Fritz Radovani: Takimi i fundit i dy Burrave
| E Hene, 17.02.2014, 08:10 PM |

PLOT  90 VJET,  TAKIMI  I  FUNDIT  I  DY  BURRAVE ...

EKSKLUZIVE NGA FRITZ RADOVANI

Vetem “historianët, dr...prof...e akademikët...” e Shqiptarëve të sotëm, mendojnë ose u kanë thanë “me mendue” se, Historia e Shqipnisë duhet shkrue “pa Burra”!

Shpesh, mendoj me vete: “Atdhetarët tanë, u vranë krejt ‘kot’ per Shqipni!”

Si mund të mendohet sot mbas gati 90 vjetësh që janë vra Këta dy Burra, madje, kur thohet se, mbas 50 vjetësh “Historia” gjithnjë shkruhet pa pasione nga historianët...

Gati gati, të dy Këto Figura të mëdha Atdhetare, aqsa edhe Heroike e të pasterta si biluri...po fshihen dhe as nuk zihen me gojë as nder pervjetorët e Atyne ngjarjeve, per të cilat Ata kanë dhanë jeten?! Kujt po i bie sot nder mend 135 vjetori që ka lé Gurakuqi?

Kontributi i tyne per çeshtjen e madhe Atdhetare, lufta per çlirimin e Trojeve dhe e të gjitha Tokave të okupueme nga pushtuesit e huej barbar, ishte detyra e parë që këta dy Burra i kishin vue vetes. Po, a ktheheshin këta kreshnikë të Pavdekshem nga rruga në të cilen nuk njihnin asnjë hap mbrapa? – Asnjeni! Sikur t’i kishte ba një Nanë!

Vonë ka me u kuptue se të dy ishin Bijt’ e Një Nane, Nanës së Madhe Shqipni!

Asnjeni nuk kishte ma të voglen deshirë per sundim... Asnjeni nuk thehej as me miqësi dhe as me pare ar, edhe pse këmishat e tyne i kishin të shkyeme...

Asnjeni nuk njihte “marrveshje” në dam të çeshtjes kombtare, dhe këte e provoi koha dhe faktet e atyne rrethanave aq të vështira kur të dy rrefuzuen “rrushfetin”...

Cili prej Tyne nuk ishte Trim?

Mu në Parlamentin e vitit 1924, Luigj Gurakuqi deklaroi: “Né nuk vrasim, né jemi njerëz të ligjit!”...Kujt ua drejtoi këto fjalë Burrnore, Vllaznore e Shpirtnore Shqiptare?

Pikrisht, vrasësve dhe tradhëtarëve që në vend të shpirtit kishin “napolonin ar”!

Në gjakun e tyne anadollak kishin pabesinë dhe shitjen e Tokave Shqiptare!

E “Historia e Shqipnisë” mbas vitit 1912, e vertetoi këte tradhëti me Esad Pashen, Ahmet Zogun, e deri në ditët tona Ata Troje të shituna prej tyne, edhe sot, vazhdojnë me kenë të sundueme nga fqinjët e armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar!

Luigj Gurakuqi u vra me 2 Mars 1925. Bajram Curri u vra me 25 Mars 1925...

Kush i vrau? – Per mos me u permendë vrasësi e Tyne, asht mendue “harresa”...

Vrasjet politike asnjëherë nuk janë krye nga një person i vetem!

Ky asht perkufizim që kam lexue nga studjues dhe politikan të mëdhej të kohës.

Sikur Ahmet Zogu të kishte ba vetem këto dy vrasje, politikanët pasues që kanë veprue në gjurmët e tij (e shpesh, edhe ia kanë kalue), me vrasjet e veta këta të fundit, do të kishin krijue një moment “hutimi” ose “topitje” nder ngjarjet tragjike të asaj kohë.

Mirëpo, SOT, “dorasi” i porositun i Ahmet Zogut, nuk na lejon me “harrue”...

“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni per pshtim pranë Qeverisë Italjane.

– Pyetnij Çatin Saraçin ku asht ..? “besa” Ndihma!...

Baltjon Stambolla – Carceri Giudiziarie Bari.

Shkeqësiës Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësiës Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)”

Kjo asht fotokopje e origjinalit të letres së Baltion Stambollës, e ruejtun nga Shkodrani e Atdhetari Gjon Kamsi, sot në Muzeun Historik Shkoder. (Foto 2009).

***

E tragjedia vazhdon...edhe nder ditët tona...

Edhe kjo “Shtëpi” duhej shembë!

Shtëpia ku ka lé Atdhetari Luigj Gurakuqi 135 vjet perpara, me 19 Shkurt 1879, Shkoder.

E PREMTE, 11 KORRIK  1924... BAJRAM CURRI VJEN NË SHKODER...

KUTIA E DUHANIT E  KRESHNIKUT  BAJRAM CURRI ... 

Sa shumë mendime, kujtime, vuejtje e ofshamje, ndryen mbrendë kjo kuti...

Ndoshta, edhe ndonjë buzqeshje e gëzim të Bajramit, por që të gjitha bashkë nuk dij a i bajnë 10 minuta në gjithë jeten e Tij...

Kam pasë një mik, të Ndjerin Pjerin Shestani...Erdhi një ditë tek unë...

Mbas pak kohe nxori nga xhepi një kuti duhani...Ishte e vjetër dhe e nxime nga koha. Mendova se mos do me e pastrue por, jo! E hapi biseden: “Një përson do me e shitë këte kuti cigaresh, për nevojat e tij. Asht i familjes Marubi. Më ka thanë se, po mujte me e shitë 2000 lekë (të vjetra), më ban nderë mbasi aq i duhën atij për nevojën që ka..!” Unë kishe 2500 lekë që më kishin teprue nga të hollat e meremetimit të një unazës dhe, pa u mendue shumë për vlerën, ndonse, kutija ishte argjentit e veshun me suvat të zi, po ma tëpër, tue u nisë nga vjetërsia e saj mora paret dhe ia pagova kutinë e duhanit.

Ai më tha: “E gëzofsh Fritz, këte kuti duhanit! Ke ble një dishka me vlerë shumë të madhe! Nuk të tregova përpara sesi asht historia e kësaj kuti duhani! Në vitin 1924 kur ka ardhë në Shkoder, një nga Burrat e fortë të Shqipnisë Bajram Curri, Ai asht takue me Luigj Gurakuqin në shtëpinë e Kel Marubit, dhe mbasi kanë pi kafet e para, Bajrami i ka thanë Luigjit: “Luigj, më duket se nuk gaboj kur mendoj për ty se jé ndër trimat ma të fortë që kam mujtë me njohtë në jeten teme. Kjo kuti duhanit qyshë sot asht e jotja!”... Dhe i ka falë këte kuti duhani. Kur më thanë se donë me e shitë, e mora dhe jam nisë direkt e tek ti, mbasi më vinte keq me ra në dorë të tjetër kujt, dishka me kaq vlerë!”

Unë e mora në dorë, por jo, si kuti duhani! Tashti kishe një rrelike! Dhe, si të tillë e kam pasë vlersue që ditën e parë, tue mendue se ndër duert e kujt kishte kalue ajo kuti! Përnjëherë më dolën parasyshë Portretët e Atyne dy Burrave, Atyne dy Atdhetarëve, që pushka e tradhëtarit i pat rrëzue përdhe...por, Ata Trima nuk u kalbën...asnjëherë!

Ata u gurzuen si lisat shekullor... Burrnia e Atyne dy Shkambijve nuk vdes, por as nuk humbë kurrë... Ajo, edhe sot, asht e ruejtun mbrenda Asaj kuti duhani..!


Shkoder, (1995). Botue, Melbourne 2014.

(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: