Fatmira Hajdari: Dosja Haklaj në dorën time
| E Merkure, 11.06.2008, 06:15 PM |

Fatmira Hajdari

Nga Leonard Bakillari
  
Do të gjykojë vëllanë e vrasësit të burrit. Shorti për procesin më të fundit të hapur kundër Hamdi Hakljat i ra bashkëshortes së deputetit të ndjerë, Azem Hajdarit

TIRANË - Gjyqtarja Fatmira Hajdari, bashkëshortja e deputetit të ndjerë Azem Hajdari, pritet të marrë në dorë dosjen hetimore me të pandehur Hamdi Haklajn, vëllai i Fatmir Haklajt, të akuzuarit kryesor për ekzekutimin e babait të tre fëmijëve të saj. I vetmi djalë i mbijetuar i Muharrem Haklajt, Hamdiu, është i akuzuar së fundmi edhe për vrasjen e Halil Hoxhës. Krahas një tjetër çështjeje që gjykohet në Gjykatën e Tiranës, 70-vjeçari Haklaj akuzohet edhe për një tjetër vrasje të ndodhur në Tropojë në vitin 1998. Sipas akuzës, bëhet me dije se këtë radhë djali i vetëm i mbetur gjallë nga Haklajt akuzohet për vrasjen e Halil Hoxhës, një nga pjesëtarët e fisit Hoxha, me të cilin Haklajt vazhdojnë të kenë hasmëri të përbetuar. Kjo dosje u depozitua në Gjykatën e Tiranës pak ditë më parë dhe pas hedhjes së shortit elektronik, u përzgjodh Kreshik Omari, si gjyqtari që do të gjykojë këtë çështje. Burime pranë Gjykatës së Tiranës thanë se Omari është tërhequr nga gjykimi, duke i hapur rrugë kështu rihedhjes së shortit, i cili këtë radhë përzgjodhi gjyqtaren Fatmira Hajdari, bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, i cili është vrarë më 12 shtator 1998. Si për ironi të fatit, gjyqtarja Hajdari tashmë duhet të gjykojë vëllanë e Fatmir Haklajt, i cilësuar si një nga ekzekutorët direkt të një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Pavarësisht “konfliktit të interesave” që mund të ketë në gjykimin e kësaj çështjeje, për shkak të rrethanave, gjyqtarja shprehet se është ajo që do të vendosë nëse do të gjykojë këtë çështje. E kontaktuar nga “Korrieri”, gjyqtarja Fatmira Hajdari tha se ende nuk i ka mbërritur në zyrë dosja hetimore. Pasi të njihet me dosjen, do të vendosë rreth vijueshmërisë së këtij procesi. “Do të jem unë, që do të vendos nëse do e gjykoj apo jo këtë çështje”, - tha për “Korrierin” gjyqtarja Fatmira Hajdari. Ndërkohë që për djalin e madh të Haklajve, Hamdiun, ky është procesi i dytë gjyqësor për vrasje. Sipas akuzës së qytetit verior, 70-vjeçari i cili ndodhet në Gotenborg të Suedisë është marrë në përgjegjësi penale për vrasjen e Halil Sali Hoxhës, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt të vitit 1998 në Tropojë. Dosja për vrasjen e Hoxhës u rihap pas nëntë vitesh, pasi hetimet e saj ishin pezulluar për mungesë provash dhe autorësh. Për më shumë se një vit, Prokuroria e Bajram Currit kreu hetime në mungesë të Haklajt, i cili prej më tepër se një vit ndodhet në Suedi, ku pak kohë më parë siguroi edhe azilin politik. Burime të hetimit pohojnë se dosja në ngarkim të 70-vjeçarit përmban dëshmi, prova shkresore dhe shkencore, si dhe akte të ndryshme ekspertimi, të cilat vërtetojnë se autori i vrasjes së Halil Hoxhës është Hamdi Haklaj, djali i madh dhe i vetëm i mbetur gjallë nga familja Haklaj.


Korrieri

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: