Lamtumirë Sokol Olldashi
| E Enjte, 21.11.2013, 07:06 PM |


Ora 12 ka shënuar momentin kur trupi i pajetë i deputetit, Sokol Olldashi ka hyrë për të fundit herë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, duke ndërprerë tragjikisht bashkë me jetën edhe mandatin e katërt si deputet i tij.

Me flamurin në gjysmë shtizë, muzikën funebre, tronditjen e familjarëve, miqve, bashkëpuntorëve të ngushtë, e kundërshtarëve politikë, ish-kolegëve gazetarë, e qindra qytetarëve në hollin e parlamentit kanë nisur homazhet për një nga kontributorët e mëdhenj të politikës shqiptare, demokratizimit të saj, e zërin e spikatur të podiumit të legjislativit.

Për drejtuesit më të lartë të politikës shqiptare dhe medias gjithashtu, nuk ka patur fjalë për ngushëllimin e familjarëve të deputetit 41-vjeçar, nënës së tij, babait, bashkëshortes Enkeleda, dy djemve të tij Glaukut e Kleit, vëllait, të afërmve, e miqëve të shumtë, që siç u shprehën refuzojnë ta besojnë se Sokoli nuk është më.

"Njeri nga politikanët më të talentuar, njëri nga zërat më të fuqishëm, qeveritarët më eficentë, një personalitet poliedrik, i cili është shënuar në memorjen e kohës me vepra të pavdekshme ndahet sot nga ne. Sokol Olldashi jetoi dhe do të jetojë midis nesh me veprën e tij, me trashëgiminë e tij, me gjithçka e bëri për Partinë Demokratike, për vendin, për kombin e tij", tha ish-kryeministri Berisha.

"Kishte një kurajo të jashtëzakonshme. Ishte me një humor, me një simpati, me një guxim, e kam dashur shumë Sokolin. Kishte një instikt politik të rrallë, një demokrat i jashtëzakonshëm. Kemi humbur një koleg të jashtëzakonshëm", tha ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

“Do e sjellim ndërmend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan”, shkruan presidenti Bujar Nishani në faqen zyrtare të Presidencës pas homazheve në Kuvend.

Pavarësisht se në vizitë zyrtare jashtë vendit, kryeministri Edi Rama është rikthyer në Tiranë për të nderuar dhe bërë homazhet deputetit të Partisë Demokratike me të cilin është përballur dy herë gjatë karrierës së tij politike, në Komisonin Hetimor ndaj tij dhe në garën për Bashkinë e Tiranës në 2007-ën.

“Megjithese nuk jemi takuar ndonjëherë, thotë kreu i qeverisë, në distance e kam vlerësuar shumë  “hazërxhevapin prej mistreci brilant”, sic e cilëson ai. “Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi”, thotë Rama ndër të tjera duke iu kujtuar të gjithëve se Sokol Olldashi la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë” përfundon Rama.

“Një humbje e padrejtë dhe  një dhimbje e pamerituar”, e cilëson kryeparlamentari Ilir Meta në rreshtat e shkruara për ish-kolegun Sokol Olldashi.

“Me ikjen e tij, Sokoli na jep edhe një shans tjetër për të menduar se jemi qenie njerëzore përpara se të ndahemi për politikë”, thotë kryeparlamenti.

“Dhimbja i ka renditur të gjithë politikanët në një krah”, thotë Gramoz Ruçi duke vënë theksin te kontributi i Sokol Olldashit që prej aktivizimit të tij si në lëvizjen e Dhjetorit,  i dha veç vlera skenës politike shqiptare dhe miqësive të forta të lidhura në këtë sallë parlamenti.

"Një humbje tragjike për familjen, bashkëshorten, fëmijët, për publicistikën shqiptare, për opozitën shqiptare, për politikanët shqiptarë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë, ne me dhimbje jemi të gjithë këtu si grup parlamentar, për ta nderuar dhe për ta respektuar si njeri, si politikan dhe si kundërshtar vëllanë, mikun, kolegun tonë të dashur, Sokol Olldashi", tha kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.

“Nuk ishte radha e Sokol Olldashit”, thotë ish-kryeministri Fatos Nano.

"Sokol Olldashi ishte një nga ne politikanët e tranzicionit, me sakrificat, kontributet dhe debatet që i shoqërojnë të gjithë. Fatkeqësia është që iku pa rradhë, nuk ishte rradha e tij dhe sigurisht do t'i mungojë jo vetëm familjes, por edhe politikës dhe të ardhmes", u shpreh Nano.

Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit dhe politikanit demokrat ka bashkuar politikën shqiptare në mbarë trevat e saj. “Kudo ndër shqiptarë sot ka dhimbje”, deklaruan përfaqësuesit më të lartë të politikës kosovare pas homazheve.

“I shprehim ngushëllime familjes, Partisë Demokratike, popullit shqiptar, parlamentarëve për humbjen e një njeriu shumë të rëndësishëm, të një shqiptari që është munduar të rrezatojë pozitivitet në zhvillimet tona të përditëshme në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërie”, tha kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Por mesazhin më të fortë për humbjen e Sokol Olldashit e dhanë qytetarët që mbushën si rrallëherë oborrin dhe hollin e Kuvendit.

Pas orës 14.00 janë mbyllur homazhet në Kuvendin e Shqipërisë, prej nga arkëmorti me trupin e pajetë të deputetit, Sokol Olldashi është nisur për në banesën e fundit, por për  kolegët e tij, sic prej tyre e pohuan, Koli, siç e thërrisnin të gjithë, është i gjallë në parlament dhe politikë.

Top Channel

_______

Profil /  Kush ishte Sokol Olldashi

Sokol Olldashi mund të mos kishte dashur fare një ditë zie për vete dhe ndoshta do të ishte shumë i kënaqur sikur përcjellja e lamtumirës të bëhej vetëm me një batutë të bukur.

Jo sepse nuk donte të nderohej, jo sepse atij nuk i pëlqente të binte ne sy, por sepse donte që në sy të binte si njeri i mençur, arsyeja gjakftohtë e të cilit nuk e linte kurrë në rreshtin e dytë.

Të tilla cilësi, Sokol Olldashi i shfaqi veçanërisht kur nga dera e gazetarisë hyri në politikë dhe u shqua menjëherë si një nga politikanët më të mençur, më energjikë  dhe me batutën brilante për çdo rast.

Për gazetarët, Sokoli ishte politikani i preferuar, një thesar me informacione dhe mjeshtër i përdorimit të tyre. Për gazetarët e brezit të tij ishte një mik me të cilin mund të konsultoheshin dhe me të cilët ai konsultohej për çdo veprim, me të cilët ndante argument të rëndësishëm apo edhe biseda të zakonshme e rutinën e përditshme.

Për të rinjtë demokratë, të cilët i drejtoi në kohë të vështirë opozitare. Sokol Olldashi ishte modeli i kurajos dhe i qytetarisë, dy cilësi që e drejtuan Sokol Olldashin të pranonte me qetësi dhe dinjitet humbjen përballë Edi Ramës në vitin 2007.

Atëherë nuk kishte kaluar shumë kohë kur po me këtë qetësinë e tij emblematike, Sokol Olldashi kishte fituar një nga zonat me delikate zgjedhore, në Shijak dhe me po kaq qetësi, për gati dy vjet, si Minister i Brendshëm drejtoi luftën kundër krimit të organizuar.

Në 6 vitet e  fundit në detyrën e Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi ka prekur vetë çdo kilometër të çdo rrugë të re të ndërtuar në vend.

Në më pak se një dekadë, Sokol Olldashi mori mbi vete përgjegjësi të mëdha për të përmbushur me një vrull dhe pasion të pazakontë për shumë bashkëmoshatarë të tij, me një ide të qartë për çfarë ishte dhe ku do të shkonte.

Pas humbjes së zgjedhjeve, me qetësi, me logjikë gjakftohtë dhe me guxim politik, Sokol Olldashi u fut në një garë të vështirë për kreun e Partisë Demokratike, një garë, që e ndërtoi me kujdes, por nga e cila e dinte që më përpara se do të humbte më shumë se sa do të fitonte.

Sokol Olldashi ndërtoi me kujdes gjithçka në jetën e tij. Makina ishte e vetmja pakujdesi që Sokoli i lejoi vetes... deri në fund.

Top Channel



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: