Ermira Babamusta: Suksesi i regjisores Arta Kallaba
| E Diel, 08.12.2013, 06:00 PM |

Suksesi në skenë i regjizores së shquar Arta Kallaba

Nga: Ermira Babamusta, New York

Jeta në Gjilan: Dashuria për botën e artit dhe muzikës

Arta Kallaba, ka lindur në Gjilan, Kosovë në shtator 1983 në një familje artistike: babai Izet (kompozitor i njohur), mamaja Safete (edukatore), vëllai Korab (muzikant dhe arsimatar i shkollës së muzikes në Gjilan), motra Hana (fakulteti i Arteve në Prishtinë, perkusione), motra Mrika (shkolla e muzikës) dhe motra Albulena (fakulteti i Arteve të Muzikës).

“Jam rritur në frymën e artit dhe kulturës në përgjithësi. Qysh si fëmijë babai na e ka imponuar muzikën dhe artin duke na marrë me vete në shkollën e muzikës, në teatër, në shumë koncerte për fëmijë dhe shumë organizime të tjera në Gjilan si dhe qytete të tjera në Kosovë.Gjilani si vend ka një traditë të kulturës. Sidomos për teatrin, publikun më të mirë në Kosovë e ka Gjilani. Teatri atje është gjithmonë plot  dhe njerëzit e duan dhe përkrahin shumë artin.”

“Unë si fëmijë kam patur fatin që babai të merret me muzikë, të jetë kompozitor dhe na ka edukuar në frymë të mirë dhe jemi rritur me energji pozitive. Dua të përmend një gjë të bukur që e kujtoj edhe sot. Kur kam qenë fëmijë TV shqiptare kanë qenë të ndaluara në përgjithësi dhe halla ime e cila jetonte në Prizren, ajo kapte një frekuence në  TV programin e TVSH-së. Babai im e detyronte të inçizonte emisionin në mungusë të emisioneve shqiptare në Kosove që pastaj të na lëshonte  video kasetat të shikonim programet shqip. Në një farë mënyre jemi rritur me këngë te mirëfillta shqiptare si ato të Vaçe Zelës, Nertila Koka, Parashqevi Simaku, etj.”

Në moshën 8-vjeçare, pas klasës së dytë fillore Arta Kallaba u regjistrua në shkollën e muzikës në Gjilan për violinë. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin Matamatiko-Natyror, ku paralelisht ka ndjekur edhe shkollën e mesme private të muzikës për solokëndim. Ka kënduar në skenë në shumë koncerte muzikore,  organizime kulturore dhe festivale për fëmijë. Në vitin 1996 ka marrë pjesë në festivalin e njohur “Akordet e Kosovës” me këngën “8 marsi” të komponuar nga babai i saj, Izet Kallaba.

Pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 2002 Arta Kallaba u regjistrua në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për “Regji Teatri”.Gjithashtu, Arta ka magjistru për “Regji në Teatër” në vitin 2011, ku mori magjistraturën nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve.

“E zgjodha teatrin duke menduar se një shfaqje përfshin gati të gjitha artet brenda dhe nuk u fokusova në aktrim ose në muzikë, gjë për të cilën më kanë bërë shumë pyetje pse nuk zgjodha të jem në skenë por prapa skenës. Meqë si fëmijë kam qenë shumë para skenës, mu duk ndryshe dhe desha të provoj artin si regjizore e teatrit.”

Suksesi në Teatër dhe vlerësimet për shfaqjet e saj

E talentuara Arta Kallaba ka arritur sukses në shumë fusha të artit. Si regjizore e teatrit ka realizuar disa shfaqje mjaft të suksesshme si shfaqjet :“Antigona “ e Sofokliut, “Ëndrra e një nate vere” nga Shekspiri,” Balerina” vetë autore, “Mbreti Lir” Shekspiri, “Darka e Thërrimeve” nga Refet Abazi, dhe midis të tjerave edhe: “Lisistrata” nga Aristofani, ”Guxim për Vrasje” nga Lars Noren, “Heshtje” nga Refet Abazi, etj, me të cilat është vlerësuar me çmime.

“Jam me fat se kam punuar me aktorë shumë të njohur të skenës shqiptare, si me aktorin dhe profesorin Enver Petrovci, Luan Jaha gjithashtu profesor i aktrimi, Arta Muçaj e cila jo vetëm në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni por tani edhe në Australi ajo ka bërë një emër të mirë si aktore, Cun Lajci, Xhevdet Jashari aktor dhe profesor aktrimi nga Maqedonia dhe shumë të tjerë që tani s’po mund të gjithë t’i përmend.”

Shfaqja Lisistrata (2003)

Në vitin 2003 regjizorja Arta Kallaba mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit “Skena Up” me shfaqjen teatrale komedinë  “Lisistrata”, shkruar nga dramatist i njohur Aristofani.

Në shfaqen “Lisistrata” me regji të Arta Kallabës kanë intepretuar aktorët e famshëm shqiptar Fatmir Spahiu, Leonora Mehmetaj dhe Edona Reshitaj. Regjizorja Arta Kallaba fitoi çmimin “Best Drama” (Shfaqja më e mirë) për dramën “Lisistrata”.

“Shfaqjen Lisitrata e kam punuar me përkushtim të madh, dhe aktorët që kanë luajtur në këtë shfaqje, Fatmir Spahiu, Leonora Mehmetaj dhe Edona Reshitaj, ishin dy gjenerata para meje në fakultet dhe ata studionin aktrim. Fillimisht un kisha turp t’i ftoja sepse mendoja se janë më të mëdhenj se unë dhe nuk do ta pranojnë ftesën time, por ata me kënaqësi pranuan dhe kështu punuam shfaqjen e cila në festival mori edhe çmimin e parë. Dhe mua me krijoi sa vetëbesim po aq edhe përgjegjësi për punët e ardhshme si regjizore. U gëzova tej mase kur mora vesh që shfaqjet fituese do të prezantohen para publikut në Tiranë.”

Guxim për vrasje (2007)

Në 2007 Arta Kallaba prodhoi shfaqjen e parë të saj profesionale me titull “Guxim për Vrasje”, shkruar nga autori suedez Lars Noren, që trajton temën sociale, problemin familjar, mardhënien baba djal, etj. Në rolet kryesore kanë luajtur aktorët e talentuar shqiptarë si Arta Muçaj, Enver Petrovci dhe Luan Jaha. Shfaqja pati sukses të jashtëzakonshëm duke fituar 4 çmime në Festivalin e Teatrove të Kosovës: “Best Drama” (Shfaqja më e mirë), “Best Lead Actor” (Aktori më i mirë për rolin kryesor) për Enver Petrovci, “Best Lead Actress” (Aktorja më e mire për rolin kryesor) për Arta Muçaj dhe “Best Supporting Actor” (Aktori më i mirë në rolin dytësor) për Luan Jaha.“Guxim për vrasje” u shfaq edhe në Fier ku fitoi çmimin “Aktori më i mirë” Enver Petrovci në rolin e babait.

“Këtë shfaqje e kam punuar sapo mbarova fakultetin dhe me këtë shfaqje shfrytëzova rastin edhe diplomova, mbrojta diplomën time. Unë isha më e vogla në ekip dhe ndjehesha me fat të punoja me kaq artistë të talentuar dhe njohur për publikun shqiptar. Këta aktorë jo vetëm që janë shumë të mirë dhe profesional, por kanë një edukatë jashtëzakonisht të mirë dhe e them me bindje se kam mësuar shumë nga ta, si nga ana profesionale ashtu edhe nga jeta e përditshme. Edhe pse unë isha regjisorja, e bëja shfaqjen, unë në të njejtën kohë atë e llogaritja si një shkollë në vete, pasi që dikur këta ishin aktorët e mij të preferuar dhe se të punoja me ta për mua ishte një privilegj i madh. Kjo me shtyu që të jap maksimumin tim dhe premiera doli me sukses.”

Heshtje (2010)

Në Janar 2010 Arta Kallaba trajtoi një temë sociale, problem familjare, droga, protitucioni, si dhe thelbi i problemit të këtyre – incesti, në shfaqjen e saj me emër “Heshtje”.

“Heshtje bëri një zhurmë të madhe me temën dhe mesazhin që dha kundër këtyre dukurive negative që fatkeqesisht po ndodhin edhe në shoqerinë tonë shqiptare.”

Drama me regji të Arta Kallabës është një shfaqje e guzimshme e regjizores dhe nxjerr në pah një temë tabu “incestin” dhe normat etike dhe sociale të familjes dhe shoqërisë. “Heshtje” u shfaq me sukses edhe në Tiranë.

Shfaqja, “Heshtje” me autor Refet Abazi mori pjesë në Festivalin “Flaka e Janarit”, një manifestim tradicional që mbahet për nder të Jusuf Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Arta Kallaba fitoi çmimin special për realizimin e ri teatror. Në shfaqen “Heshtje” luajtën kane luajtur aktoret e njohur shqiptar: Cun Lajci, Enver Petrovci, Igballe Qena, Bislim Mucaj,Yllka Gashi, Xhevdet Jashari,Leonora Mehmetaj dhe Donat Qosja.

Në vitin 2012 Arta Kallaba ka realizuar shfaqjen e fundit  në Kosovë  me titull “ Darka e Thërrimeve” e cila shfaqje trajton një teme dashurije në botën e përtejme. Momentalisht ajo po përgatitet për një shfaqje të re në Nju Jork.

Gjatë kësaj kohe Arta Kallaba ka punuar edhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës si Shefe për kulturë rini dhe sport të diasporës, nga viti 2007 në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pastaj është tranferuar në Zyren e Kryeministrit dhe në fund ka qenë po në të njejtën pozitë në Ministrinë e Diasporës. Edhe aty Arta i ka shërbyer Kulturës shiptare dhe krijuesve nga diaspora.

“Kemi patur shumë organizime kulturore. Sidomos duhet permendur manifestimi tradicional “Ditet e Diaspores ne Kosove” që mbahet çdo verë, dhe ftohen shumë artiste nga e gjithe bota duke mos i harruar as arbereshët e Italisë dhe Arvanitët e Greqisë, te cilët u prezantuan vitin e kaluar në Kosove bashkë me shumë artistë të tjerë nga te gjitha vendet e botës. Nëpërmjet këtij manifestimi kemi afruar krijuesit nga diaspora jonë shqiptare me Kosovën.”

Në vitin 2013 regjizorja Arta Kallaba ka ardhur në Bronx, New York ku jeton dhe vazhdon veprimtarinë e saj artistike. Me 29 nëntor-1dhjetor 2013 mori pjesë si Kryetare e Jurisë në edicioinin e parë të festivalit “Young Albanian Filmmakers Festival”, organizuar në New York nga Bujar Alimani.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: