Foleza e re e "mbretërisë" së Al-Kaedës
| E Hene, 26.05.2008, 11:57 AM |

Të besuarit e Osama Bin Ladenit kanë gjetur një vendstrehim të ri, por të sigurt në shkretëtirën e Saharasë

Një pozicion strategjik, ku fshihet dhe përgatitet gjenerata e re e terroristëve

Të besuarit e Bin Laden kanë gjetur një vendstrehim të ri, por të sigurt në shkretëtirën e Saharasë. Është baza më e afërt me Evropën drejt së cilës nisen për të përfunduar misionet vetëvrasëse

Duart e dërmuara futen në kazan njëra pas tjetrës. Copa mishi dashi, kocka pulash dhe të brendshme lundrojnë në sipërfaqen e lëngut të nxehtë. Pesë personat që qëndrojnë rreth ushqimit falënderojnë Zotin për çdo kafshatë. Dhe ndërkohë komentojnë vdekjen e tre personave që u dërguan për të kërkuar sekuestruesit e dy turistëve austriakë të rrëmbyer më 22 shkurt të këtij viti në Tunizi dhe më pas u transferuan nga këto anë. Lajmin e morën pasdite nga lajmet e radios. Të pestë kryetarët e familjes e dinë mirë se për kë po flasin. I kanë takuar me dhjetëra herë në mes të shkretëtirës ata "kasapë" fanatikë. Dhe i kanë furnizuar me ujë, sheqer, mish, miell dhe ushqime të tjera.

Bëhet fjalë për kufirin e mbretërisë së re të Al-Kaedas, zona në të cilën më parë ka qenë Sudani dhe Afganistani. Gjenerata e fundit e terroristëve po përhapet në këto zona të rrethuara nga duna të mëdha rëre. Disa kilometra në veri ndodhet Timbuku, qyteti misterioz i Malit, i cili që prej dhjetë shekujsh ka qenë vendi i takimit ndërmjet Afrikës dhe pushtimeve arabe dhe prej disa muajsh është bërë kufiri ndërmjet tolerancës dhe fanatizmit. Atje tej, pas horizontit, fshihen qindra fanatikë të Osama Bin Laden. Ndër ta, edhe një grup komandosh prej 15 muxhahedinësh, të cilët rrëfehen dhe mburren se duan të sulmojnë Vatikanin. I drejton një algjerian, por mendja e planit qenka zëvendësi i tij: një bashkëkombës jo më shumë se tridhjetë vjeç, i cili ka jetuar në Itali.

Timbuku duket kaq larg në shekuj. Larg, por prej andej Evropa duket aq afër. Drejtimi i emigrimit klandestin tashmë është spostuar në Mali: në një udhëtim pa rregulla të shumta dhe kontrolle gjithashtu, si në rrugë detare dhe tokësore, duke kaluar Algjerinë dhe Libinë, brenda disa ditëve mbërrin në Lampeduza. Vendburime të shumta nën rërë. Tashmë është bërë një garë për kompanitë e përpunimit të naftës për të marrë me koncesion disa qindra metra tokë. Pikërisht aty ku ndodhen edhe rekrutët e Al-Kaedas. Globalizimi tashmë ka pushtuar edhe Sahelin, pjesën jugore të shkretëtirës së Saharasë, rajoni më i varfër i planetit. Dhe rezultati është një perde tensioni që nga Mauritania bashkon Malin, Niger, Ciad deri në Darfurin e Sudanit. Është fronti i luftës energjetike dhe komerciale ndërmjet Kinës, Francës dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe jo vetëm kaq. Pikërisht në Mali, në shkretëtirën e madhe në veri të lumit Niger, Al-Kaeda po ndërton të ardhmen e saj. I vetmi vend i cili i ka mbetur pa u dashur të luftojnë për ta zaptuar. Një territor ku përgatisin terroristët në përdorimin e armëve dhe eksplozivëve, ku të fshehin komandantët që janë larguar nga Iraku dhe ku organizojnë atentatet që kanë si shënjestër Afrikën Veriore, ndoshta edhe Evropën. Janë kampe stërvitore të lëvizshme, të paparashikueshme. Por lind pyetja se si furnizohen me ushqime dhe nevoja të tjera jetike. Relativisht të vetmit që mund ta bëjnë një gjë të tillë janë banorët e Saharasë, me vullnet të plotë ose jo.

Kjo pjesë e shkretëtirës është një pozicion strategjik. Përmes asgjësë së madhe të rërës, në pak ditë udhëtim me një makinë të përshtatshme mund të arrish në Libi, Tunizi dhe Marok. Kufijtë ndërmjet Malit, Mauritanias dhe Algjerisë janë 4434 kilometra vijë arbitrare, të cilat vëzhgohen fare pak. Një territor shumë i thjeshtë për t‘u përshkuar, i cili është një vend i përsosur për të shpërndarë predikues dhe luftëtarë, të cilët më vonë do të jenë gati për t‘u përhapur nëpër botë. Ku është plani i shpallur për herë të parë në komunikatën e shtatorit 2006 nga Osama Bin Laden dhe i përsëritur tre muaj më vonë nga ideologu i tij, egjiptiani Ayaman Al Zauahiri. Dhe i konfirmuar nga hetimet mbi muxhahedinët që janë arritur të arrestohen. Si tuniziani që jetoi gjatë në Milano, Mohamed M‘Sahel, 39 vjeç dhe marokeni Anouar Majrar, 34 vjeç, i marrë në pyetje në Marok. Dhe si egjiptiani Ghasan Ibrahim Abd Al Maqsoud, 28 vjeç, i arrestuar në Libi. Tre militantë që kanë nxjerrë në pah lidhjet e reja të rrjetit të Sahel me celulat me bazë në Siri, Maghreb, Francë dhe Itali. Duket e pabesueshme që ndodhen kaq pranë, por është e vërtetë. Shumë nga rekrutët që janë stërvitur në kampet stërvitore të Malit tashmë kanë hyrë në aksion. Disa në Irak. Të tjerë në atentatet e fundit në Algjeri, Marok dhe Mauritania.

Nga Senegali në Bamoko, ky i fundit kryeqyteti i Malit, mund të udhëtosh edhe me tren. Studentët e luftës së shenjtë gjejnë mikpritje në një pallat popullor i fshehur mbas tendave të tregut të madh, në qendër të vendit, lagjja me kaotike e qytetit. Aty pranë është ndërtuar edhe xhamia më agresive e kryeqytetit. Kuptohet qartë që nga shërbimi ushtarak që e survejon. Të gjithë janë vigjilentë.

Mali gjithmonë ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm për tolerancën multikulturore. Por prej disa kohësh, që pas kthimit të disa imamëve të indoktrinuar në Evropë, mbi të gjitha në Francë, ka sjellë me vete "uahabizmin", rrymën e pastër dhe të papajtueshme të Islamit, i cili që nga Arabia Saudite ka ushqyer ideale dhe argumente fetare për grupimet e Al-Kaedas. Rezultati shihet çdo mëngjes pranë tregut të madh. Ndër gratë e veshura me stofa të ngjyrosura dhe të zbukuruara me kujdes, lëvizin tashmë edhe shumë gra të tjera të mbuluara nga koka te këmbët me një vello të zezë. Dhe ta mendosh mirë, vetëm pesë vjet më parë, këto lloj veshjesh nuk ekzistonin. Dhe nuk është vetëm një shtrëngesë kulturore, por edhe klimatike. Sepse në stinën e pranverës dhe të verës temperatura në Bamako arrin gjithmonë 45 gradët. Dhe të dalësh i mbuluar totalisht me një rrobë të zezë është një vuajtje e vërtetë, por që nuk u përket burrave që e vunë si detyrim.

Në Bamako ka rreth 50 xhami, ndërsa ato "uahabite" janë dhjetë. Dhe pasha e tyre ndihet. Edhe sepse disa imamë të Qendrës Kulturore Islamike janë uahabitë dhe merren me formimin e imamëve të rinj. Marabutët në islamin e Sahel dhe në Maghreb janë personazhe të shenjtëruar nga vetë populli. I përkasin traditës afrikane dhe ndihmojnë në mësimdhënien e Kuranit. Diçka e re që uahabitët e quajnë të padrejtë dhe e dënojnë. Thonë në xhami se marubitët janë haram, mëkat. Përhapja e fondamentalistëve dhe mbërritja e muxhahedinëve shtynë qeverinë e Uashingtonit të mbyllnin ambasadën në Baba Diarra përballë kaosit të stacionit. Ndërsa ambasada e re që u ndërtua është një pallat i fortifikuar në periferi, pikërisht përballë xhamisë së madhe të Shoqatës për Apel Islamik, organizëm i përdorur nga qeveria libiane për të infiltruar në rajon. Në boshllëkun strategjik që është formuar tashmë në Mali, ka vend për të gjithë. Është një boshllëk mbi të gjitha kulturor: nevoja për një identitet të ri që të zëvendësojë indiferencën e Evropës.

Çdo javë, qindra emigrantë të torturuar zbarkohen dhe lihen në mëshirë të fatit nga ushtarakët algjerianë në mes të një lufte në Tin Zauatin, oaz kufitar ku 250 kilometra vijë tokësore është e rrethuar me mina antitank, pikërisht që nga Kidali, qendra e parë e banuar që has rrugës kur zbret nga Mali, të cilin e ndan 342 kilometra shkretëtirë nga Gao, qyteti i parë i mirëfilltë. Për të bërë këtë gjë, Algjeria komplimentohet dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Franca. Në Bruksel dhe Paris, emigracioni është thjesht një çështje sigurie. Por për një popull i detyruar të studiojë historinë franceze, me libra në gjuhën franceze dhe foto njerëzish të bardhë, nuk është më pak se një tradhti. Dhe nga ky këndvështrim, predikuesit uahabiti, me komunizmin e tyre fetar, ofrojnë një alternativë tjetër: ata gjejnë përgjigjen shpirtërore, politike dhe për ata që rekrutohen në kampet stërvitore, edhe mbështetje ushtarake. Një prezencë kjo që arrin të mbulojë shumë zona rurale ku shkolla publike dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund të mbijetojnë. Kështu, gjatë 1200 kilometrave rrugë të asfaltuar, e cila të shpie në Gao, ndodh shpesh të lexosh tabela që tregojnë hapjen e medreseve, shkollave fetare ku studiohet në arabisht. Janë të financuara nga "Daua al Islamia". Nuk kanë asnjë lidhje me 18 shkollat e tjera të Djenes, qyteti që thuhet se ka xhaminë më të bukur në botë. Ato ndjekin traditat e marabutëve. Gjithsesi, Daua është një lëvizje e mbështetur nga Arabia Saudite dhe nga disa celula pakistaneze. Ka një numër telefoni ku mund të telefonosh, të thuash se do të hapësh një shkollë dhe ata të dërgojnë para e bëjnë gati stafin e mësuesve.

Gao, porta e Saharasë e rrethuar nga rëra dhe nga brigjet e lumit Niger, tashmë është lidhur me pjesën tjetër të Afrikës nga një urë e ndërtuar nga kinezët. Nga Gao ka kaluar grupi i Mohamed Said Idghiri, 31 vjeç, bosi i një celule terroristësh të përqendruar në Marok, të cilët kanë edhe disa baza të vogla në Spanjë dhe Barcelonë. Ndërsa Barka Ag Belkheir, ushtarak i forcave speciale të ushtrisë konsiderohet si një individ që do të evitojë luftën. Ishte duke u larguar nga Kidali me një mision sekret: të shkonte dhe të bënte tratativa për të liruar Uolfgang Ebner, 51 vjeç dhe bashkëshorten e tij, Andrea Kloiber, 44 vjeç, dy turistët austriakë të rrëmbyer më 22 shkurt në shkretëtirën tuniziane, si për pengjet e vitit 2003 që u transferuan në Mali.

Gao në ditët e sotme është një qytet pa lëvizje. E përshkojnë vetëm fuoristradat pa targa të kontrabandistëve algjerianë, kamionët që sjellin emigrantë drejt Mesdheut dhe ndonjë makinë ushtarake. Ministria e Drejtësisë ka vendosur të arrestojë ndonjë të huaj që po shkon drejt veriut, por ata janë të shumtë. Ka pasur sulme terroriste gjatë rrugës për në kidal: banditë, rebel, tuareg dhe thonë, Al-Kaeda. Por sa larg mund të shkojë fanatizmi? Për shembull uahabitët, nuk ua hedhin sytë vajzave, nuk shohin televizor, nuk dëgjojnë muzikë. Madje, nuk përdorin as stilolapsa, shkruajnë me maja druri dhe si bojë përdorin hi të shuar në ujë. Madje edhe lutjet i bëjnë në shtëpi, as në xhami nuk shkojnë. Por njerëzit janë të shqetësuar me praninë e Al-Kaedas në Saharanë e tyre. Muxhahedinët lëvizin në grupe prej 15 ose 20 vetash në dy ose tre fuoristrada "Toyota". Kanë gjithçka me vete, ujë, ushqime, armë dhe municione. Jetojnë për hesap të tyre. Vetëquhen muxhahedinë, ushtarë të xhihadit. Dhe thonë se sheiku i tyre është Osama Bin Laden. Flasin arabisht me theks mauritan ose algjerian. Por ka edhe afrikanë, mbi të gjitha nigerianë që mblidhen në rrugët e emigracionit klandestin. Edhe këta lëvizin me fuoristrada në karroceritë e të cilave kanë montuar mitraloza të rëndë.

Pushkë, mitraloza dhe kundërtanke i kanë paguar me 5 milionë eurot (por disa flasin për 15 milionë) që u kanë marrë turistëve evropianë të sekuestruar në vitin 2003. Ndërsa fuçitë me karburant i blejnë në El Khalil, një pus uji në Mali rreth 20 kilometra nga kufiri algjerian i Bordj Mokhtar. Pusi kontrollohet nga ushtarakët malianë. Por muxhahedinët ndalen në kilometrin e 15-të. Telefonojnë me celularin satelitor dhe menjëherë trafikantët e El Khalil shkojnë bashkë me karburantin e porositur. Në fakt muxhahedinët paguajnë mirë.


Gazeta Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: