Elida Buçpapaj: Çarmatosja e Sirisë pa pasoja
| E Premte, 15.11.2013, 07:51 PM |

ÇARMATOSJA E SIRISË PA PASOJA SI NË SHQIPËRI DHE NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-SHBA-NATO

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Një mik i nderuar në Facebook më shkruante "Tash Elida do të ishte mirë të shkruash një koment për armët kimike, e jo të postosh komentet e të tjerëve! Pershëndetje" –

Zotëria kishte shumë të drejtë, sepse rreth armëve kimike ne kemi heshtur në mënyrë aktive, duke publikuar të gjitha qëndrimet. Për një gjë mbaj qëndrim të prerë, kur sensibiliteti për armët kimike adresohet si antiamerikanizëm. Këtë lloj manipulimi nuk e pranoj assesi.

Ndërsa fushatat sensibilizuese të elitës, ekspertëve të fushës, ambientalistëve, shoqërisë civile dhe shtypit natyrisht që janë të domosdoshme, duke shmangur qëndrimin politik dhe përfitimin politik.

Për armët kimike të Sirisë me destiancion Shqipërinë u mësua përmes një informacioni të rrjedhur. Kam përshtypjen nga Ministria e Jashtme. Pastaj mësuam se Rama dhe Kerry kishin folur në telefon dhe sipas Sausan Ghosheh, e dërguara në Siri e misionit të Kombeve të Bashkuara të Organizatës Kundër Përdorimit të Armëve Kimike, „më datë 15 nëntor pritet të mblidhet Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për të vendosur lidhur me procedurat e shkatërrimit dhe vendin“. Vendet që diskutohen janë Franca, Belgjika, Norvegjia dhe Shqipëria.

Unë personalisht, si Elida Buçpapaj parimisht jam kundër ardhjes dhe demontimit të armëve kimike si në Shqipëri ashtu edhe në Europë. Mendoj se armët kimike duhet të eleminohen në Siri nën monitorimin e fortë të OKB-së, BE, SHBA! Mund të demontohen edhe në vendet që i kanë shitur, përsëri nën monitorim shumë të fortë.

Ndërkohë Shqipëria është me SHBA aleat jetik dhe dialogu me ta duhet të jetë shumë i ngushtë, shumë luajal dhe shumë konstruktiv. Pikë.

Ish-Kryeministri Berisha na solli ujgurë në Shqipëri. Po ashtu na solli edhe muxhahedinët në Shqipëri. Nuk i solli me dëshirën e tij, besoj. Aso kohe, qeveria shqiptare pranoi që vendi ynë të strehojë 210 muxhahedinë irakianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë Berisha do të deklaronte se „Premtimi për strehimin e tyre i është bërë edhe Sekretares së Shtetit Clinton gjatë vizitës së saj në Tiranë“. Për strehimin e 210 muxhahedinë irakianë ishte i interesuar edhe përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), por Berisha mori në konsideratë kërkesën e Zonjës Clinton. Dhe bëri mirë. Pikë.

I ndryshëm ishte vendimi i qeverisë Berisha për importin e plehrave, ku sipas tijShqipëria bëhej gropa e plehrave të rajonit, jo në kuptim metaforik, në kuptimin ad literam - të cilin Rama e shfuqizoi menjëherë me një prej tri vendimeve të para të qeverisë së tij. Bota e qytetëruar importon lëndë të para, Shqipëria eksporton lëndë të para dhe do të importonte plehra.

Shqipëria është e ndjeshme me temën e çarmatimeve, sepse e ka përjetuar me një tragjedi deaktivimin e armatimeve të kohës të diktaturës, siç ishte Gërdeci. Por kur ky proces u monitorua nga specialistët, gjithçka shkoi në rregull.

Në këtë konteskt, unë mendoj se kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të mirë kur ka thënë se për të "është i rëndësishëm partneriteti me SHBA nga llogoret e Irakut tek çarmatosja e Sirisë".

Të çarmatosësh Sirinë është detyrë e komunitetit ndërkombëtar, por problemi është që kjo çarmatosje të bëhet pa asnjë pasojë si në Shqipëri, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n.


VOAL, 11.12.2013

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: