“Jetë të Riciklueshme” - Dokumentari Më i Mirë
| E Hene, 09.12.2013, 07:06 PM |

“Jetë të Riciklueshme” fitoi çmimin Dokumentari Më i Mirë në New York

Nga: Ermira Babamusta, New York

Filmi i shkurtër “Jetë të Riciklueshme” me natyrë artistike portret – dokumentar realizuar nga Blerina Goce u shfaq në festivalin “Young Albanian Filmmakers Festival” në New York. Festivali, organizuar me sukses nga Bujar Alimani u mbajt në Manhattan, tek Producers Club në datat 29 nëntor – 1 dhjetor. Dokumentari cek temë sociale dhe rrezikun me të cilin përballet një familje dhe lagje në Shqipëri nga ndotja dhe mbeturinat në ambient.

“Shqipëria, është para një momenti të madh që hap sipas meje një epokë të re në historinë tonë, atë të europianizimit. Filmi dokumentar normalisht ka shumë për të reflektuar dhe adresuar këto probleme të zhvillimit. Shpresoj që institucionet e filmit në Shqipëri të zgjohen dhe të jenë në një hap me kinemanë shqiptare. Në fund të fundit shpresoj që të gjithë të kemi mundësinë dhe mbështetjen për të bërë filma qoftë dhe duke ngjallur debatin publik për çështje që shqetësojnë realisht shoqërinë tonë,” u shpreh Blerina Goce.

“Shoqëria shqiptare  vitet e fundit po përballet me problemet mjedisore që sa vijnë e bëhen më të mprehta. Prej kohësh po kerkoja të gjeja mjetin më të mirë për të shprehur pikërisht disa shqetësime të miat dhe jo vetëm. Mundësia mu krijua me uorkshopin për kineastë të rinj të organizuar nga Akademia “Varaan” dhe Televizioni Francez Arte, në ambientet e Akademisë “Marubi” me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Unë, pasi fitova konkursin dhe m’u miratua projekti, m’u desh të përballesha jo vetëm me vështirësitë e natyrshme të trajtimit të kësaj teme, por edhe me pengesa të shumta per të cilat mu desh t’i drejtohem për mbrojtje Zyrës së Të Drejtave të Autorit. Ndoshta kjo është rrjedha normale e filmave dokumentarë, që atakojnë interesa të caktura,” shtoi ajo.

Në natën finale, juria e përbërë nga Arta Kallaba (kryetare), Ermira Babamusta dhe Violeta Mirakaj shpalli listën fituese të filmave të përzgjedhur të festivalit. Filmi “Jetë të Riciklueshme” me regji të Blerina Goce fitoi çmimin “Best Documentary” (Dokumentari më i mirë).   Filmi ishte një nga filmat më të pëlqyer dhe diskutuar nga pjesëmarrësit gjatë Q&A pas shfaqjes së filmave dhe u fol shumë për temën reale dhe të guximshme të trajtuar nga Blerina Goce.

“Së pari dua të falenderoj regjisorin Bujar Alimani dhe Alfred Tollja si nismëtarë të këtij aktiviteti, të cilëve ju ka pëlqyer filmi im që në momentin e parë që e kanë parë. Gjithashtu falenderoj dhe të gjithë selektorët që përzgjodhën për të qenë pjesë e festivalit. Pas një rruge të vështirë jam e lumtur që filmi më në fund pati premierën në Nju Jork dhe që në shfaqjen e tij të parë nderohet me çmimin Dokumentari më i mirë. Për më tepër më kënaq diskutimi i gjerë që ka hapur filmi midis bashkëkombësve tanë në SHBA.

Për mua është shumë e rëndësishme që një “erë e re” po fryn në kinemanë shqiptare dhe është për tu vlerësuar që filmat e autorëve shqiptarë tashmë mund të shfaqen në Nju Jork apo kudo tjetër në botë, madje edhe përpara se të kenë premierën në Shqipëri.  Më gëzon fakti që ndër filmat e paraqitur, shumica kishin si autorë regjisore femra, si dhe fakti që janë vlerësuar nga një juri femërore. Mendoj se edhe në Shqipëri po lind një gjeneratë e re kineastesh femra , ashtu si edhe në Kosovë, e që si këto të fundit, do të mund të sjellin një kinema tjetër, që do të vlerësohet edhe jashtë kufijve shqiptarë,” tha regjizorja Blerina Goce.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: