Frrok Vukaj: Musa Kraja - Akademi e gjallë
| E Enjte, 06.03.2014, 10:25 PM |

Në kuadër të 7 Marsit

Profesor. dr. Musa Kraja- “Akademi e gjallë e një rilindësi modern”

Edhe kur kryet do na e mbulojnë thinjat

Ndërmend do sjellim një emër nderues

Emër të dashur porsi fëmijëria

Emrin e thjeshtë, por të madh “Mësues”

Ll.Siliqi

Ekskluzive nga Frrok Vukaj

Meditime dhe mbresa

Sa herë afron 7 Marsi na pushton një ndjesi e veçantë, trupi na elektrizohet e ca mornica na gudulisin çdo qelizë. Një fuqi magjike na tërheq drejt shkollës e dijes. Në imagjinatën e vetë dijen tonë, na shfaqet e kaluara e afërt dhe e largët që zgjatet në vite e dekada e shkon deri në bankat e klasës së parë e prapë ndjejmë një paralizë e dridhje të lehte, një emocion të pashpjegueshëm. Jam thinjur jo vetëm unë që po shkruaj këto rreshta, por edhe nxënësit e mi  kanë nisur të zbardhen. Kam pritur e pres urime prej 40 vitesh nga koleg e prindër, ish-nxënës e nxënëse me të cilët mburrem se na kanë nderuar aty ku punojnë e jo pak edhe në fushën e arsimit me tituj e grada shkencore deri në katedrat e universiteteve. Na nderojnë, por edhe nderojmë të tjerët me shumë respekt. E unë sot dua të veçoj njërin prej tyre e nëpërmes tij sikur kam përshëndetur të gjithë mësuesit e profesorët e mi e kolegët e tyre që i janë përkushtuar për dekada të tëra arsimit, madje shumë prej tyre punojnë edhe sot. Më bëhet zemra mal e rilindem, kur edhe unë disi i moshuar, shoh breza para meje që mbahen e japin kontributin e tyre të vyer e të pazëvendësueshëm. U qesh buza e u ndrit fytyra kur marrin përshëndetje e shprehje respekti ngado që kalojnë, në mjedise të gjera publike a familjare. Befasitë janë të këndshme, por jo rrallë edhe tunduese.

Vlerësim e mirënjohje

Një ditë po udhëtonim me autobus me profesorin e nderuar Musa Kraja. Denduria e udhëtarëve në këtë linjë të kryeqytetit ishte e madhe. Papritur dëgjoj një zë të ngrohtë e dashamirës.

-           Mirëmëngjesi profesor, të lutem urdhëro, - flet një burrë mbi të 60-at i shoqëruar me gruan e tij. Ngrihet me të shpejtë e i liron vendin. Profesori disi i befasuar e jo fort i orientuar ulet qetësisht e përshëndetet me një përgjigje surprizuese.

-           A mos je...? (i përmend emrin dhe mbiemrin)

-           Po dora vetë, ish- studenti juaj

-           Të njoha nga zëri, të mbaj mend mirë, por edhe ju qenkeni thinjur.

Sa herë më ka ndodhur me profesorin të udhëtoj, të pi kafe a të shëtis me dhjetëra përshëndetje, fjalë të mira e mirënjohje i janë drejtuar me gjithë zemër, çiltërsi e pa asnjë interes. E shoh me vëmendje e ndjej admirim. Një jetë e tërë në arsim e vite të tjera plus i rëndojnë mbi supe. Jo vetëm admirim, por me sinqeritet ju them se edhe  gëzohem si fëmijë e mësoj prej tij. Ecën e nuk lodhet, mbahet i fortë e nuk dorëzohet, punon pa ndërprerje me orë të tëra të gjata deri vonë e përsëri rifillon me qetësi e vullnet, shkruan gjatë, por edhe redakton e përpunon atë përvojë të gjatë e të vyer, ideon e projekton me optimizëm për të sotmen e të nesërmen. E vështroj e shoh dritë në sytë e tij, një dritë e ndezur që do të jetojë gjatë. Më ngjan me rilindësit...,,,,, me idealet e tyre të mëdha; më ngjan me “qiriun” e Naim Frashërit e i uroj të jetojë sa më gjatë. Kureshtja ime  e obligimi për lexuesit më shtyjnë  të hulumtoj më thellë e më larg në jetën e tij të gjatë e të mbushur me punë dobiprurëse.

Shkodra, qyteti me tradita të hershme e bashkëkohore, është vendlindja e tij, por matanë liqenit, rrëzë Taraboshit hijerëndë, edhe Kraja e dashur nga e ka prejardhjen. Rastësia më ka bërë ta njoh qysh në vitet 1963-1964 kur unë isha nxënës në shkollën e mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” e konviktor në konviktin “Safet Spahiu”. Vite të vështira, por edhe vite të bukura; pengesa të mëdha, por edhe vullnete të hekurta për dije e kulturë. Unë i zbritur nga Alpet për më shumë dritë, ai me kohë kishte filluar rrugën e dijes e të shkencës. Ditë për ditë kur shkoja në shkollë e shihja me respekt. Vishej hijshëm e thjeshtë, pastër e me kujdes. Buzagaz e me çantën plot libra përshëndetej me nxënës e kolegë. (Herë – herë më dukej se merrte edhe një dosje të fryrë po me libra e fletore). E shikoja për së largu e çdo ditë, nuk e di se pse, më hynte më shumë në zemër. Më lindi një dëshirë ta imitoja e të bisedoja, por vetja më dukej shumë “larg”, ndonëse konvikti im e shkolla “11 Janari”, ku ai ishte drejtor, kishin të njëjtin oborr të parrethuar. Shumë vite kanë kaluar e ato detajet e fillimit janë të mjegulluara a të mbuluara nga një tis i hollë që nuk e gris dot. Por kujtesa e modestia e tij janë për t’u admiruar. Ka qenë e pamundur për mua të marrë informacion  të plotë përnjëherësh, por herë pas here kam “vjelë” pak e nga pak nga kujtimet e krijimtaria e tij e pasur. Qysh i ri, ndoshta në moshën 16 – 17 vjeçare, fillon punën si mësues. Mirditën nuk e heq nga goja. Flet me nostalgji e respekt për atë krahinë të sertë e me virtyte. Tregon për ngjarje interesante e persona konkretë që i kanë lënë mbresa, për ato vitet e para të pas Çlirimit ku mbahej krahut edhe pushka. Respekti për Mirditën shkon deri në admirim. Nuk nguron e thotë “unë jam gjysmëmirditor, jo se më kanë shpallur “Qytetar nderi”, por e ndjej me zemër”. Flet për shumë emra të atyre viteve, por edhe për fëmijët e tyre. Për arsye pune udhëtuam një ditë në Lezhë e Mirditë. Ngado shkoi e këdo takoi e pritën me respektin më të madh duke  filluar nga kryetari i Bashkisë Lezhë Viktor Tusha, drejtori i DAR-së Bardhok Pulaj, kryetari i Bashkisë Rrëshen Ndue Gega, mësues, nxënës, prindër, pushtetarë të Lezhës të Laçit e Mirditës. Kur menduam se udhëtimi ynë po përmbyllej në gjimnazin e Rrëshenit, pas asaj bisede interesante e vizionare me mësuesit e asaj shkolle e veçanërisht me drejtoreshën Marie Brozi, vërejtëm se na kishin zënë “pusi”, kjo një e papritur e këndshme. Frrok Kaçorri, adashi im, ish -student i profesorit, me shokët e tij Petritin e Luanin na ftuan për një kafe që nuk u mbyll me kaq. Folëm e diskutuam, por më shumë mikëpritësit mirditorë shprehën mirënjohje për Profesorin, për kontributin e tij të palodhur në vitet e rinisë e të mëvonshme, për 2 – 3 shkollat që pati hapur me iniciativën e tij, për lartësimin e vlerësimin e Ndrec Ndue Gjokës, mësuesit unikal në Ballkan që hapi mbi 50 shkolla. I kujtuan vitet e mjegulluara të ’90-tës ku disi u nëpërkëmb martiri pishtar i arsimit, por Musa Kraja, nëpërmes një libri, pa u lëkundur, me fakte konkrete e gjykime objektive, bëri një rivlerësim të merituar, çka e përkrahën të gjithë krahët e politikës. (Ata bisedojnë, por unë sjell nëpër mend, se ai pati hapur në vitet ’60-të, po me iniciativën e tij, edhe dy shkolla të mbrëmjes në zonën e Velipojës, madje në vitet e vona, nën drejtimin e tij, funksionuan për disa vite edhe 3 organe të reja të shtypit pedagogjik). U gëzova shumë edhe për këta djelmosha, me pjekuri burrash, që manifestuan bujari, dinjitet, dituri e mençri jo vetëm për të sotmen, por edhe për traditat e mira që duhen ruajtur e vlerësuar. Të vlerësosh historinë me objektivitet është kulturë, por të kujtosh është patriotizëm, është përparim, është përvojë e vyer e bazë e shëndoshë për suksese në të ardhmen. Ai mban titullin “Mësues i miratuar”, “Mirënjohja e kryeqytetit” dhe është anëtar nderi i shoqatës “Lunxhëria”, kryetar i Shoqatës së Mësuesve edhe Pedagogëve shqiptarë dhe i Akademisë së Shkencave të Edukimit. Këto vlerësime të shumta e të sinqerta e të tjera që nuk po i përmendim, kjo mirënjohje e thellë e respekt i pakursyer  për punën e njerëzit e dijes, janë tregues të qytetërimit e përparimit; urojmë të bëhet normë e të gjithë shoqërisë dhe e shtetit;

Kush është Prof. dr. Musa Kraja?

Për shumëkënd është një pyetje retorike, se mbarë opinioni shqiptar e më gjerë, veçanërisht armata e madhe e mësuesve, nga cikli i ulët e deri në katedrat e universiteteve, nga institucionet e larta, akademike e shkencore, njohin e vlerësojnë veprimtarinë e kontributin e këtij personaliteti në fushën e arsimit. Prof.dr. në shkencat pedagogjike, ka mbaruar dy fakultete të mësuesisë dhe mbrojtur dy doktoratura në vitet ‘93 dhe ‘97  e ka bërë 5 specializime jashtë shtetit: Universiteti i Pekinit, Instituti i Lartë Pedagogjik i Nankingut, Kinë 1974; Universiteti i Ankarasë, Turqi 1995; Qendra Pestalociane, Zyrih, Zvicër 1996; Universiteti i Podzdamit, Gjermani 1999; Universiteti i Riadit 2001. Ka shërbyer, ka përvojë e kontribute në të gjitha hallkat e sistemit arsimor: mësues filloreje, kryemësues, zëvendësdrejtor, drejtor në 8-vjeçare, nëndrejtor konvikti e shkolle në Pedagogjiken 2-vjeçare, i ngarkuar për rrethin e Shkodrës për problemet e arsimit, shkencës, kulturës e sporteve. Pa asnjë ndërhyrje, duke vlerësuar aftësitë e tij profesionale, para viteve ’90 emërohet në MASH zëvendësministër i parë e për 5 – 6 muaj u ngarkua edhe me punën e Ministrit. Pas një studimi objektiv për kohën e profesional, me sinqeritet e pa asnjë qëllim të keq (siç pohon edhe sot) propozon me grupin e punës arsimin e detyruar 10 – vjeçar. Pushtetarët e lartë të asaj kohe e dënuan rëndë këtë projekt e për fije të perit i shpëtoi burgut. Më vonë kuadro përparimtarë të kohës, mbështetur në përvojën e vyer e të gjatë, ndikuan për emërimin e tij drejtor të gjimnazit “Partizani” në kryeqytet. Për 6 vite kjo shkollë bëri përparime të mëdha e pësoi një hop cilësor duke u bërë flamurtar i sukseseve e arritjeve të njëpasnjëshme. Kontributi, e aftësitë e tij ishin një ndër faktorët vendimtarë. Ia kishin nevojën e përsëri kërkuan ta ngritnin në përgjegjësi, por nga lart u orientuan se vlerësimi do të ishte i limituar. E emëruan përgjegjës të arsimit për kryeqytetin dhe rrethinat. Për 6 vite drejtoi me profesionalizëm, përkushtim e vizion, duke spikatur aftësitë e tij, modestia e ndershmëria që e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Me qetësi e vullnet, kurajoz e i vendosur, nuk u lëkund as u dekurajua. Iu kushtua me durim dijes e arsimit, punës kërkimore – shkencore, një pune të gjatë e të vështirë, por edhe fisnike. Falë kësaj, por edhe talentit e aftësive, kontributet e tij janë mbresëlënëse. Ka shkruar e botuar 42  vepra, prej të cilave po shkëpusim edhe disa veçori:

-           Ka studiuar, harmonizuar e përgjithësuar traditën bashkëkohore.

-           Ka kërkuar e nxitur të renë e përparimtaren, ka përkrahur e ndihmuar kuadrin e talentet e reja

-           Vizioni i tij ka qenë e është i gjerë e origjinal

-           Në punën e krijimtarinë e tij vërejmë këndvështrime të reja për edukimin

-           Gjykimet e tij janë objektive, të mbështetura në përvojën e traditën kombëtarë, por edhe në atë botërore. Vazhdon të udhëheq doktoratura e mastera për shumë studente të universiteteve të ndryshme

-           Kontribut e tematikë të gjerë edhe në publicistikën social – pedagogjike, me qindra artikuj e punime shkencore

Me gjithë vështirësitë e tranzicionit nuk dekurajohet, por gëzohet e është optimist për ndryshime pozitive, merr përgjegjësi e kërkon përgjegjësi nga të gjithë aktorët që ndikojnë për mësimin dhe edukimin e brezit të ri. Siç thamë edhe më lart, kontributet e tij janë të mëdha; mësimet e vyera, të shprehura në përvojën e krijimtarinë e pasur, shërbejnë për të gjithë shtresat, nivelet e moshat. Është e pamundur të përmendësh emrat e veprave, por po veçojmë disa prej tyre: “Pedagogjia’, “Vizione pedagogjike rurale”, “Pedagogjia e zbatuar”, “Reformator i madh i arsimit, Pestaloci”, (bashkautor me profesorin e shquar zviceran Hans Gehrig e Prof. dr Shefik Osmani), “Mësuesi, pedagogu, personaliteti, etika e tyre “ etj. Veprat e tij, shumë prej tyre tekste universitare,  nuk kanë të sosur dhe është e vështirë t’i shënosh të gjitha, por po përmendim gjerësinë e problemeve që trajtojnë, për fushat ku ka kontribuar:

Për pedagogjinë si disiplinë, për vizionet pedagogjike rurale, për pedagogjinë e zbatuar, për pedagogjinë popullore, për shkollën, fëmijën , familjen, për forcimin cilësor të shkollës, për problemet shoqërore pedagogjike, të didaktikës, për reformatorin e madh të arsimit Pestaloc, për idetë e tij në hapësirën shqiptare, për Emrenë- edukatorin e madh turk të shekullit XIII-XIV; për Harry T. Fultz, për idetë e veprimtarinë pedagogjike në Shqipëri, për  mendimin pedagogjik të Nexhip Alpan, të Mati Logoresit, për Migjenin si mësues, për mësuesin unikal të Ballkanit – Ndrec Ndue Gjoka, për shqiptaro-maqedonasin Abdylhaqim Dogan, kontributin e mësuesve për kombin, për mësuesit dëshmorë, për shkollat shqipe me program plotësues për nxënësit dhe emigrantët shqiptarë etj të shprehura në botime të vecanta, duke na sjellë një shërbim të çmuar ne dhe brezave që do të vijnë.

Projekton e punon çdo ditë...

Me dashuri e pasion, kohët e fundit ngriti Akademinë Pedagogjike të Tiranës, e vetmja në të gjitha hapësirat shqiptare. U përplas edhe me shume pengesa burokratike, konflikte interesi e konkurrence të pandershme. Persona të veçantë të veshur me pushtet e sabotuan hapur, por nuk u dorëzua. Punoi e punoi e nuk u dekurajua duke kapërcyer bashkë me stafin e tij shumë vështirësi. Në mesin e vitit të kaluar, më së fundmi, u shfaqën edhe grupet e punës për akreditimin e kësaj Akademie,  mes tyre dhe ekspertja Filandeze Prof.dr. Asunta Tuula, e cila u shpreh me superlativa: “Ju e njihni arsimin më mirë se unë, ju e dini nga keni filluar e ku do shkoni”. Profesori i nderuar, si gjithnjë modest, e kundërshton me mirësjellje duke vlerësuar profesoreshën si një njohëse të thellë të arsimit e cila vjen nga një vend model si Finlanda.

Programet e këtij universiteti ku është Rektor prof.dr Musa Kraja  shtrihen në dy nivele:  Bachelor dhe Master, me një staf të përzgjedhur prej 20 pedagogësh, prej të cilëve: 7 profesorë e profesorë të asociuar, 6 dr. shkencash e 3 doktorantë, 4 të tjerë me master me rezultate të shkëlqyera. Përveç kësaj duhen vlerësuar se 12 pedagogë kanë kryer specializime jashtë vendit, prej të cilëve 8 kanë botuar tekste universitare të miratuara nga organet kompetente.

Një ndër risitë e kësaj akademie është dhe futja e gjuhës shqipe në të dy nivelet studimit dhe në të gjitha degët. Është pozitiv fakti se së paku mësohen dy gjuhë të huaja duke përfshirë edhe anglishten e informatikën.

Puna kërkimore – shkencore është e një niveli të lartë çka është manifestuar dhe me mbajtjen e tre konferencave shkencore me referues shqiptarë dhe të huaj.

Kjo Akademi çdo ditë e më shumë po formon fizionominë e saj, gjithnjë e më bindëse, megjithëse jo rrallë sharra ka ndeshur edhe në hallkat e ndryshkura të makinerisë së shtetit, i cili k anëtar ohët e fundit po shqetësohet e po punon me efektivitet për një vizion e praktikë të re më dobiprurëse. Një frymë e re ka filluar, shpresojmë se diçka e re po rilind...

Kërkesat janë për ndryshim, për një cilësi të re,  por edhe për ritme më të shpejta.

FRROK VUKAJ

Akademia Pedagogjike e Tiranës

www.akademia-pedagogjike.com



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: