Elvi Sidheri: Eksportojmë punë (dru me pre!)
| E Diel, 26.01.2014, 07:15 PM |

Eksportojmë punë (dru me pre!)...tek fqinjët e “pasur”!

Nga Elvi Sidheri

Që qeveria e re do hapte me një të rënë të lapsit plot 300 mijë vende të reja (fringo) pune, këtë fakt e dinte tashmë prej muajsh kushdo, ndoshta edhe ai trumcaku i imët cicërues në degë të pemës, por një detaj “përcaktues” mungonte akoma për t’a bërë realitet të gjallë dhe të prekshëm “Edenin e Ri” të Shqipërisë sonë paszgjedhore.

...”Tub, ku tub, si tub”?- thuhej dikur në një skeç të bukur para viteve 90-ë nga aktorët e estradës së Shkodrës, teksa interpretohej roli i dikujt që po vidhte një dorë tubash nga fabrika dhe rrekej të shfajsohej pasi qe zënë “gafil” me duar në presh duke kryer këtë gjest.

...”Punë, ku punë, si punë”?- duhet të jenë vetëpikëpyetur edhe shumë shqiptarë pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa të esëlluar si pasojë e rezultatit të garës elektorale, tashmë u dilte nevoja të përballeshin me realitetin e ri post-gjysëmrotacion.

Pra gjithë çështja përmblidhej brenda një pyetjeje themelore...:”Nga dhe si do do të sajoheshin këto të bekuarat 300 mijë vende pune nga qeveria”?

Kantiere të reja ndërtimi nuk pritej të hapeshin më për disa vite, rrugë mjaft janë shtruar nga qeveria e vjetër, mal pa çarë tejpërtej me tunele nuk kemi lënë në këmbë, marrëveshjet me FMN-në (siç tregon edhe gjerësisht eksperienca “e vyer” ndërkombëtare, shembull i fundit Greqia) nuk të lenë të investosh asgjë, por e shtyjnë shtetin drejt krasitjes së administratës, të shërbimeve, uljes së pagave, ngrirjes së pensioneve dhe shtuarjes e ngritjes së taksave të gjithëçfarëllojshme...kështu që vend për të krijuar punësim mbetet pak, po pak fare-fare (sistemi shqiptar...”militanti im në vend të tëndit”, nuk përfshihet në këtë çështje).

Atëherë?

Zgjidhje ka...tashmë pas 23 vjetësh “eksportim” të resurseve njerëzore dhe intelektuale drejt Perëndimit të përparuar, qytetëruar dhe kulturuar, pas një emigrimi masiv të shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Francës, Britanisë, SHBA dhe Kanadasë, ka ardhur më në fund koha që populli ynë “i papunë” të nisi t’a vlerësojë fort seriozisht mundësinë që “eldoradon” e vet t’a kërkojë pranë kufinjve shtetërorë të mëmëdheut, në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi (thonë edhe Turqi).

Ku paskemi qenë thuaj!!

Kemi jetuar kot, ia kemi mbathur lart e poshtë anembanë treçerekut të planetit Tokë pa e pas vënë re, se ngjitur me vendlindjen tonë, ekzistojnë shtete të zhvilluara, moderne dhe tejet të pasura, në kërkim “ të ethshëm” për krah të lirë pune shqiptar.

Në fakt, do përmendur patjetër që përpara se kjo shkrepëtimë gjeniale të qe ndezur si zjarr i pashuar frymëzimi “popull-punësues” në mendjet e qeveritarëve tanë “23 qershoras”...gjithësesi ndoca banorë të Republikës së Shqipërisë, fatin (apo bukën e gojës dhe të fëmijëve e familjes së tyre) për pak euro apo denarë, e patën provuar qysh prej kohësh në këto vende.

Fushat me duhan të zonës së Prilepit në IRJM për shembull, në vitet 90-të “frekuentoheshin” shpesh nga “gjynahqarë” shqiptarë, punëtorë me mëditje dhe paga qesharake e trajtim çnjerëzor nga pronarët sllavë të asaj ane, të rinj që nuk kishin aq lekë sa të paguanin skafistët për ndonjë udhëtim “me kokë në torbë” nëpër ujërat zakonisht vdekjeprurëse të Kanalit të Otrantos, ose që shtigjeve të ngrira të malit të Gramozit për në Greqi, u druheshin paq.

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 midis forcave maqedonase të sigurisë dhe guerrilasve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sa herë sllavët ngecnin në hyrje të Haraçinës apo maleve mbi Tetovë e nëpër katundet e Kumanovës, raprezaljet e tyre do të godisnin përveç banorëve civilë shqiptarë (rasti i fshatit Luboten si shembull)...edhe punëtorët e varfër nga Shqipëria, të cilët rropateshin “ilegalisht” në IRJM për një kafshatë bukë.

Këta punëtorë kapeshin dhe mblidheshin me tufa në Gostivar, Tetovë e Shkup (ku punonin në bujqësi, ndërtim e nga të mundnin) dhe më tej çoheshin ekspres drejt kufirit shqiptar porsi thasë dheu, pasi televizionet sllave, qenë kujdesur më parë, të pajisura edhe me ndonjë deklaratë për shtyp të “fuqishme” nga Ministria e Punëve të Brendshme e Shkupit (që atëherë drejtohej nga famëkeqi Lube Boshkovski, përgjegjësi kryesor për masakrën e Lubotenit dhe shumëçka tjetër)...që t’i xhironin fytyrat e tyre të rreshkura nga dielli pas punës dërrmuese nëpër ara dhe t’ua bashkangjisnin këto pamje komenteve të zakonshme lidhur me “Albanskite teroristiçki bandi-Bandat terroriste shqiptare (UÇK-ja)”!

“Parajsa mbi tokë” në IRJM-në e pasur ku pemët çelin fruta të arta dhe ku përrenjtë e lumenjtë (përveç atyre si puna e Radikës, ujin e të cilit na e vjedhin dhe siç duken bathët, sërish do na e zhvasin neve dhe Drinit tonë sllavët)...rrjedhin mjaltë e musht të shijshëm, për shqiptarët e varfër të zonës së Dibrës, Gollobordës apo Çermenikës e Rrajcës, përgjithësisht është formësuar në trajtat “sfilitëse e bretk-këputëse” të zonave si Çegrani i Gostivarit, ndërtimet e Shkupit e Tetovës dhe të lartpërmendurat fusha duhanmbajtëse të Prilepit.

Që domethënë se nuk qe aspak nevoja të përpilohej një program i tërë elektoral e qeveritar mbi një synim të tillë, për t’i shpënë pra qytetarët “punëkërkues” shqiptarë drejt IRJM-së, sepse prej vitesh kjo gjë ka ndodhur e sot e kësaj dite vazhdon të ndodhë rregullisht.

Nuk është akoma e ditur nëse si synim për jetësimin sa më të suksesshëm të kësaj strategjie “largpamëse”, nga kompetentët, është menduar edhe vijimi i shkëmbimit të lopëve e viçave tanë më të mirë e të përzgjedhur, me ngordhësirat më kockë e lëkurë të tregut maqedonas të gjësë së gjallë (pse jo...edhe të gjësë së ngordhur, në Shqipëri gjithçka shitet dhe konsumohet, jemi rracë e fortë ne!).

Njëkohësisht duke njohur dhe simpatizuar me iniciativën qeveritare për “Zero probleme me fqinjët” si dhe respektimin maksimal të të drejtave të minoriteteve në vendin tonë, pritet që domosdo, shtytje të re si rrjedhojë logjike e këtij projekti “vizionar”, të marrë edhe tradita e banorëve të varfër të ish Liqenasit (Pustecit), të cilët do të vazhdojnë të venë shtëpi më shtëpi në Resnje, Manastir apo Strugë, duke u përpjekur të shesin papuçe të lira kineze, vrasëse mizash apo tasa të lirë gatimi plastikë (e që në tregjet e Korçës apo Pogradecit do vijnë të shesin për dy lekë, çikërrima të blera në Maqedoni).

Por mendjet e ndriçuara që kanë ngjizur këtë ide, kanë edhe një shans tjetër të madh për të shtuar në kulm numrin e të “punësuarave” shqiptare në tregun “martesor” sllav të IRJM-së.

Është gjë e ditur tashmë, që katundaria mashkullore sllave e anës lindore të IRJM-së, prej kohësh “bie përmbys” për grarinë tonë fshatare.

Deri tani, lidhjet martesore mes burrave të tharë në tym, pleqve pa dhëmbë...me një këmbë e gjysëm në varr dhe qyqarëve të tjerë sllavë të katundeve të thella të Kavadarit, Demir Kapisë apo Prilepit dhe vajzave të reja shqiptare me origjinë nga familje të varfëra (dhe prindër “tutorë” që shesin fëmijët e tyre si të ishin sende apo objekte pa shpirt ose ndjenja njerëzore), qenë realizuar kryesisht falë shkjesive të rregulluara me shkathtësi nga “ndërmjetës” të ndryshëm për shuma nga 3 mijë eurot e lart.

Tashmë edhe për shkak të sentencës së njohur “Qëllimi justifikon mjetet”...këto “martesa-shitblerje”, mund të mbështeten zyrtarisht me politika të posaçme nga institucionet përkatëse dhe në këtë mënyrë, shqiptaret e ngrata që provojnë fatin e kobshëm të të qënit “mall i shitur” në tregun fshatar të djerrinave të Maqedonisë Lindore, do të japin “kontributin” e tyre të pavetëdijshëm atdhetar (me hir a pahir), për uljen e papunësisë në Shqipëri!

Sa i përket gjysmës tjetër të tokave shqiptare, pra Kosovës, nuk dihet akoma saktësisht nëse kjo “strategji” qeveritare ka patur parasysh si kontingjent të “punësueshëm” në tregun e “pamatë” kosovar të punës, vetëm punëtorët ditorë të ndërtimit me origjinë nga rrethinat apo fshatrat e Kukësit si dhe lypësit e shumtë minorenë romë (nga krahu jonë i kufirit) që mësyjnë prej kohësh rrugët, restorantet dhe lokalet e Prishtinës e jo vetëm.

Në vend të “qershisë mbi tortë”, doemos që kemi lënë për në fund Malin e Zi.

Këtë vend kaq “miqësor” me shqiptarët në përgjithësi (të vetët dhe tanët)!

Shtet që shqiptarët e vetë i detyron edhe në ditët tona, që të mbajnë një prapashtesë “viç” në mbiemrat e tyre, pa dallim në janë myslimanë apo katolikë me fe.

Shtet ku qëllimet dhe politikat zyrtare asimiluese ndaj komunitetit autokton shqiptar, bëjnë që me detyrim apo jo, shumëkush mes bashkëkombasve tanë, të priret drejt “boshnjakëzimit” (rasti i myslimanëve) apo “kroatizimit” (me katolikët).

Shtet ku Balshajt tanë mesjetarë janë bërë “de facto” Balshiç e ku në Plavë e Guci (edhe në mes të Tuzit për atë punë) tashmë jetojnë më tepër boshnjakë (të ardhur qëllimisht për t’iu mbivendosur faktorit vendas shqiptar ose ish shqiptarë të asimiluar gjuhësisht nga sllavët)...sesa shqiptarë.

Ja pra, në këtë vend kaq “mirëdashës” ndaj nesh (lëre pastaj kundrejt shqiptarëve që u ka rënë për pjesë të lindin e të jetojnë aty në atë shtet)...do i marrin trastat në krahë e do nisen për punë, të papunët e Shqipërisë (ata që nuk do kenë gjetur punësim në tregjet e “majme” të IRJM-së apo Kosovës).

“Mrekullia” që do gjejnë në Mal të Zi të papunët tanë, padyshim që do të jetë e ngjashme me atë që kanë provuar e që gjejnë ngahera atje edhe bashkëpatriotët e tyre nga Kosova...

Kolegët e një gjaku të cilët pasi nisen për të thyer gurë, punuar betonin e hipur majë skelave për të ngritur pallatet apo hotelet e Ulqinit, Petrovacit ose Tivarit...kur nuk e thyejnë kërbishten po ranë nga lartësitë (kushte sigurie për punëtorët e huaj...”Nikada-Kurrë”), sidoqoftë do jetojnë të strukur si kope dhish nëpër dhoma të lagështa, pa ngrohje, me bukën dhe ushqimin që kushton 3 herë më shtrenjtë se në Kosovë (dhe në Shqipëri), rrogën përherë të vonuar e jetën të shpenzuar për çfarë?...Për të ndërtuar kundrejt një pagese (dhe trajtimi e sjelljeje) përçmuese plazhet e malazezëve!

Sa mirë!

Detaji i fundit brenda detajit...Kosova me një nivel të papunësisë mbi 40 %, IRJM mbi 30 % dhe Mali i Zi mbi 20 %!

Tani po qeveritë e këtyre vendeve, kaq “bamirëse” janë saqë prioritet të kenë më tepër punësimin e të papunëve tanë sesa të të papunëve të tyre të shumtë kështu vallë?

Ose qeveritë e këtyre tre vendeve fqinje janë të marra...ose kanë tendenca të forta bamirëse në programin e tyre qeverisës secila...ose këta tanët janë aq të mençur, sa të tjerëve (fqinjëve) u japin ujë në bisht të lugës, duke i bërë që të zgjidhin problemet tona, përpara nevojave të qytetarëve dhe taksapaguesve të tyre!



(Vota: 32 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: