Kujtim Mateli: Belul Arapi në 85-vjetorin e lindjes
| E Hene, 25.11.2013, 09:10 PM |

Belul Arapi në 85-vjetorin e lindjes së tij.

Nga Kujtim Mateli

Nëntë vjet më parë, në vjeshtën e dytë të vitit 2004, është ndarë nga jeta Belul Arapi nga fshati Ball, i njohur gjerësisht nga banorët e rrethit të Përmetit dhe të Tepelenës ku ai punoi derisa doli në pension. Që në moshë rinore, Beluli shfaqi aftësinë e tij për të komunikuar me njerëzit. Këtë vlerësim ia dha së pari Dëshnica tek e dëgjonte në ato vite pas Çlirimit të vendit që bashkë me grupin e të rinjve dëshnicarë shkonin nga njëri fshat në tjetrin për t`iu gjendur sa më pranë familjeve në nevojë. Ishin vite kur solidariteti njerëzor ishte më i domosdoshëm se kurrë më parë. Duke u ndodhur pranë, në fillim dëshnicarëve dhe më vonë në krejt rrethin e Përmetit, Beluli u bë simbol i figurës së Njeriut të thjeshtë që do ta përfaqësonte atë në të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin në ato vite. Po ndërsa njerëzit zakonisht e matin lartësinë e tyre me lartësinë e postit të cilin ata zotërojnë, lartësia e Belulit u mat me vlerat njerëzore me të cilat ai krijoi profilin e tij politik dhe shoqëror. Edhe kur Beluli mbante detyra të rëndësishme dhe njerëzit e shtetit shikoheshin disi të frikshëm dhe mateshin mirë kur  afroheshin me ta, Beluli më shumë se sa përfaqësues i shtetit, ishte përfaqësues i njerëzve të komunitetit në të cilin ai bënte pjesë. Falë zgjuarësisë dhe mënçurisë që e karakterizonte, u ngrit në nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të kujdesit që ai kishte për njerëzit në sektorin që mbulonte. Kam patur fatin që gjatë atyre viteve që Beluli ishte kryetar i kooperativës së Ballabanit, të jem normist për sektorin e Mazhanit dhe kështu kam patur mundësinë ta njoh mirë dimesionin real të personalitetit të Tij. Ishte gati i pakonkurueshëm nga kuadrot e tjera të rrethit që merrnin pjesë në këto mbledhje për frymën optimiste që ngjallte fjala e tij. Ishte orator i klasit të parë. Ajo që e lartësoi Belulin ishte besimi që njerëzit kishin tek ai. Ishte i lindur nga natyra për të mos i bërë keq askujt dhe gjithashtu një këshilltar i mirë për cilindo që i drejtohej për ndihmë.

Një takim mbresëlënës.

Ishte vjeshtë  e vitit 1969 dhe të  rinjtë  e Mazhanit po shkonin në Ball për të  zhvilluar së  bashku midis dy fshatrave një  mbrëmje vallëzimi. Shkëmbime midis këtyre dy fshatrave kishte vazhdimisht për faktin se të  dy këto fshatra kishin shtëpi kulture. Pa vajtur në  Ball, rreth 200-300 metra larg qendrës së  Balit, grupi ynë  i të  rinjve u përzie me banorët e fshatit Ball të cilët  transportonin gurë  për të  ndërtuar qendrën e fshatit, ku të  gjitha objektet social-kulturore u bënë të reja: shkolla, shtëpia e kulturës, zyrat e sektorit, qendra shëndetësore, kopshti, çerdhja, mensa etj. Banorët e Ballit, pasi mbaronin punën, një  ose dy orë, deri sa errej plotësisht, i kalonin bashkarisht për grumbullimin e materialeve për qendrën e re të  fshatit të  tyre. Në  mesin e atij karvani njerëzish që  transportonin gurë,  ishte dhe Beluli. E lëshoj  përtokë  gurin që  mbante në  krahë  dhe ndali grupin e të  rinjve të  Mazhanit dhe filloi një  bisedë  miqësore me ne. Na tregoi se si kjo qendër e re ngrihej plotësisht mbi punën vullnetare të  banorëve të  këtij fshati, jashtë  orarit të  punës. Na tregoi me radhë  banorët e fshatit Ball që  i kalonin mbrëmjet aty, bashkë  me të. Më  kujtohet që  emrin e parë    përmendi ishte Ramizi dhe pastaj një  numër i gjatë  i banorëve të  fshatit. Ndërsa ne dëgjonim ligjëratën e Belulit, karvani i njerëzve që  kishte cuar lëndën në  qendër po kthehej përsëri për të  bërë  transportin e radhës. Beluli na la të  lirë    shkonim ku ishim nisur, i bindur se kishte hedhur shkëndijën që  kjo traditë    përsëritej dhe në  Mazhan.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Balli u kthye në një qendër pelegrinazhi. Aty vihej dhe merrej shembull se si duhej të punohej. Vinin sidomos nga rinia e gruaja, nga gjithë rrethi i Përmetit. Po Balli në komentet e popullit nuk po konsiderohej si vepër e partisë, por njerëzit thoshin Balli i Belulit. Partia kishte ngelur disi në hije, në plan të dytë. Kishte dalë në krye individi, madje dhe fshati identifikohej me emrin e tij. Kjo dukuri nuk kishte si të mos binte në sy, sidomos të njerëzve të Partisë. Në të tilla raste të ndodhte gjëma edhe pse kishe sakrifikuar për të mirën e njerëve. Në vend që të gëzohen për arritjet, njerëzve ziliqarë u ndodh e kundërta. Xhelozia është veti e qënies njerëzore që ngre krye sa herë shfaqet mirësia. Të parët tanë të moçëm e kanë përjetësuar këtë dukuri që në zanafillë të njerëzimit. Perënditë e ndëshkuan Prometeun se ky u kishte dhuruar zjarrin njerëzve. Për këtë mirësi u mbërthye ndër shkëmbinjtë për të mos u liruar më kurrë. Po kjo dukuri e xhelozisë e ka shoqëruar njerëzimin deri në ditët tona. Kështu Balli sa shihej nga njëra anë si model që duhej ta realizonte çdo fshat, kishte dhe anën tjetër të medaljes që nga njerëzit  shihej si produkt i individit dhe jo i Partisë. E mira, që Beluli kishte bërë për Ballin, e kishte kapërcyer masën. Mirësi të përmasave të tilla mund t`i sillte vetëm Partia. Po fatmirësisht Beluli nuk e pësoi dënimin klasik që të mbërthehej shpateve të Trebeshinës duke kullotur ndonjë kope bagëtish apo akoma më keq dënimin modern duke shtyrë pa pagesë vagonat në ndonjë minierë. Kjo s`ndodhi, sepse gjithçka e ngritur ishte made in Ball (prodhuar në Ball). Beluli si kryetar kooperative nuk kishte shpërdoruar fondet e ekonomise duke i çuar në Ball, për sektorin e Ballit  Ky sektor nuk ishte privilegjuar në krahasim me sektorët e tjerë të ekonomisë, pra kishte marrë atë që i takonte sipas plan-shpërndarjes. Objektet social-kulturore, megjithëse ishin detyrim i shtetit për t`i ngritur, banorët e Ballit i ngritën me forcat e veta, duke bërë një sakrifikim të tejskajshëm. Duke qenë qendër e sektorit që përfshinte edhe fshatrat Psarr dhe Çorrogunj, këto dy fshatra e dhanë kontributin e tyre në minimum. Edhe pse i erdhën rrotull, as mbi Belulin dhe as mbi banorët e Ballit nuk mundën të ngrejnë dot ndonjë akuzë. Koha lartësoi me këtë veprim Belulin Arapin.

Një kontroll i befasishëm.

Në vitin 1970 bënë një eksperiment me qëllim që më vonë ta zbatonin në të gjithë ekonominë e Ballabanit. Njërën brigadë të fshatit Mazhan e bashkuan me atë të Kondasit duke formuar një brigadë të vetme. Brigadier u emërua Telha Telhai, ndërsa unë normist. Në pranverë të atij viti, në territorin e fshatit Kondas, pa patur ndonjë lajmërim të mëparshëm, u dhanë për një kontroll: Belul Arapi si kryetar kooperative, Shefqet Meçani si sekretar i Byrosë dhe Shyqyri Sako si përgjegjës i sektorit të Ballabanit ku bëntë pjesë dhe Mazhani (Pas disa muajsh Mazhani u bë sektor më vete duke përfshirë dhe fshatin Komorak. Pergjegjës sektori u emërua Myslim Xhaferaj, llogaritar Sabri Pacani, ndërsa unë normist). Zakonisht kjo është stina e mbjelljeve sic ishin dy kulturat kryesore: duhani dhe misri, por edhe i shërbimeve në grurë etj. Më shumë se sa një kontroll për mbarëvajtjen e punëve në brigadë ishte një takim i krerëve të ekonomisë me popullin. Një pjesë e brigadës ishte e përqëndruar atë ditë poshtë Qafës së Kiçokut, parcelat në krah të lagjes Kondas, në pjesën veriperëndimore të saj. Pjesa tjetër ishte e shpërndarë në mbjelljen e duhanit. Unë i takova më vonë, brenda në lagjen Kondas, ku Kamber Canollari u kishte dalë përpara dhe po i ftonte për një kafe në shtëpi. Mysafirët nuk i rrezistuan dot këmbënguljes së Kamberit dhe u futën brenda për të pirë një kafe. Bashkë me Kamberin ishte dhe vëllai i tyre i vogël, Hakiu, i cili ishte bari dhe atë ditë ndodhej në shtëpi. Vëllazëria Canollari janë të gjithë njerëz mikpritës, por Kamberi gëzon disa veti të veçanta të mikpritjes. Në kohën kur po bëheshim gati për t`u ngritur, hyn në dhomë Hakiu me një sini me meze që i kishte nxjerrë nga një qëngj i sapo therur. Që të tre e kishin seriozisht të mos qëndronin më, por edhe të mos merrnin dhe një meze sa për të uruar të zotin e shtëpisë nuk shkonte. U qetësuan të tre dhe u mbushën gotat e rakisë. Pasi u ngritën dy-tre herë gotat, i dhanë vendim që të ngriheshin, por përsëri Hakiu erdhi me pjatat me mish dhe plani u prish. Pas drekës të tre u shpërndanë duke shkuar secili në punën e vet. Shefqeti u hodh në Shullë dhe mori rrugën automobilistike për në Ballaban me shpresën se ndonjë automjet, duke ardhur nga Buzi, do t`i shkurtonte rrugën. Shyqyriu mori rrugën e Kreshovës duke kaluar përmes parcelave dhe me destinacionin përfundimtar për të vajtur në Ballaban. Beluli do të vinte në Ball dhe morëm të dy rrugës së Rrëzës deri në Mazhan. Kaluan përbri parcelave të Thanzës rreth 6 ha të cilat atë vit ishin mbjellë me grurë. Në të majtë të rrugës sonë, Sheshi i Melicës, 3 ha, ishte mbjellë me duhan. Hyri në parcelën e duhanit. Më kujtohet që u kënaq me fidanët. Nuk kishin më shumë se 20 ditë që ishin mbjellë, por fidanët gati ishin zënë të gjithë. Kjo parcelë kishte disa avantazhe në krahasim me parcelat e tjera. Në krye të parcelës ishte cezma me ujë të bollshëm. Defekti për moszënien e duhanit vinte kryesisht nga vaditja. Sa më larg që të ishte ujët që do të merrej për vaditje, aq më pak ujë hidhej në çdo fidan, duke bërë që duhani të zihej pjesërisht dhe fidanët e tharë zëvendësoheshin përsëri duke prishur uniformitetin e bimëve në parcelë. Po parcela “Sheshi I Melicës” kishte dhe një avantazh tjetër, ishte tokë pjellore dhe bimët rriteshin shpejt dhe të shëndetshme. Beluli u interesua nëse kishin apo jo farishtet e duhanit fidanin e nevojshëm që të plotësohej plani. A kishte brigada mundësinë që në vitin e ardhshëm të planifikohej një rritje e planit në këtë kulturë. Për të njënjtën sipërfaqe nga duhani sigurohej një e ardhur disa herë më e madhe se sa sigurohej nga bimët e tjera bujqësore si misri dhe gruri. Po duhani kërkonte gjithashtu forca të shumta pune për ta mbjellë e mbledhur dhe deri në shitjen e tij. Planifikimi për kulturat bujqësore bëhej mbi bazën e forcave që kishte një njësi prodhuese.

Kur dolëm në majën e një  kodre, Beluli më pyeti se si quhej vendi. Bregu i Çifligut,- iu përgjigja unë. Në të vërtetë unë nuk e dija pse e kishte marrë atë emër, as të kujt kishin qenë çiflig arat që sapo kishim përshkruar. Veçse vendi ishte mjaft piktoresk dhe që aty shikoheheshin pothuaj të gjitha parcelat. Aty ishin dy lëmenj që shërbenin për shirjen e grurit me kuaj apo dhe të prodhimeve të tjera si kockullat, urovi, si dhe fasulet që mbilleshin bashkë me misrin etj. Gjithcka, para se të shkonte e të depozitohej në magazinë, grumbullohej pikërisht në këtë vend. Gjatë stinës së verës dhe vjeshtës të dy lëmenjtë rrinin gati të mbushur me prodhime. Beluli e përqëndroi vështrimin tek parcelat e grurit. Sapo i kishim hedhur dorën e fundit me nitrat dhe plehu kimik e kishte dhënë efektin e vet. Gruri jeshilonte fuqishëm, por nuk mungonte as dhe ndonjë njollë e verdhë që nuk e kishte marrë si duhet ushqimin e fundit me nitrat. Sado të kujdeshëm të ishin ata që bënin plehërimin, shpërndarja nuk bëhej uniformë, sepse shpërndarja me dorë nuk e eleminon dot këtë defekt. Kjo gjë nuk e kënaqi Belulin dhe më këshilloi që vendeve që zverdhnin t`u bëhej plehërimi suplementar. E dëgjova me kujdes dhe i thashë sapo të binte një vesë shi do të bëhej korrigjimi i njollave të verdha.

Vazhduam udhën për në qendër të Mazhanit. Aty u ndamë për t`u takuar të nesërmen në një mbledhje të përgjithshme që zhvillohej me kuadrot e kooperativës.

Meditime.

Çfarë cilësie kishte Belul Arapi që e veconte atë nga kuadrot e tjera drejtuese? Kjo është një pyetje e vështirë për përgjigje, por unë po jap mendimin tim sipas asaj që unë kam parë dhe mendoj se është karakteristika dalluese e tij që e bënte të veçantë midis kuadrove të tjera. Duhet thënë se interesat e një force politike janë dhe interesat e popullit, por në realizimin e tyre krijohet një hendek midis përfaqësuesve të forcave politike dhe popullit. Duhet thënë gjithashtu se në rregjimin komunist shtresat e pasura dhe ato të mesme u ndienë të papërfaqësuara, madje shiheshin si kërcënim i pushtetit politik të asaj periudhe. Ndaj të ishe kuadër dhe të përfaqësoje të gjithë popullin ishte e vështirë, se do të etiketoheshe ose si zbutës i luftës së klasave, ose si bashkëpunëtorë me klasat e përmbysura. Ndaj kuadrot e partisë ishin vigjilent si ndaj armiqve të klasës punëtore (dhe këta armiq nuk ishin të paktë, gati shkonin në gjysmën e popullsisë), por edhe të asaj shtrese të popullsisë që ishte e lidhur me pushtetin. Kuadrot e partisë vigjëlonin dhe me bllok në xhep rregjistronin cdo devijacion të njerëzve të tyre që nuk përputhej me udhën e partisë dhe e raportonin tek instancat më të larta. Ndaj njerëzit e partisë dhe kuadrot drejtuese të pushtetit nuk shikoheshin me dashamirësi nga njerëzit, nga frika se mos emri i tyre rregjistrohej në ndonjë prej blloqeve dhe do ta kishe njollë e do të përflitej sa herë do të kërkohej diçka.

Në këtë këndvështrim populli i kishte ndarë kuadrot e partisë në të mirë dhe të këqinj. Në ata që nuk u besohej fjala dhe kur kërkonin të të bënin mik dhe në kuadro ku shikoje se asnjë e keqe nuk mund të vinte prej tij. Zakonisht kuadrot me këndvështrim të ngushtë kulturor dhe politik e mbështesnin karrierën e tyre tek besnikëria ndaj partisë duke raportuar çfarë flitej e pëshpëritej, ndryshe nuk mund t`i rezistonin dot kategorisë superiore të administratës ku bënin pjesë. Madje kjo kategori cinikësh që kishte gjetur strehë në zyrat e partisë e të pushtetit ishin persekutorët e vërtetë të kuadrove që gëzonin mbështetje në popull. Fatmirësisht, Dëshnica i pati të paktë kuadrot e saj, kështu që shkuan në drejtim më të aftët dhe kudo që shkuan rrezatuan mirësinë dhe kulturën dëshnicare. Për mediokrit, që e mbështesnin karrierën e tyre mbi dogmat e atij rregjimi dhe që ktheheshin në rrezik për shoqërinë, nuk ka patur vend tek kuadrot dëshnicare, jo vetëm për shkak të numrit të vogël që u përzgjodh nga Dëshnica, por edhe të kulturës dëshnicare që këtë tip njeriu e ka fare të paktë.

Belul Arapi ka qenë një nga kuadrot që karrierën e vet e kishte mbështetur tek puna e tij këmbëngulëse për t`u pasuruar me dije e kulturë, si mundësi për të ecur përpara. Belul Arapi u përket atyre kuadrove që nuk e pati një bllok ku të shënonte bashkëfshatarët a bashkëqytetarët e vet e t`i raportonte më tej, si shenjë besnikërie ndaj partisë. Kam më tepër se dy vjet që kam shkruar për Belul Arapin në shtypin e shkruar apo dhe në rrjetin social Facebook dhe reagimet e njerëzve janë përmbledhur në atë që Beluli Arapi ka qenë burrë. Mendimi im, nga njohja që kam patur, por dhe vlerësimi i njerëzve shkojnë në të njënjtin drejtim që Burrëria e Belulit është shfaqur në marrëdhëniet që individët kanë patur me të. Ai mbeti deri në fund të jetës dëshnicari tipik, i përkushtuar ndaj detyrës shtetërore dhe besnik e mirënjohës ndaj popullit të cilit i shërbente.

Jetëshkrimi.

Belul Arapi u lind më 12 shkurt të vitit 1928 në fshatin Ball të rrethit të Përmetit, në një familje me vlera të spikatura për krahinën e Dëshnicës. Në moshën 12-vjeçare mbetet pa nënë dhe, duke qënë fëmija i madh, i ra që në moshë të njomë përgjegjësia dhe kujdesi për motrat dhe vëllezërit e tij më të vegjël. Ishin vitet kur Shqipëria do të ndiente peshën e pushtimit fashist e më vonë, të atij nazist. Beluli do të rreshtohej në çetat territoriale që vepronin në krahinën e Dëshnicës duke shfaqur aftësitë e tij të veçanta si organizator dhe drejtues i rinisë dëshnicare. Pas Çlirimit ka qenë për disa vite një nga drejtuesit kryesorë të rinisë në rrethin e Përmetit. Në vitet `50-të, Beluli ishte një nga kuadrot më në zë. Fjala e tij dëgjohej me vëmendje jo vetëm nga përmetarët e thjeshtë, por edhe nga kuadrot drejtuese të rrethit. Reputacioni i tij erdhi vazhdimisht duke u rritur dhe njerëzit e vlerësonin për punën dhe pjesëmarrjen e tij aktive në zgjidhjen e problemeve me maturi e mençuri. Personaliteti i tij njohu përmasa të reja gjatë kohës që punoi në qytetin e Këlcyrës.

Beluli i kushton kujdes të veçantë arsimimit të tij. Në vitin 1949 përfundon kursin ushtarak një vjeçar. Në vitet 1956-1958 mbaron fakultetin për Gjuhë-Letërsi. Përfundoi studimet në Shkollën e Partisë në vitet 1960-1962. Pastaj jep provimet plotësuese dhe diplomohet për Filozofi. Po kështu jep provimet plotësuese dhe diplomohet për Histori-Gjeografi. Në këtë mënyrë ishte një nga kuadrot më të përgatitur për kohën: zotëronte dy fakultete dhe kishte mbaruar shkollën e Partisë në nivelin e saj më të lartë.

Aty nga viti 1962 emërohet si kuadër drejtues në qytetin e Memaliajt ku u dallua për aftësitë e tij organizative. Memaliaj, nga një qendër e banuar, mori fytyrën e një qyteti modern ku njerëzit e identifikojnë lindjen dhe zhvillimin e këtij qyteti me emrin e Belul Arapit. Një kontribut të veçantë ka dhënë në rrethin e Tepelenës dhe në drejtimin e kooperativës së Dukajt.

Në vitet 1969-1972  Beluli do të drejtonte kooperativën e Ballabanit, një nga ekonomitë më të rëndësishme të asaj kohe në rrethin e Përmetit. Njeri i dashur dhe gojëmjaltë, i papërtuar e i palodhur, përfaqëson modelin e dëshnicarit. Një gjysmë shekulli punë e sakrifica kanë skalitur portretin e Tij, i cili nuk u tjetërsua nga trysnia e pushtetit, por mbeti dëshnicar edhe kur rrethanat e kishin çuar jashtë Dëshnicës dhe Përmetit. U nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2004, duke lënë pas një vepër të admirueshme që e ngriti bashkë me njerëzit me të cilët punoi dhe jetoi. Ka lënë gjithashtu dhe një historik të fshatit Ball të dokumentuar që nga fillimet e perandorisë osmane. Gjatë gjithë jetës shkroi poezi që i përmblodhi në vëllimin poetik “Balada Jonë” Vlorë 2000.

Disa propozime.

Në vitin e ardhshëm Beluli mbush 10 vjet që është ndarë nga ne, një ndarje fizike, sepse ai ka qenë i pranishëm mes nesh, në biseda të ndryshme apo dhe në rreshtat e gazetave. Shoqata “Dëshnica” për kontributin e tij të çmuar, në vitin 2003  e shpalli “Anëtar Nderi” të shoqatës. Po kështu i ka propozuar Komunës së Ballabanit që të nderojë personalitetin e Belul Arapit me cmimin më të lartë që jep një komunë.

Ka ardhur koha që bashkitë e Përmetit dhe Këlcyrës për kontributin e tij maksimal që dha në këto dy qytete, duhet ta nderojnë me medalje e tituj nderi me rastin e 10- vjetorit të vdekjes së tij. Kjo vlen edhe për  bashkinë e Memaliajt.

Të gjitha institucionet ku Beluli ka punuar dhe individët me të cilët ka bashkëpunuar, duhet të kordinohen me njëri-tjetrin për ta nderuar sa më denjësisht kujtimin e tij. Është mirë që të gjitha këto përshtypje pozitive që njerëzit kanë për të dhe me të cilët ka bashkëpunuar në një gjysmë shekulli, të shkruhen dhe viti 2014 ta përjetësojë Belulin dhe me një libër biografik mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.

Beluli është kuadri tipik i Shqipërisë jugore, ndaj Qarku i Gjirokastrës duhet t`i japë vendin që i takon midis kudrove më në zë të këtij Qarku. Pas gjithë këtyre, ndoshta si kurorëzim, Presidenti i Republikës, duke e vendosur në vendin që meriton do të nderonte jo vetëm Belulin, por edhe Dëshnicën që krenohet se lindi e rriti një personalitet të niveleve të larta.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: