Pëllumb Gorica: Trokite mes dimrit
| E Marte, 04.02.2014, 08:55 PM |

POEZI

Pëllumb Gorica

 

Telajoja e ëndrrës

Piktorit të Popullit Vangjush Mio

 

Dielli të kish hedhur në vite një kurorë me rreze,

penelat të ftonin për të derdhur dritë magjie,

ashtu mbete, me kavaletin e hapur dhe pas reve,

me dorën që hidhte rreze të reja nëpër agime.

 

Mbeti e verdha jote në pasqyrë liqenore

e shpirti yt flakërin si engjëll në Mal të Thatë,

ndriçonte në kopshte drita vjeshtore,

ti e ule pa zhurmë në bezen e bardhë.

 

Rende në kohë me shpirtin bohem vetmitari

dhe peneli yt drejt zemrash me krahë nositi,

liqeni t’i mori sytë që xixëllinin si zjarri

e netëve na dhe dritë të magjishme nga shpirti.

 

Trokite mes dimrit

 

Trokite mes dimrit me mjegull mbuluar,

të fshije pak pluhur në kujtimet e mia,

dhe ndeze padashur një diell të harruar,

atë që ndez nostalgjia.

 

Në netët me yje, me dritë e me hënë,

Lundron ti, kapitene e ëndrrave t’argjendta.

Oh, shpirti yt pluhur të zi ka zënë

dhe s’pranon të hyjë askush brenda!

 

E heshtur, e kredhur keq në skëterrë,

fatbrengosur, pa shpresë e shpëtim,

si balsam e ke ndjerë në jetë përherë

mesazhin që të çon shpirtit im.

 

S'reshtin tingujt e  këngës

 

Truallit të përskuqur mbushur me lule,

kurrë s’reshtin tingujt e këngës,

si dashuri në shpirt vijnë të ulen,

krijuar pareshtur nga hojet e zemrës.

 

Na ranë diktatorë e tiranë,

por ne këngët i nxorrëm nga palca e dheut,

me zërin e erës kushtrimet ranë,

më bukur se tingujt e Orfeut.

 

Ju ratë për atdhe në mal e fushë,

që këngët të vijnë era pranverë,

emri juaj me drithma na mbush

dhe qiellit na flet një ylber.

 

Shkojnë e vijnë vargan përvjetorët,

lulet edhe më të kuqe nëpër shpate kanë mbirë,

bari më i gjelbër në livadhe bëhet në motet,

më shumë ngroh në glob dielli i lirisë.

 

Otreku  i  vdekjes

Tragjedisë së shkaktuar nga orteku në Restelicë të Dragashit

 

Tinzare ra kjo borë e parë,

si mik kur vjen i paftuar,

mesnata fle një gjumë të vrarë

në dhimbjen e mbuluar.

 

Një heshtje ulet përmbi shesh,

buzëqeshjet ngrin mes territ,

si djall me kostum resh,

tek mblidhte vrerin e ferrit.

 

Dhe orët mbledhin ditët tok,

urrejtjen e fshehur pa cak,

me lot të ngrirë u mbush kjo tokë,

gjithçka u mbyt në gjak.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: