Entela Binjaku: Mbrëmjet tona televizive
| E Shtune, 07.12.2013, 06:05 PM |

Mbrëmjet tona televizive

Nga Entela Binjaku

Të përnatshmet televizive janë të mbushura kryesisht me biseda politike dhe qytetarët ndjehen të ngopur me to, madje të tejngopur. Këtë mund ta pohosh mjafton të marrësh një opinion, nga më të zakonshmit mbi këtë temë, qoftë edhe në mënyrë rastësore.

Nëse këto emisione do të përcillnin risi politike e jo mendësi të vjetra,  po qe se do të qarkullonin mendime nëpër terrene të gjera e jo nëpër të njëjtat “ujra”, nëse diversiteti do t’i kishte zënë vendin uniformitetit të trashëguar, nëse qytetarët do të shihnin portrete të reja studiuesish me shkollimin dhe pasionin për këtë profesion, në vend të aktorëve që kanë prodhuar vetë këtë politikë aktuale,  shpesh pa pasur as formimin më bazik në shkencën politike,  me siguri do të mendimi do të ishte ndryshe.

Politika është  një nga fushat kyçe të zhvillimit të një vendi, por jo e vetmja, ekonomia fjala vjen, nuk është më pak e rëndësishme, e megjithatë emisionet me tematikë ekonomike janë më të pakta se ato me tematikë politike. Po të dëgjonin më shumë mbi ekonominë ndoshta do të kuptonin më shumë  edhe mbi sjelljen politikë duke pasur më shumë ide mbi politikën e së ardhmes.

Por ja që ekranet në mënyrë të përnatshme flasin më shumë për politikën shqiptare, e cila nuk është as fusha me të cilën mund të krenohen shqiptarët, po të thellohemi pak mbi profilin  e saj. Ndoshta mediat mendojnë se publiku këto emisione kërkon dhe këta janë aktorët më të preferuar të tij. Por nëse do të ishte kështu, publiku do të shprehej ndryshe e jo me shprehjet e tipit: “Prapë këta?

Në këto biseda televizive shfaqen njerëz që analizojnë politikisht, flasin politikisht, anojnë politikisht, mbrojnë politikisht qëndrimet e tyre gjë që e bëjnë me dalje të shpeshta, të ngjeshura dhe jo domosdoshmërisht interesante apo me kulturë politike. Nëse këto dalje do të pasoheshin së paku me ide politike mbi të ardhmen e vendit, nëse do të paraqesnin zhvillimet në rajon dhe më gjerë, vendin që zë politika dhe politikanët tanë në këto përballje, atëherë ato do të sillnin një dobi të madhe shoqërore në vend që të dukeshin se “i bënin qokën” njërit pushtetar apo tjetrit, i tregonin besnikërinë njërës apo tjetrës parti.

Fjalori politik i kufizuar, idetë e shterura në kohë, bisedat e zhurmshme e me një kulturë të ulët komunikimi, percepetimi në publik si bezdi nga prania e tyre në ekran, të bën të mendosh se ose jetojnë në delir, ose nuk ju intereson çfarë përcjellin për ndjekësit e programeve televizive, ose nuk e njohin perceptimin që publiku ka për ta, ose thjesht, edhe e njohin, por pandjeshmëria e tyre ka vetëm një emër: interesi thellësisht vetjak.  Ndryshe do të kishin reaguar disi dhe ndryshuar ndopak po t’i vinin veshin shprehjes: “Prapë këta”?

Në një mbrëmje televizive në fundjavë, gjatë trajimit të një teme sociale me ndjeshmëri të lartë, dy nga “të përnatshmit”, kur panë që “në  emision ishin shumë” dhe studioja nuk do të “ishte vetëm për ta” u larguan duke e braktisur emisionin dhe autorët gjithashtu. Në ikje pohuan se “një nga prezantuesit e emisioneve të kësaj natyre,  më i njohuri në vend, ju ishte lutur të merrnin pjesë në emisionin që drejtonte ai a thua se këta ishin të vetmit e të pazevendësueshmit.

Mjetet e komunikimit masiv kanë ndikim të ndryshëm në grupe të ndryshme shoqërore. Shpesh herë mesazhet e përcjella janë të atilla që nuk e arrijnë dot objektivin e tyre, edhe pse kanë të gjitha mjetet teknologjike në dispozicion, vëmendjen apo interesin njerëzor. E gjitha kjo ndodh sepse midis përmbajtjes së mesazhit nga njëra anë dhe aftësisë perceptuese nga ana tjetër ka një hendek të madh. Kjo dukuri njihet për shumë prej emisioneve të kësaj natyre edhe për ato produktet mediatike shqiptare, që ndodhen në këtë vorbull.  Mjaft të hedhësh një vështrim nëpër kanalet televizive që nga ato lokalet deri tek ato kombëtaret për të kuptuar se sa të gjithëpranishme janë emisionet bisedë dhe sa të mbushura me rrëmujë zërash të lartë janë. Në këto raste as mesazhi nuk përcillet, as publiku nuk e përthith atë.  Një profil i kësaj natyre  i ka lënë vendin një mendësie që e ndesh jo pak se kur emisionet janë të qeta, me kulturë dhe etikë komunikimi, rrezikojnë të mos konsiderohen të suksesshme. Por këtë mendësi nuk e gjen tek publiku në shtëpi por rrezikon t’ja përcjellësh dhe atij.

Për një shoqëri si jona ku psika shoqërore ka qenë për dekada të tëra nën ndikimin e propagandës shtetërore, e njënashme, e drejtuar dhe e politizuar sipas interesave të partisë në pushtet,  vështirë të mos arrijë pika e ngopjes ku njerezit reagojnë me mospërfillje apo dhe neveri ndaj tyre. 

Padyshim që këto emisione kanë rëndësi të madhe sepse “mbërthejnë” një përqëndrim të lartë popullor dhe janë përcaktuese për imazhin e vetë televizionit.  Shumë prej tyre i kanë shërbyer mjaft sensibilizimit shoqëror, duke qenë tribuna politike më të mira se ato që shohim jashtë ekranit.

Por,  të ftuarit,  anësia në qëndrime politike, trajtimi pa etikë në shumë raste,  i   serviret publikut shqiptar pa e marrë në konsideratë mendimin apo qëndrimin e tij ndaj tyre. Po t’a kishin vlerësuar opinionin e shikuesve do t’i kishin hasur edhe shprehjet: “ na çmendën këta, vetëm politikë”, “ule zërin se nuk i duroj dot” “prapë u zunë” ose “kush u zu mbrëmë”?

Të gjitha variacionet e këtyre emisioneve duke filluar që nga bisedat e zakonshme deri tek ato me personazhe të rëndësishëm e publikë, kur janë të përnatshme, të zhurmshme bëhen të lodhshme dhe të papranueshme për publikun nga shtëpia i cili, në hererogjenitetin e tij, nga pikëpamja sociologjike mund të konsiderohet si një “masë e tërë” me  një përbërje po aq të ndërlikuar sa edhe vetë shoqëria  në tërësinë e saj.

Ndaj është e nevojshme që vetë televizionet të tregohen të kujdesshme dhe profesionale në përzgjedhjen e tematikave por edhe në të ftuarit. Televizioni i përket publikut, ai është i publikut, programet duhet të synojnë informimin dhe edukimin e tij.

Kur tematikat përzgjidhen dhe kur të ftuarit thjesht përsëriten, ata  humbasin edhe veçantinë e saj në varësi të kulturës vetjake, e cila është e fundme dhe e shtrydhur mjaft në vite.

Nëse të  diplomuarit në shkencat politike, në shkencat e komunikimit me informacionin dhe pasionin për analizat politike do të ishin të pranishëm në shumë studio,  me formimin, idetë dhe mendësinë e re, ata do të ishin një ndihmë mjaft e madhe edhe për emisionet televizive. Prania e tyre do të  shpëtonte edhe publikun në shtëpi nga inflacioni i të njëjtave portrete dhe fjalori të shtrydhur, zhurme burrash e grash që nuk dëgjojnë as njëri-tjetrin përballë, dhe krijojnë ngarkesa të tepërta që tek qytetarët e lodhur boll nga zhurma, hallet e streset e përditshme.

Tablotë e  tilla të  përnatshme të zhurmuesve pa kulturë e gjithë mllef personal nuk i shërbejnë aspak qytetarëve që  kanë nevojë për mbrëmje të paqtë, të qetë dhe me kulturë informimi, me analiza politike që i vijnë në ndihmë edhe perceptimit e tyre për politikën e për zhvillimet e vendit.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: