''Pa Fokus'': Intervistë më sociologen Entela Binjaku
| E Premte, 08.11.2013, 07:52 PM |

1. Ju jeni ndër të paktat sociologe profesioniste në vendin tonë dhe që vazhdimisht në intervistat apo shkrimet tuaja e keni vënë theksin fort këtë drejtim të punës suaj, njëkohësisht jepni edhe mësim në universitet. Sipas mendimit tuaj: a ka nevojë sot në Shqipëri për sociologë profesionistë, në kuptimin e plotë të këtij termi dhe pse?

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën për të qenë pjesë e revistës “Pa Fokus”, së dyti ju dëshiroj me zemër rrugë të gjatë dhe të mbarë në këtë iniciativë të shprehur përmes botimit të një reviste që shkon në drejtim të emancipimit shoqëror. E konsideroj të çmuar çdo përpjekje që shkon si kontribut në drejtim të ngritjes kulturore të shoqërisë shqiptare si një nevojë dhe domosdoshmëri për zhvillimin tonë shoqëror.

Ju falënderoj për cilësimin “si ndër të paktat sociologe profesioniste”, ndjehem shumë e nderuar për këtë, por në një kuptim më të gjerë do të doja të ishte ndryshe. Pra, do të doja të kisha më shumë kolegë me të cilët të të ndanim pasionin tonë për sociologjinë, dashurinë për shoqërinë pjesë e së cilës jemi, shqetësimet për panoramën tonë shoqërore, dëshirat për një shoqëri më të mirë, si kontributet vetjake e të grupuara në drejtim të përmirësimit. Ndërkohë kemi një numër i lartë të diplomuarish në vite, aktivitetin e të cilëve e ndjej pak, por rëndësinë e ekspertizës të së cilëve e konsideroj të lartë.

Padyshim që nevoja për studiuesit e shoqërisë është e madhe, sepse edhe problematikat dhe dukuritë në shoqërinë tonë janë të panumërta, një pjesë të panjohura, një pjesë të trashëguara, një pjesë të aktualitetit dhe një pjesë të së kaluarës por që reflektohen edhe sot. Një shpjegim dhe zgjidhje e këtyre problemeve nënkupton njohjen e tyre, pasqyrimin përmes njohjes së lidhjeve kazuale që gjenden në bazën e tyre si dhe rekomandimet për aplikimin në praktikë.

Jo vetëm kaq por edhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore në vendin tonë është relativisht i ri dhe në një farë mënyre të diplomuarit dhe vetë ai Fakultet “po rriten e po maturohen së bashku”.

Për të kuptuar nevojën për sociologë profesionistë, duhet të kuptojmë rëndësinë që kanë ata për shoqërinë tonë dhe profilin e një profesionisti njëkohësisht.

Edhe pse këndvështrimi në kohë për shkencën e sociologjisë ka ndryshuar që kur sipas bindjes së Komtit, “sociologjia ishte apogjeu i të gjitha shkencave”, në fillimin e shekullit XIX, deri sot kur ajo identifikohet si një nga shkencat e shumta shoqërore p.sh. si, antropologjia, psikologjia, ekonomia, shkencat politike etj, sërish rëndësia e madhe lidhet me nevojën për ekspertizën e sociologëve në shoqëri dhe me çështjet që e shqetësojnë sociologjinë. Ato janë të panumërta dhe shumë të pranishme ndër ne, në shoqërinë tone si: diskriminimi, deviacioni dhe kontrolli shoqëror, migrimi, veprimi shoqëror, ndryshimi shoqëror, drejtësia dhe padrejtësia shoqërore, rendi shoqëror, pozicioni shoqëror, shtresëzimi shoqëror, shoqërizimi, shoqëria, imagjinata sociologjike, strukturat dhe agjencitë. Sociologët janë gjithashtu të shqetësuar për çështjet e seksit, të moshës, të etnisë që i ndeshim në jetën e përditshme të njeriut.

Sociologët e kohëve të fundit, po mbështeten shumë tek “fuqia perëndimore” e fushës. Në përgjigje të kësaj, departamentet e sociologjisë, kudo në botë, po nxisin studimin e shumë kulturave dhe kryerjen e kërkimeve në partneritete të shumta. Ndaj, për të mbërritur në këtë standard, ne duhet të punojmë shumë në drejtim të njohjes së kësaj fushe, pranimit të rëndësisë së ekspertizës së saj, inkurajimit të suksesit në zbulimin e panoramës tonë shoqërore, rritjes së cilësisë në nivele të krahasueshme me kolegët tanë ndërkombëtarë, gjë e cila nënkupton krijimin e portretit të sociologut profesionist. Pra, njëkohësisht me pranimin e nevojës së tyre, kemi ndihmuar edhe njohjen e profilit të sociologut profesionist.

Unë kam fatin të kem studiuar në Universitetin e Bukureshtit ku shkencat shoqërore edhe atje i janë nënshtruar një kufizimi gjatë viteve të regjimit komunist, por sërish tradita e mendimit sociologjik është më e shtrirë në kohë sesa tek ne dhe përvoja e përcjellë e ka ndihmuar mjaft të renë. Në vendin tonë, një pjesë e atyre që morën në dorë drejtimin dhe organizimin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore vinin nga fusha të tjera interesi, një pjesë u shkolluan nxitimthi, me periudha të shkurtëra, për të përmbushur thjesht kërkesat e çastit. Sigurisht kontributi i tyre është i madh, por përvoja nga e cila unë vij është e ndryshme nga ajo që gjeta këtu.

2. Nga universiteti shtetëror dhe nga universitetet private çdo vit diplomohen qindra sociologë, ndërkohë që tregu jo vetëm nuk i përthith si kërkues pune por edhe si aplikues të një profesioni që mundëson ndihme konkrete për shoqërinë tonë shqiptare kaq problematike. Si e shpjegoni ju këtë diskordancë apo mosmarrëveshje me tregun?

Fakulteti i Shkencave Shoqërore  të Universitetit të Tiranës që në vitin e çeljes së tij, në 1993 e deri më sot ka diplomuar me mijra të rinj e të reja në fushat e sociologjisë, psikologjisë, shkencave politike, filozofisë.  Duke i shtuar këtij numri edhe mijëra të tjerë që janë  diplomuar në universitetet rajonale, si dhe të gjithë ata djem e vajza që shkollohen në institucionet jopublike, ata që janë diplomuar në universitetet jashtë Shqipërisë, numri i të diplomuarve në shkencat sociale do të ishte shume i lartë dhe nevojat e shoqërisë për mbështjejten e tyre dhe këshillimet apo asistencën deri diku do të ishin të përmbushura. Por realiteti nuk e dëshmon këtë. Në tregun e punës shumë pak janë të inkuadruar, nevojat e shoqërisë janë të mëdha dhe ndikimi i tyre nuk ndjehet thuajse aspak. Ne në sociologji flasim shumë për lidhjen shkakësore.

Sipas meje, kjo ndodh për disa arsye: së pari, diplomohen më shumë sesa mund të punësohen, së dyti, sepse në të gjitha pozicionet ku mund të punësoheshin është përherë dikush, i diplomuar në një fushë tjetër e konsideruar si “më e përshtatshme”, së treti, sepse edhe kur janë të punësuar më shumë sesa shkollimi në këtë fushë, ka shërbyer ndonjë faktor tjetër jashtë tij.

Një arsye tjetër vjen edhe nga mungesa e traditës me profesionistët e kësaj fushe, hera-herës cilësia e ulët e arsimimit të atyre që mund të jenë punësuar, ka sjellë një prezantim të dobët në vendin e punës, duke krijuar opinionin e “ një profesioni  të panevojshëm”, etj.

3. Në këndvështrimin tuaj si pedagoge, studentët e zgjedhin degën e sociologjisë se e kanë pasion? Se është një degë e lehtë? Apo vijnë thjeshtë që të bëjnë një universitet pavarësisht degës që zgjedhin për studim?

Në vëzhgimet e mia nga bisedat apo intervistat e zhvilluara me studentë të shkencave shoqërore ndër arsyet që i nxisin këta studentë të ndjekin studimet në fushat e shkencave shoqërore mund të përmend disa: një pjesë prej tyre ndjehen më shumë të orientuar drejt shkencave shoqërore, një pjesë sepse i konsiderojnë më të thjeshta në përvetësim, një pjesë sepse “nuk kanë ku të shkojnë tjetër”, një pjesë sepse “është më mirë në këto degë sesa të mbeten pa diplomë”. Në shumicën e rasteve nuk reflektohet në motivimin e tyre pasioni për këto fusha, perspektiva e së ardhmes, apo nevoja që shoqëria ka për këta profesionistë. Sigurisht mungesa e shembujve të suksesit në tregun e punës së këtyre të diplomuarve patjetër që nuk i motivon.

4. Si e shikoni të ardhmen e sociologjisë shqiptare? Dhe sa pranë është ajo shkencës së sociologjisë bashkëkohore?

Imagjinata sociologjike, që është vetia e të përqafuarit me mendje e një realiteti të largët, më thotë se e ardhmja e sociologjisë shqiptare ka nisur të projektohet, ajo vjen e mbështetur mbi një mendim sociologjik shqiptar që i takon një periudhe të largët në kohë, që lidhet kryesisht me Rilindjen tonë Kombëtare, ka njohur një lloj boshllëku gjatë viteve të regjimit komunist, nisi të rimëkëmbet në këto dy dekada ndryshime dhe tani po krijon një terren ku mund të mbështeten brezat e ardhshëm dhe të ngrihen mbi të. Sigurisht një ndër arsyet që më pezmaton në parashikimin e së ardhmes lidhet edhe me faktin se në këto degë diplomohen më shumë vajza, të cilat për disa arsye nuk e çojnë më përpara shkencën e sociologjisë.

Por, kujtoj se në fillimet e viteve 2000 kur unë sapo isha diplomuar, sociologjia këtu as nuk njihej, njerëzit që kishin dijeni për të ishin shumë të pakët. Pjesë e dhimbjes sime në atë kohë ishte jo vetëm mosnjohja, por edhe mungesa e kërshërisë për të, pa folur këtu edhe për paragjykimin si “një degë pa rëndësi”.

Sot pjesë e krenarisë sime profesionale është prezantimi me publikun e gjerë me sociologjinë, me punën tonë si sociologë dhe me rëndësinë e madhe dhe domosdoshmërinë e kësaj fushe, pa lënë mënjanë edhe ballafaqimet me kolegët tanë nëpër botë.

Literatura që ne përdorim, studimet me të cilat këshillohemi, studimet që kryejmë apo dhe publikimet tona na kanë afruar gjithmonë e më pranë mendimit sociologjik bashkëkohor, por edhe ballafaqimi me to sot është më i matshëm dhe lehtësisht i vlerësueshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: