Cikël letrar nga Zeqir Lushaj
| E Marte, 12.11.2013, 09:03 PM |

Cikël letrar:

NDERI I KALIT

Nga Zeqir Lushaj

KALI I BARDHË

 

Tek eci sot, rrugëve të atdheut,

Në bulevarde, a qiejve fluturim,

Më vjen në kujtesë fëmini e largët,

E, kali i bardhë, i babait tim.

 

Për freri, ngadalë, e fusja mes barrëve,

Ai, qëndronte, i rëndë dhe i qetë,

Babai, e ngarkonte me miell e plaçka,

Rrugën e gjatë, merrnim për në bjeshkë.

 

Ngarkesën mbi shpindë, e njihte mirë,

Kali im fisnik, kali im i bardhë,

Ngarkoje me drith, nisej për mulli,

Koha e bjeshkës e dinte kur ka ardhë!

 

Mbi shpindë të kalit, në mes të barrëve,

Më linte babai, një vend dhe mue,

At’here gjogu 1), ecte më ngadalë,

Sikur, nuk donte për të me trazue!

 

Zhurma e patkojve dhe e ziles në qafë,

Përzihej me zhurmën e gjinkallave të malit.

Unë, këpusja gjethe ahu e lajthie,

Trëmbja mizat, mbi jelet e kalit.

 

Tek eci sot, rrugëve të atdheut,

Në bulevarde a qiejve fluturim,

Më vjen në kujtesë fëmini e largët,

E, kali i bardhë i babait tim.

 

-Nga libri Hija e vendlindjes, fq 81-

 

 

TROKU…!

 

-“Ç’ka nuk ma merr mendja mue, nuk asht as ne Kuran”,

- ka pas thanë dikurë një hoxhë i këndueshem! –

 

Respekt,

Për kompozitorët:

– Paçi lavdi!

 

Aa-maaaa !

“Muzikën” e trokut,

Të patkonjëve të kalit,

 

Në rrugë dheu,

…Në kalldrëme,

…Në asfalte…!

 

Askush, nga Ju,

(Në shpirtin tim),

…Nuk mund ta arri!!

./.

-Nga libri “Pengjet” fq 12-

 

 

GJOGU I BABËS

-Ngjarje e jetuar…, në moshën time, 10-vjeçare-

 

E shihja çdo ditë, dhe çdo ditë më dhimbsej gjithnjë e më shumë.

Dikurë, ka qënë emnes për mirë. Si gjogu i Filanit, -thoshin mileti. Çdo ditë kashagitej me kujdes. Edhe jelet e bishtin ja shkrehshim me kënaqësi, ja bajshim-gojfil! Lene ma, bari e sana ma e mirë, lene ma, tagjia në darkë e një strajcë plot galinxha me vete për rrugë…Po zilja në qafë? Po tufët e qendisura e pasqyra në ball? Po shala me shilte e thirrja nëpër dasma? Sa nuset e reja e kanë marrë rrugën e martesës mbi shpindën e gjokut tim…!

Sot, ka mbet si i shkret. Mezi endet rrethit oborrit. Këmbët i merren. Kokën e mban ulët….Ka filluar t’i vijë edhe një erë e keqe…Hej, zot, si është katandisë Ai, ish gjogu i famshëm!

Një ditë, e morëm ngadalë dhe e përcollëm deri në Arat e Epra. Rreth 500 metra larg shtëpisë. Atje, ishin korrur arat e, për të hangër në ponove kishte boll. Po,kush të hante? Ai, ish-gjogu i pashoq, tani mezi ecte. Dikush tha: -Lereni atje, tek arat , te  Kisha. Ndoshta, ndonjë natë e han edhe ujku… -Ai, ’ka pse hyn ma në dimër. Se, nuk del ma në verë!

Atje e çuam, atje e lam. E shikoja çdo ditë…me dhimbsej. Fort dhimbsej. E kam dashur shumë at’ gjog. Ai ishte tepër i pashëm, i fuqishëm, fisnik e krenar. Në shpindën e tij, sa e sa herë jam ngjitur deri lart në bjeshkë, në Morajë e në Shtyllë të Grisë. E kam nëpër vjersha…!

…Aty, në ara të Epra, te ara e Vrellës, u gdhi dhe u ngrus rreth dy javë. Ashtu, cullak ,

(i xhveshur), për gjynah. Pa samar as shalë, pa fre as kerpesh, pa zile as pa patkoj në këmbë! Të gjitha i ishin hequr. Veç shpirti, akoma bent e vend brënda atyre brinjëve të thata. S’kishte ma grazhd, s’kishte ma tagji. Ditë-natë, vetëm, nën qiellin e hapur të asaj vjeshte të vonë…!

Kur, ç’të shoh? Një ditë, rreth akshamit, kish lënë arën e ish filluar me një çapitje tejet të lodhur e të ngadalëshme drejtë shtëpisë. Tërë natës në vazhdim kish pas udhtuar, jo më shumë se 150 metra. Kish dalë në drumin e fisit, afër prronit të Gjollëve. Ecte në të tijen e pleqrisë, me ritmin e stërngadaltë. Që të mos rrëzohej. Që të arrinte diku. Kish edhe ai një ide, një qellim…!

I thirra babës dhe i thash se, - po vjen gjogu.

 

-Ani. Mos e ngucni, babë. Po vjen të shtëpia. Tani, ai po e ndjen se nuk do të jetë ma. Nuk don që t’i mbeten kockat atje larg, don të jetë në oborrin e shtëpisë së tij…!

Babai fliste, e Unë, vertetë dridhesha në shpirtin tim nga ato fjalë.

…Ditën e dytë,në darkë, gjogu i rraskapitur arriti në oborr. U ndal, mbas shtëpisë, në një lëndinë të vogël, tu lama, siç i thoshim, se aty viheshin ushqimet e dimrit. Ju afrova me kujdes. Ja preka jelet, ja lëmova e kruajta ballin e gjatë!...(Për mua, gjogu e kish fituar betejën e jetës !)

E kthej shikimin nga Unë. I tejlodhur, dashamirës. M’u duk se…, po më falënderonte.

I thashë:- “natën e mirë” , -gjogu im i dashur ! Bane shumë gajret që erdhe tu shtëpia jote. Na ban hallall gjog, se të kemi munduar jo pak në jetë. Me mundimin tënd kemi mbajtur shtëpinë, me mundimin tënd, jemi rritur. Qofsh i bekuar gjagu im i mirë, gjogu im i bardhë…!

E preka lehtë, shumë miqësisht në shpatullë dhe…, u futa brënda.

…I tregova babës për këtë veprim me gjogun dhe, Ai, më përqafoi:

-Shumë mire, babë, shumë mirë ke ba. Brravo! Edhe ai ka shpirt…, shpirt, sikur Njeriu.

…!

Të nesërmen në mëngjes, dola më heret së ditët e tjera në lamë.

Në lëndinë, ishte shtrirë, sa gjërë-gjatë, trupi vigan, i pajetë, i gjogut të babës, i gjogut tim.

--------------------

-Nga libri (në formesim e siper), “Mrizi i burrave  -Me Sadik Selmanin-”-

 

 

NDERI I KALIT

Pasjoni i fëmijërisë, nuk u shqitka lehtë.

NJ, USA 2008 (Foto: Vincent Montagna)

 

Ky kalë që shihni,

Në shpindinë të librit,

Është shumë i shtrenjt,

 

(…Më i shtrenjt

se një Mercedes!)

 

Është nderi i një çifti,

Që martohet,

Dhe…,

 

Nderi i arkivolit,

Kur,

Një pasanik vdes!!

 

…!

E di se,

Unë,

(Ndonëse jam rrit me Kalin)

 

Nuk do të përcillem,

Në banesën e fundit,

Me trokun e Tij!

 

Në shenjë nderimi,

Për nderimet e Kalit,

E bëj, kopertinë – libri,

…Këtë fotografi!!

./.

-SHBA, shkurt 2009-

Shenim:

Në kujtim të gjogut tim të bardhë për të cilin lexuat me lart, u fotografova me këtë vraç të zi, (me lejen e pronarit ), që kish ardhur afër punës time ne NJ, USA,  për një ceremoni (të rëndësishme) mortore.

(Nga libri “Pengjet”)


-Per “ZemraShqipëtare”, nga NJ, USA, Nëntor 2013-

(Vota: 19 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: