Selim Nëngurra: Luftëtari i harruem dhe historia e dhimbshme e nji familjari
| E Shtune, 07.12.2013, 04:00 PM |

LUFTËTARI I HARRUEM DHE HISTORIA E DHIMBSHME E NJI FAMILJARI

(Rrefim per historinë e trimit Shaban Isa Salihaj nga Shushica e Ultë e Istogut)

Nga Selim M. Nengurra

Ishte 15 gushti, vapë tipike e gushtit në Podgur. Këte ditë nji kushërini im në Nengurrë ( Lugposhtë ) kishte darsëm. Martonte djalin. U zgjova herët si zakonisht dhe pasi piva rakinë dhe kafen e mengjesit fillova të bahem gadi per me shku në darsëm. Bashk me gruen time shkuem ashtu si e kishim ftesën në ora 10.00 të paraditës në këte darsëm. Ishin mbledhë të gjithë kusherinjët dhe mes tyne kishte edhe të tillë që si kisha takue me vite. Besa aty takova edhe disa bija që poashtu nuk i kisha pa moti. Më erdhi keq pse nuk ishin asnji nga fëmijet e mi dhe nipat në këte darsëm sepse ishte rasti i mirë me u njoft me disa kusheri që kurr nuk janë pa mes veti. Në Norvegji shkollat fillojnë mesimin me 19 gusht dhe femijet e mi bashk me familjet e tyne kishin ik per Norvegji nji ditë para kësaj darsme. Iken se ju mbaroj pushimi dhe duhej këthye në punë.

Muzika dhe vallet kishin fillue dhe unë ashtu me mendime te femijët e mi shof se aty mes neve kusherinjve mungon nji njeri. Mungonte nji grue e djalit të axhes tim që jetojnë në Paris. U afrova te burri i saj dhe e pyeta se ku asht ajo dhe Hasani ( djali i  axhes tim e burri e zonjës që kerkoja ) me tregoj se asaj i ka vdek nji grue e dajës në fshatin Shushicë e Ultë dhe ka shkue atje.

Pasi shkuem me marr nusen në fshatin Potërq të Lugut të Leshanit darsmja mbaroj per ditën, dhe duhej të tuboheshin darsmoret perseri në ora 18.00 në lokalin hotelier " TRADITA " në Gurrakoc.

Hasani djali i axhës tim me tha se asht varrimi i asaj mikeshës në ora 15.00 dhe duhet me shkue në varrim. Asht adet në anët tona mos me lan kusherinin vetem per këso rastesh dhe shkuem në at varrim pesë veta në krye me arsimtarin e familjës tonë z. Haxhi Zeka që tash asht pensionist dhe ma i vjetri mes nesh kushërive.

Nuk isha ken asnjihere në atë vend sado që nuk asht larg nga Istogu. As që disha se kush asht ajo familje që ishte varrimi. U nisa me djemt e axhes si Muqa mas daive.

Hasani rrugës më tregoj pak se kush janë. Ngiste makinën dhe fliste. Nusja ime asht mbesa e Shaban Isa Salihajt o Selim. Ka qen luftëtar i rrept Shaban Isa më tha Hasani, dhe mu pernjiçast mu kujtuen vargjet e kangës folklorike të vëllaznive Çetaj; ".. bajshin shkinat kukavica, na faroj ai Shaban Isa ... " Pra fal kangës së rapsodve unë kisha ndëgjue per këte burr dhe të bahem i sinqertë pata mendue se edhe ky mund të jet nji nga ata fatzezët që jan vra rastësishtë dhe tash po i këndohet kanga. Kemi neve mjaft raste të tilla kur me kangë i bajm heronjët e deshmoret se jo pse ata kan merita per këte. Kështu pata mendue edhe per Shaban Isën e Shushicës së Ultë të lagjes Salihaj komuna e Istogut.

Posa lam magjistralen Pejë - Mitrovicë para se me ra në Rakosh në të majt të rrugës Hasani u fut në nji rrugë të pa asfaltueme perplot me gropa. Pluhuni i rrugës shkonte perpjet si re prapa veturës tonë. Kryt na perplasej herë në të majt e herë në të djathtë sa ishte rrezik ti bim njeni tjetrit me krye ashtu si ishim ulun në veturë. Rrugë e shkurt por shumë e mundimshme thue se aty per rreth nuk ka asnji jetë njeriu. Per të dy anët e rrugës kishte nji mal qarrishte dhe stomit të rrugës pash disa dhi që brenin dushkun si dhe dy tri copë lopë të liga që mezi qendronin në kambë. Edhe ato kullosnin at pak bar të pluhnosun buzë rrugës.

Fatmirsishtë kjo rrugë ishte e shkurt diku nji kilometer e gjysëm dhe u futem në nji livadh ku Hasani parkoi veturën. Kur dolem jasht ishte e pamundun mos me të ra në sy qatitë e disa shtëpive aty me tjegulla të thyeme. Muri i shtëpive ishte perplot vrima. Disa nga dritaret kishin parmak të mbyllun e disa në vend të qelqit kishin najllon të bardhë. Në oborret e shtëpive shifeshin disa fëmijë të vegjel , të lodhun me buzë të qame, me rrobe të leckosun taman mjerim e varfni tipike.

Në nji shtallë kishin vu disa karrige plastike dhe aty na futen mbrend ku ndejtem vetem pak sa me shpreh ngushllimet. Dolem jasht dhe tash unë pash se vetem 50-60 metra nga shtëpitë kishte disa varreza, të gjitha të njeta dhe kur u afrova pash se edhe vdekja e të varrosunve ishte i njejti vit. Në të gjitha shkruente 1998 viti i vdekjes. U afruem pran tyne dhe Hasani e ma shumë arsimtari Haxhi ma spjegoj se cila asht historia e këtyne varreve.

Shaban Isa Salihaj asht luftëtari ma i fortë dhe ma trim i këtyne anve në vitet e luftës së fundit në Kosovë më thanë njizani Haxhiu e edhe Hasani. Ai këtu në këto shtëpija të qerpiqit asht barikadue dhe ka luftue tanë ditë derisa nuk janë vra të gjithë mashkujt e kësaj familje. U binda se kanga e vëllaznive Çetaj qenka me meritë per Shaban Isen, per vëllaznit e ti, per djemt e ti dhe per babën  si dhe gruen e ti malësore e cila krah per krah me burrin, me djemt , me kunet e me vjehrrin luftojë bandat policiore serbe derisa të gjithë nuk ran per liri të Dardanisë. Bile per ironi të fatit aty lufton dhe vritet edhe nji nip që kishte qellue musafir. Gjithsejtë ishin 11, varre luftëtaresh trima.

Mu mbushen syt me lotë nga kjo histori dhe ma shumë per faktin se shifja ato varreza me nga nji dërras të kryet ku shkruente emni i të vdekunit e asgja ma shumë. Shifsha muret e bame shoshë me vrima nga plumbat e predhat e armëve serbe, shifsha vorfni e mjerim ekstrem aty dhe askund asnji gjurmë meritore per luftëtaret e qendresës në krye me Shaban Isën.

Na jan mësue syt me pa lapidar e permendore gjithandej fshatnave e lokaliteteve tona në Dardani, buste e lapidar edhe per hajnat e plaçkitësit e shtëpive të zbrazta pasluftës, të cilet gjat vjedhjes kan shkel në mina dhe jan vra. Nuk kishte askund asnji mirnjohje nga askush per trimin Shaban Isa me mashkujt e vetë. Nuk kishte mirnjohje nga shoqatat e dala nga lufta, nga veteranët , as nga institucionet komunale e qendrore ashtu si ka per të tjerët. Çak as at pak rrugë nuk ishin lodh me jua asfaltue dhe me i shpetue femijet e vrafen e jetim që kur shkojnë në shkollë mos me thith pluhunin e rrugës e me i mbush mushknitë pluhun.

Unë nxora telefonin celular dhe fillova ti fotografojë ato varreza. Kur papritmas më afrohet nji burr diku i rreth të katerdhjetave në moshë. Ndala fotografimin sepse mendova se nuk ban me i fotografue. Ai më zgjati dorën dhe më pershendeti. Syt ju mbushen me lot dhe këthej kryet te varri i Shaban Isës. Shabani ka ken dhandrri im më tha ai burr, kjo këtu ( drejtoj doren drejtë nji varreze ) asht motra ime nusja e Shabanit. Më beso se ma shumë qaj e merzitem per Shabanin se per motren. Këtu asht luftue dhe asht ba qendersë e madhe, por jan vra të gjithë. Lotët i shkonin rreke faqeve. Më mallëngjeu edhe mu dhe edhe faqet e mia u qullen me lot.

Ani o burr po si qendron puna si ka mundësi mos me i rregullue dikush këto varreza?! E kush me i rregullue o mik?. Do i kisha rregullue vet se sikur mos të më percjellshin fatkeqësitë kam pas mundësi materiale. Kam shkue disa here e kam kerkue edhe ndihma, por askush nuk ma vari. Disa premtonin e disa as që më ndëgjonin.

Mirpo nuk asht vetem kjo e dhimbshme, mue shkaku se isha mik ( kunat ) i këti luftëtari më kan shti në listen e qytetarve që duhet me kontribue per TMK, per FSK, per AKSH e per sa e sa organizata tjera gjoja të dala nga lufta. Në fillim pata pranue me vullnet me ju ndihmue, me ju dhan para. Kam pompen e derivateve të benzinës në Dobrushë. Unë jam nga Tuzi i Malësisë afer  Podgoricës dhe në Dardani u shperngulem pasi motra na u martue me Shabanin. Këtu e 35-36 vjet ma parë. Mirpo njerzit e ligj e të poshtër më ran në qafë, pasi me vullnet ju dhash nga disa mija euro në fillim ata filluen me më ba telefonata dhe thojshin; ndëgjo, tash vjen nji veturë pa targa, asht e TMK-së dhe mbushaj me derivate, dhe jepja 5000 euro, ditën tjetër perseri telefonata dhe tash urdhni per mbushjen me derivate të veturave dhe kerkesat per mija euro per AKSH, per FSK-në etj, etj. Kur ju thosha se nuk kam se nuk kam ba aq shitje, ata më kerrcnonin me ma ngrit me granata e eksplozivë në ajr pompen e edhe shtëpinë. Qit leket cerrnagor muti se ke desht me ardh me jetue në Kosovë ishin shpesh kërrcnimet e telefonatave anonime. Haxhiu e nderpreu në mes fjalësh dhe i tha mos të flet se Selimi asht publicist e shkruen per këte dikund. Malësorit i shendrriti ftyra, po ani le të shkruen, por a ka gazetë që ja boton se!

Unë vet kam thirrë gazetar, redaksi gazetash ju ka prezantue fakte dhe askush nuk ka shkrue deri sot per hallin tim. Nuk kan guxue me shkru. Kam lajmrue rastet edhe në polici, te UNMIKU ma herët e edhe te EULEKSI tash dhe asnji dobi. Kam shenime se deri tash mi kan marr me dhunë e me kërrcnime 1 milion e 250 mijë euro. TMK rradhazi ka mbush kamion e makina dhe nuk ka pague, ama kur i qova nji mik Komandantit të saj në at kohë, Kolonel Agim Çeku, ai erdhi dhe na e pagou borgjin. Të tjerat i hangren dhe skam as ku ankohem. Fliste dhe buza i dridhej e syt i mbusheshin me lot këti malësori.

U desht ta ndërpresim biseden sepse sollen kufomen per ta varros. Kishte vdek grueja e axhës së Shaban Isës atë ditë. Mezi prita të kryhet ai varrim e të shkoj me pushue në shtëpi sepse shpirti mu dërrmue nga ato që pash e ndegjova aty atë pasdite. Pash shenja të nji lufte e qendrese dhe trimninë shqiptare, pash gjurmet e barbarisë serbe dhe pash padrejtësinë e institucioneve tona komunale dhe qendrore në Dardani, por ma së shumti me tmerroj tregimi i kunatit të Shaban Isa Salihajt per haraqin që e kan detyrue me e pague bandat e mafiozët që janë thirrë në emen të organizatave të luftës dhe atyne mbrojtëse të Dardanisë.

Quditem se si tash disa lider partish në këto zgjedhjet e tashme që ende po zhvillohen paturpsishtë thonë se nuk din se dikush dikujt i kerkon apo i kakerkue haraq.

Ja nji shembul, shok të LPK-së që tash keni formue parti me emna tjerë dhe keni shoqata të ndryshme të luftëtarve, shembull që tregon se si e tmerruet Dardaninë dhe popullin e saj me metodat e jueja banditeske qe 14 vjet rradhazi.

Varreza e Abedin Isa Salihaj- vëlla


Varreza e Hysen Shaban Salihaj- i biri i Shabanit


Varreza e Hysni Shaban Salihaj - djali tjetër


Varreza e Isa Hysen Salihaj- baba i Shaban Isës


Varreza e Kadë Salihaj, nana e Shaban Isës


Varreza e Milaim Isa Salihaj - vëllau i Shaban Isës


Varreza e Nazmi Brahim Gashti - musafir


Varreza e Shaban Isa Salihajt


Varreza e Fatime Salihaj - bashkëshortja e Shaban Isa Salihaj


Sarpsborg: 30.11. 2013

(Vota: 33 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: