Ali Cenaj: Shshshëëëtttt.....!
| E Premte, 15.11.2013, 08:09 PM |

Shshshëëëtttt.....!

Nga Ali Cenaj

Shshshshëëëtttt... Uleni zërin! Kështu disi kryeministri Thaçi ka ndërhyrë dje për të ndarë davanë e kahershme mes disa kolegëve që në kohë të fundit gjithnjë e më shpesh ngatërroheshin sa herë që, edhe pse në distancë të konsiderueshme, kambanat e Katedrales apo ezani nga xhamia te Muhaxhirët depërtonte përtej xhamave të zyrave tona.

A janë normalë këta? A kanë ndonjë orar apo kur t’u teket? Si për inat timin po u bien edhe më shumë, thoshte kolegu tek drejtohej kah dera për t’u qetësuar jashtë me një cigare.

Më kënaqën. Kur i dëgjoj kambanat, po m’i vjen era Evropë. Çka ke more kundër, çka doni ju aziatikët?! Nuk te pengon ai zani arabisht që të shurdhon veshët në ferk të mëngjesit? - e përcillte shpesh me rrebesh akuzash, sado me të qeshur, kolegia e re duke ngjallur debatin e përjetshëm pro e kundër për temën e nxehtë që bëhet e pashmangshme në situata të tilla.

Me vendimin e Kabinetit qeveritar të kryeministrit Thaçi është miratuar Projektligji për mbrojtje nga zhurma, i cili po të kalojë në Kuvend, për çka gjasat nuk janë të pakta, ka mundësi të bëhet ligj, normë ligjore, obligative, ai që na ka munguar dhe që më në fund, ka mundësi të vendosë rregull në këtë kakofoni të ambientit të elektrizuar mes dy poleve, pro e kundër.

Me vendimin e djeshëm, me Projektligjin e miratuar qeveria e kryeministrit Thaçi u tha vërtet: Shshshshëëëtttt...!

Atyre që me MP3 e altoparlanta "Marshall" thërrasin ezanin me volum e decibelë që të kërcënojnë timpanin e veshit, por edhe atyre që kur ia nisin t’u bien kambanave, i rrahin fort e nuk dinë të ndalen.

Normalisht, edhe të tjerëve, pronarëve të diskotekave që për hatër të myshterinjve harrojnë se i kanë diku aty afër edhe fqinjët që përpëliten tërë natën pa gjumë, pastaj shoferëve që, kur duan të thërrasin dikë nga katet e larta, në vend të celularit, në pikë të natës u mëshojnë borive.

Projektligji që çuditërisht, ditën e parë, ka kaluar gati pavërejtshëm, sidomos nga partizanët e taboreve ekstreme, me atë gjuhën juridike, pak a shumë abstrakte, thotë se ka të bëjë me efekte negative duke përfshirë edhe bezdisjen nga zhurma, se përcakton hartat e zhurmës dhe planet e punës së Qeverisë dhe komunave.

Edhe ajo kryesorja, më problematikja, se përcakton edhe “bazën e vendosjes së masave të komunitetit për zvogëlimin e zhurmës” ende nuk ka zgjuar reagimin që pritet të zgjojë.

Siç duket, ata që me arrogancën e injorantit, agresivitetin, zhurmën e tonin e ngritur e kanë gjuhë të preferuar të komunikimit, vendimi i ka zënë në gjumë. Veç mund ta paramendoni çfarë reagimi mund të pasojë ditëve në vijim.

Një nismë e ngjashme, vitin e kaluar, nga një këshilltar komunal në Prizren, për pak mbeti në suazat e luftës me fjalë. Nëse ashtu u prit vetëm një propozim, mund ta marrë me mend kush si do të pritet vendimi që altoparlantët e fuqishme që këto vitet e pasluftës erdhën donacion nga ku ta di kush, të zvogëlojnë zërin. Në suaza të ligjit, normave të demokracisë, me të cilat duhet të mësohemi.

Që kambanat dhe thirrja e ezanit të jetë e këndshme për veshin e secilit qytetar e jo të shkaktojë ndjenjë irrituese. Më në fund loja me altoparlantë është keqpërdorim i fesë, sepse ai që beson Zotin është i devotshëm, i qetë, i pazhurmshëm.

Arroganca e shoqëruar me injorancë që po manifestohet gjithnjë e më guximshëm, është bombë e kurdisur. Sidomos për shqiptarët që tashmë s’jemi shumë të sigurt se përparësia jonë është m’u fakti se kemi kaq shumë diversitet fesh apo bindjesh.

Si davaja e këtyre kolegëve që ngatërrohen sa herë që kambanat e Katedrales apo ezani nga xhamia te Muhaxhirët depërton përtej xhamave të zyrave tona.

Projektligji, nëse bëhet ligj, është vendimi i duhur. Ndërhyrja më e qëlluar në këtë kakofoni gjelucësh. Prandaj kryeministri e tha bukur.

Shshshëëëttt......! Uleni zërin!


zeri.info

(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: