Vangjush Saro: Çfarë po ndodh me ne shqiptarët?
| E Marte, 04.02.2014, 08:05 PM |

Çfarë po ndodh me ne shqiptarët?

N/Titull: Na duhet një frymë tjetër…

Nga Vangjush Saro

Edhe pse shumë përpjekje në këtë vend shkojnë dëm, midis tyre edhe të shkruarat, prapë e vlen të ndalemi në ndonjë temë të vështirë dhe ku kolegët shkelin rrallëherë. Është fjala për sjelljen gjithnjë të vjetëruar dhe në kundërshtim me parimet e kohëve moderne, kur ndryshe nga bota, politikanët shqiptarë mbeten përherë, orë e çast, vend e pa vend, në fokus. Patjetër, të ndihmuar nga mediat, nga departamente të caktuara të tyre, me frymëzime të çuditshme, a thua jetojnë në hënë. Po bëj një retrospektivë të vogël, sado letrare në dukje, për të ftilluar edhe më tej atë që dua të kumtoj. Një ndër imazhet e shumta dhe të paharruara të fëminisë sime, është ai i një gruaje të bukur, por fatkeqe; burri i saj qe vazhdimisht i sëmurë. Dhe njerëzit, rrugicave të fjetura shpesh të mardhura bore, pëshpërisnin: “Po kjo, për kë pispilloset?...” Sigurisht, do të shkonte shumë kohë që unë ta kuptoja këtë; të kuptoja e të pranoja gjithashtu se çdokush, në njëfarë mënyre, ka jetën dhe ndijesitë e veta.

Më erdhi ky subjekt i hershëm ndërsa ndiqja për pak kohë, në një TV të njohur, një panel plot me snobë që diskutonin për…veshjen e njerëzve që bien më shumë në sy(!) Kohët e fundit, politikanët kanë pushtuar të gjitha pistat. Ata pushtuan krejt papritur atë të letërsisë. Në TV, i pashë të pushtonin edhe modën. Dhe kështu, ndërmenda atë grua që mbase për dekada s’e kisha kujtuar. Por ndërkohë, çuditërisht, mendova edhe për Angela Merkel, së cilës i kanë bërë ndonjë kritikë për veshjen; dhe për dy udhëtimet e mia në Gjermani. Në Koblenc, një qytet buzë Rinit, krejt në gjelbërim e në lule, Dhoma e Artizanatit ku ne ishim të ftuar, kishte zyra, kishte shkollë (profesionale), mjedise për kurse (kualifikimi) nga më të ndryshmet, sallon ekspozitash dhe ndërkaq botonte nja dhjetë gazeta, revista e buletine. (Dhomat tona të Tregtisë rrinë me qera andej-këndej dhe s’iu ndihet zëri i gojës…) Mendoj se analogjia është e qartë. Po kur, kur do ta kuptojmë ne se duhet të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin?

Politikanët shqiptarë janë të kredhur në luks dhe kjo vjen ndesh me gjendjen e shumicës së njerëzve në Shqipëri; gjithaq me hallet institucionale e të reformimit të vendit. Pyetja shtrohet: kujt ia tregojnë ata rrobat e bukura dhe të shtrenjta? Mua më pëlqen që njerëzit, e sidomos femrat, të mbahen sa më bukur. Dhe as njerëzve me pushtet nuk kam ndërmend t’iu mbaj pishën. Por ka disa episode që nuk mund të gëlltiten. Një minutë e gjysmë është e shumta e kohës që mund të shohësh në TV Kryeministrin e Kanadasë.  Këtu të mbijnë në sy këta…që nuk di si t’i quaj. Tani edhe për…mënyrën se si vishen(!) Ky tangërllik është tepër; po na gremis. Gjysmë ngritur e gjysmë rrëzuar, kokën nga Perëndimi, ndijesitë dhe zakonet nga Lindja, për ne, kërleshja, tritoli dhe kallashi janë “metaforat” më të dashura. E ndërkaq, në një sërë dyqane, listat e ushqimit janë po aty. Dhe në çdo katër-pesë metra, një pllakë (trotuari) ngrihet përpjetë të të gostitë me cërka uji e balte. Pamja urbanistike e Tiranës, për të qarë hallin. Trafiku një stërmundim. Kultura jashtë orbite. (Konkursi kombëtar letrar ishte një turp. Kujdesi ndaj trashëgimisë më të mirë - po kujtoj se si po bie shtëpia e Gjergj Fishtës - edhe më përtej turpit.) Dhe njerëzit ngado, kanë në fytyrë njëlloj nervoziteti…

Me të vërtetë, kujt ia tregojnë ata (dhe mediat e tyre) veshjet e bukura e të shtrenjta, në një kohë që nuk kanë pikën e vullnetit për të biseduar si njerëz të qytetëruar, për të krijuar një klimë mirëkuptimi e bashkëpunimi? Vë re, që në rrugë nuk ecën dot krah gruas a një miku, por resht për një…Aq kaos është; nga makinat, tezgat, njerëzit, për të mos shkuar më tej…Në ekran, s’guxon t’i hedhësh sytë, se shumë zyrtarë e partiakë mallkojnë vend e pa vend dhe një pjesë janë gati t’i lëshohen tjetrit me hu në dorë. Kjo ngushtësi e kjo mungesë ajri e hapësire, fizike dhe morale, po e vë shoqërinë shqiptare në pozita të mjera e qesharake. Pse jemi kaq të sertë, “trima” e të trembur njëkohësisht, vanitozë dhe gjithaq të mbytur në komplekse; të lodhur më në fund?…Dhe përse mediat tona (të panumërta) merren kaq ngeshëm me veshjet e politikanëve dhe me tekat e miss-eve; përse ato performojnë si buletine (tejet) zyrtare e të kulturës së nudos dhe nuk investigojnë (për t’i dhënë kuptim misionit të tyre)? Për një sërë problemesh në zgjidhje të të cilëve thurren fraza pa fund, hamëndje, të vërteta, shpifje a trillime, është koha të investigohet dhe të sillen fakte dhe argumente.

Nga të gjitha krahët, bëhet fjalë e hidhen përpjetë slogane për ndryshim. Por ndryshim pak vërehet. P.sh., mënyra më e mirë për të qeverisur, ende është ajo e spektaklit përballë masave e veprimeve korrekte e konkrete. Në një nga shkrimet e mëparshme, kisha preferuar titullin “Nga duhet t’ia fillojmë?” Ka shumë përgjigje. Njëra prej këtyre përgjigjeve, është: Nga ajri. Nga fryma. Na duhet një tjetër frymë. Që do të thotë se duhet të kuptojmë thellësisht nevojën e ndryshimit. Duhet të dalim nga vetja. Të harrojmë për një çast origjinën tonë feudale. La postin e kryeministrit një zyrtar në një nga vendet e Beneluksit dhe shkonte në punën e re me biçikletë…Ne jemi ala te frëngjitë e te urrejtja e te fotografitë në pëqi të xhaxhi Enverit… Nuk ka ku të shkojë më keq. Pra, hajde…t’ia fillojmë duke ikur nga frëngjitë e duke imituar jo merhumin, por atë zyrtarin me biçikletë…Por nuk na ndjekin dot pushtetarët dhe ish-pushtetarët, sepse ata janë të rënduar nga pasuritë e vëna në mënyrë të padrejtë. Duhet të presim atëherë…të zgjohen institucionet. Por për një frymë tjetër kanë nevojë edhe ata. Prisni dhe shpresoni. (A. Dyma)



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: