Sulejman Pitarka, aktori që shkëlqeu
| E Diel, 09.02.2014, 04:53 PM |

Luante me përpikmëri si labin, malësorin, çamin, myzeqarin,  dibranin, shkodranin…

Sulejman Pitarka, aktori që shkëlqeu si në dramë edhe në komedi

Flasin: Luftar Paja, Ahmet Pasha, Alfred Bualoti, Andon Qesari dhe Fadil Kujofsa

Nga Albert ZHOLI

Më datën 2 shkurt është ditëlindja e aktorit të madh Sulejman Pitarka. Ndoshta ai mban një rekord ndër aktorët shqiptarë, pasi kryerolin e tij tek drama “Pjata e drunjtë” e luajti në moshën 82 -vjeçare, plot kompetencë, finesë, korrektësi, memorie perfekte, sa mund  të themi i “mori para” më të rinjtë. Sulejman Pitarka, lindi më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibër dhe vdiq në Tiranë më 24 mars të vitit 2007, ishte një aktor shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX, i nderuar me titullin “Artist i Popullit”.

Sulejman Pitarka ka luajtur me sukses rreth 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinema. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927-n, kur ai ishte në moshën tre vjeçare familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë.

Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – ‘47) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit.

Më 1951-n, u përzgjodh për t’iu bashkangjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi.

Ahmet Pasha “Artist i Merituar”

Sulejman Pitarka është një njeri i veçantë. Ai  ka vlera të veçanta, si aktor, si krijues dhe si njeri. Unë në fakt me Sulën jam njohur qysh ditën e parë që kam ardhur në Teatrin Kombëtar qysh në një Janar të vitit 1971, dhe e kam gjetur kur përgatitej për rolin e aktorit tek drama Arturo Ui. Pra ai luante këtë rol të aktorit. Unë e kisha parë në disa role  më parë sidomos tek një komedi e Qamil Buxhelit, ku ai kishte rolin kryesor. Ai bënte dallim nga aktorët e tjerë. Në atë kohë kishte shumë aktorë të mëdhenj dhe ai binte në sy për origjinalitetin e tij, për veçantinë e tij, individualitetin e tij. Kur u ballafaqova me të, kur unë kam lozur në dramën Arturo Ui, si roli im i parë, kam ngelur i befasuar, nga mënyra se si punonte, nga mënyra se si zgjidhte personazhin, nga mënyra se si, punonte plastikisht. Në të gjitha skenat ai ishte i befasueshëm, sa unë e shikoja me zili. Më pas kam lozur disa role me të  duke filluar nga “Doktori pacient”, deri tek roli i fundit te “Pjata e drunjtë”. Unë kam luajtur shumë role me të, kam punuar shumë vite me ‘të, dhe mund të them se sa herë kam punuar me ‘të jam ndjerë rehat, jam ndjerë i qetë, pasi ai të nxiste të luaje mirë. Duke pasur atë si partner, ai më vëzhgonte dhe si shok dhe si nxënës dhe nuk hezitonte të të bënte korrigjime shumë miqësore, pasi vetë ishte shumë i aftë. Për mua ai mbetet një nga aktorët më të mëdhenj të teatrit shqiptar, duke pasur parasysh aktorët në gjithë hapësirat  mbarëshqiptare, për vetë filozofinë e lojës së tij. Shkëlqente në dramë, po aq shkëlqente dhe në komedi. Luante të gjitha rolet e personazheve. Ai ishte real. Ne kemi pasur shumë aktorë, por që kishin një shkëlqim ose në dramë, ose në komedi. Sulejman Pitarka shkëlqente në të dyja këto gjini. Ishte i veçantë. Ishte një aktor që personazhin e tij e mbështeste bukur, pasi i luante me vërtetësi.  Mënyra e vërtetësisë që ai luante dukej se kalonte në natyralizëm. Ai kishte natyrshmëri aktoreske se sa natyralizëm. Kishte një  botë të madhe emocionale dhe një logjikë të hekurt. Ishte mjeshtër i dialekteve. Luante me përpikmëri si labin, malësorin, çamin, myzeqarin,  dibranin, shkodranin...  Ishte njeri me shumë kulturë dhe lexonte shumë në gjuhë të huaja. Ai do të mbetet fuqishëm në historinë e teatrit shqiptar.

Luftar Paja “Artist i Popullit”

Unë Sulejman Pitarkën e kam njohur shumë herët qysh në vitin 1963, në kohën kur kam bërë “Studion” njëvjeçare pranë Teatrit Popullor (parapërgatitjen). Në atë kohë “Studio”-n kryenin të gjitha aktorët e trupave amatore, ose ata që parapërgatiteshin për Akademinë e Arteve. Në atë  kohë kur unë po bëja “Studio” pashë nga afër ata korifenj të pazëvendësueshëm të TP si:  Mihal Popi, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Kadri Rroshi, Prokop Mima. Pra ishte koha, kur ata ishin në kulmin e tyre dhe të rrije pranë tyre ishte nder. Rasti e pruri që unë të luaja me Sulën në vitin 1973 në filmin “Streha e re”, i cili ishte filmi i parë për mua dhe  të qenit pranë Sulës, duke parë interpretimin e tij, ishte një shkollë e madhe për mua.  Ishte ai Sula, me një forcë të madhe interpretimi, me cilësi më tepër se aktorët e tjerë, pasi ishte një aktor i shkëlqyer i komedisë, por po kaq dhe në dramë. Por dua të them se, Sula ishte dhe një krijues shumë i mirë, ku mund të përmendim “Familja e Peshkatarit”.  Nga Sulejman Pitarka kam mësuar vlerësimin, e personazhit. Ai të mësonte se si t’i jepje atë vërtetësi, atë nur, që duhej se si ta gjeje. Për mua ai mbetet një aktor shumë konkret, shumë spontan, që dilte nga çdo situatë.  Unë kam luajtur dhe me Sandër Prosin  dhe me Kadri Roshin dhe me Ndrek Lucën, Violeta Mnaushin, por Sula ishte pak ndryshe, pasi luante në të dy gjinitë me po atë forcë. Unë kam luajtur me Sulën edhe tek filmi, “Gjeneral Gramafoni”, “Guna përmbi tela” dhe në fundin e jetës së Sulës, e kam pasur partner direkt tek “Pjata prej druri” me regji të Gëzim Kames. Unë isha Samiu, shoku, miku i tij që donin ta çonin në azil, ku në çdo çast isha nën peshën e madhe të Sulës. Në këtë pjesë përforcova më shumë pjesën e lojës tërë seriozitet të Sulës. Ai në këtë pjesë dominoi, aktroi, luajti në mënyrë perfekte.  Ai punoi shumë me këtë rol që në tavolinë dhe në teatër ai vinte i përgatitur. Veçoj atë, që në moshën 82 vjeç ai na sfidoi të gjithëve, na udhëhoqi të gjithëve, na orientoi të gjithëve. Pra në moshën më të madhe ai ishte më korrekti, me momerie më të freskët, që na vuri përpara neve, aktorëve më të rinj.

Fadil Kujofsa-aktor

Përpara se të them diçka për figurën e Suljeman Pitarkës, si artist, dua t’i bëj një apel Presidentit të Shqipërisë. Që kjo figurë e madhe të zërë vendin që i takon, krahas shumë kolegëve të tij që kanë marrë titullin e madh “Nderi i Kombit”, Sulejman Pitarka mbetet një korife i teatrit shqiptar, pasi ai ishte krijues, regjisor interpretues. Ai ishte “Artist i Popullit”, ishte një njeri, një qytetar i pastër që me veprat e tij krijuese, interpretuese,  ka sjellë shumë në drejtim të artit skenik dhe atij filmik shqiptar. Ai hyn në njerëzit e kulturuar të artit shqiptar, pasi në jetën e tij krijuese, ai është dalluar si dramaturg, si aktor, dhe si regjisor. Pra me të tëra këto, ai përbën një pasuri që rrallë mund ta ketë aktor tjetër, pasi ai e pasuroi shumë skenën shqiptare, me aftësitë e tij, me punën e tij, me mënyrën e komunikimit të tij, me rolet e tij dhe me zgjuarsinë e tij. Si zor se mund t’i vijë skenës shqiptare një Sulejman i dytë. Ai së bashku me Naim Frashërin, Kadri Roshin, Sandër Prosin, Ndrek Lucën, Prokop Mimën, Mihal Popin, Violeta Manushin, Drita Pelingun, Margarita Xhepën, Tinka Kurtin e shumë e shumë të tjerë, (më fal që mund të kem harruar ndonjë tjetër (së bashku me regjisorët e asaj kohe si Spahivogli, Luarasi, Pirro Mani, i kanë dhënë tonin këtij arti siç është teatri në Shqipëri. Pitarka ishte një aktor i dramës, por dhe i komedisë. Ishte aktor shumë -planësh, por ishte dhe një qytetar dhe një familjar shembullor. Unë për herë të parë e kam njohur në vitin 1974, kur fillova punë në TK dhe prej asaj kohe kam pasur shumë  bashkëpunime dhe biseda pa fund. Do të përmend vetëm bashkëpunimin e parë në një dramë të z. Ciklulit në 1974-n, ku Pitarka ishte në rol të regjisorit në këtë dramë dhe unë kisha një rol të vogël. Do të veçoj dy shfaqje të tjera, në dramën “Furrnalta” të Ruzhdi Pulahës në vitin 1979, dhe në shfaqjen “Kështu të dua” të Pëllumb Kullës, në vitin 1981, ku unë e kisha partner këtë aktor të madh. Dashuria që kishte ai për profesionin mund të shtrihej deri në rrafshin teknik. P.sh, ai nuk vinte një orë, por dy orë përpara shfaqjes. Përgatitesh, vishesh, bënte makijazhin dhe fillonte përsëriste tekstin e tij. Ai rrinte anash skenës dhe shikonte sallën. Ambientohej me të, me hyrje -daljet. Por ajo që ka lënë gjurmë më shumë në jetën e tij artistike ishte drama “Pjata e drunjtë” me regji të Gëzim Kames.  Ishte plot 82 vjeç dhe hyri në skenë me një mendje të kthjellët sikur të ishte 25 vjeç. Ishte një kryerol, sa të gjithë ne kolegët e tij jemi habitur. Ka luajtur me përpikmëri, me saktësi, me një virtuozitet sikur të ishte në kulmin e karrierës. Një rol të tillë në atë moshë mund ta bënte vetëm një aktor i kalibrit si Sulejman Pitarka. Kishte një energji të brendshme që të habiste. Kur ishte sëmurë dhe mjekët i shkonin në shtëpi, ai i jepte forcë bashkëshortes dhe pse ishte i sëmurë. Mua personalisht më mungon, për shakatë e tij, humorin, për seriozitetin në punë, për atë madhështi që sillte në skenë. Ai në skenë të përpinte, ishte zor ta përballoje.

Andon Qesari- Mjeshtër i Madh

Në Dramën “Shënomëni edhe mua”, më ka bërë përshtypje të veçantë figura e Rrapo Shkëmbit, krijuar nga Sulejman Pitarka. M’u dha mundësia ta ndjek nga afër krijimin e kësaj figure që nga fillimi i saj, leximi në tavolinë e deri në shfaqjen e fundit. Ishte jo vetëm kënaqësi për mua, por edhe një mësim i madh nga një eksperiencë e pasur, që gjente mishërim në çdo hap të kristalizimit të kësaj figure nga artisti ynë i nderuar.

Duke qenë partner i tij (interpretova rolin e Besnikut, sekretarit të organizatës bazë të partisë) do të mundohem të bëj të qartë se cilat ishin ato tipare bazë të kësaj figure që me të drejtë në diskutimet e zhvilluara gjatë atij takimi u quajt një nga krijimet më të mira aktoriale.

Porsa hapet perdja ne shohim të futet Rrapo Shkëmbi plot dinamizëm e shqetësim.

Rrapua: - Na moj Seli, ç’ma bëre atë copë kalemi?

Me këtë thënie të thjeshtë, por plot kuptim e shoqëruar kjo edhe me ndonjë pasthirrmë, e fillon krijimin e figurës Sulejman Pitarka. Në pikëshikimin e parë kështu të duket, por jeta e personazhit Rrapo kishte filluar qysh më parë. Vija re që artisti, edhe pse autori nuk i kishte dhënë ndonjë ngjarje apo fakt konkret, përpara se të fillonte veprimi skenik e ngarkonte veten me një monolog të brendshëm, ku bluhej gjithçka kishte ndodhur para fillimit të shfaqjes, pra pas kulisave. Artisti bënte disa lëvizje, ecejake, lëshonte ndonjë pasthirrmë (lëvizjet e tij ishin plot gjallëri) dhe si pa pritur futej në skenë. Kjo frazë, që shënonte fillimin e jetës skenike të figurës, në dukje aq e thjeshtë, bënte të qartë para syve të spektatorëve dhe ne partnerëve tërë atë parapërgatitje, atë përqendrim psikofizik që i bënte artisti vetes së tij. Ajo sillte në skenë tërë shqetësimin e Rrapos. Ne kuptojmë se Rrapua dikë ka takuar rrugës që i është ankuar për problemet e kooperativës së re, që do të ngrihet. Ai na jep të qartë se rruga drejt kolektivizimit është e vështirë dhe plot sakrifica, dikush e kupton kolektivizimin, dikush jo. E pyeta artistin lidhur me atë çka thashë më sipër e ai m’u përgjigj shkurt dhe qartë:

“...asnjëherë aktori, me cilësinë e figurës që interpreton, nuk duhet të futet në skenë pa ditur se ku ka qenë, çfarë ka parë, kë ka takuar, ç’lajm do të shpjerë në skenë, çfarë do të kërkojë dhe pse do ta kërkojë atë, me një fjalë pa një monolog të brendshëm. Ky monolog duhet të ndërtohet në bazë të të dhënave që të jep autori për karakterin që luan dhe rrethanat në të cilat ai vepron...”

Artisti interpretoi këtë radhë një figurë qendrore pozitive dhe sigurisht duket vështirësia dhe përgjegjësia që ndjejnë aktorët në interpretimin e këtyre figurave. Nuk mjafton vetëm që ajo të tingëllojë e besueshme, e sinqertë dhe bindëse, por nga ana tjetër figura e xha Rrapos mban me vete pothuajse një pjesë të mirë të ideve që lidhen me tërë tingëllimin ideo-artistik të veprës. Sulejman Pitarka e kapërceu këtë vështirësi dhe na dha me këtë krijim një model të bukur se si mund të punohet për mishërimin e këtyre figurave, se si mund të bëhen ato të dashura dhe të paharruara për spektatorin, duke hedhur poshtë edhe ndonjë mendim të gabuar: “S’ke çfarë t’u bësh figurave të tilla”! Rrapua i Pitarkës është shembull që tregon, se për të tilla krijime duhet mund dhe djersë, duhet studim, net pa gjumë, gjurmim të jetës. E këto nuk bëhen lehtë po qe se dëshiron të krijosh një figurë me dinjitet artistik.

Xha Rrapua i Pitarkës mbart në vetvete ato tipare që e bëjnë atë jo vetëm të besueshëm, por që të duket se diku e ke parë, diku e ke dëgjuar, ndoshta e ke edhe në familjen tënde, ai është tamam si babai, xhaxhai, apo komshiu yt, etj..

Ngrohtësia prindërore dhe ashpërsia aty ku duhet, janë dy tipare që evidentohen bukur nga artisti që në dialogët e para. Këto tipare bëhen një trampolinë interesante dhe ngjiten në fundin e tablosë të parë. Sa i ngrohtë, sa emocional është xha Rrapua i Pitarkës, kur Luftari i thotë se nusja mund të lindë edhe vajzë, e ai i përgjigjet:

Ky krijim dinjitoz i xha Rrapos nga Sulejman Pitarka përbën një eksperiencë, ku aktorët e rinj mund të mësojnë mjaft se si duhet ndërtuar një figurë artistike, se si i përdor artisti i talentuar e i vullnetshëm elementët e mjeshtërisë së aktorit, çfarë domosdoshmërie marrin perfeksionimi i këtyre elementëve në një krijim me të vërtetë artistik.

Krijimet dinjitoze të “Artistit të Popullit” Sulejman Pitarka janë shembuj e dhurata të çmuara që i ka dhënë ky artist spektatorit të teatrit tonë në gjithë veprimtarinë e tij artistike.

Alfred Bualjoti-regjisor, aktor

Me Sulejman Pitarkën kam shumë kujtime, shumë takime... E kam njohur këtë aktor të veçantë në vitin 1969, kur kam ardhur për herë të parë në Teatrin Kombëtar në studio. Isha në studio të TK ende nuk isha aktor profesionist. Pra deri atëherë kisha parë vetëm oborrin e TK-së, i cili llamburiste, me pastërti, rregull, disiplinë. Në skenë nuk hynte kushdo. Parketi shkëlqente, rregull në dhomat e veshjes, skena ishte e shenjtë. Unë si anëtar i studios së teatrit kisha të drejtë të hyja në skenë pasi luaja role figuranti. Pra për herë të parë u futa në skenë kur, Pitarka luante rolin e një ushtaraku  në dramën e Bashkim Kozelit, “Sinjali i Kuq”. Ai zbriste shkallët e dhomës së  veshjes për të hyrë në skenë. Unë u ndodha në fund të shkallëve. Nga hapat e tij ngrita kokën lart. E pashë dhe shtanga. Një palë rroba xixë, shik, që i shkonin shumë. Dukej si një oficer madhor me të gjithë madhështinë që të jep uniforma. Dua të theksoj se, ato personalitete të teatrit të atëhershëm vinin në teatër deri 2 orë përpara shfaqjes. Visheshin, bënin grimin, bënin tualet, pastaj ambientoheshin me skenën. Madje, shkonin dhe në aneks dhe pinin cigare për të parë nga larg sallën.  Ishin: Prokop Mima, Pirro Mani, Pjetër Gjoka, etj.. Pra ky ka qenë takimi im i parë me Sulejman Pitarkën, ballë për ballë. Më pas unë shkova në Akademinë e Arteve dhe u ktheva pas disa vitesh. Kur u ktheva si aktor Sulejman Pitarka do vinte në skenë si regjisor një dramë të Ziso Cikulit “Tymra që pastrohen”. Në praktikën e saj kohe, autori do të lexonte pjesën e tij përpara aktorëve me qëllim që të ngacmonte tek trupa idenë e tij. Sulejmani si një gur i rëndë, bllok i rëndë, e dëgjoi me vëmendje, pasi gjatë leximit autori dhe lotoi. Kjo ishte shfaqja e parë që ka vënë në skenë Pitarka si regjisor, pro me sa di dhe e fundit. Ndërsa si autor ai ka realizuar “Familja e Peshkatarit”. Ai ishte një njeri i saktë, korrekt  dhe i kënduar. Lexonte shumë dhe në atë dramë unë pashë dhe njoha nga afër njohuritë e tij, mënyrën e komunikimit të tij, mënyrën e bashkëpunimit. Unë luaja rolin e një inxhinieri të ri dhe mënyra se si punoi ai me mua, se si më orientonte, se si duronte në zbërthimin e karakterit të rolit tim, më kanë lënë gjurmë të mëdha. Pra, në këtë rol, pashë një punë të parë, pasi na frymëzonte, na nxiste, na kërkonte s’na linte në heshtje. Ky rol shërbeu shumë në jetën time artistike. Pra më hapi shumë shtigje. Më pas unë kam luajtur me ‘të një komedi, të Pëllumb Kullës “Kështu të dua” në vitin 1981. Në skenë e vuri regjisori Esat Okrova. Në rolet kryesore ishin Sulejman Pitarka, Agim Qirjaqi, ku dhe unë kisha një nga rolet kryesore. Në disa skena unë isha koleg me ‘të dhe aty pashë një aktor të madh, përballë tij më dukej vetja i vogël. Qëndrimi i tij, plastika e tij, vlerat e komunikimit të tij, mënyra e të shprehurit të dialogut nëpërmjet futjes në problemin, hallin e personazhit, ngarkesës së personazhit, ishin cilësi që rrallë aktorë i kanë. Përballë tij kishte aktorë që nuk flisnin dot, apo ngatërronin tekstin, pasi ai ishte vigan në skenë, të përpinte. Në të gjitha rolet ai vinte duke e rritur nivelin artistik. Edhe kur kishte role të dyta, role të karakterit, ai sërishmi i nxirrte të plota me atë përgjegjësi, me atë nivel sa rolet kryesore. Kur shkonim për të dhënë shfaqje në fshatra, ai ambientohej me fshatarët, bënte shaka, humor. Një detaj tjetër është se Sula krijonte vetë barsoleta shumë të bukura. Por nuk harroj rolin e tij të fundit tek “Pjata e drunjtë” me regji të Gëzim Kames. Më befasoi. I qartë, plot energji, plastikë, i saktë. Askush nuk e besonte se do të arrinte atë nivel. Ishte plot 82 vjeç. Vetëm një aktore bullgare më ka bërë përshtypje që ka luajtur rol në këtë moshë. Kishte ardhur në Festivalin e Teatri në Butrint. Ndaj mund të them se Sulejam Pitarka mbetet aktor i rrallë, njeri i mirë, gur i rëndë, që peshën e tij si zor ta zëvendësojnë sot.

Filmografia

Dramat e Komeditë

Loin des barbares - (1994)

Vdekja e burrit - (1991) ...Diplomati

Historiani dhe kameleonët - (1989)...Zenel Beu

Rrethimi i vogël - (1986) ...........Llambi Guri

Nata e parë e lirisë - (1984)

Nxënësit e klasës sime - (1984)......Çelo Kasapi

Në prag të lirisë - (1981)

Shtëpia jonë e përbashkët - (1981)

Agimet e stinës së madhe - (1981).....Ali Beu

Goditja (1980)

Ballë për ballë - (1979).......Zheleznovi, Komandanti Rus i Bazes

Gjeneral gramafoni - (1978)...Xha Avdiu

Pas gjurmëve - (1978)...Xha Lipja

Gunat mbi tela - (1977)...Gjenerali

Tinguj lufte - (1976)...Galip Shkëmbi

Horizonte të hapura - (1968)...Sokrati

Debatik - (1961)...Mësuesi

Teatër

Familja e peshkatarit

Shtatë shaljanët

Vajza nga fshati

Trimi i mirë me shokë shumë

Doktor Aleksi

Besa e madhe

Epoka para gjyqit

Prefekti

Toka jonë (teatër)

Televizori

Otello

Gratë gazmore të Uinsdorit

Valon Drogirashi

Borgjezit fisnik

Arturo Ui

Pjata e drunjtë



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: