Elona Doda: Intervistë me Leman Mal’Osmani Ruga
| E Marte, 18.02.2014, 08:10 PM |

Ekskluzive nga Elona Doda

LLeman Mal’Osmani Ruga ka lindur në 25 dhjetor 1931 dhe është  e bija e Xhemil Rugës, e cili ka mbajtur postin e sekretarit të  përgjithshëm të dhomës se deputeteve në  kohën e mbretit Zog dhe nga ana tjetër dhe mamaja e saj ishte një gjimnaziste e Zosimea-s në Greqi. Znj. Mal’Osmani mori shkollimin e duhur, dhe ne 1951 u martua me Ismail Mal’Osmanin i cili ishte një i apasionuar pas librit dhe shkrimeve dhe që  falë  pasionit të  tij ka ngritur nga fillimi në bashkpronësi me familjen Ndroqi  shtypshkronjën ‘’Gutenberg’’  të cilën pastaj e shiti duke ngritur shtëpinë botuese ’’ Ismail Mal’Osmani’’. Këto iniciativa pasuruan ndjeshëm dhe me tituj të  rëndësishëm  fondin e librit shqip i cili në  atë  kohë kishte aq shumë  nevojë  për botime të  reja. 
Znj. Mal’Osmani është  nderuar nga Presidenti i Republikës  z. Topi, si një nga 20 gratë  që  kanë  nderuar qytetin e Tiranës.
Në  kuadër të  rubrikës ‘’Profil Gruaje’’, Fondacioni ‘’Harriet Martineau’’ vlerësoi që znj. Mal’Osmani duhet që të  përfshihet në  këtë rubrikë si një  grua e cila ka qënë  në  rrethet që  kanë  kontribuar intelektualisht në zhvillimin e vendit. Duke u nisur nga ky fakt menduam që   vështrimi i saj ndaj zhvillimeve të vendit duke parë qoftë formimin, qoftë ndjeshmërinë femerore, është  gjithmonë  i matur dhe interesant.
 E ne fakt e tille ishte biseda që zhvilluam, e matur dhe interesante.    

Znj. Mal’Osmani së pari dëshiroj të ndalem tek emri juaj  i cili është shumë i veçantë,  a mund të na  rrëfeni  historinë e emrit tuaj?

Unë quhem Leman. Emri im i parë ka qënë Kristina për shkak se kam lindur me datë 25 dhjetor por gjyshja ime, tepër e moshuar dhe shume strikte në besimin e saj muslyman u mërzit nga emri që më kishin vënë dhe tha: ‘’Ç’është ky emër që i keni vënë vajzes?’’.
Babait tim i erdhi keq për nënën e tij dhe ma ndërroi emrin në Leman, emrin që mbaj dhe sot. Kur une u rrita dhe dëgjova këtë histori u mërzita dhe thashë ‘’ Pse ma keni ndryshuar emrin, Kristinë është emër i bukur jo Leman.. Ç’është ky emër Leman?’’. Atëherë babai më mori më uli pranë tij dhe më tha: ’’Shiko, emri Leman ka shumë kuptim, ti tani je e vogël, do të rritesh dhe do të mësosh në shkollë shumë gjëra qtani nuk i di. Ti do të mësosh që në kontinentin europian ku jemi ne, ndodhet një shtet që quhet Zvicër dhe ky shtet ka shumë liqene,  një nga këto liqene quhet Leman, dhe prandaj une dhe mama  te quajtëm kështu’’. Kur dëgjova këtë histori u gëzova shumë dhe mu duk se isha bërë e rëndësishme. Kjo është historia e emrit tim.

Na flisni pak për fëmijërinë tuaj, si ka qënë ajo, dhe si kanë qënë prindërit tuaj me ju? Kujtimet e kesaj kohe dhe ëndrrat e fëmijërisë?

Unë kam lindur në vitin 1931 në Tiranë. Babai im, Xhemil Ruga ka qënë sekretari  i  përgjithshëm i dhomës se deputeteve në  kohën e mbretit Zog. Une me vellezërit dhe motren time kemi bërë një jetë të mirë, pa ekzagjerime, por një jetë të rregullt. Prinderit tanë aq sa na linin të lirë  në fëmijërinë tonë,  aq ishin dhe autoritarë kundrejt nesh dhe ne gjithashtu ishim të disiplinuar dhe absolutisht nuk mund të bënim ç’farë të donim pavarë sisht se në atë kohë kishim nje pozitë të caktuar. Këtë gjë unë nuk e gjej në këto kohë që po jetojme pavarësisht se është normale që   kohërat të ndryshojnë,  megjithatë fëmijët në këto kohë duhet të kuptojnë se nuk mund të bejnë ç’farë të duan dhe se duhet të ketë rregulla.
Unë ëndërroja që të bëhësha mësuese ngaqë une i doja shumë mesueset dhe gjithashtu mësueset më kanë dashur shumë.  Ato e pëlqenin natyrën time  dhe menyren se si flisja se si tregoja gjërat që kisha për të thënë dhe prandaj më pëlqente që të bëhësha mësuese. Por gjërat nuk rrodhën kështu, unë pastaj kalova në kontabilitet në financë dhe jam shumë e kënaqur për këtë. Financa është ajo degë që të mëson shumë dhe që të edukon me rregull me disiplinë.

Dhe cili ka qënë modeli që ju ka frymëzuar në jetë?

Prindërit, të dy prindërit. Ata të dy kanë qënë të shkolluar dhe  gjëndja jonë ekonomike ka qënë relativisht e mirë. Në shtëpinë tonë kanë ardhur për të punuar njerez, por ne si fëmijë asnjehere nuk mundëshim që t’u jepnin urdhra këtyre njerzve. Këtë gjë ne e kishim rreptesisht të ndaluar. Babai gjithmonë na thoshte se këta janë njerez qe punojnë këtu te unë dhe për këtë gjë ne i paguajme ashtu sikundër unë punoj atje në parlament dhe marr rrogën për punën që bëj. Kjo ishte nje bisede shumë fikse që na e kishin ngulitur neve fëmijëve dhe ne u brumosëm me këtë sjellje. Humanizmi i prindërve të mi më ka frymëzuar shumë. Përvec kësaj me ka frymezuar devotshmëria e tyre sidomos babait tim ndaj punës dhe ndaj kombit. Ata na kanë mësuar se ndershmëria është mbi të gjitha. 

Ne kohën e luftës ju keni qënë femijë si e keni përjetuar atë kohë ju dhe familja juaj?

Ne kemi patur nje shtëpi verimi ne Durrës, ne fshatin e quajtur Shën Vlash. Çdo verë pasi mbylleshin mbyllte punimet parlamenti dhe përfundonin shkollat shkonim në Durrës. Kur erdhën fashistët,  i kërkuan babait tim që të punonte për ta duke mbajtur pozicionin që kishte patur në parlament në kohën e mbretit Zog. Babai im nuk e pranoi këtë dëtyre duke u shprehur ‘’Në asnjë mënyrë, unë nuk punoj për okupacionin’’. Në ato kushte u larguam në shtëpinë që kishim në Durrës. Gjatë kohës që ishim atje ne  nuk e ndjeme shumë luftën për shkak së në atë fshat nuk kishte partizanë të fshehur. Kështu kaloi koha e luftës pa perjetuar atë dramën e madhe që luftrat në përgjithësi shkaktojnë.

Ndërkohë ju martoheni dhe krijoni një familje. Na flisni pak për familjen tuaj. Si ka qenë jeta me bashkëshortin dhe me ç’farë fryme i keni rritur ju, fëmijët?

Po, unë jam martuar me Ismail Mal’Osmanin i cili ka patur fillimisht shtypshkronjën’’ Gutenberg’’ pastaj  e shiti shtypshkronjën dhe hapi shtëpinë botuese. Ismaili ka botuar libra shumë të rëndësishëm të të gjitha kategorive duke përfshire edhe librat për fëmijë dhe ishte një njeri që e bënte punen e tij me shumë pasion. Dua që te ju ilustroi një rast kur Ismaili botoi librin ‘’Princi i lumtur’’ e botoi pa i vënë titull në kopertinë dhe unë me kureshtje e pyes ’’Ç’është ky libër pa titull?’’ dhe ai më përgjigjet ‘’E kam lënë qëllimisht kështu në mënyrë që fëmijët të bëhën kuriozë dhë ta lexojnë’’.  Ai ishte i parimit që libri dhe dija duhej që të ishin mbi të gjitha dhe kjo është dhe fryma që jëmi munduar që të përcjellim të fëmijët tanë. Ty dy fëmijët janë bashkëshortë të  rregullt prindër të kujdessëm edhe punonjës shumë të ndershëm  dhe që mua dhe Ismailin na kanë bërë krenarë. Djali ëahtë mjek dhe ka një djalë ndërsa vajza ka punuar ashtu si unë në llogari dhe ka dy fëmijë. 
 Megjithatë në fillim kur u martuam e patëm të vështirë për shkak të gjëndjës ekonomike, ishte një peridhe kalimtare kur të dy gjendeshim pa punë, por pastaj me Ismailin kemi kaluar një jetë shumë të mirë dhe te qetë.

A ishte e vështirë që të ruanit raportin me sistemin diktatorial, duke patur parasysh faktin qe bashkshorti juaj ishte botues por dhe shumë i apasionuar pas librit dhe sa ju mungonte liria në atë kohë?

 Ajo kohë ishte shumë e veshtirë. Të duhej që të përshtateshe një gjëjë që e dije se ishte gabim dhe  kjo ishte shume e vështirë që ta pranoje. Megjithatë, duhej që ta pranoje se duhej të përshtatëshe, duhej të jetoje dhe kishte ca rregulla qe thoshin ose me ne, ose kundër nesh e rrugë të mesme nuk kishte. Atë situatë e kisha shumë të vështirë, ndjeja që  ne si popull kishim humbur shumë dhe këtu nuk e kam fjalën për pasurinë se pasuria është një gjë që sot e ke e nesër jo, por ndjeja qe kishim humbur njerëzorën. Ajo kohe ishte e vështirë për të gjithë pa përjashtim, pavarësisht së për dikë ishte më e vështire se për dikë tjetër. Unë  ndjehem me fat se e kaluam atë peridhë pa ndonjë problem me pasoja të rënda për familjen, megjithatë populli u përshtat me atë sistem dhe mundi të mbijetonte.
Zhgënjimi është shumë i madh edhe për këtë kohën ku jetojmë, në gjithë këto vite që më është premtuar se do me kthehej shtëpia në  Durrës, ku kam kujtimet më të bukura të rinisë sime të hershme dhe që sot e kësaj dite nuk më është kthyer.

Megjithatë a e keni vizituar atë, a ka ndryshuar shumë nga ç’farë mbanit mend?

Po, e kam vizituar pasi ndryshoi sistemi, kur u mor vendimi që do të me kthehej prona. Nuk kishte ndryshuar ishte po e njëjta dhe personat që banonin në aty e dinin se e kujt ishte ajo shtepi megjithatë sot e kesaj dite kjo pronë nuk i është kthyer familjes time.

 Si është e përditshmja juaj tani?

Tani unë bej nje jetë normale dhe të qete, si në pension që jam. Gjatë demokracisë më është dhënë mundësia që të udhëtoj shumë  kam qënë në  shumë shtete të botës si ShBA, Tunizi, Turqi, Indi pa futur këtu pjesën më të madhe të shteteve të Europës. Kanë qenë udhëtime shumë të bukura të cilat më kanë dhënë mundësinë që të njihem më afër më kulturën dhe historinë e këtyre shteteve e cila varion nga një vend në një vend tjetër duke e bërë secilin prej tyre shumë    interesant dhe të vecantë.
Megjithaë vajtja në ShBA më bëri që të mendoj shume, të mendoj për të rinjtë tanë që bëjnë më nga dy punë atje duke i sjellë zhvillim shumë të madh atij vendi dhe që ne nuk jemi të aftë që të përfitojmë nga energjitë dhe idetë e të rinjve tanë të cilët edhe nese gjenden këtu, janë të pa punë .
Kjo gjë mua më trishton shumë.

Duke qënë që keni lexuar dhe udhëtuar shume ç’farë mendoni që i ka munguar ose i mungon Shqipërisë që të zhvillohet dhe që  rinia e saj të dëshiroje që të qëndrojë këtu në vendin e saj?

Shqipërisë i mungojnë shqipëtarët. Shqipëtarët jo për shkak të qënies së tyre si të tillë, por për shkak te jetës së vështirë qe kanë bërë e cila i ka armiqësuar aq shumë me njëri tjetrin dhe i ka bërë  shqipëtarët shumë të orientuar drejt qëllimeve të ngushta sic është pasuria, për arritjen e së cilës përdorin lloj-lloj mjeti e në këtë  mënyrë humbasin idealet.

Po rolin e gruas në jetën shoqërore si e shikoni? Si i vleresoni modelet aktuale te gruas në politikë?

Gruaja Shqipëtare ka qënë tradicionalisht shumë inteligjente pavarësisht nga shkollimi, sepse ka mundur që të mbaje familjen edhe në kushte ekstreme, por për shkak të mungeses së shkollimit ka qëndruar gjithmonë brenda kufinjve të shtëpisë dhe familjes. Sot gjërat janë ndryshe, femra shqipëtare megjithese e shkolluar vazhdon të jete viktimë e atij mentaliteti tradicional, dhe kjo stuatë duhet të ndryshojë sepse e kerkon zhvillimi i shoqërisë shqipëtare.
 Unë mendoj që gruaja shqipëtare duke qenë shumë inteligjente duhet të angazhohet në politikë por jam kundër gjuhës së rendë që shpesh përdoret në parlamet, politika duhet që të bashkojë njerezit dhe jo t’i ndajë ata. Ndërsa për gratë në përgjithësi mendoj që duhet të jenë më shumë solidare me njëra tjetren.

Znj. Mal’Osmani shume faleminderit për biseden e sinqertë të matur dhe reflektive  që ndatë me ne!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: