Idriz Zeqiraj: Shpalosje kujtimesh për mikun tim Kadri Mani
| E Premte, 08.11.2013, 09:30 PM |

FJALA NË AKADEMINË PËRKUTIMORE PËR KADRI OSMANIN - MANI

SHPALOSJE KUJTIMESH PËR MIKUN TIM KADRI OSMANI - MANI

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Tashmë, u bë një vit që kur miku im i zëshëm, Kadri Osmani - Mani, shkoi në amshim. Në çdo mbremje në klikimin e parë, ke portali "Zemra Shqiptare.net", që moderohet në Londër, nga shkodrani Gëzim Marku, i ndihmuar nga Ilir Dardani me shokë, më shpërfaqet portreti fisnik dhe kënga mrekullisht e realizuar nga miku ynë Agim Gashi, i njeriut që përtej 70 viteve zemra e tij e dlirë rrahu për Kosovën, për Shqipërinë Etnike.

Për herë të parë e pashë në mesvitet '60-a, kur hyri në klasën tonë, në Gjimnazin e Pejës, përgjatë mësimit të letërsisë, për të agjituar dhe pajtuar shkollarët normalistë në revistën zëmirë "Jeta re", në kryesim të poetit dhe njeriut shumë të respektuar Esad Mekuli.

Kadriu, njeriu i idealeve të mëdha

Për herë të dytë, po në vitet  '60-a, e pashë dhe e njoha Kadri Osmanin në Shkollën "Rilindja" të Keçekollës, në Gollak, duke ndarë edhe dhomën me atë. Ishim kolegë në arsim, e respektoja dhe mësoja nga baca Kadri, ndonëse një dekadë diferencë moshe, por ai më trajtonte si të barabartë, pa shfaqur kurrë epërsinë e natyrshme që zotëronte.

Përgjatë jetës time në arsim në Kosovë dhe Shqipëri, kurrë dhe asnjëherë nuk kisha hasur që ndonjëri ta lërë qytetin dhe, për më tepër, kryeqytetin, nusen dhe fëmijtë, për t'u ngjitur dhe kaluar kodrina e male, me motivin logjik dhe idealin e madh - për t'i shërbyer arsimit dhe popullatës, fort izoluar, në atë kohë, në trevën e Gollakut.

Baca Kadri më thoshte se kjo është zonë e izoluar, se këtu janë personazhet e romanit "Gjarpijtë e gjakut", se kjo është zonë kufitare dhe pushteti serbo - sllav ka për synim shpërnguljen, boshatisjen e fshatrave, ndaj duhet të punojmë shumë. Dhe, kjo shpjegon arsyen e sakrificës të Kadri Osmanit, kur ai braktisë rrugët e asfaltuara të Prishtinës dhe zyren e ngrohtë të Redaksisë "Jeta re", për të përshkuar rrugët e pluhërosura verës dhe të baltosura dimrit, duke jetuar mes malesh të Gollakut.

Në atë kohë, Qendra shkollore "Rilindja" e Keçekollës kishte tri shkolla 8 - vjeçare dhe shtatë shkolla fillore (katër klasëshe). Kuadri shkollor, me përjashtime, ishte në procesin e kualifikimit. Varfëria në zonë ishte e skajshme. Përveç bagëtive, edhe ato në numër të pakëta, banorët e atjeshëm jetonin nga shitja e druve në Prishtinë.

Biblioteka - begatimi i mendjes - ëndrra e tij fisnike

Mungesa e bibliotekave ndër shkolla, mungesa totale e revistave për fëmijë, por edhe për mësuesit, e tmerronin njeriun e letrave Kadri Osmanin. Dhe, një ditë më thotë: "Nisu për Prishtinë dhe Shkup. Kërko nga redaksitë e librave  dhe të revistave të ndihmojnë zonën e Gollakut, për hapjen e bibliotekave shkollore dhe pajtim të përhershëm në revistat "Pionieri", "Fatosi" dhe Gëzimi, (dy të fundit botime të Shkupit), për fëmijë si dhe revistat "Zëri i rinisë", "Jeta re" dhe "Jehona", kjo e fundit botim i Shkupit.

Dera e parë në të cilën trokita ishte "Enti i botimeve të Kosovës", i cili vepronte në kuadrin e Ndërmarrjes Botuese "Rilindja". Qëllimshëm kërkova rastin për të hyrë në depon e madhe, prej nga bëhej shpërndarja nëpër libraritë e Kosovës. Që andej, u gjenda në zyren e drejtorit.

- Vij nga Shkolla "Rilindja" e Keçekollës dhe kërkojmë nga Ndërmarrja "Rilindja" t'i ndihmojë me literaturë krijuese, artistike shkollat në Gollak, - i thashë unë, sikur ta recitoja një vjershë.

-"Ne i kemi botimet e planifikuara, nuk kemi teprica, kemi edhe disa rregulla financiare", -  m'u përgjigj akulltazi drejtori burokrat.

-Megjithatë, unë isha në depon tuaj qendrore dhe pashë botime të vjetra, të stivuara, të plurosura, të harruara", - u gjegja unë serbez, pa ndrojtje fare.

"Ti koke (dhe jo qenke - shënimi im) mi i bibliotekave", - më tha drejtori, disi i shkujdesur.

- Shoku drejtor, edhe mësues, edhe mi, sikur nuk shkon", - i thashë unë, duke e shikuar ngultas dhe gadi përvajshëm.

- "Mirë, mirë, ta shohim këtë punë. Lene adresën", - dhe mbylli bisedën drejtori, për të mos u përgjigjur kurrë më. Fytyrën, sjelljen dhe emrin e drejtorit i mbaj mend edhe sot, sepse në vitet '60-a kishte fare pak drejtorë në Kosovë.

Kryeredaktorit te "Jeta re", bacë Esad Mekulit, ia përcolla përshëndetjet e Kadri Osmanit. Ai u interesua fort për të dhe më foli me admiratë, për kohën që baca Kadri kishte punuar në "Jeta re". Kërkesës tonë bacë Esadi iu përgjigj pa ngurrim fare. Hapi depon modeste të redaksisë, ku përveç revistave, kishte edhe botime tjera.

-"Merr nga çdo titull libri dhe revista që janë më shumë se tre copë, pavarësisht vitit të botimit", - më tha baca Esad. Dhe, ashtu u bë.

Redaksia "Zëri i rinisë", e kryesuar nga Ali Sutaj, me një staf shumë simpatik, ka qenë e afërt me rininë shkollore. Ata kanë qenë gjithëherë vullnetmirë dhe të gatshëm për lehtësira pajtimesh kolektive, duke dhuruar edhe disa ekzemplarë të revistës falas. Por, ne kërkuam  edhe më shumë, si zonë skajshëm varfanjake. Dhe, mirëkuptimi nuk mungoi.

Për në Shkup udhëtoja për herë të parë. Ndërmarrja botuese "Nova Makedonia", shquhej për gjigandizëm në atë mjedis. Takimi me shkrimtarin dhe poetin ndjenjëhollë, Mehmedali Hoxha, ishte mbresëlënës.

_ Keni të fala nga Kadri Osmani, përkthyesi i përrallave indiane, qe ju i botoni në revistat e juaja, - i thashë unë. Ai falenderoi, duke lavdëruar Kadriun si bashkëpuntor të rregulltë.

Kërkesën tonë, për t'u pajtuar në revistat "Fatosi" dhe "Gëzimi", kryeredaktor i të cilave ishte ai, e mirëpriti. Atypëraty, urdhëroi një vartësin e tij, për të bërë një kontratë afatgjatë, me lehtësira të veçanta për zonën e Gollakut. Çuditërisht, vartësi maqedonas, nëpërmes telefonit, e akuzoi shefin e tij shqiptar, se, gjoja, po bën tregëti të fshehur me Kosovën! Shefi Mehmedaliu replikoi ashpër me vartësin e tij. Dhe, si për t'u ngushëlluar, e vuri në prehrin e tij vajzën e axhës tim, Hasimbege (emër ky i trashëguar nga vajza gjilanase, e cila luftoi për vëllazëni), nxënëse e klasës të katërtë, të cilën familja ma kishte dhënë me vete, për t'u mos u mërzitur vetëm, si mësues i ri dhe shumë larg familjes.

- "Tregoju shoqeve dhe shokëve në shkollë se xhaxhi Mehmedali, edhepse drejtor i botimeve në gjuhën shqipe, nuk po e përfillnin as vartësit e tij, bile edhe e kontrollonin, e përgjonin", - tha poeti i përlotur.

Ishin lot që flisnin më shumë se mijëra fjalë. Dhe, mori nga bibliotaka e zyrës së tij 47 botime, nga autorë shqiptarë dhe të huaj, të përkthyera, duke i thënë vajzës, tashmë e tronditur nga loti i poetit plak:

" I keni dhuratë nga xhaxhi Mehmedali, i vendosni në bibliotekën tuaj dhe i lexoni bashkë me nxënësit tjerë. Edhe revistat do t'jua dërgoj së afërmi. Përshëndeti të gjithë nga unë", - porositi përvajshëm poeti fort i dashur për fëmijë, fisniku i madh, Mehmedali Hoxha.

Për librat dhe revistat e sjellura, baca Kadri u gëzua si fëmija për lodrat e bukura. I thashë se ju njihnin të gjithë dhe ju kanë përshëndetur fort. I fola edhe për bisedën e bërë me drejtorin e Entit të Botimeve dhe ofezën e bërë ndaj meje. Baca Kadri shfryu në të shara e mallkime dhe u zotua se do të ballafaqohet me të. U pendova pse ia prisha disponimin dhe mundohesha  ta amortizoj fyerjen, me qëllim që baca të mos përballet me drejtorin në fjalë.

Kadriu ishte gojëtar i guximshëm

Edhepse të pesë anëtarët e Familjes Osmani nuk kishin të ardhura anësore, përveç rrogës të kryezotit të familjes, baca Kadri kurrë nuk ankohej për skamje dhe familja jetonte modestisht. Familja Osmani mysafirët i kishte të bollshëm. Miqve të vjetër iu shtuan edhe miqtë e ri gollakas, të cilët shquhen për miqësi dhe traditë shqiptare. Gollakasit na ftonin, herpasherë, në darkat e tyre dhe dimrit me dëborë, kur vështirërsohej rruga për në Orllan, nga ku furnizoheshim me ushqime, na sillnin për të ngrënë në banesën tonë - njëdhomëshme.

Kadri Osmani ishte gojëtar i shkathtë, i guximshëm edhe në ndejat e dhomave, jo vetëm në Llap e Gollak, por edhe në Dukagjin. Më kujtohet vizita e parë, në një gjysmëvjetor shkollor dimëror. Ai erdhi në fshatin tim, në familjen time në Studenicë të Istogut, së bashku me kolektivin e mësuesëve të Koliqit apo Kolaj, siç po quhet tani. Pas darkës u shtrua çaj i rusit, për herë të parë në këtë zonë të Dukagjinit. Dhoma e madhe e kullës tonë ishte përplotë me bashkëvendorë, të cilët kishin ardhur për t'i nderuar mysafirët e largët. Drejtori i shkollës, njeriu i mirë, Nazif Rama i përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit, për nderimin që i bënin atij me shokë. Pastaj bisedën do ta vazhdonte Kadri Osmani, i cili prirje të gjithëmonshme ka pasur politikën, përkatësisht, hallet e mëdha të Kosovës të përvuajtur, edhepse kjo nuk ishte e lehtë për kohën.

Njeri modest dhe me humor

Kadri Osmani kishte një modesti proverbiale dhe përshtatje në çfarëdo rrethane që ndodhej. Në familjen tonë numerike, një kooperativë në miniaturë, në bashkësi familjare kaluar të 6O anëtarët, ekzistonte një kod i pashkruar. Statusi i mysafirit zgjaste vetëm tri ditë. Pastaj duhej të kyçej në punë, si të gjithë të tjerët. Dhe, kjo për dy arsye:

1.- Mysafiri nuk lihet vetëm në shtëpi, sepse konsiderohet mospërfillje, keqpritje; dhe

2.- shkëputja nga puna tej tri ditëve konsiderohej si jo e shëndetshme, dalje nga rendi i punës dhe krahasimi ishte pakëz vulgar, si trashja e qafës të kaut, pa i vënë zgjedhën.

Ky rregull familjar i ra për hise edhe bacës Kadri. Ishte verë dhe punët e nesërme ndaheshin në mbremje. Mysafiri privilegjohej me zgjedhje të punës që do të bënte. Dhe, unë me bacën Kadri preferuam ruajtjen e arës të mbjellë me shalqi, bostan, përgjatë natës. Një qen, më sakt, as qen dhe as klysh, gjatë ditës nuk i shpëtonte asgjë pa e hetuar dhe lehur, kurse përgjatë natës flinte i qetë dhe pa zhurmë. Dhe, në natën e dytë "të ruajtjes" tonë, mysafirë të paftuar kishin hyrë në një pjesë të parcellës dhe kishin shkelur lozët e shalqirit, që konsideroheshin dëm më i madh se sa marrja e disa kokërrave të shalqirit.

Baca Kadri u mërzit bukur shumë, pse gjumi e kishte tradhtuar. Ai mori një karton të bardhë dhe shënoi:

"Vizitorë të natës, ejani te Koliba, mund të hani dhe të merrni me vete shalqi të pjekur dhe jo kunguj (shalqi të papjekur - shënimi im). Shkelja e lozëve është më krim se sa vet vjedhja". Ndërkohë, qenin - klysh e zhvendosi në një kënd më të sigurtë të parcellës, "për të mos e shkelur hajnat e pakujdesshëm", - siç shprehej ai!

Kadri Osmani shquhej për humor. Duke qenë student në Institutin e Lartë Pedagogjik të Prizrenit, profesori i sintaksës, Fuat Ostrozubi, i thotë Kadriut të shkruajë një fjali të zgjeruar në dërrasën e zezë. Dhe, studenti Kadri shkruan:

"Profesor, sikur të ishe më pak budalla, do ta shihje veten se çfarë torollaku je"! Dhe, e lexon fjalinë zëshëm.

-"Prtofesor, a ta analizoj fjalinë", - i thotë studenti Kadri?  Profesori i bërë tym, ia kthen:

-"Fshije dërrasën e zezë dhe ulu në bankë. Kam faj unë që të nxjerr ty në dërrasë të zezë".

Dhe, vërtet, profesori ishte fort i përhumbur dhe kurrë nuk i qeshte buza.

Njeri me kurajo edhe përballë sëmundjes

Baca Kadri ishte në Shqipëri. Përkeqësimi i shëndetit e vuri në dilemë se ku do të trajtohej? Joshja e tij ishte ndonjëra nga klinikat e njohura të Evropës. Kërkoi t'i sigurohet një vizë. Kryeministri në ekzil premtoi të fliste me ministrin e brendshëm shqiptar për këtë kërkesë. Por, koha po kalonte. "Mos u bëfsh me ta qajtë hallin Rahoveci, se qesh Podrimja", -  thonë në Kosovë.

Më në fund, baca Kadri iu shtrua operacionit në Zvicër. Në ditën e dytë, ai ngrihet kujdesshëm, ulet pranë tavolinës dhe vazhdon të shkruajë, aty ku e kishte ndërprerë para anestezisë, mpirjes totale. Me gjthë lutjen, nuk u bindet motrave shërbyese, për t'u shtrirë në krevat. Edhe doktori dështon për ta bindur.

- "Ndjehem mirë", - i thotë atij.

Doktori do të thoshte se kemi të bëjmë me një pacient të veçantë, andaj ta përgjojmë nga afër, pa na diktuar ai. Dhe, baca Kadri, në faqen e tij të Internetit, do të shkruante:

"Kur jam bërë synet në Makreshin tim, në Kosovë, kam ndejur tri javë shtrirë në krevat. Kurse, tani, që u bëra operacion nga zemra në Zvicër, kam ndejur vetëm tri ditë në shtrat"!

Operimi i suksesshëm nga zemra, i dha forcë, e rinoi Kadri Osmanin. Pjesëmarrja aktive në veprimtaritë e Mërgatës shqiptare në Zvicër  dhe më tej në Evropë, ishte e mirëpritur dhe mbresëlënëse. Kthimi në auditor, në profesionin e edukatorit, të mësuesit, aq shumë i dëshiruar, i veteranit të arsimit - Kadri Osmani, ishte një përtëritje shpirtërore, rinore dhe freski mendore. Pjesëmarrja aktive në jetën kulturore të Mërgatës, në begatimin e Fondit Shtetëror të Kosovës si dhe në aksionet e tjera legale, institucionale, kanë lënë gjurmët e suksesit të pakontestueshëm të veprimtarit atdhetar, Kadri Osmanit - Manit.

Në Istog u formua grupi i parë ilegal nga Kadri Osmani

Kadri Osmani kishte një aftësi unike komunikuese me të gjitha kategoritë e njerëzve. Përgjatë vizitave që bënte në familjen tonë, qofshin ato individuale apo familjare, ai shfrytëzonte rastin për t'u takuar dhe njohur me djem të shkolluar të komunës të Istogut. Dhe, këtu do ta formonte grupin e parë ilegal, i cili pas disa vitesh veprimtarie, do të zbulohej, do të arrestohej dhe dënohej së bashku me Xhafer Shatrin, Binak Ulaj, Metë Shatrin, Jashar Aliaj dhe të tjerë.

Letra e Kadri Osmanit dhe rrjedhojat fatale të saj

Në verën e vitit 1973, Kadri Osmani, nëpërmjet një dysheje studentësh, një vajzë dhe një djalë, më dërgonte një letër me pyetjen. "Ç'të bëjmë"(?),  -  duke kërkuar përgjigjen me shkrim. Letra më është dhënë dorazi në Tiranë. Por, studentët e Prishtinës, të painformuar për pozicionin e Tiranës zyrtare karshi Kosovës, nisin një letër të dytë, me postë, nga qyteti jugor, Fier, me anë të së cilës kërkojnë, madje patjetër, përgjigje për letrën e dhënë dorazi në Tiranë.

Sigurimi Shtetëror e hapë, e lexon, fotokopjon letrën e tyre dhe e mbyllë sërishmi, për ta marrë unë. Edhepse e mora me mend se kopja e letrës është në duar të policisë sekrete, unë vendosa të përgjigjem në letrën e Kadri Osmanit me shokë, sepse ne nuk përziheshim fare në punët e Shqipërisë. Unë konsultova mikun tim, poetin dhe shkrimtarin Agim Gjakova, me të cilin kisha miqësi të ngushtë dhe shkrova një letër përgjigje prej 4 (katër) faqesh, të formatit A4, të shtypura me makinë. Përgadita dhe shtypa edhe disa materiale ndihmëse, në Ministrinë e Tregtisë, sektori i jashtëm, të gjitha në funksion të kërkesës të Kadri Osmanit me shokë.

Përballë Hotel "Dajtit", me një çantë në dorë, i shoqëruar nga një mësues i historisë, po prisja ta takoja dyshen studentore, për t'ua dhënë letrën, materialet ndihmëse si dhe literaturë artistike. Një oficerë i Sigurimit Shtetëror do të më afrohej, duke më thënë:

-"Idriz, të kërkon zëvendës-ministri i brendshëm...".

-Unë i thashë se po takoj disa studentë nga Kosova dhe pastaj po vij.

- "Jo", - më tha oficeri, - "duhet të vish tani, sepse shoku zëvendës-ministër ka një mbledhje më vonë".

Unë, për të mos bartur çantën, bukur të rënduar nga materialet e shtypura dhe librat, ia lëshova në dorë shokut  tim, mësues dhe vazhdova ecjen drejt Drejtorisë, i shoqëruar nga oficeri i Sigurimit. Kur ngjitëm në katin e dytë, gjithnjë i shoqëruar, hapet një derë, ku ishin mbledhur, pothuajse, të gjithë drejtorët e Drejtorive të Ministrisë të Brendshme. Mbajtësi i çantës ishte arrestuar dhe këtë e mora vesh vetëm disa muaj më vonë, edhepse ishte ngjitur çelisë, birucës, dhomës të vetmisë time.

Çanta ime kishte arritur para meje dhe ishte boshatisur e tëra, duke i shpërndarë të gjitha materialet mbi një tavolinë. Zëvendës-ministri mbante në dorë letrën e adresuar për Kadri Osmanin, me titull: "Taktika dhe strategjia për realizimin e Republikës të Kosovës", letër kjo e ruajtur në Arkivin Shtetëror Shqiptar.

- "Doni Republikën e Kosovës", - pyeti zëvendës-ministri me shpoti?

-Po, - u gjegja unë. Dhe,  ai i tërbuar bërryloi krahun!

- "Doni dy republika, dy shtete, për t ia kundërvënë Kosovën Shqipërisë, njësoj si dy Kina, dy Kore, dy Vietnama, dy Gjermani! Kjo është politikë subversive kundër Jugosllavisë, që ka për qëllim  prishtjen e marrëdhënieve jugosllavo - shqiptare", - përfundoi shefii i shefave të tjerë.

Atë ditë jam prangosur, për të vazhduar vuajtjen dhe persekutimin për 17 vjet radhazi burgjeve dhe kampeve të Shqipërisë. Edhepse asnjëherë nuk u lakua emri i Agim Gjakovës, nip i Haki Tahës, ekzekutori faktik i Milladin Popoviçit, presioni për ta pohuar emrin e tij ka qenë i madh. Megjithatë, Sigurimi kishte përcjellë lëvizjet e mia dhe pavarësisht këmbënguljes time se letra është, eksluzivisht, prodhim i imi, Agim Gjakova përgjatë 15 viteve do të përjetonte një lloj burgu të veçantë shtëpiak, i përgjuar, i shantazhuar dhe i cenzuruar deri në bllokim të botimit të krijimtarisë së tij letrare. Të njëjtin fat do ta kishte edhe bashkëshortja e tij ideale, Naime Daci - Gjakova, e bija e Haxhi Jahja Dacit, hoxhë i Istogut, i ekzekutuar, si nacionalist, më 1945, nga OZNA jugosllave, ndërsa dy vëllezërit e saj juristë, do të dënoheshin me burg, si pjesëtarë të organizimit ilegal të Adem Demaçit.

Persekutimin komiunist shqiptar Naime Daci - Gjakova do ta përjetonte rëndë, përshkak të dy fëmijëve shkollarë, Gëzimit dhe Fitores. Pritja e çdokohëshme e arrestimit dhe e dënimit të çiftit Gjakova, do t`i shkaktonte Naimes sëmundjen e leokemisë, për ta përcjellur në amshimin e parakohshëm. Ishte ky një krim i rëndë i vrastarëve stalinistë. Letra e destinuar për Kadri Osmanin do të ishte furtunë edhe në Ministrinë e Tregtisë të Jashtme, ku do të akuzoheshin për mungesë vigjilence dhe do të ndëshkoheshin disa kuadro, në mes tyre edhe Sali Mulosmani, pinjnoll i familjes të zëshme të Mulosmanëve të Malsisë të Gjakovë, Tropojë, familje ku kishin gjetur strehë krerët e Shqiptarisë, si: Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina me shokë. Pas disa muajve do të burgosej edhe Kadri Osmmani me shokë në Kosovë. Ekziston dyshimi i bazuar i denoncimit, i bashkëpunimit të gjithëmonshëm i Sigurimit Shqiptar me UDB-në jugosllave. Ishte një pabesi e madhe e shtetit shqiptar, e Shqipërisë komuniste, staliniste.

Njëjtësimi i liderit me atdheun dhe iluzionet boshe

Përkushtimi i Kadri Osmanit për lirinë ishte përmanent, i përhershëm, andaj edhe dënimet do të ricikloheshin. Pas vuajtjes të shumë viteve burgjeve jugosllave si dhe pëgjimeve policore në vijimësi, ai do të largohej për në Shqipëri. Shqipëria e viteve '90-a ishte në trazicionin e saj të egër. Në Tiranë do t'i afroheshin njerëz të gjithëfarë ujemësh, mjerisht. Në mes tyre shoku im i studimeve në Univesitetin e Tiranës, Hysni Milloshi, djemtë e Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi dhe të tjerë.

Kisha jetuar tej dy dekadave në Shqipëri dhe njihja deri në detaje regjimin diktatorial dhe jetën mjerane gjysmë-shekullore shqiptare. Prandaj, ndjeja obligim moral ndaj shqiptarëve, sidomos atyre jashtë Shqipërisë londineze, t'ua përcillja një mesazh - sintezë, për të vërtetën, madje në shkallën sipërore, për Enverin dhe Atdheun e Shqiptarëve - Shqipërinë, të privatizuar kriminalisht nga lakeu filosllav Enver Hoxha me bandën e tij.

Bindjet, mendimet iluzive, jo vetëm ke populli i thjeshtë, me vetëdije të ulët politike, por edhe tek të shkolluarit dhe burgaxhinjtë politikë, përfshi këtu edhe simbolin e rezistencës, Adem Demaçin me shokë, më cyti për të shkruar dhe adresuar letrën për Demaçin, me titull: "Kur ndjenja mund arsyen". Reagimet qenë të shumta, të menjëhershme dhe tmerrësisht të vrazhdëta e skandaloze. Printe kryeparlamentari aktual, Jakup Krasniqi me shkrimin: "Tradhtia ndër shekuj", i pasuar nga komunisti i mykur Bajram Mehmetaj dhe lukunia tjetër enveriste e staliniste.

Në mesin e anatemuesëve ishte renditur edhe Kadri Osmani. Të gjithë morën përgjigjën time të faktuar në reagimin tim: "Pas teprimit - vjen marrëzia", përveç bacës Kadri, për ndershmërinë e të cilit nuk kisha asnjë dyshim, asnjë hamendje.

Përse e kurseva me përgjigje Kadri Osmanin?

a) - Bacën e njihja nga afër, kishim përjetuar momente të rënda përgjatë jetës ilegale, qysh në rininë time të hershme. Njeri i çiltër, i fjalës, i besës; atdhetar i gatshëm për çfarëdo sakrifice; me një dlirësi deri në skajet e shpirtit të tij.

b) - Atëbotë, m'u kujtua një rrëfim nga burgu i Spaçit, malësi e Mirëditës. Dibranët kishin burrëri dhe urti. Ishin fort lidhur mes veti, madje edhe në burg. Një ditë e sjellin në burg një djalë të ri. Horrat, hafije të burgut e joshin në shoqërinë e tyre. Njëri nga dibranët shqetësohet pse i burgosuri i ri shkoi ke njerëzit e këqinj. Dhe, këtë merakosje ia shpreh një të moshuari dibran, të cilin e konsideronin si të parë të tyre shpirtëror. Ky i fundit gjegjet:

"Nëse është brum i mirë, do ta gjejë edhe vendin e shoqërinë që i takon, pra, do të vjen në gjirin tonë. Në të kundërtën, do të vazhdojë tek ata". Dhe, vërtet, burgaxhiu i ri u kthye vet në rrethin e duhur.

Në Tiranë, Ramë Maraj, miku ynë i përbashkët, më lënë takim, për të nesërmen, ke pastiçeri "Rugova", tek Partizani i Panjohur. Shkoi në orën e caktuar. Në këmbë ngrihet një burrë, i qethur fort, me një buzëqeshje të ëmbël. Ishte baca Kadri. Më afroi në krahërorin e tij, më shtrëngoi fort, ashtu siç e kishte zakon ai. Dhe, u përlot. Deshi të thoshte diçka, por, e ndërpreva:

- "Të shkuara dhe të harruara", - siç thonë korçarët. Pas afro një ore ia bëhu zoti Maraj dhe unë e kuptova "hilenë" e tij. Pajtimi ynë u bë, madje pa ndërmjetës dhe pleq.

Dashuria e madhe bjeshkë, burgu i gjatë dhe mungesa e informacionit, për realitetin në Shqipërinë nënë, kishin qenë tri nga arsyet bazë të stopimit në kohë të Kadri Osmanit. Por, ai dogji etapat dhe, pa vonesë, do të këndellej. Dhe, do ta denonconte dogmën satanike komuniste në Shqipëri, duke polemizuar me Ilir Hoxhën, djalin e diktatorit Hoxha, me titull:

"Në Shqipërinë e babës tënd, gjeta rrugët e Bangladeshit". Dhe, ky ishte fundi i iluzioneve ideologjike, duke e kompensuar kohën e humbur, si askush tjetër në hapësirat gjithëshqiptare. Bindja ime e pamëdyshur se miku im i vjetër, Kadri Osmani - Mani, do të këndellet në përmasën e skajshme, tashmë, ishte e prekshme, transparente, e tejdukshme, madje në çdo fjalë të thënë, në çdo hap të hedhur. Ai do të bënte edhe atë, të cilën kurrë nuk ia kërkova: Do të më kërkonte falje publike për kundërshtinë e ashpër të bërë ndaj letrës time, drejtuar Demaçit, në shtypin ditor dhe në atë periodik. Ndërkohë, zotëri Adem Demaçi, në vizitën e parë në Gjermani, një vit pas botimit të letrës në fjalë, në pritjen që i bëmë në Sallën e Kongreseve, në Ludwigshafen, do ta pranonte vërtetësinë e shprehur nga unë në atë letër, duke pranuar se ka reviduar, ndryshuar bindjet, që dikur kishte për Enver Hoxhën dhe partinë e tij, sepse "vetëm të marrët dhe vdekurit nuk ndryshojnë".

Miqësia me Rugovën daton në fundvitet -60-a

Kadri Osmani ishte mik i hershëm i Ibrahim Rugovës. Edhe pas lirimit nga burgu në vitet e `90-a, baca Kadri me shokë ishte pritur me gëzim dhe përzemërsi nga dr. Rugova, i cili kishte një vlerësim suprem për të dënuarit politikë, për angazhimet e tyre për lirinë e Kosovës. Dhe, këtë konsideratë e dr. Rugova e lëndëzoi, duke i lartësuar shumë syrësh në udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në institucionet tjera të pushtetit paralel. Megjithatë, disa nga ish të burgosurit politikë ende mbetën në vëzhgim të rrethanave të kohës dhe hezitonin të jenë pjesë e Lëvizjes kombëtare, të sapo konsoliduar, të kryesuar nga njeriu i duhur, intelektuali i kompletuar dhe atdhetari i dëshmuar dr. Ibrahim Rugova, i cili, për nga rëndësia historike, në shërbim të kombit, nuk ka ndërmjetës  që nga Gjergji ynë i madh.

Dhe, dita do të vinte. Kadri Osmani u rrjeshtua tërësisht djathtas.Tashmë, nuk kishte asnjë rezervë, asnjë mëdyshje se në udhëheqje të popullit të Kosovës ishte vënë vet Mesia, njeriu i dërguar nga Përendia, Pejgamberi vet - Ibrahim Rugova. Dhe, këtë emërtesë, këtë vlerësim i pari do ta jipte, publikisht, me shkrim, i burgosuri shumëvjeçar Kadri Osmani. Mendimin e shprehur, bindjen e tij do ta lëndëzonte në dy librat e tij, të përgaditura dhe të publikuara për dr. Rugovën: "Njeriu i Pavarësisë" dhe "Ibrahim Rugova fitoi në Kosovë  dhe në Hagë".

Parimësia - rrjedhojë e hatërmbetjeve

Parimësia e hekurtë e Kadri Osmanit - Manit ka cënuar miqësira të vjetra dhe të reja. Fort i zemëruar për krimet seriale në Kosovë, me autorë, tashmë, që dihen të së majtës ekstreme staliniste, djemtë heroikë të djeshëm, kundër pushtetit monist, që kanë vuajtur vite me radhë burgjeve jugosllave, në vend që të jenë pararojë e demokracisë, përkundrazi, janë vënë në shërbim të partive të krimit, duke u bërë pjesë e krimit, për rrjedhojë, duke stopuar proceset e mirëfillta demokratike.

Pendës të mprehtë e thumbuese të Kadri Os(Manit) nuk i shpëtuan as shokët, bashkëpunëtorë të dikurshëm të idealit. Zemrimi dhe hatërimi u bënë njësh dhe shpërthimi kaloi caqet e përmbajtjes. Ai ishte i bindur në të drejtën e tij, sepse rrjeshtimi partiak i shokëve ishte fatalisht i gabuar. Megjithatë, unë i kërkova mikut tim të hershëm, bacës Kadri, një qasje më racionale: Vlerësimin e shokëve tanë të përbashkët dhe të tjerët sipas metodës kineze, duke u shërbyer me  shifra: sa të mira dhe sa të këqija ka njeriu i shenjëstruar. Dhe, nëse pozitivja tejkalon negativën, fjalori do të duhej të ishte në raport me përmasën e shifrave. Sugjerimi im u pranua në heshtje nga baca Kadri. Ndërkohë, nuk mungoi as mirëkuptimi dhe fisnikëria e shokëve të idealit, të cilët, të aktivizuar në "Shoqatën e ish të dënuarëve politikë", të kryesuar nga zotëri Hydajet Hyseni, ishin në krye të organizimit të ceremonialit mortor të kolegut, bashkëvuajtësit, atdhetarit veteran Kadri Osmani - Mani.

Kadri Os(Mani) - polemist dhe publicist brilant

Botuesi i parë i fletushkës ilegale "Zëri i Kosovës", në vitet '70-a, në një bodrum të Prishtinës, Kadri Osmani, në nismë të shekullit të ri, do të fillonte botimin e revistës zëmadhe "Shqipëria Etnike". Përkushtimi i tij për këtë nismë, patriotike dhe fisnike, ishte aq i madh, sa që për herë të parë nuk do të ishin të një mendjeje me bashkëshorten e tij ideale, Shukrije Bunjaku - Osmani. Mospajtimi kishte bazë logjike:

- "Gjithë jetën kemi punuar për lirinë e Kosovës, tashmë, e bërë realitet. Botimi i një reviste në Mërgatë, është i kushtueshëm. Ne jetojmë me ndihmë sociale dhe kjo është një barrë e rëndë për ne dhe nuk e përballojmë", - arsyetonte zonja Shukrije. Ndërsa vendimi i bacës Kadri ishte i prerë:

-"Kosova e çliruar ende ka nevojë për një revistë të tillë, me orientim tërësor djathtas, si borxh dhe homazh i Nacionalizmës Shqiptare, e cila u përgjak, pamëshirshëm dhe krejt pameritushëm, nga bandat komuniste dhunuese, të ardhura në pushtet me ndihmën e Rusisë sllaviste".

Si kryeredaktor i revistës "Shqipëria Etnike", kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj  me mikun tim të vjetër, bacë Kadri Osmanin - Manin. Ai ishte shumë i vyeshëm dhe këtë e kërkonte edhe nga ne, bashkëpunëtorët. Kishte kritere dhe pretendime për cilësi shkrimesh dhe, herë-herë, deri në tepëri. Për këtë do t'i sugjeronte stafit botues: drejtorit Fazli Malokut, kryeredaktorit Idriz Zeqiraj  dhe zëvendës-kryeredaktorit Zeqir Lushaj me shokë, një intelektual solid dhe i suksesshëm në fushën e letrave, i cili ka realizuar intervistën më profesionale dhe më interesante me botuesin Kadri Mani - Osmani.

Poeti, publicisti i mirënjohur, Zeqir Lushaj, nga Malësia e Gjakovës, Tropoja, ishte i pari që shfaqi një mendim ndryshe nga shefi - baca Kadri, duke thënë se edhe ne jemi ndihmuar dhe mësuar nga dikush. Edhe fillestarët duhet të shprehin mendimet e tyre diku. Redaksia jonë, revista jonë duhet të jetë e hapur dhe mirëpritëse edhe për ata. Besoj se i kësaj mendjeje është edhe kryeredaktori", - shkruante zotëri Lushaj. Dhe, unë sikur u ftova për të dhënë mendimin tim nga kolegu Lushaj dhe e mbështeta, duke thënë se redaktimi i kujdesshëm i shkrimeve të bashkëpunëtorëve, e ngritë, realizon cilësinë. Dhe, baca Kadri "u dorëzua", u bind, madje pa rezistencë. Publicistika brilante e Kadri Os(Manit) do të mbetët përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve të kudondodhur.

Studiusi, politikani dhe atdhetari zemërzjarr

Kadri Os(Mani) ishte student dhe studius i përjetshëm, në kuptimin më të mirë të kësaj emërtese. Burgjet e përsëritura do t'ia ndërprisnin edhe studimet në Universitetin e Prishtinës. Megjthatë, edhepse me shumë vonesë, për arsye objektive, të dënimeve seriale, me këmbënguljen e tij të pashoqe, ai do të diplomonte në Gjuhë letërsi shqipe. Në moshën 70 vjeçare do të magjistronte, rast unikal në Shqiptari dhe më gjerë. Dhe, me forcën shpirtërore e mendore, punonte për temën e doktoraturës, nga arritja e sigurtë e së cilës e pamundësoi shkuarja në amshimin e përjetshëm.

Mbingarkesa e skajshme politike, duke e parë, ditën për diell, se liria dhe pavarësia e Kosovës po tkurrën gjithnjë e më shumë, duke e bërë Serbinë hisedare në Kosovën e çliruar nga NATO - pakti, krerët pushtetarë aktual, të zënë peng nga krimet faktike, të bëra ndaj kuadrit ushtarakë dhe veprimtarëve të LDK-së, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, për t'u shpëtuar prangave meritore, burgut, janë bërë të dëgjueshëmit e Serbisë dhe të miqve të tyre ndërkombëtarë, përkeqësoi, në përmasën e papërballueshme, zemrën e zjarrtë atdhetare të Kadri (Os)Manit.

Kadri Mani, edhepse i shtrirë në Klinikën Universitare të Kosovës, vazhdonte komunikimin elektronik me shokë, miq dhe dashamirë. Ai nuk po jipte asnjë shenjë të dobësimit fizik e shpirtëror. Dhe, këtë do ta vazhdonte deri në ditën e parafundit të amshimit të tij. Dr. Fehmi Cakolli, kreu i Kishës Protestante të Kosovës, me stafin e tij, me një përkujdesje xhentile, të mençur, do ta ndiqte nga afër gjendjen shëndetësore të besimtarit të devotshëm kristian - Kadri Manit, duke i vënë në dijeni, përmes postës elektronike, shokë, miq, dashamirë dhe opinionin e gjerë, të ish të burgosurit, i cili zë vendin e dytë, me kohëzgjatje të vuajtjes të dënimit politik në ish-Jugosllavi.

Kadri (Os)Mani iku kësaj bote për në amshim, duke na lënë me pengun e madh, pse nuk na përgaditi për këtë gjëmë, për ta përballuar më lehtë dhembjen, ndarjen e tij të gjithëmonshme; pse nuk dha asnjë shenjë të lamtumirës të përjetshme. Dhe, penda e tij e artë lëvizi mbi letrën e bardhë, deri në orët e fundit të shuarjes së tij fizike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për mësuesin veteran, shkrimtarin, poetin, përkthyesin, publicistin, botuesin, studiusin,  të burgosurin politik shumëvjeçar, atdhetarin e madh dhe skajshëm të përkushtuar - Kadri Osmani - Mani.



(Vota: 37 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: