajnë nga sëmundje të rënda. A është kjo është fatura e qeverisja se pa dinjitetshme, të cilën po e paguajmë shtrenjtë?

Qytetarëve tanë, s’iu duhen përparimet kozmetike në vendin e tyre. Atyre ju duhet një qeveri që respekton dinjitetin e tyre. E kjo bëhet, nëpërmjet një qeverisje të dinjitetshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: