Fritz Radovani: Porosi e Prof. Arshi Pipës
| E Merkure, 19.02.2014, 09:09 PM |

POROSI  E  PROF.  ARSHI  PIPËS...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

20 Shkurt 1991... Rrëzohet shtatoria e diktatorit në Tiranë...

EKSKLUZIVE NGA FRITZ RADOVANI

Shumë pak Shtete të vogla si Shqipnia kanë nxjerrë Personalitete të Mëdha sa né!

Mund të jetë kenë muej korrik ose gusht i vitit 1990, kur e kam degjue në radio “Zëri i Amerikës” tue porositë Popullin Shqiptar, pra plot 24 vjet maparë Prof. Arshi Pipa tha: “Pa u hjekë nga Sheshi Skënderbe shtatoria e diktatorit Enver Hoxha, kurrë Populli Shqiptar nuk mund të vendosin demokracinë...” E degjova, po mu duk e pamujtun!

Prof. Petro Fundo shpesh persëriste mbas vitit 1985: “Diktator si ay, vazhdojnë per të sunduar edhe persëvdekuri.” Edhe këte kur e kishe degjue më dukej e pamujtun!

Me thanë të vertetën, mbas muejt janar 1990, kur u pat ba protesta e heshtun në Shkoder per heqjen e bustit Stalinit, dhe revolta e Burrave të Malësisë në korrik, me arkivolin e Djalit të rij Pllumb Pllumbaj, para komitetit partisë me thirrjet “poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Nexhmije kurva!” etj... thirrje plot duf e urrejtje per vrasësit diktatorë, na dukej vetja se jemi tue jetue “dikund”...por, gënjejmë me dashtë me percaktue se ku?

Data 11 Nandor 1990 në Rrëmaji, vazhdonte me na u dukë një “anderr”... Edhe pse Don Simon Jubani, i këputi njëherë e pergjithmonë prangat e robnisë komuniste.

Na dukej një “vegim” ardhja e Tij nga burgu i shfarosjes së Burrelit, dhe ecja e Tij Burrnore drejtë Fitores per Ringjalljen e Fesë, kur shpresat tona ishin vyshkë...

Kush mund të besonte se pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, anadollaku Ramiz Alia, strukej si qen i zgjebosun nga frika e një Don Simon Jubani, që e kishte mbajtë të pranguem mbi 26 vjet nder birucat e akullta e të pashpresë me pa me sy Lirinë?!

Popullit Shqiptar i kishte ikë frika, Ai po shihte Driten e Lirisë së dishrueme!

U zgjuen studentët...U zgjue Kavaja...U zgjue Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë...Shkodra edhe njëherë bastjon i Demokracisë...13 Dhjetori 1990 shembi perjetsisht diktaturen ma barbare që kanë kalue Shkodranët e Rozafes Heroike...Ata të parët e shkrryen perdhé surratin e pasardhësit të sulltan Mehmetit II, që zbatoi porosinë se: “Nuk duhet të mbesin i gjallë asnjë Shkodranë!” A ju kujtohet çka ngjau mbi bust?

Edhe pse këto ngjarje sollën Demokracinë në Shqipni...Po mundohen me u “harrue” dhe me kenë e mujtun me u “fshi” nga Historia e Lavdishme Shqiptare.

E nuk zgjati...U zgjuen minatorët e Valiasit...U zgjuen puntorët e fshatarët e të gjitha krahinave të Shqipnisë... E ky ishte fundi i diktaturës komuniste edhe në Shqipni!

E fundi i diktaturës komuniste kerkonte shpagimin nga vetë diktatori...

20 Shkurti 1991, ishte dhe mbetet në Historinë e Popullit Shqiptar “Dita e Fitores” mbi rrenojat 47 vjeçare të komunizmit gjakatarë e shperftyrues, Dita e Fitores mbi diktaturen komuniste që sundoi në Shqipninë Martire të Gjergj Kastriotit!

Asht Dita e Fitores kur as armët e diktatorëve nuk mujtën me ndalue hovin dhe guximin e minatorëve të Valiasit, që e terhoqen zvarrë bishen e ngordhun e të qelbun per të gjatë të Kryeqytetit të fundit...që shembi komunizmin, Tiranës Heroike.

Ndoshta, them ndoshta, se shpesh kujtoj humnerat neper të cilat kemi kalue tash 70 vjet, e në fund çoj mendjen tek të Parët tanë që më thonin: “Ju jeni të rijë e me siguri, një ditë keni me pa Ditët e Lirisë!..” Ishte Besimi i Tyne i vendosun tek permbysja e asaj ideologjije shkatrruese marksiste – leniniste që kishte plandosë miljona njerëz në Botë!

Po edhe né u plakem...dhe po ua trashigojmë disa kujtime Brezave ma të rij, mbasi me kohen po fshihen shumë fakte e ngjarje nga Historia e Shqipnisë.

***

Një Mik i nderuem nga ShBA, (VD, të cilit i mora leje per publikim), më shkruen:

“Jeta e Shqiptarve nuk vlen aqsa jeta e Jahudijve! Pse? Asnji Jahudi nuk e levdon Hitlerin? Gjysa e Shqiptarëve (e ndoshta ma shumë) vazhdon edhe sot me e levdue dhe me e vajtue "shokun" Enver. Sikurse Enver Hoxha, do t’u konsideronte nji agjent serbo-rus, (ashtu si ishte) i vumë në pushtet per me shkatrrue elementin Etnik Shqiptar në Ballkan, atëherë, ndoshta, të gjithë Shqiptarët do ta urrejshin. Pra, duhet të identifikohet “figura” e Enverit me ata të Rankoviçit e Stalinit, me Çausheskun e Rumanisë, per me krijue në gjeneratat e reja urrejtjen që meriton. Gjeneratat e vjetra janë pertej mundësisë së shpetimit. Nuk e kuptojnë endè se të gjithë Shqiptarët janë persekutue prej Enverit. Pushkatimet dhe dënimet që janë ba prej tij, kishin per qellim me i shtij friken në palcin e çdo Shqiptari. Kooperativat e bunkerat kishin per qellim me e vorfnue gjithë popullin. Shkollat kishin per qellim me e mashtrue popullin që në fëmini. Interrnimi nder kampe ishte nji institucion skllavizimi që furnizonte krahë pune per me ushqye dhe me pasunue Bllokun e Tiranës dhe kryesisht familjen e Enverit. Fushat e Tepelenës e Lushnjës, Myzeqeja dhe minjerat e qymyrit, kromit dhe bakrit janë shfrytzue me skllavët që janë plakë në kampe pune per me i sherbye Enverit falas, por zyrtarisht, gjoja pse ishin “anmiqë të popullit”. Familja e Enverit asht pasune aq sa Shqipnia ka kenë e vorfën, pse Enveri, ka shitë edhe gjakun e Popullit Shqiptar.

Duhet të përmblidhen statistika mbi sa vetë janë vra e pushkatue, sa u burgosën dhe ia shtetizuen shtëpijat e pasuninë e tyne dhe kush e çfrytzoi até, tue fillue nga Blloku i “udhëheqsave”? Sa kjenë interrnue, si dhe ku punojshin, në çfarë konditash dhe sa e çka prodhojshin, sa u paguejshin ata?

Bota interesohet per fakte të dokumentueme me statistika, me pershkrime të kjarta e të sakta. Edhe pa u hapë dosjet mund të krijohet nji pershkrim i hatashem në kjoftëse çdo kush prej nesh, bahet dishmitar tue dokumentue informatat që ka.

Jo Shqiptarët, po, edhe mbarë bota do të kerkonin hapjen e dosjeve, po kje se vehet në dritë në formë masive barbarizmi i diktatorit Enver.

Me respekt, VD...” (Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit. FR. 2014).

***

E perballë opiumit që po i jepet perditë Popullit Shqiptar, asht e domosdoshme që në çdo shtëpi Shqiptarët sot, duhet të mbajnë një Liber!

E ky Liber asht Libri i “Kujtesës së Historisë”!

Titulli i Librit asht: “TYRANTS” nga NIGEL CAWTHORNE.

Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë në faqe 172 të shkrueme me shkronja të mëdha: “Enver Hoxha”.

Aty autori i Nderuem, ka paraqitë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për Shqipninë dhe Shqiptarët. Bota e njeh E. Hoxhen, po Shqiptarët, vazhdojnë gjumin...


Melbourne, 2014.

(Vota: 16 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: