Entela Binjaku: Kundër dhunës ndaj gruas
| E Marte, 26.11.2013, 11:12 PM |

Kundër dhunës ndaj gruas

Fjala e mbajtur në takimin e organizuar në Pallatin e Kulturës në Lezhë në kuadër të fushatës kundër dhunës ndaj gruas.

Nga Entela Binjaku

Të dashur miq,

Sot është dita e parë e fushatës 16 ditore kundër dhunës gjinore e shpallur nga Kombet e Bashkuara. Nën moton “Bëje portokalli botën tënde”, Kombet e Bashkuara ftojnë shoqëritë kudo në botë të jenë të bashkuara kundër dhunës gjinore. Kjo fushatë do të vazhdojë deri në datën 10 dhjetor me aktivizimin e aktorëve të ndryshëm për sensibilizimin e një cështjeje të rëndësisë së lartë sic është ajo kundër dhunës ndaj gruas.

Edhe këtu në sallë shoh të veshur me këtë ngjyrë në shenjë solidarizimi me këdo që organizohet në shërbim të  kësaj kauze të rëndësishme. Ndërkohë, në kryeqytet do të organizohet një marshim sensibilizues, por zgjodha të jem pjesë e aktivitetit me banorë të këtyre zonave, sepse edhe nevoja për sensibilizim është më e lartë.  Fushata kundër dhunës ndaj gruas në këto zona të vendit ka depërtuar pak.  Duket sikur situata nuk ka ndryshuar: kështu ka qenë 10 vjet më parë, kështu duket dhe sot.  Gruaja është e nëpërkëmbur, e dobët ekonomikisht, e dhunuar edhe fizikisht; në fshatra jeta është edhe më e vështirë. Ka shumë gra që vuajnë varfërinë dhe nën presionin e saj vuajnë edhe dhunën e ushtruar nga “më i forti”, bashkëshorti i tyre.

Një zonjë pak më herët më tregoi se dy burra kanë vrarë bashkëshortet e tyre, sot janë në burg dhe  vuajnë dënimin, por fëmijët kanë mbetur jetimë. Dhe sa raste të tjera duhet të dëgjojmë pa të flasim për këto jetë  humbura grash e fëmijësh të mbetur pa prindër?

Pak më parë ne përjetuam me trishtim historinë e hidhur të Marsildës, e cila ka denoncuar bashkëshortin që e dhunonte barbarisht, por me emocion provuam edhe ndihmën e ofruar nga një avokate e pranishme këtu në sallë.

Meqë Marsilda ka vendosur që fëmijën nga kjo martesë e dhunshme ta sjellë në jetë,  ky fëmijë  si shpresa  e saj dhe jona për një shoqëri më të mirë, nuk duhet ta njohë dhunën.  Nëse ne si shoqëri do të arrijmë që  fëmijës së saj t’I sigurojmë një mjedis të ngrohtë, nëse do ta edukojmë me respektin për gruan,  atëherë ne e kemi arritur një fitore.

Sigurisht, të flasësh për dhunën ndaj gruas,  nuk është e lehtë. Unë nuk kam pasur pjesë të jetës sime dhunën, por cdo grua që dhunohet, është si të jem unë;  ajo është grua njëlloj si unë.

Nuk është e lehtë të flasësh për dhunën për aq kohë sa ajo është pjesë e mendësisë sonë tradicionale sepse :”nuk prishet familja ngaqë dhunohet gruaja”, ose sepse  “burri edhe do ngrejë dorë, se burrë është”.

Nuk është e lehtë të flasësh për dhunën, nëse nuk kemi ngulitur tek njerëzit, burrat kryesisht, mendësinë se gruaja nuk preket, se ajo respektohet se edhe ajo, njëlloj si burri,  ka të gjitha të drejtat e qënies njerëzore.

Nuk është e lehtë të flasësh për dhunën, kur vetë shoqëria ka më shumë interes për zhvillimet politike sesa për atë që ndodh me përditshmërinë e qytetarëve të saj, ku një grua abuzohet dhe dhunohet sit ë jetë një gjë e zakonshme.

Por nëse nuk do t’i sjellim rastet e dhunës  në qendër të vëmendjes sonë, ne nuk do të kemi arritur asnjë rezultat në betejën kundër saj e më tej akoma dhe do të vazhdojmë të vuajmë pasojat e një shoqërie të dhunshme.

Nuk është e lehtë të flasësh për dhunën, për aq kohë sa edhe  vetë gratë mënyrën sesi jetojnë dhe vëshitrësitë më të cilat  rrisin fëmijët,  i quajnë “të zakonshme dhe normale”.  Nëse nuk kemi ndryshuar këtë mendësi të gruas, nëse nuk kemi brumosur tek ajo se meriton të respektohet, se burri nuk ka asgjë më shumë se ajo, ne do të vazhdojmë të flasim për gra mbi të cilat dhuna ushtrohet dhe askush nuk reagon.

Nuk është e thjeshtë të flasësh për një grua që dhunohet, sepse një shoqëri e tërë bën atë  “fajtore dhe shkaktare” të kësaj dhune dhe se burri është vetëm pasqyrë e sjelljes së saj, kështu që ai ka të drejtë të ngrejë zërin dhe dorën.

Miq të dashur,

Le të mendojmë pak para se ta gjykojmë një grua, le të përpiqemi të jemi në vendin e saj dhe të shohim se kur kemi dhunuar atë, kemi dëmtuar një shoqëri të tërë.  Le të mendojmë si të veprojmë që të ndryshojmë këtë mendësi të dhunshme të burrave të cilëve “ju takon të ngrenë dorën”.

Situata bëhet disi optimiste kur shohim në shoqërinë tonë gra të cilat bëhen zëri i të tjerave, që kanë mundësinë të përcojnë mesazhe kundër dhunës tek një shoqëri e tërë dhe ta “luftojnë” këtë dukuri edhe në emër të atyre që nuk e kanë këtë mundësi.

Gratë e kësaj zone përfaqësohen në pozicione të rëndësishme dhe të larta shtetërore: ministrja e arsimit vjen nga kjo zonë dhe zv. ministrja është deputete e kësaj zone në parlamentin e Shqipërisë. Nëse ato do të kenë vullnet, me siguri do të përcjellin edhe zërin tuaj dhe të shqetësimeve tuaja në institucionet më të larta shtetërore. Nëse “gratë për gratë” do të funksionojë, realiteti do të jetë I ndryshëm nga ky që kemi aktualisht.

  këtë aktivitet marrin pjesë edhe arsimtarë, të cilët kanë detyrimin të edukojnë tek fëmijët jetesën civile dhe respektin për gruan.  Në këtë takim marrin pjesë edhe punonjës të shëndetit të cilët kanë detyrimin të sensibilizojnë nevojat e grave që vuajnë dhunën ndaj nga ky takim duhet të dalim me idenë se vetëm sëbashku mund të ndryshojmë këtë situate.

Duke përmirësuar dhe konsoliduar pozitën e gruas nga njëra anë, duke edukuar vlerat e respektit për gruan nga ana tjetër, duke punuar për  crrënjosjen e mendësisë maskiliste se burri është “i forti”, se  ai ka të drejtë ta dhunojë atë, ne mund të sjellim një ndryshim të kësaj situate.

Të dashur miq, shoqëria civile ka për detyrë të zgjojë aktivizmin për cësthje që na rëndojnë të gjithëve, por nëse i bashkoheni kauzës duke i thënë ndal mendësisë së dhunshme të burrave, duke edukuar tek fëmijët tuaj dashurinë dhe respektin për gruan, mund të  zgjoni dhe shpresat e të gjithëve për një shoqëri më të mirë se kjo që kemi sot.



(Vota: 12 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: