Vangjush Saro: Çmimet letrare, një turp si shumë turpe të tjera
| E Marte, 10.12.2013, 05:28 PM |

Çmimet letrare, një turp si shumë turpe të tjera

(Theksim)

Nga Vangjush Saro

Përpara disa vitesh, dikush që shkruan vetëm përralla me derrkucë dhe që ishte anëtar në një Juri komike, e priti me njëlloj bezdie pranimin me vonesë të novelës sime “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” në konkursin letrar. “Phh...Si të them...” Kërkoj ndjesë për mungesën e modestisë, por ai libër, i shtypur në 3 mijë kopje, prej kohësh nuk është më në asnjë librari; po përgatitet ribotimi i tij. (Kushdo që mund të ketë qoftë edhe më të voglin dyshim, le ta shuajë atë duke folur me të zotin e entit botues “ASD Design”.) Fjala ishte që historia vazhdon me po ato sjellje dhe me po ata njerëz, që ende, prej dekadash, ngrenë supet dhe mbledhin buzët...Phh! Klani bastard që ka në dorë (së jashtmi) letërsinë, edhe këtë herë u zhvesh krejt dhe asnjëlloj lecke, mbase edhe palltot e “Zara”-s nuk e shpëtojnë dot. Qesharake justifikimet e ish-ministrit V. Zhiti; edhe ato të ministres aktuale M. Kumbaro. Përtej çdo zhurme, tashmë është e qartë se çmimet letrare të këtij viti, janë një turp, si shumë turpe të tjera në këtë vend, ku gëlojnë klanet dhe ku të gjitha punët bëhen me miqësi, me dallavere, me lekë, me ndere të mbartura...

Unë nuk kisha nevojë të lexoja deklaratat e disa shkrimtarëve që të kuptoja dhe të ndërgjegjësohesha për atë që Juria e (pa)nderuar nuk i ka lexuar librat e botuar gjatë vitit 2012 - madje as ato të autorëve më me emër - për të dhënë një vlerësim sa më pranë së vërtetës. Miku im, prozatori i njohur V. Canosinaj, është shprehur për gazetën “Shekulli” se anëtarë të Jurisë i kanë thënë po, nuk e kishin lexuar librin e tij(!) Unë isha i bindur dhe jam sërish (dhe as që e marr mundimin t’i pyes ata të mjerë) se po ashtu, nuk e kanë lexuar as librin tim me fabula “Dhelpra shpërblen lepurin”, (Enti botues “ERIK”). Për klanin, thjesht...nuk je në klan. Është e kotë çdo gjë tjetër. E thashë që në shkrimin e parë po në këtë temë (“Çmimet letrare si mjerim” - TELEGRAF/ ZEMRA SHQIPTARE) se për të ardhur në një përzgjedhje sado të ngushtë, Juria duhej të kishte hedhur disa hapa paraprakë, që realisht janë të domosdoshëm: Statistikë (pra, çfarë është botuar me gjithsej), pastaj përzgjedhje, e mandej vlerësim. Por ligjet dhe praktikat e kakofonisë, me sa duket, ceken më lehtasi. (Në një shtet pa rregulla, “derrkucët” gjithnjë bëjnë festë.)

Ani. Nuk e di pse Ministria e Kulturës, kjo e prapambetur e shekullit, vazhdon të hallakatet edhe më tej nëpër shfaqje të tilla të ulëta. Detaj. U bë e qartë vjet nga disa krijues, por edhe nga Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj: KUJDES! Ju ia dhatë çmimin e letërsisë për fëmijë një autori të panjohur në këtë zhanër, që nuk ka asnjë lidhje me atë letërsi dhe është larg shkrimtarëve të cilët prej shumë vitesh investojnë energjitë e tyre bash atje. Dhe pastaj: O të marrë, mos villni vrer ndaj një zhanri a gjinie, pa lexuar prurjet. Por, folë me gurin...Kështu pra, anëtarë dhe aktivistë të klanit, ju jeni të pandreqshëm. Me sa duket, jetë e mot Shqipëria do të udhëhiqet rastësish dhe interesash të vockla. Nëse një ministri apo një anëtari Jurie i bie rruga diku në Evropë dhe atje dikush e ka pritur me gjithë të mirat, këtij mikpritësit i duhet kthyer njëfarësoj borxhi...Mund të duket shumë banale, por ndodh. Pra, shikoni ç’njerëz të vegjël në dramën e madhe të letërsisë së këtij vendi. (Ky subjekt ka qenë fije e për pe kështu edhe në një rast tjetër, kohë më parë.) I fiksuar në “arritjen” e mikpritësit të tij, që natyrshëm edhe ia ka bërë qejfin mbarë e prapë, me të gjitha bateritë, zotëria i pacipë nuk i lexon fare të tjerët, s’do t’ia dijë për emrin dhe mundin e tyre. Dhe pastaj flasin kodra pas bregut për rëndësinë e vlerave përpara...çmimeve. Ooops!

Sigurisht, edhe ata më naivët i kanë dëgjuar dhe i dinë këto dogma. Në shkrimin që zura goje edhe më lart, theksoja: një mori librash e autorësh të nderuar dikur dhe vit pas viti me çmime, sot nuk dihet ku janë dhe nuk i kujton e nuk i njeh njeri. Çështja nuk shtrohet për një çmim, por për një fyerje, së cilës askush nuk i del për zot. (Kur i ka dalë!) Është e vështirë dhe veç mund të ëndërrojmë që të vijë koha për të lënë mënjanë njëherë e mirë mentalitetetin dhe praktikën që kundërmon prapambetje dhe herezi. Janë të shumtë krijuesit e rinj dhe pa përvojën e duhur që qasen me kujdes dhe besim ne këtë fushë “të minuar” që i thonë letërsi. Por nuk ka fjalë të përkufizohet zhgënjimi i tyre. (Dhe jo vetëm.) Gjithsesi, ata po shikojnë se si “baballarët” e të gjitha kohëve dhe klaneve, veprojnë po njësoj, si atëherë kur përzgjidhej i përkëdheluri për mbrëmjen e Vitit të Ri, për t’i dhënë një Fletë Kampi, për t’i dhënë shtëpi, për t’ia plotësuar kërkesën për kurim jashtë shtetit, more edhe për ca kilogram mollë në prag të festës...A nuk është e dhimbshme?! Kjo duhet të ndryshojë me doemos. Ndryshimi fillon nga ndëshkimi i klaneve dhe nga ndjesa për këso vodevilësh, që për fat të keq nuk të bëjnë as për të qeshur...

Lexohemi.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: