Kozeta Zylo: Punë të mbarë Kryetarit të Nju Jorkut
| E Enjte, 02.01.2014, 06:29 PM |

Punë të mbarë Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut demokratit Bill De Blasio

Z. De Blasio është kryetari i parë i Bashkisë së Nju Jorkut në histori që do të ketë fëmijët në shkollat publike, jo private.

Nga Keze Kozeta Zylo

Është tepër interesante se si zhvillohen zgjedhjet në Amerikë, në mënyrën e organizimit apo dhe paraqitjen e kandidatëve të mundshëm në forumet më të larta shtetërore.  Takimet e kandidatëve me masën e gjerë të popullit të krijojnë idenë sikur janë takuar me njerëzit kokë më kokë dhe i kanë dëgjuar ata me vëmendjen më të madhe.  Thjeshtësia e komunikimit të tyre, fjalimet tepër të shkurtëra e çojnë vëmendjen e pjesëmarrësve në këto takime drejt e në temë.  Shumica e tyre pa e absolutizuar çdo gjë i largohen pompozitetit dhe gjithmonë premtojnë për një të ardhme më të mirë, duke folur më konkretisht dhe më realisht, çka dhe i bën më të besueshëm.  Duke jetuar në Nju Jork për shumë vite i kam ndjekur më me interes mjaft politikanë demokratë, republikanë apo të pavarur që pretendojnë për të zënë vende kyçe në qeverisje.  Rasti më ideal ka qenë me anëtarin e Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, shqiptarin e parë Ansambleist të zgjedhur në këto nivele të larta të politikës, z.Mark Gjonaj.

Pasi z.Gjonaj kishte zënë vendin në karrigen e Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, para ca kohesh në qershor organizoi Forumin e kandidatëve për kryetar Bashkie të Nju Jorkut në shkollën e mesme Christopher Columbus Campus në Bronx.

Kandidatët për kryetar Bashkie që morën pjesë ishin Christin Quinn, Bill Thomson, Bill De Blasio, John Liu, Adolfo Carrion etj.

Edhe pse kandidatët u paraqitën me pikëpamje të ndryshme gjatë fushatës së tyre, qëllimi ishte i njejtë për ta bërë Nju Jorkun sa më të bukur dhe më të sigurtë.

Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje në fushatën e kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut z.De Blasio është se ka premtuar që Nju Jorku të jetë për të gjitha shtresat dhe jo vetëm për njerëzit e pasur dhe Wall Stritin.  Ndërkohë mësova në atë ditë të fushatës për këtë kandidat se në se ai do të zgjidhej do të ishte kryetari i parë i Bashkisë së Nju Jorkut në histori që do të ketë fëmijët në shkollat publike, jo private.

Z.De Blassio u ul sot në vendin e bilionierit Bloomberg, një politikan republikan i cili e ka mbajtur këtë post për tri herë radhazi, ndërkohë është zgjedhur si një ndër bamirësit e mëdhenj të vitit 2013 të.  Gjej rastin që në emër të Bordit te TV Alba Life, të mësuesëve dhe nxënësve t'i shpreh mirënjohjen ish kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut Z.Bloomberg i cili gjeti kohën të na falënderonte nga zyra e tij në Bashkinë e Nju Jorkut nëpermjet një vidioje në 5 vjetorin e TV Alba Life që u festua me madhështi në Staten Island.

Z.De Blasio është kryetari i 109 të në Bashkinë e Nju Jorkut dhe është i pari demokrat që nga viti 1993. Sapo dëgjova fjalën përshëndetëse të ish kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut z.Bloomberg përpara gjithë punonjësve me të cilët punoi, me rastin e largimit të tij nga zyra e Bashkisë.  Ai i falënderoi ata sinqerisht dhe iu shprehu mirënjohjen e pakufishme për bashkëpunimin që kanë pasur me vite të tëra.  Si shqiptare nuk ka sesi të mos sjellësh në sfondin e kujtesës dy Bashki, Bashkinë e Tiranës, qytetin ku krijova familjen time dhe punova gjysmën e jetës dhe Bashkinë e Nju Jorkut ku po vazhdoj gjysmën tjetër të jetës.  Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut i përshëndet kolegët, të pranishmit, shpreh urimet më të mira për kolegun tjetër demokrat që do ta zëvendësojë, kurse në Tiranën tonë është e pamundur të mos shahen Bashkiakët, të mos vjellin vrer për njerin tjetrin, sidomos po të mos jenë në të njejtën parti.  Aq shumë shahen saqë duket sikur dhe zgjedhësit i pëlqejnë dhe jetojnë me to sikur të jenë urime dhe jo inate dhe xhelozira nga më të pështirat.  Liderët partiakë apo parlamentarët duhet të marrin leksione nga bota demokratike për të ndryshuar mentalitetin meskin, abuziv që shfaqin para kamerave apo konferencave të shumta të shtypit duke akuzuar njeri-tjetrin si tradhëtarë, si banditë, si kriminelë dhe jo sikur janë shqiptarë apo janë vënë në krye të lëvizvjeve për të ndryshuar diçka.

Betimi i z.De Blasio si Kryetar Bashkie i Nju Jorkut ishte tepër i thjeshtë dhe frymëzues ku ndërmjet të tjerash tha: "Për ju të gjithë; Ky është fillimi i një rruge që do të udhëtojmë të gjithë së bashku".  Kurse Bloombergu ne tuiter e uroi kolegun e tij: "Fatin më të mirë pastë administrata tënde dhe ndoshta ditët më të mira do të vinë për gjithë njujorkezët".

Z.De Blasio është djali i veteranit të luftes së dytë botërore çka e bën të ndihet tepër krenar.  Në ditën e veteranëve që është një ditë e shënuar për amerikanët ai parakaloi në një ceremoni në ManhattanMadison Square Park dhe u përshëndet nga mijëra veteranë që kishin dalë për të marshuar krenarë në këtë ditë të tyre.

Z.De Blasio ka dy fëmijë dhe është i martuar me një grua me ngjyrë me të cilën u njohën para 20 vjetësh në zyrat e Bashkisë së Nju Jorkut ku dhe punonin.

I urojmë kryetarit të ri të Bashkise së Nju Jorkut: Punë të mbarë!

1 Janar, 2014

Staten Island, New York



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: