Kastriot Myftaraj: Vrasja e Jusuf Gërvallës
| E Premte, 17.01.2014, 09:12 PM |

Vrasja e Jusuf Gërvallës dhe shërbimet e fshehta gjermane

Nga Kastriot Myftaraj

Studiuesi britanik James Pettifer nuk është ndonjë njeri që mund të akuzohet se bën teori konspiracioni irracionale. Ai ka qenë këshilltar i qeverive britanike dhe amerikane sa i përket Kosovës në periudhën para gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Është një njeri me lidhje te mira ne sherbimet e fshehta britanike dhe amerikane dhe nje njeri i mirëinformuar për sekret e Ballkanit në të shkuarën. Në librin e tij të kohëve të fundit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit, 1948-2001”, Pettifer flet vetëm kalimthi edhe për vrasjen e Gërvallës dhe dy miqve të tij, por megjithatë jep një të dhënë shumë interesante, kur thotë: “Një eksperiment i parë praktik për zhvillimin e një grupi të armatosur ishte bërë në Gjermani nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në fillim të viteve 80, por u shkatërrua nga një kombinim i shërbimit sekret serb me policinë e Gjermanisë së Jugut, një forcë sigurie që mbante gjithnjë lidhje të afërta me Beogradin. Ata u vranë në një fshat pranë Heilbronit, të quajtur Untergrupenbach”.(James Pettifer, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit, 1948-2001”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2013, f. 75)

Që vrasjet në Untegrupenbach i ka bërë SDB (emri i kohës i UDB) për këtë nuk ka dyshim. Por çështja është se ç’ qëndrim kanë mbajtur në atë kohë shërbimet inteligjente gjermanoperëndimore (atëherë ishin dy shtete gjermane, ai perëndimor dhe ai lindor) ndaj veprimtarisë së SDB në Gjermaninë Perëndimore. Në këtë vend nuk u kryen vetëm këto vrasje nga UDB por edhe vrasje të tjera shtetasish jugosllavë me origjinë nga Kroacia, Serbia, Bosnjë-Herzegovina, Sllovenia etj. Që prej vitit 1967 dhe deri në 1989 janë vrarë në Gjermani rreth 40 emigrantë politikë nga Jugosllavia. Një veprimtari e tillë e një shteti komunist në një vend anëtar të NATO-s nuk mund të bëhej pa miratimin e qeverisë së vendit përkatës dhe pa bashkëpunimin me shërbimet inteligjente të këtij vendi.

Nuk mund të mos të vihet re fakti se vrasjet e SDB në Gjermaninë Perëndimore fillojnë në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur në Europën Perëndimore nisin shqetësimet e para për valën e terrorizmit që do të merrte përmasa të mëdha në vitet shtatëdhjetë dhe do të vazhdonte të përbënte një problem të madh edhe në vitet tetëdhjetë. Levizjet terroriste ne ate kohe qene grupime te majta marksiste-leniniste dhe maoiste. Gjermania Perëndimore ishte një nga vendet europiane për të cilin terrorizmi përbënte një problem serioz në atë kohë. SDB ishte shërbimi i fshehtë i një vendi komunist, prandaj e kishte më të lehtë të krijonte lidhje me organizatat terroriste europiane dhe të nëpërmjet këtyre lidhjeve të ndihmonte shërbimet e fshehta të vendeve të Europës Perëndimore, kur ishte fjala për përfitime të dyanshme. SDB natyrisht që kërkonte shpërblim për këto shërbime. Interesi i SDB ishte që të paralizonte veprimtarinë e emigracionit politik nga viset e ndryshme të Jugosllavisë në Perëndim, duke përfshirë edhe Gjermaninë, ku kishte një përqëndrim të madh të emigracionit politik nga Jugosllavia. Në marrëveshje me shërbimet e fshehta gjermanoperëndimore, SDB ka marrë leje për të kryer disa vrasje politike në Gjermaninë Perëndimore. Por SDB duket se e kapërcente masën dhe kur merrte leje për të bërë tre vrasje bënte katër. Kështu shpjegohet fakti që Gjermania sot i heton shumë seriozisht disa vrasje të kryera dikur nga SDB si ajo e Stjepan Durekoviç dhe bën sikur i heton disa vrasje të tjera si ato të tre shqiptarëve të vrarë në Untergrupenbach.

Vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, e cila është juriste dhe prej kohësh heton mbi vrasjen e babait dhe të axhës së saj, në një intervistë që ka dhënë në 2012, nuk dyshon fare mbi mundësinë e implikimit të shërbimeve të fshehta gjermane në këtë vrasje. Ajo e ka përjashtuar kategorikisht këtë mundësi, me arsyetimin se në Gjermani një gjë e tillë nuk mund të mbetet pa u zbuluar për shkak se ka shtet ligjor, media bën hetime etj. Në një intervistë të saj për Agron Bajramin në emisionin “Pressing” në Koha Vision të Prishtinës, në maj 2012, Donika Gërvalla u pyet: “Nuk e besoni një verzion që thotë se ndoshta vetë shteti gjerman për shkak të situatës gjeopolitike të asaj kohe, apo për shkak të raporteve të mundshme që ka pasë me Jugosllavinë nuk u ka dhënë ashtu të them, zjarr hetimeve sa duhet për të nxjerr!”

Donika Gërvalla u përgjigj: “Jo nuk e besoj, nuk e besoj, sepse e njoh mjaft mirë organizimin e shtetit gjerman. Unë kam studjuar drejtësinë në Gjermani, unë e njoh ndarjen e pushtetit politik, e sigurimit të shtetit dhe të sistemit ligjor. Një qeveritar ose një punonjës i sigurimit BND që i drejtohet një prokurori lokal dhe i thotë të lutem heshtni hetimet, të jeni të sigurt që mbas dy muajsh e gjen veten në gazetë, sepse nuk e lejon një gjë të tillë opinioni”.

A thua vërtet i beson Donika Gërvalla fjalët e veta? Në nëntor 2006 tre agjentë të shërbimit të fshehtë gjerman BND (Zbulimi i Jashtëm) u kapën në Prishtinë duke kryer një akt terrorist në zyrat e administratës ndërkombëtare në Kosovë, akt që më pas duhej t’ i atribuohej Armatës Kombëtare Shqiptare, një force të armatosur fantomatike që deri më atëherë ekzistonte vetëm online. Shërbimi i fshehtë gjerman kishte bërë disa raporte alarmuese në të shkuarën për mundësinë e destabilizimit të Kosovës nga një kryengritje e re shqiptare. Qëllimi i këtyre raporteve ishte që Kosovës të mos i jepej pavarësia se se dobësimi i kontrollit ndërkombëtar mbi Kosovën do t’ u jepte mundësinë forcave si AKSH të shkallëzonin veprimtarinë e tyre. Pastaj doli se komandot e AKSH qenë në fakt komando të BND. Përse i duhej BND e për më tepër qeverisë gjermane, të ngatërrohej në një histori të tillë? Dihet se Gjermania ka fuqizuar shumë lidhjet ekonomike me Rusinë, e cila është mbrojtësja e Serbisë. Prandaj Gjermania i bën veprime të tilla nën ndikimin e Rusisë. Natyrisht se kur Kosova shpalli pavarësinë Gjermania do ta njihte këtë nën ndikimin e SHBA, por në prapaskenë bën veprime të tilla.

Në 2006 qeveria gjermane ushtroi presion të madh mbi qeverinë e Kosovës për lirimin e agjentëve të fshehtë gjermanë. AKSH e mori përsipër aktin terrorist në kohën që tre agjentët gjermanë qenë të arrestuar, dhe kjo u quajt si provë për pafajësinë e tyre, kur ajo që kishte ndodhur ishte se BND kishte dërguar një e-mail në gazeta dhe televizione në emër të AKSH. Kur këto gjëra ndodhin në pyllin me gjethe, çfarë do të ndodhë në pyllin e thatë?- pyeste dikur Winston Churchill duke përdorur një proverb uellsian. Domethënë: Kur shërbimet e fshehta gjermane kanë vepruar kështu në Kosovë në vitin 2006, mendoni se çfarë kanë bërë në 1982, në kohën e Luftës së Ftohtë, në Gjermani. Policia gjermane e ka ndihmuar komandon e SDB që të kryente atentatet në Untergrupenbach. Natyrisht që Policia gjermane nuk ka hyrë në lidhje direkte me SDB, por këtë gjë e ka bërë nëpërmjet BND që është zbulimi i jashtëm gjerman, BFV që është zbulimi i brendshëm, si dhe MAD që është Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak. Të tre këto shërbime të fshehta gjermane në atë kohë qenë shumë të angazhuara në luftën kundër terrorizmit të kuq.

Është absurde që Donika Gërvalla i shikon vrasjet në Untergrupenbach si të kryera nga UDB thjesht me bashkëpunimin e disa shqiptarëve tradhtarë. Si mund të lëvizte lirisht në Gjermaninë e vitit 1982, Arkani, një nga kriminelët më të kërkuar në Europë në atë kohë, që është një prej autorëve të vrasjeve në Untergrupenbach? Aq më tepër në kohën kur kontrolli policor në Gjermani ishte rritur shumë për shkak të rrezikut të terrorizmit?! Nuk kishin shans disa të panjohur, siç qe komandoja e SDB të shkonin në një qytet të vogël gjerman, dhe të survejonin viktimat e tyre të ardhshme kur vendasit gjermanë në atë kohë njoftonin policinë për çdo të panjohur të dyshimtë, se e shihnin si terrorist të mundshëm. Dhe njerëzit e komandos së SDB qenë mëse të dyshimtë. Një histori më vete është largimi i tyre pas kryerjes së atentatit. Me siguri ka patur dhjetëra telefonata në polici nga banorët që kanë menduar se ishte kryer një akt terrorist, dhe kanë njoftuar policinë për veturën e bardhë. Njësitë antiterroriste të Policisë dhe shërbimeve të fshehta gjermane qenë në gatishmëri të plotë në atë periudhë dhe vetura e vrasësve nuk do t’ u ikte nëse nuk do të donin vetë që kjo të ndodhte. Ekziston një paradoks në atentatin e Untergrupenbach të cilit duhet t’ i japin përgjigje autoritetet gjermane. Aq sa ç’ kanë vepruar me profesionalizëm të shkallës më të lartë vrasësit kur kanë qëlluar viktimat me armë, goditje me armë me rregullsi manuali, aq kanë vepruar pa profesionalizëm kur janë larguar nga vendi i krimit. Si profesionistë ata duhet të kishin braktisur armët e krimit që në vendin e krimit, ashtu që të mos ua gjenin armët e krimit nëse do t’ i kapte Policia. Natyrisht se këte do ta bënin pasi të kishin përdorur doreza për t' i kapur armet gjate perdorimit, per te mos lënë gjurmë te armët. Më pas duhet të kishin braktisur disa kilometra më tutje dhe automjetin me të cilin kryen krimin madje edhe ta kishin djegur atë që të shmangnin çdo mundësi të policisë që t’ i kapte nëse ishte identifikuar automjeti i tyre. Natyrisht se automjeti duhet të kishte qenë i vjedhur, gjë që për një njeri si Arkani i cili atëherë kishte një eksperiencë të gjatë si gangster në Evropë, nuk përbënte problem. Levizja me nje automjet te vjedhur do te kishte rrezik natyrisht, por supozohet qe te ishte shume me e rrezikshme te levizje me nje automjet me te cilin ishte kryer nje krim, duke pasur dhe armet e krimit me vete. Asgjë të tillë, braktisje e armeve te krimit, automjetit, nuk bënë vrasësit superprofesionistë. Këto shkujdesje ata mund t’ ia lejonin vetes vetëm në një rrethanë: Kur kishin mbështetjen e shërbimeve të fshehta gjermanoperëndimore dhe për rrjedhim edhe të Policisë. A ka ndonjë shpjegim për këto fakte Donika Gërvalla, që i shfajëson autoritetet gjermane? Për bashkëpunimin mes shërbimeve të fshehta gjermane dhe atyre jugosllave bëhet fjalë edhe në libra të ndryshëm që tregojnë për marrëdhëniet mes shërbimeve të fshehta në kohën e Luftës së Ftohtë. Disa nga këta libra të botuar kohët e fundit kanë të dhëna mjaft interesante që duhet të shërbejnë si konteksti për të kqyrur enigmën e vrasjeve në Untergrupenbach. Me sa duket Donika Gërvalla nuk paska pasur kohë që t’ i lexojë këto libra se paska qenë e okupuar me kqyrjen e bëmave të Ramush Haradinajt në katundet e Rrafshit të Dukagjinit, cka u kuptua nga intervista e saj e fundit televizive. Apo mdoshta ajo sillet kështu për shkak të interesave të saj si Zonja Schwarz? Se ajo është martuar me një qytetar gjerman etnik për çka sot quhet Donika Gërvalla- Schwarz. Me sa e njoh unë gjermanishten ky mbiemri i saj gjerman do të thotë “i zi” në shqip. Shqiptarja Donika Gërvalla do ta kishte parë ndryshe këtë çështje, dhe do të kishte dalë faqebardhë nga hetimi që po bën, por mbiemri gjerman e ka nxjerrë me një ngjyrë tjetër.

Në intervistën e fundit të Donika Gërvallës para pak ditësh në emisionin “Rubicon” në KTV me Adriatik Kelmendi, si për intervistuesin, ashtu edhe për të intervistuarën, hetimet që kanë të bëjnë me atentatin qenë një çështje e dorës së dytë. Çështje e dorës së parë qe për të dy politika e sotme në Kosovë. Në këtë intervistë Donika Gërvalla bëri shumë spekulime politike përtej kauzës së saj familjare të zbulimit të së vërtetës së vrasjeve të 17 janarit 1982. Kjo i jep të drejtën çdo njeriu që i njeh faktet e mësipërme të dyshojë se vetë Donika Gërvalla ka ardhur në Kosovë si misionare e shërbimeve të fshehta gjermane për të vazhduar politikisht punën që bënë tre agjentët e BND të arrestuar në Kosovë në nëntor 2006. Zonja na paska dijeni të hollësishme se çfarë ndodh në katundet e Rrafshin e Dukagjinit, por nuk paska dijeni për bashkëpunimin e shërbimeve të fshehta gjermanoperëndimore me ato jugosllave në kohën e Luftës së Ftohtë, në kontekstin e luftës kundër terrorizmit të kuq, ndonëse për këtë gjë nuk mungon literatura, në anglisht dhe në gjermanisht!

Gjermania ka detyrim të bëjë një hetim serioz mbi vrasjen në Untergrupenbach dhe të nxjerrë edhe përgjegjësitë e njerëzve të shërbimeve të fshehta të saj. Këtë detyrim e ka Gjermania se qeveria e saj ka bërë zhurmë të madhe dikur për Guantanamon, për burgjet e fshehta amerikane në Europë, dhe sot bën zhurmë për përgjimet e fshehta të kryera nga agjencitë e SHBA. Nëse i ka pasur seriozisht këto kauza të çuditshme për një shtet si Gjermania, dhe pas nuk qëndronin kombinime të tjera me kahje lindore, atëherë le ta tregojë këtë gjë duke hetuar zyrtarët gjermanë që kanë bashkëpunuar me SDB, që të ketë të drejtë t’ i kërkojë SHBA të dënojë zyrtarët e saj që janë marrë me përgjime të paligjshme. Është qesharake të besohet se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka qenë duke organizuar që nga Gjermania një kryengritje të armatosur në Kosovë, nëpërmjet Shqipërisë, siç duket se u ka thënë UDB shërbimeve të fshehta gjermanoperëndimore në atë kohë. Gjermania Perëndimore e dinte shumë mirë se Shqipëria komuniste nuk ngatërrohej në aventura të tilla kundër Jugosllavisë. Këtë gjë e dinin edhe në Beograd, por atyre u duhej kjo teori si dhe vrasjet politike jashtë vendit që të rrisnin peshën e UDB brenda Jugosllavisë, duke prevaluar mbi institucionet e tjera federale. Njerëzit e Sekretariatit Federal të Punëve të Brendshme dhe të UDB donin të merrnin revanshin pas vdekjes së Titos për zvogëlimin e fuqisë së UDB që Tito kishte bërë me rrëzimin e Rankoviçit.

Vrasjet në Untergrupenbach janë kryer në atë mënyrë që të shiheshin si një goditje atij vete prej çdo shqiptari, jo vetëm të Kosovës. Jo rastësisht këto vrasje janë kryer në 17 janar që është një ditë zie kombëtare e përjetshme për shqiptarët për shkak se është dita e vdekjes së Skënderbeut. Urdhërdhënësit e vrasësve në Beograd e zgjodhën këtë ditë për t’ i fyer shqiptarët. Është njëjtë sikur të hysh në shtëpinë e një familje që ka zi dhe të kryesh tre vrasje kur njerëzit qëndrojnë rreth arkivolit të të vdekurit. Në 17 janar në çdo shtëpi shqiptare është sikur të ketë arkivolin me trupin e Skënderbeut në dhomën e ndenjës. Prandaj tre vrasjet në Untergrupenbach janë një krim krejt i veçantë, janë nga ato krime që nuk harrohen kurrë dhe që kërkojnë shpagim të posaçëm në shekuj. Dikur kryeministra e Izraelit Golda Meier ka thënë se duhet t’ ia bëjmë gjithkujt të qartë se është një gjë shumë e kushtueshme të vrasësh hebrenj. Edhe ne shqiptarët kemi të drejtë t’ ua bëjmë të qartë të gjithëve se do të jetë një gjë shumë e kushtueshme për ata që do të guxojnë të kryejnë krime të tilla speciale, se do t’ u lenë shpagimin në derë brezave të ardhshëm të tyre. Mendjet që ideuan në bashkëpunim vrasjet e Untergrupenbach në 17 janar, në ditën e zisë kombëtare për Skënderbeun, janë ende në veprim në një mënyrë ose në një tjetër, ato ideojnë dhe finacojnë libra kundër Skënderbeut nga të ashtuquajtur studiues si terroristi historiografik Oliver Jens Schmitt etj. Në Untergrupenbach në 17 janar 1982 nuk u ngulën plumba thjesht mbi tre shqiptarë në derë të shtëpisë së tyre, por u qëllua mbi dinjitetin e kombit shqiptar, të cdo shqiptari. Krimi në Untergrupenbach është njëjtë si fillimi i luftës së arabëve kundër Izraelit në ditën e shenjtë të Jom Kipurit, në 1973.



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: