Ramiz Dërmaku: Kombi e don edhe shtetin e vet
| E Diel, 10.11.2013, 05:47 PM |

Kombi e don edhe shtetin e vet

-Nëse nuk e pranojmë bashkimin kombëtar si një projekt që na përket neve sot, atëherë le  të mos quhemi një komb-

Nga Ramiz DËRMAKU

Weingarten-Gjermani- Fjalët më lartë mbase do të duken sadopak ekzagjerime, dhe të tilla janë nëse kuptohen si propagandë politike, e jo si kremtim i një fitoreje që tejkalon çdo lloj varianti të “politikës ditore”. Atyre që u ka penguar ndërtimi i Arteries në Zemrën e kombit, që mbanë gjallë kombin, le ta dinë se kjo vepër mbetët, kurse politikat e ditës harrohen, ndryshohen kushtetutat, proceset evoluojnë, le të evoluojnë edhe si thonë në “integrimet evropiane“. Pse i pengoi Fondit Monetar Ndërkombëtar ndërtimi i Arteries Kombëtare, autostradës Durrës – Besianë? A ishte kjo pengesë çështje “materiale” (mungesë eurosh), apo çështje “politike” kur dihet se ajo është agjenci e Kombetare. “Të gjithë  e dimë se mbas viteve ‘47, atëherë kur u formua e ashtuquajtura bashkësia europiane, së pari ishin tri shtete, pesë, e sot janë njëzet e shtatë shtete.Për Bashkimin kombëtar, ne duhet t’ia fillojmë punës prej bashkimit ekonomik. Kryeministri Berisha ka dalë kunder deklaratës së kryeministrit Thaci mbi bashkimin e shqiptareve në një shtet. Sipas Berishës: Kjo do t’ na bënte te hunbisnim më shumë teritore. Prandaj më mirë kështu siç jemi se kemi me shumë teritore shqiptare pavarsisht se ato janë ne shtete te tjera. Para disa ditësh kryeministri Thaçi, deklaroi se bashkimi ne një shtet i shqiptarëve do të ishte zgjidhja më e mirë. Idene e Berishës e përkrahu edhe Aleanca Kuq e Zi. e cila ne programin e saj u distancua nga bashkimi kombëtar dhe kërkoi bashkimin e shqiptareve sipas parimeve të BE-ne.  Nuk e mohojmë se Shqipëria pas vitit 1990 ka ndihmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës apo ka ndikuar sadopak në përmirësimin e pozitave të shqiptarëve në IRJM, Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

Mirëpo, Shqipëria nuk ka pasur një qëndrim të qartë e parimor pro vetëvendosjes, nuk ka miratuar e artikuluar ndonjë strategji kombëtare, e aq më pak të bashkërendonte përpjekjet kombëtare e paqësore të shqiptarëve.

Përkundrazi, pozicioni i Shqipërisë ka qenë në mënyrë konstante më i tërhequr se sa kërkesat politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Republika e vetëshpallur e Kosovës u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë, por nuk ka pasur asnjë vendim të ekzekutivit që ta bënte të efektshme njohjen nga ana diplomatike. Në këtë mënyrë, Shqipëria e linte të hapur pranimin prej saj të çfarëdo zgjidhjeje politike për Kosovën që do të realizohej nga bashkësia ndërkombëtare. Refuzimi de facto për të njohur pavarësinë e Kosovës i linte fushë të hapur edhe protagonizmit vetjak të udhëheqësve të shtetit shqiptar, diçka kjo që do të pengonte sendërtimin e një politike të pandryshueshme të Shqipërisë për Kosovën.

Në nëntor të vitit 1997, Kryeministri Nano takohet në Kretë me Millosheviçin, ku përflitet se ka folur për shqiptarët e Kosovës si një pakicë etnike.

Kur ish kryeministri Nano, pyetet nga një gazetë gjermane për Kosovën, ai përgjigjet: “E ç’kuptim ka pavarësia në Europën pa kufij nëse je një qytetar europian?” (‘Der Spiegel’, 08.09.1997). Në fund të shkurtit 1998 ai kërkon që shqiptarët jashtë Shqipërisë të marrin pjesë në institucionet shtetërore, gjë që praktikisht nuk shkonte përtej kërkesës për demokraci: “institucionet paralele nuk japin zgjidhje, por përkundrazi polarizojnë dhe radikalizojnë shoqëritë që i krijojnë ato” (‘Zëri i Popullit’, 07.02.1998). Në fund të marsit të atij viti, kur kishte nisur lufta e UÇK-së, Nano përmend formulën “republikë minus”, d.m.th., statusin e republikës brenda Jugosllavisë së mbetur, por pa të drejtë shkëputjeje (‘Zëri i Popullit’, 31.03.1998), sërish më pak se sa kërkonin shqiptarët e Kosovës në atë kohë. Pas vitit 1999, me përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-së, NATO-s e OKB-së në Kosovë, Shqipëria mund të justifikohej se duhej të ishte e kujdesshme që qëndrimet e saj t’i bashkërendonte me aleatët e miqtë ndërkombëtare të shqiptarëve. Kjo duket në formulën “Shqipëria faktor, por jo aktor” për zgjidhjen e statusit të Kosovës të shqiptuar nga Presidenti Moisiu dhe diplomatët shqiptarë më 2006-n, apo në formulën e ish-ministrit të Jashtëm se, Shqipëria nuk do të jetë as e para dhe as e fundit që do ta njohë Kosovën e pavarur, shqiptuar në prag të shpalljes së pavarësisë. Edhe me krijimin e shtetit të Kosovës, qëndrimet e Shqipërisë shkojnë përtej kujdesit me respektimin e statuskuosë. Nuk bëhet fjalë thjesht për shprehje pamundësisë për të avancuar në realitet bashkimin kombëtar, por për mohimin e vetë idesë së bashkimit. Në mars të këtij viti, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto, tha gjatë një vizite në Kosovë se, teza e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është e dëmshme për shqiptarët (prej nga del se ndarja e shqiptarëve në disa shtete qenka shumë e mirë për ta) dhe se i vetmi bashkim i shqiptarëve do të mund të realizohet në BE. Kryediplomati i Shqipërisë u angazhua që të ndihmojë në njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të shtetit kosovar dhe për bashkëpunim më të ngushtë për integrimet europiane. Pra, të njëjtat angazhime dhe asgjë më shumë se ç’do të merrte përsipër çdo shtet tjetër i Europës që e ka njohur Republikën e Kosovës. Mbyllja e çështjes kombëtare ka krijuar një situatë paradoksale në përfytyrimin e shqiptarëve, sepse thuajse të gjithë pohojmë se jemi i njëjti komb, por kur vjen puna te bashkimi, një pjesë e mirë e përjashton si mundësi. Sigurisht që arsyetimet për të mos u angazhuar për bashkimin janë të shumëllojta: një pjesë e dëshiron, por e quan të pamundur, një pjesë e mendon të panevojshëm në kohën e integrimeve europiane, një pjesë mendon se bashkimi do të vijë natyrshëm nga ekonomia dhe “rrugët e kombit”, një pjesë do të ishte dakord që ta realizonin fuqitë e mëdha ndërkombëtare, një pjesë e shikon si një shkak për luftëra të reja në Ballkan, një pjesë në Shqipëri nuk e dëshiron sepse mendojnë se do të prishte drejtpeshimin gegë-toskë, një pjesë e mendojnë si rrezik bashkimin politik të një kombi me shumicë myslimane, një pjesë në Shqipëri mendon që të mbajmë fort këtë shtet që kemi dhe të mos synojmë për më shumë se nuk kemi takat etj. Të gjitha këto janë pjesë e gjykimit të përgjithshëm të shumë shqiptarëve. Çështja kombëtare u duket diçka e largët që nuk prek jetët e tyre të përditshme, ndoshta një ide e mirë dikur apo në të ardhmen, por që nuk ka të bëjë me ata vetë në të tashmen. Nëse nuk e pranojmë bashkimin kombëtar si një projekt që na përket neve sot, atëherë le  të mos quhemi një komb. Kombi nënkupton një projekt politik për të qenë bashkë dhe për të vetëvendosur, sepse vetëvendosja është shprehje e lirisë së tij. Një ndër klasikët e shkencave shoqërore, Maks Veber shkruan se: “Kombi është një bashkësi e ndjenjave që në mënyrë të përshtatshme e shfaq vetveten në shtetin e vet; pra kombi është një bashkësi që ka tendencë të krijojë shtetin e vet”.

- Kurse në librin ‘Kombet dhe nacionalizmi’, të Ernest Gellnerit shkruhet se, në epokën e nacionalizmit, kombet përkufizohen si nga vullneti, po ashtu edhe kultura, por kanë si parim rregullues përputhjen e të dyjave në njësinë politike.

- Studiuesi bashkëkohor i nacionalizmit, Anthony D. Smith argumenton se edhe në një epokë globale në Europë mbizotëron dëshira për të njësuar shtetin me kombin. Emëruesi i përbashkët i përkufizimeve të kombit është lidhja e tij me një shtet, ose, në mungesë të shtetit, me kërkesën për të themeluar shtetin kombëtar. Prandaj, pohimi se kombi shqiptar ekziston, automatikisht sjell me vete edhe kërkesën për një shtet kombëtar të shqiptarëve. Kjo do të thotë që logjika e artikulimit të kombit nuk të lejon që të thuash se jemi një komb, e megjithatë pranojmë të jetojmë të ndarë, apo se bashkimi është i dëmshëm për kombin.

Duke mos e marrë në konsideratë çështjen kombëtare, duke mos e bërë çështje qendrore të politikës, shqiptarët na dalin një komb që nuk e duan bashkimin kombëtar! Mirëpo, pa artikulimin e bashkimit të shqiptarëve në sferën publike, “kombi shqiptar” vihet në pikëpyetje si i tillë. Nëse mbyllet çështja kombëtare, atëherë kombi kthehet në një çështje. Është e natyrshme që boshllëkun që krijohet nga tërheqja e çështjes kombëtare prej ligjërimit publik ta zënë ose ligjërime fetare e krahinoriste, ose ligjërime për lindjen e kombeve të reja, sipas shteteve ku jetojnë sot shqiptarët. Me gjithë kritikat e shumta që i janë bërë tezës së “kombit kosovar”, nuk mund të anashkalohet logjika që qëndron pas saj. Përkrahësit e “kombit kosovar” e artikulojnë atë si një projekt për t’u realizuar, meqenëse projekti i bashkimit të shqiptarëve është lënë mënjanë. Në këtë aspekt, teza e tyre është e vështirë të kundërshtohet. Nëse i qëndrojmë përkufizimeve të mësipërme të kombit, të cilat theksojnë vullnetin për të themeluar një shtet për bashkësinë e përfytyruar kombëtare, atëherë nuk mund të fshihemi pas parullave komode se, ne shqiptarët “jemi një komb, por nuk e duam bashkimin”, “jemi një komb, por bashkimin e shtyjmë për më vonë”, “jemi një komb, por do të bashkohemi në BE”, apo “jemi një komb me dy (tre) shtete”. E përsërisim se po e mbyllëm çështjen kombëtare shqiptare, ne kemi hapur çështjen e kombit shqiptar, të paktën në trevat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Kjo është pika e fortë e tezës së “kombit kosovar”: meqë kombi është njësi politike dhe jo vetëm kulturore, që do të thotë se kombi nënkupton një vullnet për t’u organizuar në një shtet dhe meqë projekti i shtet-formimit të shqiptarëve duket se ka ndalur në kufijtë e Shqipërisë, atëherë le të ndërtojmë kombin e shtetit të Kosovës (dhe të shqiptaro-maqedonasve, sipas Teuta Arifit). Jo më kot ata flasin e shkruajnë për “etni” shqiptare, duke e ulur peshën politike që përmban fjala “komb”. Prandaj, kritika më e mirë që mund t’i bëhet kësaj teze është shkruar nga Rexhep Qosja, i cili kosovarizmin e ka cilësuar si “ideologji kundërhistorike me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej: ideja e bashkimit kombëtar”. Këtë thënie të Qoses e kuptojmë si tërheqje të vëmendjes për nga dy projekte alternative: deri më sot projekti politik i historisë moderne të shqiptarëve ka qenë bashkimi, ndërsa lënia e tij mënjanë në Kosovë po synohet të zëvendësohet nga projekti i kombit kosovar.

Kombi duhet parë si kërkesë a pretendim kolektiv në politikë. Ai nuk është thjesht një term për përshkrimin e botës që ekziston jashtë gjuhës, por një fjalë që përdoret për të ndryshuar botën apo mënyrat se si njerëzit shohin veten dhe të tjerët dhe për t’u mobilizuar kolektivisht në emër të kombit. Kjo i përshtatet gjendjes së kombit shqiptar, i cili duhet të artikulohet si një komb i ndarë dhunshëm që kërkon të bashkohet. Për ta rihapur çështjen kombëtare nevojitet një lëvizje shumëplanëshe politiko-kulturore në mbarë trojet shqiptare, e cila të ketë në qendër “kombin”. Qenia së bashku e shqiptarëve nga shtete të ndryshëm e bashkëndarja e interesave dhe adresimi së bashku i problematikave të njëjta që i shqetësojnë në ekonomi e sipërmarrje, shoqëri, kulturë, media e arte, arsim e shkencë, argëtim e sport, do të bëjë që kufijtë që ndajnë shqiptarët të shuhen pikësëpari në psikologjinë e tyre. Në këtë mënyrë, ata do të bëhen gati për kundërshtimin e kufijve politikë. Përpjekja për hegjemoninë kombëtare duhet të luftojë idenë përçarëse dhe demoralizuese se shqiptarët nuk arrijnë të bëhen bashkë dhe se ata nuk arrijnë të bëjnë shtet. Përkundër logjikës së diferencimit të politikës së sotme, që kërkon që çështjen kombëtare ta copëtojë në disa çështje të veçuara që gjoja zgjidhen në kuadër të integrimit të shteteve ballkanike në BE, nevojitet të zhvillohet logjika e barazimit të këtyre çështjeve dhe artikulimit të tyre së bashku si pjesë të së tërës.

Te “kombi” duhen brendashkruar kërkesat e ndryshme shoqërore që kanë shqiptarët. Në këtë mënyrë, edhe kërkesa për bashkim paraqitet dhe kuptohet si një kërkesë emancipuese. Kombi shqiptar përmban një sërë grupesh e shtresash shoqërore dhe hegjemonia kombëtare kërkon që ata të shohin te zgjidhja e çështjes edhe adresimin e problematikave specifike të tyre. Suksesi i çdo lëvizjeve kombëtare kërkon që vetëdija kombëtare të jetë e pashkëputur nga vetëdija politike dhe shoqërore. “Kombi” të jetë gjuha e intelektualëve dhe e masave, e studentëve, e sipërmarrësve dhe e punëtorëve, e qytetarëve dhe e fshatarëve, e grave dhe vajzave që kërkojnë shanse të barabarta jete me burrat etj. Mbrojtja e kombit përfshin jo vetëm trashëgiminë kulturore dhe pasurore të brezave të shkuar, por edhe përgjegjësinë që kemi sot për brezat e ardhshëm. Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përndryshe, ai kthehet në një diçka të largët, ceremoniale. Ajo që deri tani ka qenë e zbehtë në veprimtaritë e organizatave shqiptare është lidhja e përpjekjeve lokale dhe shoqërore me të përgjithshmen dhe kombëtaren. Me fjalë të tjera, problematikat e ndryshme të shqiptarëve në shtetet ku ndodhen janë trajtuar si dukuri lokale që kërkojnë përgjigje lokale, dhe jo edhe si dukuri mbarëshqiptare, që kërkojnë bashkërendim të punës midis organizatave shoqërore shqiptare në të gjitha pjesët e kombit. Përkundrazi, ka pasur përpjekje në drejtimin e kundërt, për ta paraqitur çështjen kombëtare si çështje shoqërore, si p.sh., me reduktimin e çështjes çame në një problem pronash. Çështja kombëtare nuk duhet ta humbasë specifikën e saj edhe kur përfshin projekte dhe problematika të gjera shoqërore.

Për shqiptarët, bashkimi kombëtar duhet të jetë si një lloj besimi i patundur se një ditë ai do të realizohet.

-Parulla e Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, është përdorur rëndom për t’u treguar shqiptarëve se, përkushtimi ndaj çështjes kombëtare duhet të jetë më i lartë se ai për fetë. Mirëpo, përderisa çështja kombëtare konsiderohet si “fe e përmbi fe” (Mitrush Kuteli), kjo do të thotë se hegjemonia kombëtare është baras me konvertimin e shqiptarëve te besimi i bashkimit. Të qenët anëtar i kombit shqiptar, do të thotë të besosh se je thirrur për të punuar për realizimin e bashkimit të tij.

P.S. Thënjet e autorëve të cituar janë marrë nga shtypi ynë.


-Ekskluzivisht per ZSh-në, Nëntor 2013-

(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: