Vangjush Saro: “Shkolla” shqiptare e ekstremizmit
| E Marte, 11.02.2014, 08:21 PM |

“Shkolla” shqiptare e ekstremizmit

(Përndryshe: E lagu, s’e lagu…)

Nga Vangjush Saro

Slogani me të cilin kreu i PD-së, L. Basha dhe drejtuesit e tjerë, të vjetër e të rinj të kësaj partie, po rreken të thërrasin njerëzit në një protestë, është një rast tipik i praktikës më të zezë të fjalës “sebep” (me origjinë nga Lindja). Natyrisht, opozita ka gjithë të drejtën e vet për të kundërshtuar anë të caktuara të qeverisjes, por slogani që ka lidhje me varfërinë dhe papunësinë, është jo qesharak, por i dhimbshëm. Të ëndërrosh që njerëzit të të vijnë pas në emër të zhdukjes së varfërisë e të papunësisë, që na qenka shtuar këto pak muaj të qeverisë tjetër, është më shumë se miopi. Politika te ne mbetet një gjë jo serioze, thjesht shërbëtore klanesh e interesash të ngushta (të brendshme dhe të jashtme). Nëse do të duhej të bëhej ajo (politika) në mënyrë serioze dhe në përmbushje të interesave të vendit, më e pakta, sloganet duhen përzgjedhur. Përndryshe, kjo e gjitha bie erë të keqe. Varfërinë dhe papunësinë e trashëguar prej të tjerëve, varfërinë dhe papunësinë që do ta ndjekin këtë popull edhe për një kohë tjetër, nuk e dimë sa, por mjaft të gjatë, askush nuk duhet ta përdorë për karrierë politike apo ca më keq për të përmbysur të tjerët. Kjo temë nuk ka sens.

Por ndërkaq, nuk mbeten prapa në sajimin e sherrit e të “sebepeve” edhe pala tjetër. Ditë më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto u shfaqën në të dalë të rrugës së Elbasanit në njëlloj përurimi, mbase edhe pak spektakël, nuk ka rëndësi. Duke uruar që të realizojnë sa më shumë dhe sa më mirë ç’kanë premtuar, dua të tërheq vëmendjen e lexuesit në këtë temë pothuaj tabu: Mënyra se si politikanët qasen në publik, pse jo edhe te kundërshtarët e tyre, te opozita; shkolla (e kësaj qasjeje) që do të duhej të ishte ajo më e pëlqyera, pak a shumë në përvojat më të mira të shkollës politike perëndimore. Kjo nënkupton sa më shumë paanësi, sens komunikimi dhe elegancë. Kështu, ishte rasti më i mirë që kryeministri aktual, Edi Rama, të thoshte dy fjalë të mira për qeverisjen e shkuar, qoftë edhe për atë fragment ku ajo u konsumua shumë: rrugët. Asgjë nuk do t’i kushtonte z. Rama të thoshte pak a shumë: “Ne vlerësojmë disa nga punët dhe përparësitë në vëmendje të qeverisë paraardhëse, ndërkohë që mendojmë se gjërat, përfshi edhe rrugët, duhen bërë edhe më mirë dhe sipas standardeve të botës ku mëtojmë të hyjmë.” Mbase kjo frazë mund të thuhej edhe me fjalë të tjera. Më pak vlerësuese. Më shumë vlerësuese. Z.Rama është dalluar si publicist për disa kohë dhe unë nuk kam ndërmend ta vë në dyshim aftësinë e tij për të folur e për të shkruar. Por, ngul këmbë, në ato fjalë, në atë përurim, mund të kishte sadopak vëmendje për ç’është bërë më parë, pse jo edhe pak respekt për kundërshtarët. Për më tepër, në atë mjedis (rrugësh) gjendej edhe z. Haxhinasto, ministër disa herë edhe në qeverinë e demokratëve. A nuk është e pakuptueshme, madje edhe e padrejtë, që ai të heshtte në këtë temë?

Në ditët kur pati disa aksidente, me pasojë pothuaj një bilanc lufte, u shfaq në TV B.Klosi, politikan relativisht i ri; edhe papritur derdh një mori akuzash mbi ish-kryeministrin, i cili nga ana e vet asnjëherë nuk pushon së vjelli vrer për kundërshtarët e tij politikë(!) Nuk e di se çfarë shkollë kanë bërë politikanët shqiptarë; dhe këtu s’e kam fjalën vetëm për shkollën për të cilën kanë marrë një diplomë apo dy diploma. (Shumë prej tyre kanë vërtet nga dy e tre diploma, jo pse janë më të zot se të tjerët, por sepse ata kanë qenë dhe mbeten të përkëdhelurit e këtij vendi.) Ani. E kisha fjalën për shkollën e edukimit në tërësi. E njëjta gjë ndodhte edhe me zyrtarët e mëparshëm, me zyrtarët e përhershëm: Asnjë fjalë të mirë për të tjerët, asnjë vlerësim, vetëm mllefe. Kjo sjellje, ky orientim ala “lufta e klasave” e ka frymëzuar në mbrapshti politikën dhe jetën shqiptare në tërësi, që nga fillimi i viteve ‘90 e këtej. Nëse shfletojmë të tjera faqe të historisë dhe politikës shqiptare, do të gjejmë gjithaq po ato maniera. (Më e pakta, që nga konfliktet e E.Toptanit me drejtuesit e qeverisë së Vlorës, 1912; konfliktet e F.Nolit me A.Zogun dhe ato të qeverisë komuniste me këtë të fundit. Etj.)

Problemi tjetër që dua të shtroj në këtë shkrim, e kam shtruar disa herë, është ai i rolit të zëdhënësve. Në rastin e inspektimit të punimeve në Rrugën e Elbasanit, me të drejtë, një prej atyre të Partisë Demokratike doli menjëherë për të përgënjeshtruar spektaklin e kryeministrit. Nuk e them me bindje - në PD ka kohë që bëhet keq politika - por do të më vinte mirë të mendoja se po të kishte folur zoti Kryeministër mbarë dhe si duhej, pse jo edhe me elegancë, mbase edhe atë zëdhënësen do ta orientonin të përqendrohej në shifra dhe në fakte, gjithaq do t’i kishin kërkuar të përmbante ironinë. Por nëse Kryeministri dhe Ministri i Transporteve do të respektonin edhe ata rolin e zëdhënësve, me siguri do të flisnin ndryshe, pasi ata (zëdhënësit) t’iu kishin sugjeruar të merrnin në sy çfarë është bërë, sa km. rrugë janë ndërtuar, pavarësisht defekteve të tyre, sikundër do t’iu kujtonin që ato rrugë janë bërë me lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe çka mbetur për t’u paguar, gjithashtu do të dalë nga taksat dhe mirëqenia e tyre.

Mediat gjithashtu nuk e ndihmojnë si duhet këtë situatë, për shkak të anësive që parapëlqejnë apo janë të detyruara të praktikojnë. Në disa prej tyre, haptazi bëhet thirrje për “revolucion”. Në disa të tjera, ngase mungon informacioni i duhur e vullneti për investigime, “përkthehen” pareshtur deklaratat e palëve e të individëve, me një fjalë, mbahen pozicione inaktive. Më në fund, me keqardhje ripohoj se ne shqiptarët nuk duam t’i ikim ekstremizmit. As që e kemi ndërmend. Kjo është sanksionuar me sa duket në ADN-në tonë. I gjithë tranzicioni, gjatë të cilit shpesh të vjen në mendje vargu i Eposit “Fort po shndrit njaj diell e pak po nxeh…” ka treguar: mungesë vullneti për të performuar sipas modeleve perëndimore; bindje pa kushte ndaj interesave të ngushta partiake e ndaj atyre të klaneve që nuk nginjen, (por edhe sulmojnë për t’u mbrojtur sepse janë mjaft të ngarkuar abuzimesh); më në fund, pse jo edhe për të përmbushur fiksimet e (disa prej) fqinjëve e “miqve” që nuk se janë dalluar për dashamirësi ndaj këtij vendi. Kjo ndodh në një kohë që shumë shtete të tjerë, të vegjël, gjithashtu me të kaluar socialiste a moniste, kanë gjetur rrugën e tyre të prosperitetit. Dhe nuk iu ndihet zëri. Me sa duket, ne po vuajmë të shkuarën tonë, nga e cila nuk paska Zot të na shkulë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: