Entela Binjaku: Kërkesa për një kukull...
| E Premte, 24.01.2014, 05:38 PM |

Duke u nisur nga kërkesa për një kukull...

Nga Entela Binjaku

Në këto vite “demokraci” një nga dukuritë që preku më së shumti shoqërinë tonë ishte ajo e “zbrazjes demografike” të fshatrave si rezultat i së cilës numri i banorëve, në vite,  erdhi në ulje.  Si pasojë e zhvendosjes së banorëve drejt ultësirës, drejt qytetit apo kryeqyetit dhe si pasojë e emigracionit, shumë nga fshtatrat shqiptare u boshatisën me shpejtësi të madhe. Kjo  gjë u pasqyrua dhe ende vazhdon të jetë e tillë,  në shtëpitë e lëna bosh dhe me kohën të rrënuara, në tokat e papunuara sipas shprehjes “qan malli për të zotin”, në shtëpitë e reja  të ndërtuara me kontributin e të emigruarve, por që brenda jetojnë vetëm dy prindër, pas 20 vjetësh edhe me të moshuar.

Si pasojë e kësaj “bjerrje demografike”, është ajo e uljes  së numrit të lindjeve nga viti në vit, e lidhur kryesisht me emigrimin e djemve  dhe vajzave të reja.  Një lindshmëri e ulët ka  sjellë  zvogëlimin e  numrit të fëmijëve që frekuentojnë shkollën.  Kjo po con në një tjetër dukuri sic është ajo e rrezikut të humbjes së vendit të punës nga mësuesit  të cilët dalin “tepër”, duke nënkuptuar  edhe heqjen e të vetmit burim të të ardhurave  që kanë familjet e tyre për të mbijetuar.

Sikur të mos mjaftonte kjo, por banorët e mbetur në fshatra po  përballen me një tjetër problem shqetësues siç është ai i shkollimit të fëmijëve falë largësisë së shtëpisë nga shkolla,  e cili shoqëruar me vështirësitë që paraqet  relievi, mungesën e rrugëve të asfaltuara, bën që edhe ata fëmijë që janë në moshën e arsimit të detyruar të mos kenë mundësi ta frekuentojnë atë rregullisht.

Në shumë prej rasteve edhe pse i detyruar me ligj, (për rastet kur distanca nga shkolla është më shumë se 2 km) transporti falas mungon, ose dhe kur ofrohet  ai është i pjesshëm por edhe ky  për një numër të pjesshëm familjesh. Në këto raste familjet janë të detyruara të paguajnë transportin e përditshëm nga të ardhurat e tyre të pakta që fëmijët të shkojnë në shkollë.

E njëjta situatë është edhe për rimbursimet e librave të cilat janë një peripeci më vete me vonesat në rimbursime apo me burokracirat që kërkojnë kosto të tjera.  Dhe të mendosh që në këto fshatra familjet mbahen  me ndihmë ekonomike, apo me dërgesat e të afërmve emigrantë. Vecanërisht në ditë të ftohta e me shi, shumë fëmijë nuk kanë mundësi të shkojnë rregullisht në shkollë. Kjo për ata që e kanë arsimin e detyruar, ndërsa për ata që nuk e  kanë dhe janë në shkollë të mesme situata është dhe më dramatike.

Nisur nga sa më sipër,  udhëtuam sëbashku me përfaqësues të Fondacionit në drejtim të njërës prej komunave të rrethit të Mirditës. Shkolla ishte e re, ndërtuar vitet e fundit, drita kishte, por tensioni ishte aq i ulët sa nuk i ndiznin fare. Pas  dhe mikpritjes së drejtuesit dhe mësuesve të shkollës, kërkova të shihja  e të bisedoja pak me fëmijët. Hymë në një klasë të tretë që ende “dukej në festë”, zbukuruar për festat e fundvitit.

Natyrshëm duke ju shpjeguar fëmijëve se edhe unë “punoja me fëmijë pak më të rritur se ata”, i pyeta se cila ishte lënda që ju pëlqente më shumë.

Pjesa më e madhe u përgjigj “matematika”, disa  “gjuha” dhe disa të tjerë  “historinë”. Këto përgjigje më dhanë një fije befasie.

Më tej i pyeta se a shkojnë në punë prindërit? Të gjithë u përgjigjën se “prindërit nuk punojnë”.

Pyetjes se sa larg e kishin shtëpinë nga shkolla, përvec dy fëmijëve binjakë, që banonin aty afër, pjesa tjetër udhëtonte minuta të tëra. Madje një  prej tyre nisej nga shtëpia në orën 6.30 që të arrinte në shkollë në orën që fillonte mësimi.

Pyetjen e fundit e lashë  sa më pranë botës së tyre, ndaj i pyeta: “Cila ishte dhurata që do të pëlqenit të merrnit nga Viti i Ri”?  Djemtë  m’u përgjigjën “një bicikletë ose një makinë”. Ndërsa një vajzë ulur në bangën e fundit, me sy të celur e më flokët lidhur, m’u përgjigj: “unë do të desha një kukull”

Kur e pyeta a e kishte pasur ndonjëherë, m’u përgjigj “jo”.

Kur u ula të shkruaja këtë shkrim si  nxitje e  parë shërbeu mendimi  i fundit me të cilin u largova nga ata fëmijë.

Cdo herë që kam trajtuar një dukuri shoqërore jam munduar të lë mënjanë ndjeshmërinë njerëzore, duke dashur thjesht të pasqyroj atë që më sheh syri, më lexon  mendja apo më nxit imagjinata sociologjike.  Por në këtë rast, nuk mund të mos isha e ndjeshme, kur pashë se disa fëmijë udhëtonin buzë rruge të makinave nëpër shi,  duke rrezikuar edhe mundësinë e ndonjë aksidenti, kur dëgjova se ndër ta kishte fëmijë  për të cilët “një kukull, apo një makinë” ishte ëndërra dhe  lodra që nuk e kishin patur kurrë. Kur mësova se në fshatin matanë 20 fëmijë rrinin në shtëpi sepse kopshti ishte mbyllur që dy vjet për mungesë fondesh, kur mësova se për arsye se nuk kanë mundësinë t’i blejnë librat me para në dorë, nuk i blejnë të gjitha, kur mësova se edhe rimbursimi i librave edhe kur është 100% vonon aq muaj sa c’të bësh më parë me ato para, nuk kisha si të mos isha  e ndjeshme.

Duke pyetur fëmijët mësoja më shumë për prindërit dhe për pamundësinë e tyre  për t’jua bërë të  gëzuar fëmijërinë,  mëson se edhe pse me zor përballojnë mbijetesën fëmijët i dërgojnë në shkollë, por mësoja edhe se shumë prej tyre nuk kanë asnjë mundësi jetese dhe për të dërguar fëmijët në shkollë, shpesh herë paratë nuk mjaftojnë, edhe pse disa “sipas drejtorit ishin talente në lëndë të ndryshme”.

Po të mos isha e ndjeshme do ta mbyllja këtu, do të mjaftohesha me evidentimin e faktit, me skedimin  e realitetit, me pasqyrimin e së vërtetës. Por nuk mundem të mos ngre zërin  për dhimbjen e asaj vajze që ëndërronte një kukull edhe pse ishte në klasën e tretë, për dhimbjen e atij fëmije të bukur që ëndërronte një makinë edhe pse kishte arritur në klasën e tretë. Sepse nuk kishin mundësi t’i gëzonin këto! Prandaj vendosa të punoj me forcë për t’i bindur njerëzit që të mbledhin dhuratat e ëndërrave të tyre, një ndihmë sado modeste për ta, megjithëse ndihma më konkrete dhe më e domosdoshme do të ishte një makinë që do t’i transportonte nga shtëpia deri në shkollë këta vogëlushë.

Dhe Fondacioni ynë do të punojë që t’ja arrijmë kësaj!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: